GRAFFITI MBI BUROKRACINË

Midis datave 11 shtator dhe 10 tetor, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ekspozojë 78 vizatime të vetat në Galerinë Kampl në Mynih.

Do të kisha dashur të shkruaja “artisti vizual Edi Rama” – por kjo nuk do të kish qenë e saktë. Pa vënë në dyshim e në diskutim mjeshtërinë e autorit dhe statusin inherent të artit që do të varet në muret e galerisë, kjo ekspozitë është e një kryeministri që vizaton – jo e një artisti që qëllon të jetë edhe kryeministër.

I njoh prej kohësh këto punë të Ramës, i kam parë në zyrën e tij, madje kam në shtëpi edhe një të tillë që ma ka dhuruar ai vetë, me autograf. Sikurse kam në bibliotekë edhe librin “Edi Rama” (2009, Botimet Toena), ku janë përmbledhur një pjesë e madhe vizatimesh të tilla, të periudhës kur autori ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Për ata që nuk e dinë, Rama i ekzekuton këto vizatime mbi shkresa gjithfarësh, që ia sjell puna e përditshme në tryezën e tij prej zyrtari të lartë: fletë kalendari, programe të ditës, tasks, ftesa, programe konferencash, konspekte, prospekte, skica idesh, propozime, përkujtesa, shënime mbledhjesh, orare avionësh, memo, letra protokollare – lista mund të vazhdojë gjatë.

Që në krye, më pat ngacmuar “semiotikisht” kjo ide e tij, për të kombinuar në një medium të vetëm, shkresurinën ose objektin burokratik tipik dhe vizatimin e lirë, si shprehje elementare të krijimit.

Të gjithë zhgarravitim në shkresa kur mërzitemi gjatë ndonjë eventi kolektiv, ose kur nuk gjejmë mënyrë tjetër për ta shtyrë ditën në zyrë; tek e fundit, këto gërvishtje të penës në anë të faqes janë EKG-ja e mërzisë sonë: forma gjeometrike, yje, unaza, lakore, spirale, firma, portrete, karikatura.

Kështu m’u paraqitën në fillim edhe vizatimet shumëngjyrëshe të Ramës – si variacione rreth mërzisë së një piktori, të mbyllur në një qeli shkresash të përsëritshme; ose materializim i konfliktit midis artit dhe burokracisë.

Autori e ka vazhduar këtë lloj arti, ose praktike artistike, që prej herët në vitet 2000 deri më sot – në përleshje të pandërprerë me shkresën dhe inercinë dhe mungesën e lirisë që sjell me vete çdo lloj planëzimi; në fakt me vetë institucionin i të cilit është pjesë ose që drejton.

imageNën penat e tij ngjyrosëse, shkresa nuk zhduket krejt por vetëm eklipsohet; mbulohet nga ngjyra, por ende mund të lexohet nëpër të; dhe asnjë lidhje logjike ose referenciale nuk ka midis imazhit të shtuar a të derdhur në letër dhe përmbajtjes së dokumentit vetë, përveçse faktit që të dy ato anë shprehin praninë e të njëjtit njeri në përmasën e tretë.

Rama shpesh ka lënë të kuptohet se e përfytyron veten më parë si artist, dhe vetëm më pas si politikan. “Marrëdhënia mes Kryetarit të Bashkisë dhe zgjedhësit është si ajo mes artistit dhe spektatorit,” pat shkruar në kopertinën e albumit-libër me këto imazhe, të viteve 2000-2009. “Është një raport tejet stresues, sepse është një përpjekje e përditshme, nën sytë e njerëzve, që në fund të fundit shënjestron zemrat e tyre.”

Askush nuk mund ta vërë sinqeritetin e ketij pohimi në diskutim – pa çka se materialet e ekspozitës së tanishme në Mynih, sikurse ato të librit të botuar vite më parë, në thelb portretizojnë shtetarin burokrat që rebelohet, në mënyrë jashtëzakonisht të artikuluar, kundër zhguallit të profesionit të vet.

Një politikan-artist që shënjon territorin e vet?

