HAP NË DREJTIMIN E DUHUR?

nga Agron Alibali

Temperaturat e larta politike dhe stinore në Tiranë kanë lënë jashtë vëmendjes publike e mediatike një risi të rëndësishme ligjore të miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë. Fjala është për Ligjin Nr. 54/2019, dt. 18.07.2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji çel shtegun për zbatimin e dispozitave kushtetuese për procesin ligjvënës në Shqipëri, duke u mundësuar më në fund zgjedhësve shqiptarë të drejtën për ndërmarrjen e nismave ligjvënëse nga poshtë.

Me Kushtetutën e v. 1998, Presidentit iu hoq tagri i nxjerrjes së dekreteve normative, çka e ktheu vendin nga republikë semi-presidenciale në republikë parlamentare. Mirëpo Kushtetuta e v.1998 hapi mundësinë edhe të nismave ligjvënëse nga poshtë, duke sanksionuar se “të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës” [Neni 81.1 i Kushtetutës, nënvizimi A.A.].

Kësisoj, Ligji Nr, 54/2019 përbën plotësim të rëndësishëm të Nenit 81.1 të Kushtetutës, i cili deri më sot kishte mbetur i pazbatueshëm.

Ligji Nr. 54/2019 është i shkurtër, me vetëm 18 nene. Ai është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 116/2019 me datë 6 gusht 2019, dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij, d.m.th. me 22 gusht 2019.

Ligji mund të shqyrtohet i plotë në lidhjen më poshtë:

https://qbz.gov.al/eli/fz/2019/116/cefba541-edd9-4c6a-9832-ca386de2677b

Nisma ligjvënëse e zgjedhësve përkufizohet si “propozimi në formë të shkruar i një projektligji, i nënshkruar nga jo më pak se 20 000 zgjedhës, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë” [Neni 3.6].

Ligji nuk kufizon objektin e nismave ligjvënëse [Neni 2.1], që gjithsesi duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe “standardet ligjore për hartimin e akteve normative” [Neni 5.2].

Duke u nisur edhe nga përkufizimi më lart, mund të themi se nismat ligjvënëse nga poshtë kanë tri kërkesa thelbësorë:

  • Përcjellin një projektligj që, normalisht, shfaq një nevojë publike ende të patrajtuar, apo që është anashkaluar nga Kuvendi;
  • Ato ndërmerren nga të paktën 20,000 shtetas shqiptarë me të drejtë vote; dhe
  • I përcillen për shqyrtim dhe miratim përfundimtar Kuvendit të Shqipërisë.

Nga pikëpamja organizative, nisma ligjvënëse qytetare drejtohet nga një Përfaqësi, e cila merret me mbledhjen e nënshkrimeve  [pas miratimit të organeve të pushtetit vendor, Neni 8], me mbarëvajtjen e bashkërendimin e procesit. [Neni 5.6]. Përfaqësia mbulon edhe koston e shpenzimet e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, burimet e të cilave bëhen publike [Neni 7].

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve [KQZ] ka rol qendror në mbarështimin dhe drejtimin e procesit.  Për shembull, KQZ miraton modelet e fletëve tip dhe të dhënat përkatëse për mbledhjen e nënshkrimeve {Neni 10], verifikon nënshkrimet, regjistron apo refuzon nismën ligjvënëse, etj. [Neni 14],

Ndryshe nga normat ekzistuese për referendumin, Ligji 54/2019 nuk i njeh rol vendimtar e paraprak Gjykatës Kushtetuese.

Ligji parashikon procedura lehtësuese për mbledhjen e nënshkrimeve edhe ndaj personave “në pamundësi fizike” [Neni 10.5]. Ai parashikon procedura të veçanta nënshkrimi për zgjedhës që nuk mund të shkojnë në mbledhjen e nënshkrimeve “për arsye shëndetësore” [nënshkrimi merret në vendndodhjen e zgjedhësit, Neni 11.1], ose për zgjedhës me problematikë penale [Neni 11.2].

Risia thelbësore e Ligjit 54/2019 është njohja e së drejtës së nënshkrimit, dhe për rrjedhojë, edhe të nismës ligjvënëse, edhe për shtetasit me banim jashtë Shqipërisë.  Dispozita përkatëse është si vijon:

Neni 11.3.  “Zgjedhësit, të cilët banojnë jashtë territorit

shqiptar gjatë mbledhjes së nënshkrimeve mund të nënshkruajnë fletët përkatëse në ambasadat ose postet konsullore të Republikës së Shqipërisë. Vendi dhe koha e mbledhjes së nënshkrimeve përcaktohen nga drejtuesi i zyrës përfaqësuese përkatëse dhe njoftohen në mënyrën që siguron akses të plotë ndaj informacionit për shtetasit shqiptarë.”

Kujtojmë se këtu nuk është fjala për të drejtën e votës për shqiptarët me banim të përhershëm jashtë shtetit, por vetëm për ndërmarrjen e nismave ligjvënëse.

