GJYQTARËT DHE DEMOKRACIA MILITANTE

nga Denar Biba

Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë gjykimit ndaj të ashtuquajturve “xhihadistë”, njëri prej tyre tha se “Shqipëria nuk është e pavarur dhe se vetëm ISIS mund ta çlirojë vendin nga qeveritarët e korruptuar

Nuk ka asgjë për t’u komentuar në këtë qëndrim të të pandehurit përkatës, përveçse që në demokraci, a priori, gjithkush ka të drejtë të shprehë mendimin e bindjet e tij publikisht.

Çfarë më tërhoqi vëmendjen nuk ishte ky delirim nga thellësia e psikës së një individi, i cili me sa duket, jo thjesht mendon ndryshe nga shumica e bashkëkombësve të tij (mua përfshirë), por edhe ka vendosur të veprojë për realizimin praktik të qendrimit të tij ideologjik; por apatia, hutimi apo indiferenca (quajeni si të doni) e gjyqtarëve dhe përfaqësuesit të prokurorisë në këtë gjykim, sjellje e paparanueshme për mënyrën sesi e shoh unë rolin e magjistratëve në demokraci.

Nuk e teproj ndërsa shkruaj se tonelata të tëra boje janë konsumuar për të (fillimisht) identifikuar, (e më pas) mbrojtur e përshkruar pozitën dhe detyrat e gjyqtarit në demokraci, por me sa duket, për shkak të marrëdhënies sonë ende foshnjore me vlerat e parimet perëndimore, këto të fundit ende nuk janë bërë pjesë e natyrshme e filozofisë ekzistenciale të këtyre mbrojtësve të vijës së parë të frontit përballë kujtdo që aspiron përmbysjen e rendit tonë kushtetues.

Sepse dallon një kriminel i rëndomtë, qoftë ky edhe një vrasës gjakatar, nga individët që po gjykohen në gjyqin e sipërpërmendur. Këta të fundit nuk duan thjesht të likuidojnë ata banorë të Tokës, pa dallim kombësie, që nuk besojnë posaçërisht në atë që ata vetë besojnë (që, veç dreqi e di se ç’është), por shkojnë shumë përtej se kaq, ndërsa synojnë (dhe e shpallin botërisht këtë) vendosjen e një Kalifati Islam, i cili është radikalisht i ndryshëm e në antagonizëm të plotë me mënyrën sesi ne jetojmë, parimet tona të sjelljes dhe vlerat me të cilat jemi brumosur.

Paradoksale është se këta individë, e bëjnë “luftën” e tyre duke përfituar plotësisht nga instrumentet fizikë e juridikë që mbajnë markën e mirënjohur të Perëndimit: këta përfitojnë nga të drejta dhe liri themelore të njohura e mbrojtura nga kushtetuta perëndimore (ndër to edhe ajo Shqiptare) për të shprehur mendimet e qëndrimet e tyre, për t’u mbledhur, diskutuar e pozicionuar dhe e bëjnë këtë në objekte kulti të ndërtuara me miratimin (apo, në rastin më të keq, mosndalimin) e Shtetit, në TV të licencuara nga Shteti, në gazetat e regjistruara nga Shteti apo në Internetin e shpikur dhe mbarëvajtur nga shtetet kundërshtarë të ideologjisë së tyre. Ky është një paradoks tipik demokratik, që nga ana tjetër tregon edhe një virtyt të çmuar të saj.

Por Shqipëria nuk është “një demokraci”. Fatmirësisht jo. Nëse do të ishim vetëm kaq, këta të pandehurit në fjalë, por edhe shumë të tjerë (pa lidhje me ta) që do të guxonin të kishin mendime a qendrime të ndryshme nga “shumica qeverisëse” do të ishin dhunuar në të drejtat dhe liritë e tyre themelore (e kam fjalën për ato të prezumuarat universalisht se na takojnë natyralisht, për shkak të lindjes “njërëz”). Jam i vetëdijshëm që për ndonjë që më lexon ndërkohë, teksti mund të jetë bërë konfuz, ndaj edhe po nxitoj të sqaroj se demokracia, në kuptimin e saj të pastër, nuk është tjetër veçse pushteti (absolut) i “shumicës së qytetarëve votues”, në injorim të plotë të interesave, bindjeve, besimeve etj., të të mbeturve në pakicë. E tillë ishte Athina antike ndërsa dënonte me vdekje Sokratin, e tillë ishte Shqipëria e diktaturës së proletariatit. “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë” do ta përshkruante këtë periudhë një ndër liderët e demokracisë(!) shqiptare të post ’90, duke relativizuar me qëllime manipulative të vërtetën historike.

Ne: unë, ti, ata, kemi një marrëveshje me njëri-tjetrin; e quajmë Kushtetutë! Neni më i parë i saj shpall se Shqipëria është republikë parlamentare. Me fjalë të tjera, republikë demokratike, pasi në rastin tonë, demokracia nuk ushtrohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por përmes përfaqësuesve të popullit në parlament (Kuvend). Dhe për ata që nuk e kanë vetëdijen, po e them unë se është pikërisht Republika (bashkë me Shtetin e së Drejtës) çfarë i vendos kufizime vullnetit të shumicës në demokraci, duke u shndërruar në mbrojtës të të drejtave e lirive themelore të njeriut, madje edhe të atyre që duan ta përmbysin atë.

Gjykatat dhe gjyqtarët, këta (të supozuar) “aristokratë të dijes”, janë produkte e në funksion të Republikës, jo të Demokracisë! Dhe janë aty për ta mbrojtur si demokracinë, ashtu edhe republikën. Sepse jemi në luftë! Sistemi, mënyra jonë e jetesës, parimet e vlerat tona kushtetuese e ligjore po kërcënohen haptazi nga terrorizmi ndërkombëtar, forma më e re (apo ndoshta më e vjetër?!) e autoritarizmit shtetëror e ideologjik.

Dikur Cicero shkruante “silent enim leges inter arma”, që do të përkthehej në gjuhën letrare “kur flasin topat, ligjet heshtin”. Unë, sikundër dhe të tjerë (njërëz të mençur të cilëve i’u detyroj bindjet dhe edukimin tim personal e profesional) mendojmë se pikërisht atëherë kur topat buçasin, ligjet dhe ata që i’u japin atyre gojë duhet të flasin më shumë se kurrë. Natyrisht, nuk dua të them me këtë që gjyqtarët të shndërrohen në politikanë apo opinionistë, Zoti na ruajtë! Nga ana tjetër, edhe në i mbajtshin për vete (e ashtu duhet) bindjet e tyre politike, pasi nuk mundem as ta imagjinoj një gjyqtar pa bindje politike (si mund të jesh gjyqtar pa qenë qytetar e, si mund të jesh i tillë pa pasur një qendrimin tënd mbi çështjet politike?!), në këtë rast nuk po flasim për këto, për të majtë a për të djathtë, për barazitizëm apo liri të iniciativës, por për ideologjnë bazë shtetformuese e për parime kushtetuese. Ky gjykim është rasti që demokracia – në  fjalët e Gjykatës Kushtetuese gjermane – të shndërrohet në një “streitbare Demokratie”, pra në një demokraci militante, ku strukturat e saj ekzistenciale, ndër to edhe gjyqësori, të militojnë haptazi në ushtrim të detyrës së tyre kushtetuese për të mbrojtur rendin tonë liberal-demokratik. Ndaj edhe do t’i kisha mirëpritur, madje dëshiruar, dy – tre fjalë të mençura nga gjyqtarët a prokurorja në seancën e djeshme si përgjigje ndaj agresionit verbal të atij zotërisë pas hekurave. Më së paku të tilla që të vinin në dukje virtytet e pikërisht kësaj republike parlamentare që, edhe armiqve të saj, u’a respekton liritë e të drejtat.

E dini çfarë më frikëson? Ndjesia se, jo thjesht u tutën nga një kërcënim apo se iu mungon gojëtaria, por se nuk e kanë të tyren, nuk iu buron nga brenda vetëdijes personale filozofia e res publica, pra e të mirës së përgjithshme në respekt të të drejtave individuale, gjë që do të shpjegonte shumë edhe në lidhje me korrupsionin, një tjetër sabotator (veçse) të heshtur të demokracisë liberale.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.