Të gjitha vizatimet e Ramës të paraqitura në ekspozitë mund të shfletohen këtu (duke klikuar mbi secilin kuadrat, imazhi do të afishohet më vete). Meqë botimi i art book-ut Edi Rama pati shpërndarje të kufizuar, kjo për shumë të interesuar do të jetë edhe hera e parë kur vizatimet e Ramës mund të kundrohen lirisht në masë, të riprodhuara me cilësi relativisht të lartë.

Profani u qaset objekteve të tilla vizuale me dëshirën për të identifikuar atje një formë çfarëdo – dhe ashtu do të gjejë atje gjithfarë sugjerimesh për prerje (seksionime) 2D nga atlasë të anatomisë, krijesa të dala nga katalogët zoologjikë dhe fantazoologjikë, shpesë dhe insekte të përbindshme, tentakula dhe apendikse të zdërhallura, deformime teratologjike, qeliza dhe mitokondri, mbetje paleontologjike; sikurse do të gjejë aluzione fotografish ajrore, hartash dhe planimetrish dhe fantazmagorish urbane; ose edhe arlekinë dhe maska primitive, etnike, ekzotike, të përfytyruara nga piktorët ekspresionistë europianë të fillimshekullit XX; dhe tek tuk jehona intertekstuale më dukshëm të identifikueshme nga Picasso, Max Ernst, Juan Mirò dhe Dali dhe kushedi kush tjetër i kanonit modernist.

Një sy më i stërvitur dhe më i rafinuar do të njohë atje lojën midis ngjyrës dhe trajtës, ose luftën primordiale – në pikturë – midis vijës dhe ngjyrës; një psikolog a psikometrist kushedi do të tundohet pastaj t’i lexojë vizatimet si një lloj testi Rorschach i anasjelltë: ku subjekti nuk i interpreton njollat, por i krijon vetë; duke ia lënë pastaj shikuesit të thotë se çfarë sheh.

Megjithatë, me kohë mua më kanë interesuar edhe lexime të tjera – sa kohë që këtu nuk bëhet fjalë thjesht për doodles të ngjyrosura dhe as ilustrime; por për vizatime mbi një medium të caktuar, i cili ofron jo vetëm kontekstin rrethanor por edhe merr pjesë aktivisht si në krijimin e vizatimit, ashtu edhe në pritjen e tij nga publiku. Prandaj, kushedi imazhet nuk na lejohet, veçanërisht këtu, që t’i ndajmë nga konteksti.

Vetë shkresat burokratike-institucionale, të përdorura si medium, vijnë me karakteristika vizuale specifike: janë rigorozisht bardhezi, me tekstin të organizuar në vija të drejta dhe kuadrate; u referohen ngjarjeve zakonisht rutinë të jetës së një institucioni – takimeve, mbledhjeve, telefonatave madje në një farë mënyre i krijojnë këto ngjarje; vijnë me data që jo doemos përkojnë me datat kur janë kryer vizatimet.

Autori punon mbi këto shkresa me një koncept praktikisht dadaist; duke i shfytyruar dhe shkatërruar ato, teksa i jep trajtë veprës së vet së mbivendosur. “Continuous artistic production therefore slowly contaminates and erases the minutiae of administrative language” ka shkruar për këtë lloj krijimi Vincent Van Gerven Oi. Dhe nëse është kështu, atëherë mund të pyetet, madje duhet të pyetet, se çfarë raporti ka midis gjestit të së vizatuarit mbi një medium jo të virgjër, as të pafajshëm; dhe gjurmës që lë vizatimi (trace), ose veprës vizuale të përmbyllur.

Sidoqë gjesti këtu nuk ndahet dot nga gjurma; në kuptimin që gjurma është efekt i një gjesti, sërish shikuesi, dhe kritiku, nuk e ka të lehtë të gjejë një drejtpeshim mes tyre.

Dhe le të mos harrojmë se ky gjest, sa u përket veprave në fjalë, është edhe një sfidë që ia bën vizualiteti i kulluar shkrimit; ose lëvizja e lirë e penës në letër, disiplinës së hekurt dhe gjeometrisë quasi fashiste të shkronjave në rreshta dhe kuadrate; si mishërim i një kundërtie themelore të epokës sonë, ajo midis tekstit dhe imazhit – ose, nëse duam t’i referohemi një miti jo dhe aq kosher të dijes kognitive, midis hemisferës së majtë dhe asaj të djathtë.

