HAPËSIRA E SHKRIMIT ELEKTRONIK (II)

nga Natasha Porocani (Shuteriqi)

Komunikimi elektronik përballë atij tradicional

-Risitë

Teksti i shkruar elektronikisht në aplikacionet whatsApp apo Viber, në dallim nga teksti i shkruar në letër ka destinacion dialogimin. Destinacioni në fjalë ka kushtëzuar dhe formësuar tipologji të ndryshme nga ato tradicionale. Madje pikërisht kjo bën që të shfaqen më qartë dallimet me shkrimin tradicional (ku nuk vendosim vetëm standardin, por edhe dialektet, zhargonet, etj). Qëllimi parësor i këtij lloj komunikimi dialogues është të përcjellë informacionin në kohë reale, i krahasueshëm me atë të bisedës ballë për ballë. Kjo vlen në fakt edhe për postën elektronike, ndonëse ajo mund edhe të shtyhet në kohë. Për ta përmbledhur, kjo vlen për mesazhet me tekst që komunikohen elektronikisht.

Gjykojmë që pikërisht kjo njëkohësi është risia themelore e komunikimit elektronik, përballë atij tradicional.

Historiku i shkrimit na tregon se njeriu sapo u krijua e zgjeroi botën e tij duke zgjedhur së pari të grumbullojë informacion dhe po aq ta transferojë këtë informacion. Në këtë kuptim „gjuha“ ishte i pari „internet“ që jo vetëm transferoi informacionet, por i shoqëroi këto edhe me gjestikulacione të quajtura me vonë „gjuha e trupit“, të cilat sot, përcjellë në kohë reale, interneti i vërtetë i ka emërtuar „emoji“. E në fund të fundit, të gjitha mjetet që ofron në komunikim interneti nuk bëjnë tjetër veçse priren gjithnjë e më shumë të imitojnë ato të komunikimit oral. Në këtë risi, janë detajet ato që përcaktojnë inovacionin. Dhe detajet përfshijnë ndër të tjera emojit. Sociologët argumentojnë se përdorimi i internetit, i rrjeteve sociale dhe bisedave, duke patur si synim imitimin e bisedës ballë për ballë, përfshin emojit, si shprehje grafike e emocioneve që njeriu zgjedh të përcjellë në atë informacion me fjalë. Bëhet ekonomik jo vetëm shkrimi (informacioni), por edhe emocioni. Në një farë mënyre emojit të lidhura me informacionin bëjnë që aftësitë marrëdhëniore mes njerëzve të realizojnë një komunikim më të përshtatshëm. Por asnjëherë nuk duhet harruar se në raportin mes shkrimit tradicional dhe atij elektronik në mes ka qenë edhe telefoni, i cili gjithsesi ka zvogëluar në mënyrë progresive distancën midis shkrimit dhe fjalës tradicionale. Ai ka mundësuar biseda në distanca sinkronike; por edhe telegrafi dhe faksi, të cilat dërgojnë shkrime nga distanca, por në kohë reale.

Nëse, nga pikëpamja komunikuese, risia gjuhësore e shkrimit elektronik konsiston në përdorimin sinkron (term i përdorur nga Baron) të shkrimit, nga pikëpamja sociolinguistike risia më thelbësore konsiston në kontributin vendimtar që këto mjete kanë siguruar për të modifikuar bazën sociologjike të atyre që përdorin shkrimin për një komunikim joformal.

Deri njëzet vjet më parë, ky ndryshim ishte fare i pandjeshëm, por tani për shkak të një lloj demokratizimi të gjuhës, por jo vetëm, po zgjerohet me shpejtësi. Demokratizimi i gjuhës jo pak herë është kuptuar si mosrespektim i rregullave të tekstit të shkruar tradicional, sepse dihet që shkrimtari, kur merr stilolapsin në dorë, është nisur drejt përdorimit të larmisë më formale të repertorit të tij gjuhësor. Por shkrimi elektronik (kryesisht ai dialogues) është më intim, më i paqëndrueshëm, më pak zyrtar edhe në krahasim me tekste të tipologjive që kanë destinacion shkrimin jo formal si ditari, letrat e dashurisë, pusullat apo shkrimet në mur.

Marrëdhënia me standardin

Të gjithë këto fenomene nuk lindën nga hiçi. Ato i përgatiti ndryshimi marrëdhënieve sociale së pari e më pas ndryshimi i marrëdhënieve të individit me shoqërinë dhe gjuhën si mjet mes tyre. H.Hysenaj pohon se “Ndryshimet në shoqëri, liberalizimi i gjuhës dhe vënia e kontakteve komunikuese midis pjesëtarëve bashkësisë folëse kanë prodhuar evoluim gjuhësor të shoqëruar me ndryshime të kodeve ekzistuese.”
Në vitin 1972 në Shqipëri vendoset përdorimi gjuhës standarde në komunikimin zyrtar. Në mënyrë administrative mësimi dhe çdo marrëdhënie mes individit dhe shtetit (ku fusim edhe mediet) organizohet në gjuhën standarde. Por nëse synojmë t`i referohemi ndryshimeve të komunikimit në gjuhën shqipe duhet të kemi në konsideratë arsyet se përse standardi paraqiti probleme të cilat u trashëguan deri sot dhe u standardizuan nga komunikimi në internet.

Së pari duhet t`i referohemi modelit që u përdor për të formësuar standardin. Nëse mes dy dialekteve brenda territorit të ish RPSSH ngushtica ishte e dukshme, unifikimi po e zbuste atë. Ndërkohë që e folura në Shqipëri dhe e folura në Kosovë që në ngjizje të standardit e reflektoi këtë largësi, e cila me kalimin e viteve jo vetëm që nuk u shpërfill, por u ngurtësua si e tillë. Rrahman Paçarizi, saktëson se shqipja e folur në Kosovë dallonte nga ajo në Shqipëri për faktin se e folura standarde në Shqipëri për bazë kishte marrë “modelin vokal të toskërishtes”, ndërsa e folura standarde në Kosovë u mbështet mbi të folurën e vernakularit të Prishtinës, i cili ndonjëherë kishte edhe karakteristika të stërkequra të modelit vokal të Kosovës. “Në Shqipëri mbizotëroi modeli vokal i toskërishtes, i cili nisi të imponohej si të ishte vetë standardi, duke u sjellë me mospërfillje ndaj vetë standardit”, shprehet ai (Paçarrizi, 2011:97), duke identifikuar kështu një ndër shkaqet e mospërhapjes së kënaqshme të standardit të folur të shqipes së normuar më 1972. Kjo bëri që shqipja e folur të mos përvetësohej në masë të kënaqshme nga folësit e tjerë që kishin gjuhë native ndonjë variant tjetër dialektor, posaçërisht nga folësit e shqipes standarde në Kosovë. E refruam këtë dukuri si problem, sepse dialekti i Kosovës u përthith shumë nga gjuha e komunikimit elektronik për dialogim, dukuri kjo analoge me disa nga vendet e tjera në botë.
Së dyti, duke qenë se standardi, është një variant i gjuhës së përdorur, i konsideruar nga Combrettes si varianti më i mirë, duhet të thënë se ai u ruajt për 50 vjet me rigorozitet dhe fanatizëm nga shteti, madje edhe me masa administrative u shoqërua ruajtja e tij. Por kjo nuk e shmangu përdorimin e dialektit në gjuhën e folur, por veçse e izoloi atë nga gjuha e shkruar. Kaq e pafuqishme ishte kjo mënyrë kontrolli mbi gjuhën (e shkruar kryesisht), sa menjëherë pas viteve `90-të dialektet shpërthyen, duke fituar territor edhe në të shkruar. Këtu nuk i referohemi vetëm veprave të Fishtës, Koliqit, etj që nisën të ribotohen e rilexohen, por edhe veprave të autorëve bashkëkohorë të asaj kohe si Rreshpja, Camaj, etj. Veç kësaj, lëvizjet demografike bënë që përshpejtimi i ndryshimeve sociale të shoqërojë me po të njëjtin temp ndryshimet gjuhësore. Të ardhurit sollën me vete drejt kryeqytetit (të cilin domosdoshmërisht do ta trajtopjmë si epiqendër të gjuhës standarde) edhe ndryshimet e tyre fonetike, leksikore madje edhe sintaksore (sidomos nëse i referohemi formave të pashtjellura, shurdhimit të bashkëtingëllores së zëshme në fund të fjalës, elipsës së shpeshtë, gjysmë-fjalëve, apo ndryshimit të tempit në të folur). Këtë pohim e gjeneron edhe ideja e Hysenajt, sipas të cilit „Në këtë situatë, sot mund të flitet edhe për konceptin e quajtur “dialektizim të standardit”. Ky konstatim vlen për të dy modelet shqiptimore, për atë të Shqipërisë me qendër Tiranën dhe atë të Kosovës, me qendër Prishtinën.”
Së treti, në mënyrë të veçantë në vitet `60 nisi në fushën e letrave shqipe një situatë e re komunikimi, e cila përhapi modernizmin. Me motivin e mënjanimit të shablloneve dhe skemave, romanet e P.Markos, J.Xoxes dhe I.Kadarese sollën një tjetër mënyrë komunikimi në shqipen e shkruar. Këtu do t`referohesha veçanërisht një tipi fare të ri komunikimi që solli Kadareja, i cili te „Gjenerali“ apo „Kronika“ arrinte të përçonte informacionin në sinkron me ngjarjen. P.sh. atë që në Itali në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë Raffaele Simone (1980) e përcaktoi menjëherë si “të folurit për veten”, duke marrë formë, forcë, domethënie, veçanërisht nga të rinjtë, për ta zgjeruar sferën e intimitetit, në Shqipëri ishin të paemërtuara, por u përthithën dhe u imituan në forma më të brishta. Janë disa kontekste komunikimi që nuk mbetën biografike, por u perceptuan si rrëfime të dukshme intime. P.sh komunikimi poetik i Fatos Arapit apo Dhori Qiriazit, rrëfimet e Ilinden Spasses. Do të veçoja në këtë kontekst, dukurinë aq interesante të Kadaresë te „Dimri i vetmisë së madhe“, ku ndoshta për herë të parë në letërsinë tonë vjen e folura-zhargon e djemve të rrugës Bardhyl, e cila mund të konsiderohet shfaqja e parë e asaj që do të quhet më vonë gjuha e WhatsApp-it.
Së katërti konsolidimi i vlerave rinore shqiptare, i cili kishte filluar të shfaqej në vitet gjashtëdhjetë, por u ndërpre pas Festivalit të 11-të, i përket periudhës së pas `90-ës. Me ndryshimet sociale e politike erdhën edhe ndryshimet e marrëdhënieve të individit me gjuhën. Por ata që ishin në avangardë të krijimit të një kodi të ri gjuhësor, ishin të rinjtë. Sepse dihet që komunikimi elektronik në Shqipëri ka një shpërndarje të diferencuar mes brezave të ndryshëm.

Së pesti karakteristikat e të ashtuquajturës gjuhë rinore, morën formë edhe nëpërmjet ndërhyrjes së kulturave të ndryshme, të cilat e fituan terrenin në mënyrë kaotike në fillimet e tyre, për shkak të virgjërisë multikulturale me të cilën qasej rinia shqiptare. E pavarësisht kësaj, në vitet 2000 mbërrijnë ndryshime të shumta: kultura e popit ndërkombëtar, ndikimi i fuqishëm i kulturës italiane, ndikimet e botës anglo-saksone, hyrja me arrogancë e dialekteve të Kosovës, kokëfortësia e dialekteve lokale, të cilat në shumësinë e tyre, në fund të fundit dëshmojnë për një vitalitet të jashtëzakonshëm në Shqipëri, të krahasueshëm me disa nga zonat gjuhësore evropiane.

Dhe po të kemi parasysh raportin midis territorit shqipfolës dhe sasisë së dialekteve e nëndialekteve të shqipes, atëherë do të thoshim që kjo lëvizje është madje e konkurrueshme me këto zona evropiane që ne nënkuptojmë.

Po ashtu në këtë hapësirë gjejmë vend të këmbëngulim për fuqinë që morën zhargonet. Para viteve `90 zhargonet e të rinjve e buronin origjinën e tyre nga lëvizjet politike, sociale apo kulturore, sot, ata zhvillojnë kanale të reja komunikimi thjesht për t’u shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë, pa ndonjë arsye keqdashëse. Qëllimi i vetëm i përdorimit të fjalëve të huaja, metaforave dhe shkurtimeve është ngarkesa e gjuhës me forcë shprehëse për ta bërë atë thelbësore, dialektike, pa turp dhe, mbi të gjitha, të pakuptueshme për të tjerët. Të përdorura në jetën e përditshme, zhargonet mund të kalojnë me shkrim, për të mos hyrë në zhanre të caktuara letrare. Nuk është gabim të thuash që historia e një gjuhe është gjithashtu histori e zhargoneve të saj. Në përgjithësi, zhargonet shërbejnë për të pasuruar imazhin fonik që gjuha mbizotëruese jo gjithmonë e përmbush; ato shndërrojnë kuptimin jo thjeshtë në hapësira polisemike, po në kode; zhargonet janë llambushka të kuqe që dëshmojnë se një grup ekziston, por njëkohësisht të bindin që nëse nuk je pjesë e këtij grupi, ti nuk depërton dot në përmbajtje. Kjo është arsyeja pse zhargonet mund të konsiderohen përdorime të veçanta, për të cilat do të flasim më poshtë.

Së fundi, mediet audiovizive sot e kanë vënë para përgjegjësive të mëdha standardin. Në mediumet televizive apo dhe në qëmtimin e gjuhës së mediatorëve televizivë, vihet re një përdorim i dukshëm i gjuhës së koduar, ndërhyrje e fjalëve të huaja, çrregullim i sintaksës, rikrijim me modele të huazuara nga gjuha e komunikimit në dialog, etj. Të gjitha këto nuk duhen trajtuar si cenim i komunikimit të pastër, por si një nevojë për të arritur atë formë sinkronie që dialogimi elektronik e favorizon.

(vijon)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top