GUXIMI PËR TË MOS BASHKËPUNUAR

Njerëzit i përgjigjen kritikës me lloj-lloj mënyrash. Dikush e pranon dhe të falënderon, dikush tjetër të akuzon se ia ke me të keq; një tjetër insinuon se të kanë shtyrë ose të kanë paguar; një i tretë të thotë se nuk e ke kompetencën e mjaftueshme për të kritikuar; një tjetër akoma beson se je i painformuar ose të kanë gënjyer; një tjetër qesh me ty dhe të ve në lojë; dhe më në fund, ka edhe nga ata që nuk të flasin më me gojë, të heqin nga puna, ta prishin emrin nga lista, të hedhin hekurat dhe, in extremis, të futin një plumb pas qafe.

Kjo pavarësisht se kritika, në vetvete, është një faktor kyç në komunikimin të paktën publik; dhe kur mungon ose mbytet me mënyra të ndryshme, këtë e paguan vetë veprimtaria dhe statusi i institucioneve dhe përpunimi i mendimit institucional.

Mes formave të reagimit ndaj kritikës që rreshtova më lart – i bindur se ka edhe të tjera – lashë qëllimisht jashtë një të tillë që po e dëgjoj gjithnjë e më shpesh tani së fundi; dhe po e shembëllzoj me çfarë më tha një person gjysmë në privat, pasi kish lexuar një kritikë timen. Të kritikosh është kollaj, më tha; më e vështirë është të provosh të bësh diçka.

Duket ky si reagim i sipërfaqshëm, epidermik, instinktiv; por në fakt buron nga një filozofi që i shtrin rrënjët thellë dhe që përpiqet të vërë në pikëpyetje krejt modelin e komunikimit publik dhe të fjalës së lirë, të themeluar dhe të mbështetur në parimin e pluralizmit.

Dhe nuk po flas gjë me fjalë të mëdha. Ky i njohur imi, i cili më foli me dashamirësi dhe përnjëmend duke u përpjekur të hyjë në dialog me mua, qoftë edhe thjesht ngaqë ish lënduar personalisht nga çfarë kisha shkruar unë për një nismë ku ai vetë kish investuar mjaft, bënte të vetën një kundërvënie klasike, primordiale, midis fjalës dhe veprës; ose soditjes dhe veprimit (contemplatio dhe actio); duke e marrë për të mirëqenë që veprimi ka përparësi absolute ndaj fjalës; dhe se të bësh “diçka” është gjithnjë më mirë se të flasësh; sikurse është gjithnjë më mirë se të mos bësh asgjë.

Ka një rrejshmëri këtu; qoftë edhe vetëm ngaqë nuk ka asnjë bazë të pretendosh se veprimi ka ndonjë epërsi të vetvetishme ndaj fjalës. Në situata të caktuara, p.sh. kur një peshkarexhë përballet me stuhinë, kapiteni nuk ka kohë që të debatojë me anëtarët e ekipazhit; përkundrazi, kur këshilli bashkiak merr një vendim për vendin ku do të ngrihet nevojtorja publike, mirë është që ky vendim të diskutohet me ngé, para se të nisë hedhja e themeleve. Mënyra kryesore si mund të përligjet nevoja për veprim të menjëhershëm është duke e paraqitur çdo situatë si kritike; ose në krizë – për ta shtjelluar konceptin etimologjikisht; meqë në situata kritike nuk ka kohë për llafe (të tepërta) dhe aq më pak për kritikë.

Pa shkuar deri atje, sa këtë mistifikim të veprimit ta lidhim me kultin e veprimit brenda ideologjisë fashiste, po mjaftohemi të kujtojmë se veprimi, si i tillë, nuk vjen me kurrfarë garancie morale; dhe nuk mbron ndaj së keqes, as është i mbrojtur prej saj; ndryshe nga autonomia morale e cila, siç e ka vënë në dukje Kanti, arrihet nëpërmjet refleksionit, vetë-vendosjes dhe guximit për të mos bashkëpunuar. Për këtë arsye, kulti i veprimit (actio) veçanërisht i nxitur dhe i pompuar nga pushteti, kërkon të pengojë autonominë morale, rezistencën e individit ndaj bashkëpunimit me çdo kusht dhe, në analizë të fundit, vetë kritikën refleksive ndaj realitetit; e gjithë kjo në emër të riprodhimit të pushtetit dhe të marrëdhënieve të konsensusit, veçanërisht mes shoqërisë civile dhe ekzekutivit.

Adorno, që është marrë me studimin e kësaj dukurie, flet – te Authoritarian Personality dhe gjetiu – për një lloj personaliteti të apasionuar pas organizimit, krejt të paaftë për të pasur eksperienca njerëzore të pandërmjetme, të karakterizuar nga një farë mangësie emocionale dhe një realizëm i mbivlerësuar. “Ai nuk mendon, për asnjë çast, që bota të ishte ndryshe nga ç’është, dhe është i obsesionuar nga dëshira për të bërë gjëra, pavarësisht nga përmbajtja e këtyre gjërave. Ai e shndërron në kult veprimin, veprimtarinë, ose eficiencën si të tillë, e cila rishfaqet në imazhin reklamues të personit aktiv.” Këtë model personaliteti, Adorno e quan “ndërgjegje të reifikuar”; dhe personat që e kanë e asimilojnë veten me sendet dhe, pas kësaj e kur munden, i asimilojnë edhe të tjerët me sendet.

E kotë të shtoj që edhe Adorno nisej nga si e kish parë këtë “gjeni të veprimit” të shfaqur në politikanët nazistë.

duxNuk ka asgjë fashiste as autoritare te veprimi në vetvete; por te kulti i veprimit, ose që nga momenti kur ky lloj angazhimi ndaj realitetit, një nga të shumtët, vjen dhe imponohet si epror ndaj llojeve të tjera, përfshi këtu edhe kritikën. Tek e fundit, edhe kritika është një lloj veprimi, sikurse edhe vetë komunikimi dhe të folurit; dhe kjo është veçanërisht pertinente në politikë, e cila mund të shtjellohet si dialog në kërkim të konsensusit ose të kompromisit; por edhe të përmbyllet duke i zgjidhur kontradiktat mes palëve siç e zgjidhi Aleksandri nyjen gordiane: me shpatë.

Nga njëra anë, pra, kritika – e manifestuar në formën e diskursit kritik – është po aq veprim sa edhe veprimi atyre që “bëjnë diçka”; nga ana tjetër, veprimi i atyre që “bëjnë diçka” rrezikon të përfundojë në autoritarizëm, në mos në fashizëm, kur nuk shoqërohet nga kritika.

Për t’u kthyer tani te qortimet e atij të njohurit tim, do të mjaftohem të shtoj vetëm që ai, së bashku me të tjerë “veprues” në skenën kulturore shqiptare, paguhet për të vepruar, çka do të thotë se është duke bërë punën e vet; në një kohë që kritika, imja ose e shumë të tjerëve në pozitat e mia, vjen falas, ose si veprimtari e lirë dhe vullnetare. Ky dallim, i cili shpesh lihet mënjanë ose shpërfillet, në fakt e vendos veprimin dhe kritikën në dy rrafshe të ndryshme, me dëme të dyanshme; sepse dëshmon që jetojmë në një kohë të tillë kur shoqërinë civile e kanë bindur, ose edhe e kanë gënjyer, se veprimi (actio) mund të mjaftojë në vetvete dhe si prerogativë e ekzekutivit, ndërsa kritika mbetet opsionale, ose fakultative ose – në rastin më komik – profesion i opozitës. Një nga rrugët si është imponuar kjo bindje, që potencialisht shpie në suprimimin e kritikës dhe në autoritarizëm, është duke e banalizuar kritikën, nëpërmjet reduktimit të saj në çfarë prodhohet në talk show-t televizivë, ose duke e asimiluar në një lloj dëfrimi (entertainment); të barasvlershëm me fotot e femrave të zhveshura dhe rubrikat “paparazzi” ose “thash & them” të tabloidëve.

Dhe, më në fund, të bësh diçka nuk ka kurrfarë epërsie ndaj të mosbërit; përkundrazi. Në situatat kur mendimi kritik mungon, çdo lloj veprimi (actio) rrezikon – së paku potencialisht – të përftojë kriza.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.