Çfarë vlere artistike mirëfilli kanë këto imazhe, të shkëputura nga mediumi shkresë? Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje – edhe ngaqë ajo mund të mos ketë shumë kuptim, sa kohë që imazhet e reja i ka përftuar vetë mediumi, si prani kontekstuale dhe si rezistencë e botës ndaj vullnetit të lirë të artistit.

Van Gerven Oi (në esenë e lartcituar) priret të shohë, te ngjyrosja obsesive që i mbivendoset bardhezisë burokratike, një orvatje të ngjashme me bojatisjen e fasadave të Tiranës, kur Rama ishte Kryetar i Bashkisë; edhe pse atëherë gjesti u perceptua sakaq si utilitar, ndërsa ky i tanishmi vjen më intim, më i induktuar nga ennui-ja e dikujt që nuk gjendet në elementin e vet; sikurse lihet të kuptohet edhe nga një horreur du vide, ose tmerr metafizik nga zbrazëtia, që i torturon disa prej krijimeve.

Sepse në secilën prej këtyre veprave, së paku gjatë krijimit të tyre, materializohet edhe konflikti midis autorit institucional dhe publik, politikan të cilit ia ka hequr lirinë vetë detyra institucionale që ka marrë përsipër, dhe Ramës privat, nëse duam edhe piktor, që kërkon të ikë nga kafazi burokratik; aq sa vetë kjo dëshirë për ikje t’i shndërrohet në identitet, së paku në identitet artistit. Sërish Van Gerven Oi, nga eseja e lartcituar: “Doodling here becomes a sovereign gesture that cancels out bureaucratic and administrative procedure.”

Ka edhe më: mediumi, në këto vizatime, refuzon të tërhiqet krejt nga skena, të bëhet i tejdukshëm, të hiqet sysh; të reduktohet në kanavacën klasike të piktorit ose në sfondin ku do të projektohet rishtas vizioni i autorit. Mediumi mbetet atje, shkresat ende mund të lexohen, emrat të identifikohen, madje edhe numrave të telefonit mund t’u bëhet një thirrje, sipas dëshirës. Ndryshe nga imazhet, burokracia mbetet e rrënjosur në realitet edhe pas kaq vitesh.

Madje përmes këtyre shkresave tërthorazi edhe ato të ekspozuara, vizitori që i lexon dhe i kupton – edhe pse doemos jo ai në Gjermani – mund të krijojë një ide për rutinën gati pendesëtare të një Kryetari Bashkie, një Kryetari Partie, ose edhe një Kryeministri: programin e tij të ditës, mbledhjet, takimet, kafet, pritjet dhe bisedat; njerëzit që ka rrotull, njerëzit që i shkruajnë dhe ata që duan të flasin me të.

Në politikat e veta kulturore, Rama kryeministër ka ngulur këmbë te filozofia dhe praktika e hapjes – që nga shkyçja e bodrumeve të mykura të regjimit të vjetër, te hapja e dosjeve dhe e bunkerëve dhe e tuneleve, dhe ajo e ndërtesave qeveritare e më në fund tejdukshmëria e vetë punëve të institucioneve publike. Këto shkresa, mbi të cilat ai ka vizatuar dhe që tani ekspozohen lirisht, janë edhe ato një hapje, ose një dritare ndaj përditshmërisë institucionale.

Aq sa dikush përnjëmend do të tundohej t’i këqyrte dokumentet si Wikileaks të pushtetit në Tiranë; sikur të mos bëhej fjalë për materiale që me siguri do t’i kenë kontrolluar dhe shoshitur për shkelje të sekretit dhe të privatësisë; dhe sikur të mos bëhej fjalë, edhe këtu, për hapje gjithnjë të kontrolluara dhe të kuratuara deri në imtësi.

Por nuk e përjashtoj dot që një ditë të qëllojë që një antropolog a një historian i institucioneve a një arkeolog a mí arkivash ta fillonte, pikërisht nga këto palimpseste, punën e vet për një histori të rutinës në institucionet e Shqipërisë së fillimshekullit XXI – në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë, duke filluar që nga koha e ekspozimit të tyre publik si mediume vizatimesh – ato nuk do të mund të alterohen më. Ironikisht, gjesti i prishjes së tyre, ose i “vandalizimit” të tyre me graffiti d’auteur, do të shërbejë edhe për ruajtjen e tyre.

