GËNJESHTRA DHE SHPËRFOLJE (I)

nga K.Z.

Lexova artikullin “Quo Vadis, Drejtor?” nga Janko Kalemi dhe ndoqa me shumë kuriozitet valëzimet e komenteve. Parapëlqeva të mos marr pjesë në atë debat, ku shpjegimet do të humbisnin mes tollovisë së komenteve të njëpasnjëshme, që ndiqnin sa rrjedhën e arsyes dhe të argumentit, aq edhe atë të gjakut përvëlonjës “patriotik” që gjithçka e justifikon, sepse ashtu i ka hije patriotit! Shpalova ca tekste të vjetra e të ra, dhe kuturisa të radhis shpërfoljen e ca gënjeshtrave, ashtu siç dikur i ndershmi patriot Petro Luarasi mori kalemin dhe radhiti të mirënjohurën vepër të tij “Mallkim i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”. Në po atë frymë, për të mbrojtur të vërtetat e gjendshme lehtë dhe për të bërë dallimin mes shtrembërimit dhe së drejtës, shkruajmë këto radhë (të cilat lusim Tënëzonë të kemi fuqi t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen).

Gënjeshtra 1: Titulli i institucionit që përfaqëson ortodoksët e Shqipërisë është “Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”.

Shpërfolja 1: Statuti i 17 shtatorit 1922 emërton organizmin “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë”. Statuti i vitit 1929 e ndryshon nën “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Tomos-i Patriarkal i vitit 1937, që është edhe guri i themelit i Autoqefalisë së KOASh-it e njeh me emërtimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Ky emërtim mbetet në fuqi me statutin e vitit 1955 dhe atë të vitit 2006, i cili është ende në fuqi.[1] Përdorja e çdo emërtimi tjetër (si: Kisha Autoqefale; Kisha Kombëtare Shqiptare; Kisha Ortodokse Kombëtare; Kisha e Nolit; Kisha Autoqefale Shqiptare, etj.) nuk është i qenësishëm.

Gënjeshtra 2: Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e themeloi Fan Noli.

Shpërfolja 2: Lexojmë dhe dëgjojmë shpesh “Kisha e Nolit”. Po, Imzot Theofan Mavromati-Noli ishte themelues i një bashkësie ortodoksësh shqiptarë në Boston, Massachusets (kujdes: jo kishe). Meshën e parë në gjuhën shqipe e mbajti më 22 mars 1908. Ky ishte fillimi i asaj që sot është Albanian Orthodox Archdiocese of America, me në krye të mirënjohurën katedrale të Shën Gjergjit në Boston, MA.[2] KOASh (për emërtimet e ndryshme ndër vite shih Gënjeshtrën 1) e ka zanafillën e krijimit pas shpalljes Autoqefale (e mëvetësishme) nga Kongresi i Beratit, në shtator 12, 1922. Fan Noli nuk ka qenë nënshkrues në këtë kongres, për arsyen e thjeshtë se në kongres u dërguan delegatë nga komunitetet ortodokse të Shqipërisë, dhe Noli nuk mund të përfaqësonte asnjë komunitet lokal, pasi nuk ishte banor, as anëtar i ndonjë famullie të Shqipërisë.

Gënjeshtra 3: Kryepeshkopi aktual, Anastasi, ka konflikt me Statutin e KOASh.

Shpërfolja 3: Në një artikull të vonë, gazetari Artur Zheji thotë[3]: “[…] në statusin themeltar të Kishës ortodokse Autoqefale shqiptare, duhet që drejtuesit e saj të lartë, të jenë shqiptar, në shtetësi, në kombësi dhe në gjak”. Dhe: “Kryepeshkopi ynë, ka 25 vjet që ushtron funksionet e tija, krejt në kundërshtim me statutin themeltar të Visarion Xhuvanit dhe të Fan S. Nolit”. Nuk ekziston asnjë statut themeltar i Visarion Xhuvanit apo Fan S. Nolit! Statuti i KOASh i vitit 1923 nuk përmend gjakun, kombësinë apo shtetësinë e kryesisë së KOASh (në atë statut organi më i lartë drejtues caktohet Këshilla e Lartë e KOASh, deri sa të formohet Sinodi). Statuti i vitit 1929, Neni 16 cilëson: “Kryepishkopi, Peshkopët, Zavendësit e tyre llokalë […] duhet të jenë prej gjaku, gjuhe Shqipëtarë si edhe të kenë nënshtetsinë shqiptare”. Statuti i vitit 1950, Neni 4 cilëson: “[…] gjithë funksionarët dhe personeli i saj (Kishës), duhet të jenë shtetas shqiptarë, të ndershëm, besnikë të popullit dhe të Atdheut, dhe të gëzojnë të drejtat civile”. Duket qartë në këtë Statut se gjaku dhe kombësia nuk përbëjnë më kusht për të qenë pjesë aktive e KOASh, por vetëm shtetësia. Në kuvendin kleriko-laik të mbajtur më 21 janar 1993 në Durrës, ku morën pjesë 190 delegatë nga gjithë Shqipëria, u vendos të pezullohet Neni 4 i këtij Statuti dhe të propozohet Primat i KOASh Prof. Dr. Anastasi, i cili atëbotë kërkoi shtetësinë shqiptare, për të përmbushur nenin e pezulluar. Për këtë pezullim të përkohshëm ra dakord edhe Presidenti i Republikës (4 korrik 1992). Statuti i vitit 2006 nuk përmend çështje të gjakut, kombësisë apo shtetësisë së Primatit të KOASh apo funksionarëve të tjerë të cilitdo nivel. Pra, vetë të krishterët ortodoksë të Shqipërisë nuk i kërkojnë Primatit të tyre apo Sinodit të kenë kombësi dhe shtetësi shqiptare.

