GRATË NË MORT

nga Marsida Simo

Nuk e di pse e paskam me përmbarë ta nis me vdekjen kur të gjithë duan të dëgjojnë për jetën. Po s’ka shumë ditë që duhet të ikja në një varrim tek kushëriri im i tretë a i katërt, s’e mbaj mend mirë. Burrë i mirë i shkreti. Kështu thonë për të gjithë kur vdesin. S’di a do thonë kështu edhe për mua. I imagjinoj fjalët e njerëzve: grua e mirë ishte, po ishte një çikë llafazane. Gjithë jetën fliste për të drejtat e grave sikur e paguante kush. Jo meshkujt të lajnë jo femrat në karrierë thoshte. Ja e lodhi veten kot se me të shumtët iku…”

Po si të mos të jem feministe. Dhe kur ndodh një vdekje njerëzit s’i harrojnë zakonet prapanike sidomos për gratë.

Atë ditë që do të iknim në varrim, mami më porositi 100 herë që të vishesha me të zeza dhe sidomos që mos t’i lyeja buzët. Ajo e di kokën time të shkretë, se kur filloj unë për lirinë e zgjedhjes apo për heqjen e zakoneve nuk di mbarim.

Ja ku ikëm. Mami dhe unë si dy korba veshur në të zeza, ndërsa babi ishte me kostum (atë që vesh edhe për dasmë), ndërsa vëllai me një bluzë që e kishte veshur ashtu rastësisht. Mund të kishte shkuar dhe me tuta sporti, nuk e vinte njeri re.

-Po pse, o ma, veç ne gratë me të zeza. Shih si ngjajmë si vampirë. Pse ky vëllaçko vesh ç’të dojë? – A fillove ti me këto të tuat, më tha prerazi mami. Lëre çështjen e barazisë herë tjetër.

Shkuam në shtëpinë e kushëririt të ndjerë. Babi dhe vëllai shkuan në njërën dhomë, unë me mamin te dhoma tjetër e grave. Ja ndarja, mendova. Veç burrat veç gratë. Dëgjova njërën që bërtiste, aq sa frikën ma futi. Mami më shpjegonte që këtë gruan e kishin marrë enkas për këtë punë se nuk është nga fisi ynë, por di të qajë mirë të vdekurin. Po pse burrat rrinë nga dhoma tjetër o ma, ia pasova unë. Epo ashtu është tani. Se nuk do rrinë burrat të qajnë. Gratë qajnë të ndjerin. Ke parë ti, burra që qajnë?! Kam parë vëllain doja t’i thoja, kur e la një ndeshje.

Shihja rreth e rrotull gratë bënin muhabet me njëra tjetrën sikur nuk kishin folur prej kohësh apo të kishin harruar për çfarë kishin ardhur. Ishte gusht dhe pothuaj të gjitha ishin veshur me fustan dhe me geta të zeza siç e do zakoni. Vetëm disa vajza si mosha ime ishin veshur me pantallona ose me fustane ngjyrë gri, duke e thyer pak egërsinë e të zezës. Me sa di, sa më të afërt ta kesh personin aq më gjatë duhet ta mbash veshur të zezën. Më kujtohet Hajria, komshia ime, që iu bë burri 20 vjet që ka vdekur dhe ende është me të zeza. Se ashtu e do zakoni. Kalojnë shekujt dhe njerëzit ia mbyllin gojën grave me zakonet e hershme. Pa le të rimartohej Hajria. Kushedi ç’do thoshte lagjja. Ja s’paska pritur hiç dhe direkt mori tjetër. Po çfarë i duhet gruas burri. Burrit po. Se ja Stavrit të shkretë i vdiq gruaja dhe tani është si qyqar, në duart e nuses së djalit. Le të martohet prapë, se një grua i duhet. Po t’i bëjë një gjellë, t’i hekurosë një këmishë”…

Nuk dua t’i rimendoj fjalitë e grave të lagjes, se më vjen një pështjellim. Kur të martohem, do ta mësoj vetë burrin tim të gatuajë, që të mos rimartohet po të vdes unë. T’i dalë vetes zot. Le që unë nuk vdes kollaj.

Sipas orarit të njoftuar, do ta nxirrnin arkivolin nga shtëpia për në banesën e fundit. Ne do rrimë këtu, më tha mami. Ishin burrat që do shkonin ta varrosnin. Kushërinjtë e mi janë myslimanë dhe nuk e marrin gruan në varrim. Por këtë herë do të lejoheshin të shkonin vetëm dy vajzat e tij, të cilat ngulën këmbë që ta përcillnin të atin. Me çfarë dëgjova, gratë qajnë dhe bërtasin dhe nuk bëjnë mirë të jenë pranë të ndjerit kur varroset. Në këtë mënyrë nuk e lënë shpirtin të ikë i qetë. Po si ka mundësi, vras mendjen, që burrave nuk u vjen të qajnë. Kur të vdes dikush që ke dashur, të vjen të ulërish sa t’i tronditësh dhe malet. Me vjen keq ndonjëherë për djemtë, kur i shoh sa shumë shtrëngojnë veten për t’u dukur të fortë.

Po rrinim në shtëpi duke pritur që të ktheheshin burrat nga varrimi, dhe po përgatisnim drekën. Meqë shtëpia ishte e madhe, shtëpi private, kishin vendosur të mos shkonin në lokal, por ta shtronin në shtëpi. U përgatit tavolina dhe gjithçka ishte gati kur të vinin burrat. Ishin ata që do hanin të parët dhe më pas gratë. Nuk e pyeta mamin pse ky diskriminim. Boll ishte e djersitur e shkreta duke ndihmuar të zonjën e shtëpisë.

Mbasdite shkuam në shtëpi më në fund dhe unë ende rikujtoja pamje të shkëputura të atyre grave dhe burrave me sjellje si kukulla druri, që i lëvizin nga lart me fije. Po kur të shkoj unë 120 vjeç, a do ndryshojë kjo shoqëri, apo dhe për vdekjen time nuses sime do t’i duhet të mbajë zi për kushedi sa muaj…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *