GJENERALI I CITUESHËM

Në ndërhyrjen e vet, në debatin e përgjithshëm gjatë sesionit të 74-t të OKB-së më 27 shtator 2019, të cilën mund ta ndiqni të plotë në anglishte këtu, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal edhe në çështjet e sigurisë globale, ku ndër të tjera tha:

There is a saying, from a long-experienced army general if I am not mistaken that there are two sort of countries in the world: small countries and the countries that are not aware that at the end of the day they are still small.

(citati fillon në minutën 7:50 të regjistrimit)

Për të vazhduar pastaj me përgjegjësitë e Shqipërisë, si vend i vogël, në këtë kontekst.

Këtë pasazh Newsbomb.al e përcolli të përkthyer kështu:

E për sigurinë ka një thënie nga një gjeneral ushtrie me përvojë të gjatë, që “ka dy lloj vendesh në botë, vende të vogla dhe vende që nuk janë të vetëdijshme që në fund të fundit ende janë të vogla”.

Ndërsa TemA në anglishte e përmblodhi kështu:

There is a saying: Albania may be a small country, but it is aware of its responsibilities.

Yeah, a well known saying indeed.

Në epokën e motorëve të kërkimit, liderëve u dalin gjithnjë probleme me citimet dhe citatet; edhe pse gabimet i bëjnë, me gjasë, fjalimshkruesit e tyre. Ndonjëherë, liderët i lënë qëllimisht të kalojnë pasaktësi të tilla, për të verifikuar nëse ua dëgjon kush fjalimet.

U bëra kurioz për gjeneralin me përvojë, në fjalën e Ramës, dhe u vura ta kërkoj citatin në Google.

Por gjeta vetëm një thënie të qershorit 2017, nga ministri i financave të Danimarkës, Kristian Jensen, i cili, duke iu referuar Brexit-it, u pat shprehur kështu:

There are small nations and there are countries that have not yet realised they are small nations.

Jansen këtu e kish fjalën për Danimarkën e vet si small nation; dhe për Mbretërinë e Bashkuar, që nuk kish arsye të sillej si super-fuqi dhe që, si vend europian, mbetej edhe ajo vend i vogël, pa çka se nuk e kish kuptuar ende.

Nëse këtë e ka thënë edhe ndonjë gjeneral me përvojë të gjatë, këtë nuk e gjeta dot. Të tjerë më të zotët dhe më të duruar se unë mund ta gjejnë. Vetë Rama ngurroi, duke shtuar “if I am not mistaken” – i vetëdijshëm se kish diçka që nuk shkonte me citatin.

Në fakt, kështu siç u pretendua ta ketë thënë ky gjeneral me përvojë, por ende i paidentifikuar, citati nuk ka kuptim – në botë ka edhe vende të vogla edhe vende të mëdha. Tingëllon pak si e tepruar të thuash se vende si Kina, Rusia, India ose SHBA “nuk e kanë kuptuar ende që janë vende të vogla.”

Gjithnjë shpresoj në aftësitë bibliografike të fjalim-shkruesve të Ramës – dhe kushedi ka pasur vërtet ndonjë gjeneral që i ka kujtuar të gjitha vendet si të vogla. Por ky do të ketë ndonjë gjeneral që i ka pasë vënë dylbitë mbrapsht, prandaj edhe e meriton që të dallohet nga shokët.

Më ndihmoni të paktën për ta identifikuar gjeneralin.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen me rrugë ligjore.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top