Nga ana tjetër, kam frikë se posti i tanishëm i autorit të këtyre vizatimeve – ose fakti që Edi Rama është Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë – do ta deformojë pritjen e tyre derisa ta shndërrojë në një event të showbiz-it, në diçka zbavitëse dhe glamour-oze, ose një pretekst për të shpjeguar se sa cool është që kryeministri shqiptar (“i këtij vendi të vogël”) qëllon të jetë edhe artist vizual.

Dhe ky deformim i pashmangshëm të pikëllon. Jo se Rama artist duhet ndarë dhe mbajtur veçan nga Rama burrë shteti – edhe kjo do të ishte artificiale; aq më tepër në rastin e tanishëm, kur është pikërisht posti i lartë i Ramës që e mundëson statusin e këtyre veprave dhe hapjen e ekspozitës në Mynih: a mund të përfytyrojmë që t’i ndodhte kështu një burokrati çfarëdo nga Shqipëria, bie fjala një nëpunësi të Zyrës së Kadastrës, me talent për të vizatuar mbi shkresurina?

Jo, nuk e përfytyrojmë dot. Ekspozita në Mynih është e një pushtetari të lartë, të munduar nga ennui-ja; dhe vlerën e imazheve nuk e ndajmë dot nga statusi ekscepsional i autorit të tyre. Por sa do të jenë ata, mes publikut dhe kritikës, që këtë status ekscepsional do ta interpretojnë si kufizim, si mangësi, si handikap të autorit dhe vetë veprën si një përpjekje e tij, si një gjakim për të mos e lejuar këtë handikap t’ia mohojë lirinë për së jashtmi; njëlloj siç e marrim parasysh, bie fjala, faktin që Beethoven-i ishte pothuajse i shurdhër, kur kompozoi kuartetet e fundit ose Simfoninë e 9-të?

image 2Përndryshe, edhe lënda e vizatimit, ose denotacioni i imazheve nuk mund të lihet mënjanë; pavarësisht se shkalla e risisë aty mund të mos jetë e krahasueshme me atë të gjestit vetë. Morfologjia e vijës dhe e ngjyrës, në graffiti-t e Ramës, vjen nga një dorë sa e sigurt, aq edhe e mësuar me artin vizual – që di ta shtjellojë linjën me elegancë, sikurse di t’i ndërthurë ngjyrat dhe të krijojë efekte hipnotike me kromatizmin gati muzikor.

Duke mbajtur parasysh edhe shpjegimin që ka dhënë disa herë Rama vetë, për rolin sa terapeutik aq edhe katalitik të së vizatuarit në komunikimin e tij institucional, nuk do të gabonim sikur t’i përqasnim këto praktika me atë çfarë surrealistët e quanin écriture automatique; diçka të ngjashme me një peinture automatique, ashtu siç shprehet – mes të tjerash – në veprën e një André Masson (shih edhe praktikën e automatic drawing dhe shkollën e Les Automatistes).

Dhe nëse është kështu, atëherë lënda e veprës së Ramës, që do të ekspozohet në Mynih dhe që është botuar tashmë gjetiu e sigurisht vazhdon të përftohet, paraqitet si diskursi vizual i pavetëdijës së tij; në kuptimin që artisti vjen dhe manifestohet si pavetëdijë e politikanit.

Që këtej, sikurse çdo produkt tjetër i pavetëdijës, edhe ajo lëndë nuk mund të jetë veçse rikombinim i kodit gjenetik të pikturës moderniste europiane, që autori e pat përvetësuar gjatë viteve të tij si student i arteve vizuale. Këtë pavetëdije alter-ego të politikanit, që rreket të nxjerrë kokën herë më haptazi e herë më pak haptazi përmes vizatimit, nuk na lejohet ta ngatërrojmë, megjithatë, me idenë që ka kultivuar Rama vetë i ndihur nga mediat e oborrit, për identitetin e vet si artist, si artist politikan dhe si piktor kanavacash të shumëfishta.

Shënim: Lexuesit janë të lutur të shfletojnë edhe riprodhimet në katalogun e galerisë (duke klikuar në linkun përkatës), për t’i ndjekur më mirë përsiatjet më lart.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit ose të një administratori të blogut.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.