GRA DHE NËNA, GRA SI NËNA

Tek shfletoja një koleksion kaotik fotosh të Petrit Kumit, botuar në TemA, më mbetën sytë te njëra prej tyre, ku tregohen tri gra duke shtyrë secila nga një karrocë fëmijësh dhe duke ecur në të njëjtin drejtim, një ditë me diell.

Fotoja nuk ka datë por, duke gjykuar nga modeli i veturës në sfond, duhet të jetë e viteve 1960-1970: edhe motra ime është rritur në një karrocë kështu. Gratë – nënat – duken të fokusuara, dhe pa vetëdijen e njëra-tjetrës; imazhi duhet të jetë i inskenuar, siç tradhtohet edhe nga fytyra e vajzës së vogël, e cila harron të shohë përpara.

Çfarë janë këto gra? Janë ekzemplarë të gruas socialiste: nëna të reja, që i paraqitin publikut produktin e “punës” së tyre seksuale: fëmijët në karrocë, mbase në përgjigje të thirrjes së PPSH-së familjeve për të pasur më shumë fëmijë – në ato vite shtimi i popullsisë nxitej dhe përshëndetej njëlloj si shtimi i prodhimit dhe i të ardhurave. Kishte një politikë për këtë synim, e cila penalizonte beqarët dhe shpërblente nënat me shumë fëmijë (popullsia e Shqipërisë arriti 2 milionët dikur në vitet 1967-1968 dhe 3 milionët në vitet 1985-1986).

Risia e imazhit, nëse mund ta quaj kështu, është se këto nëna të reja socialiste nuk janë fotografuar në sallën e pritjes së konsultores, as në maternitet, as në parkun e lojërave, duke mbikëqyrur fëmijët; por duke ecur në trotuar, në formacion parade. Dhe kjo paradë civile nuk mundet veçse t’i referohet asaj të 1 majit, ku klasa punëtore (dhe fshatarësia kooperativiste, dhe kategoritë e tjera të masave punonjëse) parakalojnë përballë tribunës, për t’i treguar udhëheqjes produktet e punës të tyre: dhe pikërisht fëmijët.

Këtë herë, gruas tornitore, mjelëse, korrëse e grurit, aksioniste në hekurudhë, vjelëse e rrushit, traktoriste dhe edukatore kopshti ia ka zënë vendin një tjetër imazh esencial: ai i gruas nënë, e cila i jep kombit “gjakun e ri”. Meritë e fotografit është se i ka vënë edhe nënat të parakalojnë, njëlloj si minatorët dhe shirësit e grurit, madje duke shtyrë përpara të njëjtin mjet transporti që e shënjon punën e krahut po aq mirë sa edhe kazma, shati, drapri dhe çekani: karrocën.

Në simbologjinë e punës socialiste, karroca vjen para së gjithash si karrocë dore, me të cilën barten gjithfarë produktesh ndërtimi: dhe, gurë, çimento, llaç… Me karroca dore janë tharë kënetat, hapur tokat e reja, ndërtuar hekurudhat dhe ngritur muret dhe oxhaqet e fabrikave. Në fotografitë e kohës, kjo lloj karroce dore konoton dinamizëm dhe shpejtësi, duke i shërbyer si kontrapunkt punës së mirëfilltë të krahut.

Edhe karrocat e fëmijëve, në foton që kemi përpara, bartin produkte të punës – të ngjashme me mineralin në vagonët e minatorëve; dhe meqë nënat kanë dalë së bashku, edhe kjo punë e shtimit të popullsisë del nga korniza private e familjes dhe e shtratit bashkëshortor, për të marrë tipare të punës kolektive.[1] Fotoja i tregon këto gra duke ecur me hap të shtruar, me gjasë duke shëtitur në qytet; por pozat e tyre janë të ngrira, si ato të vajzave aksioniste në paradë; të ndodhura përballë syrit të fotokamerës, ato gati-gati e ndiejnë vetvetiu nevojën për t’u sinkronizuar. Vetëm vajza e vogël poshtë djathtas e prish këtë koreografi të kolektivitetit, duke vështruar anash, pa çka se edhe ajo merr pjesë me zell në shtyrjen e karrocës.

I pashmangshëm edhe paralelizmi mes rrotave të karrocave dhe atyre të automjetit në sfond; e njëjta teknologji, por në dy përdorime të ndryshme. Rrota në foto të tilla të realizmit socialist shënjon gati gjithnjë progresin (një lloj oksimoroni, pra); dhe, kush i ka jetuar ato vite, mbase do t’i mbajë mend fushatat ndonjëherë eksplicite që u bënin thirrje nënave të blinin dhe të përdornin karroca fëmijësh – të cilat gjithashtu filluan të importohen e më pas edhe të prodhohen masivisht.