E drejta e votës për zgjedhësit shqiptarë që punonin apo studionin jashtë shtetit njihej dhe zbatohej, edhe pse formalisht, edhe gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri.  Zgjedhësit që ndodheshin jashtë Shqipërisë votonin nëpër Ambasadat e Shqipërisë nëpër botë, dhe zona e tyre zgjedhore ishte ish-Lagja 2 në Tiranë, ku ndodhet Ministria e Punëve të Jashtme. Sot, e drejta e votës për shqiptarët jashtë atdheut njihet de jure [në kuptimin që të gjithë shtetasit që kanë regjistrimin në gjendjen civile në Republikën e Shqipërisë regjistrohen automatikisht edhe për të votuar], por de facto ushtrohet rrallë [pasi zgjedhësit duhet të vijnë fizikisht në Shqipëri për të votuar].

Dhe këtu vijmë edhe tek risia e fundit e Ligjit 54/2019, dhe pikërisht tek mundësia e nënshkrimit elektronik, si vijon:

“Mbledhja e nënshkrimeve në mënyrë elektronike kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për nënshkrimin elektronik, dokumentin elektronik dhe atë për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.“ [Neni 12],

Përmbajtja dhe qasja bashkëkohore e ligjit zgjeron hapësirën e vendimmarrje për shtetasit shqiptarë. Mirëpo hapi tjetër i domosdoshëm, sipas parimit të demokracisë së drejtpërdrejtë [Nenit 2.2 i Kushtetutës: Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti], është rishikimi dhe thjeshtimi i kreut për referendumet në Kodin Zgjedhor.

Referendumet janë mjete të mirëfillta demokratike për shprehjen e vullnetit të popullit për një çështje akute të caktuar. Klasa politike shqiptare nuk ka pse të tutet, apo të ketë alergji nga referendumet. Përkundrazi, vendimmarrja e drejtpërdrejtë popullore do ta fuqizonte e zhdërvjelltësonte demokracinë në Shqipëri. Për shembull, edhe çështja e shumëdebatuar e Teatrit Kombëtar mund të zgjidhet fare mirë me një referendum vendor.

Sa i takon Ligjit 54/2019, natyrisht përfitimet e tij konkrete duhet të testohen në praktikë. Këtu mund të themi se nismat ligjvënëse duhet të jenë shkurtra, të qarta e koncize. Ato lipset të rrahin probleme që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur jashtë vëmendjes së Kuvendit apo të qeverisë.

Falë qasjes së hapur dhe fleksibël të ligjit, do të përcillnim këtu dy shembuj të mundshëm për zbatim.

Shqipëria, si vend europian, çalon rëndshëm për gjendjen e hekurudhave të vendit. Treni është, pak a shumë sinonim i një shoqërie të përparuar, moderne, europiane, Mirëpo për arsye të ndryshme investimet në infrastrukturë këto tri dekadat e fundit janë përqendruar kryesisht tek rrugët automobilistike. Një nismë ligjvënëse nga poshtë do të ishte, për shembull, një projektligj që të detyronte shpërndarjen e balancuar, ta zëmë 50 % me 50%, të fondeve buxhetore e investimeve në infrastrukturë midis hekurudhave dhe rrugëve automobilistike.

Një tjetër nismë ligjvënëse nga poshtë mund të lidhej me çështjen delikate të huamarrjes. Ka shqetësime të ligjshme se huamarrja nga administratat e tranzicionit ka prirje për të kapërcyer në nivele të papërballueshme. Askush nuk duhet të marrë borxh për të mos e larë atë. Pakkush do të donte që borxhin e marrë sot t’ia shpërngulë si detyrim shlyerjeje brezit tjetër. Parimi i shtrirjes së këmbëve sa jorgani zbatohet në praktikë sipas normës së pashkruar se borxhi shlyhet gjatë jetës së huamarrësit, dhe huaja nuk mund e nuk duhet ta pasjetojë huamarrësin.

A nuk mund të ndërmerrej një nismë ligjore nga poshtë, për shembull, për të vendosur me ligj që çdo huamarrës në Shqipëri, në nivel qendror apo vendor, duhet detyrimisht ta lajë borxhin e marrë brenda për brenda mandatit qeverisës të ushtrimit të veprimtarisë së vet, dhe s’mund t’ia përcjellë detyrimin administratës pasardhëse? Nisma, që në dukje mund të mos paraqitet si praktike, të paktën do të disiplinonte jo vetëm huamarrjen në Shqipëri, si dhe ruajtjen e saj brenda niveleve të qëndrueshme, por do të rriste edhe përgjegjësinë e klasës politike në rrafsh qendror e vendor.

Edhe pse e vonuar me 21 vjet, pêrfundimisht, hyrja në fuqi e legjislacionit zbatues të normës kushtetuese për nismat ligjvënëse nga poshtë është hap në drejtimin e duhur. Le të shohim se si do të zbatohet në praktikë.

(c) 2019, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top