GJENETIKA NË SHKOLLË

Në një shkrim të mëparshëm, u vërejtën rezultate të ngjashme në arritjet e nxënësve në Shqipëri dhe të emigrantëve shqiptarë në Itali, Angli dhe Greqi. Për këtë u hodh hipoteza se këto ngjashmëri mund ti atribuoheshin inteligjencës së kombit shqiptar, dhe jo thjesht faktorëve ekonomikë apo politikave arsimore. Në nivelin e krahasimit ndërmjet vendeve ka një korrelacion të lartë ndërmjet IQ dhe arritjeve të nxënësve në provimet e standardizuara të PISA dhe TIMSS. Për shembull, për PISA ky korrelacion është shumë i lartë sidomos për matematikën dhe shkencën (mbi 0.8[1]).

Diskutimet mbi ndikimet gjenetike në arritjet shkollore janë kryesisht pjesë e ligjërimeve të grupeve të ekstremit të djathtë, të cilët justifikojnë shkencërisht pabarazitë ekonomike, diskriminimet, e stereotipet racore apo etnike. Në Shqipëri ka përpjekje për ta lidhur të djathtën shqiptare në ligjërime të ngjashme, sidomos ato që janë kundër vlerave progresiste. Është interesante se çfarë drejtimi mund të marrë një diskutim i tillë në Shqipëri, sidomos në ato që përkrahin D. Trump, V. Orban apo ndonjë tjetër populist të së djathtës.

Nga përllogaritjet e mia, në varësi të formulës (me devijimin standard të PISA 2015, apo të rezultateve të saj brenda vendit) del që IQ e Shqipërisë të jetë ndërmjet 83-88 (IQ ka një mesatare prej 100 pikësh dhe devijim standard 15). P.sh. nga vlerësimi më i fundit i Lynn & Vanhanen (2012) Shqipëria e ka IQ 82 (shih grafik 2 për disa vlerësime apo lloje të matjes së IQ, por vlerësimi më i lartë është bërë në vitin 2000 nga të njëjtët autorë duke marrë fqinjët si mesatare). Në krahasim me vendet e rajonit është rezultati më i ulët. Gjithësesi, ka një përmirësim duke marrë parasysh rritjen e rezultateve të PISA në 2015.

IQ ne rajon

Vleresime të IQ të disa vendeve të Ballkanit

Bazuar mbi notën e matematikës në PISA 2015, e përllogaritur me formulën e Lynn & Vanhanen (2012), IQ e Shqipërisë në 2015 shënon disa pikë ngritje, në gati 86 pikë.

Arsyet për nivelin e ulët të IQ, mund të jenë edhe gjenetike, veç faktorëve të ndryshëm ekonomikë dhe social (shpenzimet për arsim, kequshqimi etj.). Për shembull, edhe pse IQ e disa vendeve është e ulët, si p.sh. Kuvajti (me 85.6), rezultatet në testet ndërkombëtare janë më të larta nga çfarë parashikojnë modelet. Në rastin e Kuvajtit, shpjegohet pjesërisht me investime në arsim dhe reformat e fundit në sistemin arsimor. Ndërsa Filipinet (90), e kanë IQ më të lartë se Kuvajti, por dalin më dobët në testet ndërkombëtare. Kurse studimet më të fundit[2] kanë demonstruar lidhje të konsiderueshme ndërmjet polygenic score dhe arritjeve në arsim.

Në testet e inteligjencës maten edhe shprehitë verbale, si p.sh. pasuria e fjalorit. Në jetën e përdishme kjo mund të analizohet në diversitetin e leksikut të individëve. Për këtë unë analizova diversitetin leksikor të 3 mediave online më të mëdha në vend (Gazeta Dita, Panorama, Tema). Ndërtova një korpus me rreth 50 artikuj editorial dhe komentet poshtë tyre. Vendosa edhe Peizazhe të Fjalës si kut matës për ta krahasuar me to. Diversiteti leksikor matet ose me raportin e fjalëve unike mbi totalin e fjalëve  (TTR , Text-Types Ratio) dhe Hapax (Hapax proportion, raporti i fjalëve që përdoren vetëm një herë në tekst, ndaj numrit total të fjalëve).

 

Sikur vërehet në grafik, editorialet e gazetave Tema dhe Panorama janë më të varfra në fjalor. Te Tema editorialet i shkruan vetëm pronari (M. Baze).  Gazeta Dita lejon komente shumë të gjata dhe numri i fjalëve unike në seksionin e komenteve është i madh, pasi nga gabimet ortografike ka shumë versione të së njëjtës fjalë. Peizazhe ka diversitetin leksikor më të lartë se të tjerat (TTR dhe Hapax) dhe mund të spekulohet se këtu shkruajnë e komentojnë individë me inteligjencë së paku mesatare. Por bisedat e fjalimet në Parlament (p.sh. Seanca 21 Korrik 2015, Legjislatura VIII) e ka diversitetin leksikor (TTR =0.5, dhe Hapax proportion=0.4) më të lartë se të gjitha mediat në këtë analizë. Ndoshta me të vërtetë na qeverisin më të mençurit, edhe pse jo më të denjët.


[1] Lynn, R., & Vanhanen, T. (2012). Intelligence: A unifying construct for the social sciences. Ulster Institute for Social Research.

[2] Selzam, S., Krapohl, E., von Stumm, S., O’reilly, P. F., Rimfeld, K., Kovas, Y., … & Plomin, R. (2017). Predicting educational achievement from DNA. Molecular psychiatry22(2), 267.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top