Pyetjes se për ku është nisur ky procesion nënash me karroca fëmijësh nuk i përgjigjemi dot; edhe pse drejtimi duket i kundërt me atë të veturës në prapaskenë. Ndoshta po të dinim se për çfarë është përdorur kjo foto, çfarë teksti ka ilustruar ose ka shoqëruar, ose në ç’koleksion është përfshirë në fillim, mund të kuptonim diçka më tepër. Përndryshe, mund të përfytyrojmë se këto tre gra, dhe kushedi të tjera para dhe mbrapa tyre që nuk i ka kapur objektivi, po ia shpien fëmijët Partisë për t’i pagëzuar.

Jemi vërtet në një atmosferë socialiste, të patrazuar ende nga ankthi i një mbijetese së rrezikuar si në vitet 1980; por ky grup nënash dhe fëmijësh, që ecin bashkë në formacion; ky theks në aspektin mirëfilli biologjik të shtimit të popullsisë nëpërmjet riprodhimit në familje; ky vështrim (gaze) i gruas socialiste si makinë për të prodhuar fëmijë (enë), jo vetëm i kundërvihet klishesë së gruas punëtore, veshur me kominoshe, muskuloze dhe steroidale, me në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën, por edhe i referohet, për ata që duan të lexojnë më tej, një imazhi gati fashist për gruan-nënë, si dheu ku mbin dhe rritet bima e së ardhmes.

Po a janë të lumtura këto gra, në rolin e tyre publik, prej nënash me karrocë? Ndryshe nga fotot standard të vajzave aksioniste dhe të kujdestareve të pulave në pularitë, gratë në foton tonë nuk qeshin, as buzëqeshin; figura e parë, majtas, duket sikur mezi po mbahet në këmbë; figura e mesit, më e vendosur, duket edhe ajo e bezdisur nga graviteti; e treta, edhe jo, mbështetet pak në dorezën e karrocës. Asnjëra prej tyre nuk e ka përkushtimin spontan të vajzës së vogël poshtë djathtas. Për t’u vërejtur edhe që gjinjtë këtyre nënave të reja praktikisht u janë fshehur poshtë bluzave, krejt ndryshe nga ato gjinj të shëndetshëm, që ua shpërthejnë kopsat e këmishëve dhe të uniformave aksionisteve dhe tornitoreve në pikturat, pa folur pastaj për skenat me mjelëse të dalluara në detyrë e sipër. Unë shoh një pasojë të kequshqyerjes së Pasluftës, te këto gjokse të sheshta në imazh; do të gabonim, po t’i merrnim si shenja të fshehta të revoltës feministe.

Në çdo rast, fotoja na kujton – a na rikujton – se për gruan në totalitarizëm, për emancipimin e saj dhe daljen e saj në publik ende ka shumë për të thënë; madje edhe sikur ta shihnim kundërvënien midis gruas fuqi punëtore dhe gruas prodhuese fëmijësh thjesht si efekt anësor të konfuzionit në politikat sociale. Sepse këto nëna vërtet kanë dalë në qytet, të pashoqëruara; por foshnjat në karroca ende u qëndrojnë të lidhura pas kyçit të këmbës, si gjylet të burgosurve. Ashtu siç paraqiten në foto, ato nuk mund të bëjnë shumë, përveçse të parakalojnë, duke ia treguar botës produktet e trupave të tyre, ose fitoret e tyre sa intime, aq edhe individuale. Janë të lira për ta shprehur haptazi amësinë e tyre, por ndoshta ende jo për t’u angazhuar qytetarisht në jetën publike. I japin trotuarit qetësi dhe një ndjesi sigurie, por duken pak si të lodhura, për të qenë ato vetë të qeta. Që tani, vëmendja publike po zhvendoset prej tyre te fëmijët, të cilët janë “e ardhmja”; dhe roli i këtyre grave tash e tutje do të jetë kryesisht ai i kujdestareve për këtë të ardhme. Dhe kështu edhe seksualiteti, si atribut i gruas së re, vjen e mungon krejtësisht: raporti nënë-fëmijë është tepër serioz, për t’u trazuar me çikërrima dhe objektifikime të tilla borgjeze. Aq më tepër që roli i tyre i nënës nuk mund të realizohet në publik, përveçse nëpërmjet projektimit te fëmija – ose anulimit të tyre si subjekte të pavarura dhe të vetëmjaftueshme.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi dhe kopjimi në mediat.


[1] Funksioni bartës i karrocës së dorës, por edhe thjesht forma e saj, e afrojnë këtë fetish të realizmit socialist me mitrën si “karrocën” ku gruaja shtatzënë bart fëmijën – në shqipe bar(t) dhe barrë vijnë etimologjikisht nga e njëjta rrënjë indo-europiane. Te karroca e fëmijës, ky përkim funksionesh me mitrën konfirmohet nga prania e fëmijës vetë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top