Gënjeshtra 4: Kryepeshkopi, Mitropolitët, anëtarët e Sinodit të Shenjtë të KOASh duhet të jenë shqiptarë.

Shpërfolja 4: Statuti në fuqi i KOASh (2006) nuk përmend askund çështje të kombësisë apo shtetësisë së Kryepeshkopit, Mitropolitëve, anëtarëve të Sinodit të Shenjtë. Nëse diskutohet një gjë e tillë nga publiku i gjerë, të paktën le të ndodhë duke marrë parasysh se këtë e ka vendosur vetë komuniteti ortodoks. Nuk ka kundërshti mes komunitetit në këtë pikë. Nëse ka diçka që nuk shkon, kjo duhet diskutuar pa kapërcyer caqet e lirisë së gjithsecilit. Askush nuk ka të drejtë t’u hyjë ortodoksëve në shtëpi të tyre dhe t’u bëjë ligjin.

Gënjeshtra 5: Në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë mesha bëhet greqisht.

Shpërfolja 5: Statuti i KOASh i vitit 206 në Nenin 7 cilëson: “Gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shqipja. Orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën e tyre tradicionale adhuruese, me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekstet e shërbesave fetare në shqip. Në korrespodencën me Kisha të tjera Autoqefale apo me subjekte të huaja në përgjithësi, përdoren edhe gjuhë të tjera.” Ky Statut u pranua njëzëri nga Asambleja Kleriko-laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë më 4 nëntor 2006 dhe u miratua nga Sinodi i Shenjtë, më 6 nëntor 2006.

Duke mos paragjykuar cilindo që thotë se në “kishat ortodokse të Shqipërisë meshohet greqisht”, ndenja dhe bëra një llogari të thjeshtë: sa klerikë jo shqiptarë ka në Shqipëri? Nuk e di me saktësi, dhe këtë vetëm organet e autorizuara duhet ta dinë, veç KOASh-it. Sidoqoftë, po të bëjmë një llogari të përgjithshme, nuk do dalin më shumë se një dyzinë. Në faqen zyrtare të KOASh informohemi: “Me kujdesin e Kryepiskopit u arsimuan dhe u hirotonis ky brez i ri klerikësh, të gjithë nënshtetas shqiptarë. Sot shërbejnë 151 klerikë (të të gjitha gradave), me arsim të lartë”.[4] Sado të lartë ta kenë arsimin klerikët, po të ndalosh nëpër kishat e fshatrave gjatë beharit, teksa njeriu bredh lart e poshtë me pushime, mund të konstatohet lehtësisht se arsimi i këtyre klerikëve është i mjaftueshëm për përgjegjësitë që kanë, por assesi nuk janë poliglotë. Si u bëka mesha greqisht, kur priftërinjtë janë shqiptarë në moshë të pjekur dhe aspak të edukuar mjaftueshëm sa të meshojnë greqisht? Dhe, të mos harrojmë, kur themi “meshoj greqisht”, e kemi fjalën për greqishten bizantine, gjuhë e kultivuar liturgjike, madje në nivel filologjik më të epërm se gjuha e ungjijve, tekste të cilat një grek i zakonshëm as i lexon, as i kupton dot, por vetëm një person i ushtruar dhe i kultivuar me atë lloj gjuhe. Për cilindo që ka shkelur në një kishë ortodokse gjatë kohës së meshës, do të vërë re se nuk është vetëm prifti që meshon, por shoqërohet edhe nga një apo disa psaltë. Tani, nëse prifti meshon greqisht, afërmendësh që psaltët do të këndojnë greqisht, përndryshe do kishim një Babel të vërtetë në mes të kishës. Pra, na duhet edhe të paktën një psalt, që të bëhet mesha greqisht. Do të kishim qenë vend me fat sikur të kishim 151 priftërinj, bashkë me të paktën 151 psaltë, rrumbullak 302 helenistë potencialë, në Shqipërinë ku nuk kemi asnjë helenist të vetëm, as në universitete, as në Akademi të Shkencave, as në Akademinë e Studimeve Albanologjike! Siç thotë Aristoteli, φίλος μεν Πλάτων, φιλτάτη δε ἡ αλήθεια (mik e kam Platonin, por më shumë kam mike të vërtetën).

(c) 2018, autori


[1] Të gjithë statutet mund të konsultohen këtu: http://www.albanianorthodox.com/Kisha/kisha.html#Legjislacioni

[2] http://www.saintgeorgecathedral.com/index.html

[3] http://www.360grade.al/me-shume/editorial/item/117168-pse-janullatosi-e-paska-keqkuptuar-ilir-meten

[4] http://orthodoxalbania.org/alb/index.php/al/kisha-jone/veshtrim-i-pergjithshem

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *