GRADIVËS Ç’I PANË SYTË!

Mbase te krijimtaria artistike e W. Jensen-i ka edhe gjëra që mund të kritikohen, por jo gjenialiteti që tregoi kur zgjodhi barelievin, mbi të cilin do të ndërtonte novelën e tij të titulluar Gradiva. Eshtë një vepër arti që ekziston me të vërtetë dhe, jo vetëm për jehonën që pati dhe vazhdon të ketë në kulturën evropiane, por sepse është thjesht magjepse, i lejoj vetes që t’ua rekomandoj ta shikojnë të gjithë atyre që u bie rruga të kalojnë në muzeun Chiaromonti ( në galerinë që lidh pallatin e Belvederes me ansamblin e muzeut të Vatikanit).

Eshtë e vërtetë se atë (novelën) e nxori nga anonimati S. Freud-i, por problemi nuk duket të jetë aq i thjeshtë. E pakta gjë që mund të thuhet është se subjekti dhe subtiliteti i saj i lejoi atij të hapë një fushë të re të praktikës së psikanalizës, aplikimin e saj në interpretimin e veprave të artit.

Gradiva u botua më 1903. W. Jensen rrëfen në të se arkeologu gjerman Norbert Hanold pasi interesohet të ketë një riprodhim në allçi të veprës në fjalë (edhe sot, sikundër atëherë, një gjë të tillë mund ta porosisë kushdo, skundër bëri edhe vetë S. Freud-i më vonë), të cilën e vendosi në zyrën e tij. Duke e vështruar gjatë ai u përpoq të kuptonte misterin e ecjes të gruas në të, të cilën ai e quajti Gradiva (lat. ajo që ecën) një formë femërore kjo e Gradivus, me të cilën njihet Marsi.

Më tej, N. Hanold sheh ëndërr sikur gjendet në Pompei (në çastin e shpërthimit të Vezuvit në ’79) dhe aty sytë i zënë Gradivën, por nuk arrin dot ta njoftojë për rrezikun që e pret. Fort i turbulluar nga një ëndërr e tillë ai shkon fillimisht në Romë, por aty provon një ndjenjë të fortë vetmie dhe kjo e shtyn të vazhdojë udhëtimin e tij deri në Pompei, ku ndodhi takimi i pabesueshëm me një grua krejtësisht të njëjtë me Gradivën, të cilën e sheh duke dalë nga dera e një shtëpie me një hap të lehtë e gjithë hir. Ajo, jo vetëm i afrohet arkeologut tonë të ri, por edhe nis e i flet… Më tej do të kuptohet se vajza që i ishte shfaqur gjatë një ëndrre në mesditë (ora e fantazmave) nuk është veçse një mike e fëmijërisë së tij, ndjenjën e dashurisë për të cilën ai e lë të nëpërduket përmes një konstruksioni të tillë të ndërlikuar të fantazisë së tij… (nuk po shkoj më tej sepse dikur ia kam propozuar për përkthim një botuesi dhe jam gjithnjë në pritje, edhe pse dyshoj shumë nëse mund të ketë njerëz që interesohen për subjekte të tillë).

Arkeologu nis e përjeton një dramë të dhimbshme, sepse jashtë ëndrrës së tij ai gjendet thjesht para një barelievi në një pozicion e lëvizje aq të gjallë e të natyrshme sa të lë përshtypjen se vazhdon ekzistencën e saj në botën e të gjallëve, përtej kohës e hapësirës. Pastaj, në një kuptim më tokësor, ne sot mund të vlerësojmë edhe raportin aq harmonik të këmbëve me trupin (më shumë kelt se greko roman, siç i jep origjinën autori i novelës, edhe pse asgjë nuk dihet për vetë barelievin), asnjë gjurmë celuliti në pjesën e sipërme të kofshës, por edhe ndonjë defekt të vogël: gjiri i majtë më duket i zhvendosur ca majtas, më shumë se sa duhet (mbase mund të ketë qenë edhe një zgjidhje e skulptorit, për t’i dhënë më shumë hapësirë torsit), por kjo nuk ka të bëjë me idenë e këtij shkrimi.

I intriguar nga një subjekt i tillë, S. Freud-i u ul e shkroi një nga esetë më të shënuara të veprës së tij dhe pikërisht Déliri dhe ëndrra te Gradiva e Jansenit (1907) e cila shënon një nga punimet më të parë të psikanalizës së aplikuar në letërsinë artistike. Përveçse të tregojë rëndësinë e ëndrrave në domenin që po krijonte, S. Freud-i heq një paralele mes nocionit të kundërshtimit (refuzimit, mospranimit) me punën e arkeologut që përpiqet të rindërtojë të kaluarën duke u nisur nga mbetjet arkeologjike. Por shkon edhe më tej duke synuar të tregojë qëllimin e njëjtë të letërsisë dhe psikanalizës në eksplorimin e të pathënave të qenies njerëzore (gjë për të cilën dyshoj shumë).

Duket se është një punë që e ka bërë me qejf sepse në një letër që i dërgon një dishepulli të tij të njohur (kur ende nuk kishin nisur të kapeshin prej flokësh) K. Jungut, shkruan: “Këtë herë e dija se kjo punë e vogël meriton të lëvdohet. E shkruajta në dy ditë me diell dhe më ka dhënë shumë kënaqësi edhe mua vetë�.

Por duke se me kohë një kënaqësi të tillë nuk e kanë ndjerë të gjithë. Zëra kritikë janë ngritur gjatë gjithë shekullit të shkuar, madje edhe në këtë fillim shekulli, bile edhe në ditët tona. Madje ky shkrim u bë i mundur ngaqë vetëm së voni, më 2012, u bënë të njohura për herë të parë letrat që ky i fundit i kishte dërguar autorit në fjalë (vetëm pak kohë më parë ndesha rastësisht në to), sepse deri tani ishin të njohura vetëm letrat që Jansen-i i kishte dërguar Freud-it.

Para së gjithash, ka rëndësi të njihet mendimi i vetë Jansenit për analizën që iu bë veprës së tij. Dhe ç’është e vërteta ai nuk e sheh vetën plotësisht në ato që shkruan ati i psikanalizës. Në letrën e parë që i dërgon Freud-it ai shkruan: «… sigurisht, ky rrëfim i vogël nuk kishte « ëndërruar » të bëhej objekt i një gjykimi në këndvështrim psikanalitik, dhe aty-këtu ju i vishni autorit disa qëllime që ai nuk i ka patur, të paktën jo në mënyrë të ndërgjegjshme. Megjithatë, në tërësinë e vet, mund të them pa kufizim, që në esencë mund të jem në një mendje me ju që shkrimi juaj ka kapur thelbin e ideve të librit tim të vogël dhe u ka dhënë vlerësimin e duhur (saktë)â€�.

Vetë Freud-i nuk është se ka patur ndonjë mendim fort të shkëlqyer për këtë novelë. Te libri autobiografik, Freud-i sipas atij vetë, ai thotë se ajo është veçse “ një novelë e vogël pa rëndësi në vetvete�.

Kanë kaluar vite dhe duket se jo gjithçka ka shkuar mirë midis atyre të dyve. Në një letër tjetër dërguar Jung-ut Freud-i thotë se ai (Jansen-i): « pyetjes kryesore për të mësuar nëse të ecurit e personit në imazh ka diçka patologjike, ai nuk iu përgjigj fare » (mbajeni mend këtë).

Autorë të ndryshëm mendojnë se shqetësimi kryesor i Freud-it ka qenë verifikimi i ideve të tij, gjë që diku-diku e kupton edhe ai vetë. Në një letër tjetër që i dërgon Jung-ut më 21 dhejtor 1907 ai thotë se: “ Nga Jensen-i kam marrë përgjigjen e pyetjeve të mia, ato tregojnë se nga njëra ai nuk është fort i prirur të mbështesë kërkime të tilla e nga ana tjetër lë të kuptojë që marrëdhëniet janë më të komplikuara se sa mund të paraqiten një skemë të thjeshtë�.

Nuk është e lehtë të kuptohet përse është fjala, por ka të ngjatë që të jemi para strukturave të reja shpjeguese psikike të një teorie të ngritur nga Freud-i dhe para disa faktesh të tjerë që edhe pse të padukshme, kanë rol të fuqishëm në ndërtimin e novelës në fjalë nga ana e autorit të saj. Të paktën ky i fundit sheh mospërputhje midis tyre.

Për këtë po i bashkëngjitem një interpretimi që Sara Kofman bëri që më 1973, e cila ka mendim kritik për Freud-in që nga tërësia e novelës së Jansen-it ai merr vetëm elementë që i shërbejnë teorisë së tij. madje ajo vëren se ai ndërton një lloj subjekti tjetër nisur nga elementët të ndryshëm që jep Jensen-i te Gradiva.

Por në thelb, duke u përpjekur të gjejë elementë që mbështesin teorinë e tij, në rastin konkret elementë të refuzimit që motivojnë largimin e N. Hanoldit nga dashuria e tij e fëminisë, Freud-i përmend si shkak lidhjen e tij të fortë me shkencën e arkeologjisë. Ai shkruan: “…autori ynë ka lënë mënjanë motivet nga ku vjen refuzimi i dashurisë së heroit të tij: veprimtaria shkencore është në të vërtetë mjeti që përdor për refuzimin e tijâ€�.

Ndërsa për Kofman, shkenca a më saktë një mënyrë e vështrimit të saj, duhet parë si arsye që e ka shndërruar Hanoldin në një person të nervozuar. Freud-i, thotë ajo, “harron� se Jansen ka dhënë shpjegimin e tij përse Norberti ka refuzuan dashurinë e tij; që nga fëmijëria ai ishte paracaktuar të ndiqte traditën familjare, gjurmët e të atit, që ishte një profesor i dëgjuar dhe personalitet i shquar i periudhës së antikitetit. Thënë ndryshe në gjuhën analitike, ai ka lindur i tredhur (në kuptimimin psikanalitik, i kastruar).

Freud-i nga an e tij e paraqit destinacionin e jetës së personazhit me terma të butë: “… tradita familjare e ka destinuar për arkeologjinëâ€�.

Deri këtu jemi në praktikën e konflikteve dhe përcaktimit të një terminologjie sa më të përshtatshme që motivon qëndrimin e personazhit ndaj një dashurie të hershme, por vërej se disa gjëra kanë mbetur jashtë teksteve akademikë. Janë fort të habitshme disa konsiderata që nuk janë marrë shpesh në analizë. Akoma më i pabesueshëm duke një rast kur Freud-i paraqet disa ide ku në analizën e tij përfshihen edhe elementë të vetë jetës së Jansen-it, me të cilat ai përgjigjet të shpjegojë Gradivën.

Në versionin gjermanisht të Wiki-t (gt) thuhet pak si kalimthi se Freud-i te Gradiva arrin të shquajë dashurinë e romancierit për motrën e tij sakate (ju kujtoj pyetjen që i bëri Jansen-it nëse shihte diçka patologjike te ecja e Gradivës). Një ide e tillë nuk gjendet në esenë për të cilën folëm deri tani (Déliri dhe ëndrra te Gradiva e Jansenit (1907), madje as Wiki nuk jep ndonjë burim, por disa studiues e kanë gjetur një ide të tillë te një letër e 24 shtatorit 1907 që ai i dërgon Jungut (përsëri atij). Por, po në atë letër Freud-i duket se nuk është fort i sigurt, madje e quan idenë e tij si “konstruksion fort të guximshëm� dhe e pyet atë (Jungun) se ç’mendim ka.

Në veprat të tjera të Jensen-it (ka shkruar rreth 150) gjen elementë fort turbullues që edhe ato kanë mbetur pa u analizuar. Në disa raste, novelat e tij përfundojnë me vdekjen e heroit apo heroinës (në kuptimn letrar). Dhe si datë e një ngjarjeje të tillë jepet (jo vetëm një herë, 2 maji). Ajo që duhet shënuar këtu është se një datë të tillë, 2 maji, është dita e vdekjes së një mikeshe të tij të rinisë, Clara Louise Adolphine Witthöfft (16 nëntor 1838-2 maj 1857).

Duket pak e pashpjegueshme që një gjë e tillë që shënjon në mënyrë të pashlyeshme jetën e kujtdo, nuk është marrë kurrë në analizë nga S. Freud-i për shpjegimin e refuzimit të N. Hanoldit për t’u (ri) hapur emocionalisht. Vështirë të besosh edhe se një fakt i tillë ishte i panjohur për të. Do të qe më shumë se e çuditshme për një njeri që kishte dijeni edhe për një lloj problemi në eshtrat e kurrizit të këmbës së motrës së Jansen-it (se për një gjë të tillë bëhet fjalë, kur nxjerr përfundimin e mësipërm dhe habitet me qendrimin e autorit).

Një farë mënyre ky vështrim selektiv i fakteve veçse i jep të drejtë përfundimeve që nxjerr S. Kofman, por besoj se duhet shtuar se gjithsesi jemi ende më 1917, pra vetëm në përpjekjen e tij të parë të eksplorimit të letërsisë me mjetet e psikanalizës (që edhe ato me kohë ai do të vazhdojë t’i rishikojë e përpunojë).

Disa punime të tjera madhore, ende nuk janë konceptuar prej tij. Këtu para së gjithash e kam fjalën për « Krijimtaria letrare dhe ëndrra syhapur » (1910), Një kujtim i fëmijërisë i Leonardo da Vinçit (1913 ), Moisiu i Mikelangjelos (1916), Një kujtim i fëmijërisë së Gëtes, për të arritur te ajo që për mua ëshët vepër magjistrale, Dostojevski dhe problemi i atëvrasjes (1927).

Për t’i mbyllur këto shënime kam dëshirë të shtoj se mendimi i Freud-it për shkrimtarët ka evoluar në kohë. Në fillimet e tij procesin e krijimtarisë ai e sheh pothuaj se një formë të veçantë neuroze dhe shkrimtarët i cilësonte si « neurotikë të epërm », për t’u mrekulluar pastaj nga fakti se shkrimtarët i kishin bërë zbulimet më të mëdha të psikanalizës shumë kohë para se ajo të lindte (më saktë, të krijohej nga ai vetë).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.