GJIZA E DIJES

Faqja 27.al, e cila rregullisht interesohet për çështje të kulturës e të albanologjisë, këtë herë kish vajtur e kish shkulur nga Facebook-u një status nga “studiuesi i mirënjohur Fahri Xharra”[1], i cili ka reflektuar rreth fjalës anglishte cheese dhe e ka nxjerrë këtë nga shqipja gjizë (Fjala “cheese” për djathin në anglisht vjen nga shqipja “gjizë”?). Ja si e paraqet tezën e vet studiuesi në fjalë:

A e dini se anglezët i thonë djathit “cheese” (çizë) dhe kjo rrjedhë nga fjala shqipe “gjizë”.

Nuk është hera e parë dhe as do të jetë e fundit që shqipja përdoret si instrument universal për të shpjeguar fjalë gjuhësh të tjera – këtë herë shorti i paska rënë anglishtes.

Mirëpo fjalës cheese në anglishte ia kanë identifikuar me kohë prejardhjen, duke e lidhur etimologjikisht me latinishten caseus, të cilën e ka marrë edhe gjermanishtja si Käse dhe holandishtja si Kaas: bëhet fjalë për një huazim të përbashkët të gjuhëve gjermanike nga latinishtja.

Përkundrazi, shqipja gjizë (madje edhe në versionin xhizë) konsiderohet si fjalë e fondit indo-europian; etimologjia e saj ende diskutohet, por askush deri më sot nuk e ka vendosur në lidhje me latinishten caseus dhe aq më pak me fjalët përkatëse në anglishte, gjermanishte dhe holandishte.

Sa për shqipen djathë, një tjetër fjalë e fondit indo-europian në shqipe, studiuesi Fahri Xhara thotë kështu: “djathi si produkt dhe emër tek ne ka lindur shumë më vonë se gjiza.” (Tek ne?) Gjithsesi, dhe pa u futur në debate me natyrë bulmetore, nuk ka arsye gjuhësore të supozohet se fjala djathë, në shqipe, është më e re se fjala gjizë.

Duke botuar kuriozitete të tilla, faqja 27.al dizinformon lexuesin pa arsye. Asgjë nuk i shtohet shqipes, as kulturës shqiptare, me përpjekjet për t’i shpjeguar fjalë të gjuhëve të tjera si “të ardhura nga shqipja.” Asgjë nuk i shtohet, në rastin tonë, as edhe anglishtes – gjuhë historinë e së cilës e kanë studiuar të tjerë dhe fjalëve si cheese ua kanë përcaktuar menjëherë prejardhjen.

Madje kjo përpjekje e z. Xharra po më tingëlloka fort e ngjashme me pretendimet e cave që “kanë deshifruar më në fund greqishten e Homerit”, a thua se nuk paskësh qenë bota në gjendje t’i lexonte Iliadën dhe Odisenë, pa ndihmën e “shqipes së vjetër.”[2]

Historia e gjuhës shqipe ka shumë të panjohura, të cilat mund t’ua trazojnë pasionet edhe studiuesve amatorë. Megjithatë, etimologjitë e fjalëve të fondit indo-europian të shqipes, si gjizë dhe djathë, nuk duhen prekur përveçse nga gjuhëtarë etimologë të përgatitur, të cilët të paktën e dinë se çfarë nuk dinë.

Falë përpjekjeve të disa brezave të hulumtuesve të klasit të parë – nga G. Meyer-i te Jokli, Çabej dhe më të rinj si B. Demiraj dhe Orel, është krijuar një traditë edhe në etimologji; ku njëri brez kapitalizon arritjet e brezit tjetër dhe i çon ato më përpara. Mjaft të shohësh trajtimin e thellë dhe të hollësishëm që u bën Çabej ose B. Demiraj këtyre dy fjalëve, për të kuptuar se jo kushdo mund të ulet dhe të merret me etimologji; madje jo kushdo mund ta kuptojë zhbirimin etimologjik.

Prandaj edhe përpjekje si këto që ka vendosur të nxjerrë në pah faqja 27.al kanë natyrë në thelb anti-dije, sepse i shpërfillin dhe i nëpërkëmbin arritjet e deritanishme të dijes albanologjike, për t’u lënë vend fantazive, dëshirave dhe përrallave.

Nuk dua të paragjykoj gjakimin e një amatori kushedi të sinqertë që i shtjellon fantazitë e veta për qejfin e vet, në blogun e vet; por do t’i ftoja redaktorët e kësaj faqeje dhe të shumë faqeve të tjera të ngjashme, që t’u rrinë larg temave të tilla, sa kohë që nuk janë në gjendje që t’i vlerësojnë kontributet e të tretëve dhe të ndajnë shapin nga sheqeri, ose seriozen nga qesharakja. Me dëshirën e tyre për t’i shërbyer mitologjisë kombëtariste dhe ideologjisë kombëtare, ata në fakt po e dëmtojnë këtë ideologji, duke e kthyer në parodinë e vetvetes.

Më e mira do të ishte sikur kjo dëshirë, e kombinuar edhe me pasionin e mirënjohur të zotit Xharra, të shfrytëzoheshin për t’u mësuar shqiptarëve të sotëm shqipen e shkruar dhe për t’i familjarizuar këta me tekstet e shkruara në këtë gjuhë, të sotmet dhe të djeshmet. Sepse përndryshe, teksa mediat bëjnë garë mes tyre për ta shtrirë ndikimin e shqipes së lashtë në gjithë planetin, shqiptarët nuk do të jenë më në gjendje të lexojnë as SMS-të që shkruajnë vetë.


[1] Në faqen që i bashkëlidhet në Wikipedia, Fahri Xharra prezantohet si inxhinier i diplomuar në Universitetin e Lubljanës, që ka punuar pastaj në biznese të ndryshme industriale dhe tregtare anembanë botës. Lihet të kuptohet se aktivizimi i tij i vonë në albanologji është i zellshëm dhe i përkushtuar, por jo profesional. Megjithatë, edhe kjo faqe vuan nga i njëjti problem: mungesa e profesionalizmit. Blogu i Fahri Xharrës mund të shfletohet këtu.

[2] Në studimet e veta, Xharra është marrë edhe me gjuhën kopte, duke e lexuar pak a shumë sipas kësaj metode: koptishte en ten koa evol, shqip tan kon e fol, “të gjithë kanë për të folur” (nuk e kuptoj mirë nëse këto zbërthime janë të Xharrës, apo të koleges së tij Fiorina Shiko; por e kam të qartë se koptishtja nuk ka nevojë të zbërthehet, sepse mund të lexohet lirisht; kjo nuk ia heq lezetin etimologjive te tilla si Aegiptus, në analizë të fundit nga shqipja “a ku prij ti je” që do të thotë “nga ku ti vjen, prejardhje”; ndoshta 27.al do t’ia prezantojë këtë mrekulli lexuesit në ndonjë shkrim të ardhshëm).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.