Hasan Tahsini, iluministi që i priu zbatimit të idesë kombëtare

Ahmet MEHMETI*

 

HASAN TAHSINI, ILUMINISTI QË I PRIU ZBATIMIT TË IDESË KOMBËTARE

Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini

Një komb krenohet me figurat e shquara që nxjerr nga gjiri i vet. Hasan Tahsini është një nga ato figura që i bëjnë nder jo vetëm shkencës dhe kombit shqiptar por dhe kombeve të tjerë. Ai është bërë simbol i bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv me gjithë intelektualët e kohës së vet si në fushën e dijeve teorike ashtu dhe në përpjekjet këmbëngulëse për zbatimin në jetë të qëllimeve aq fisnike sa dhe humane për hedhjen e bazave të shkrimit të shqipes, përhapjes së arsimit kombëtar dhe krijimit të shkencave të mirëfillta bashkëkohore.
Hasan Tahsini shkroi mbi 15 vepra shkencore midis të cilave përmendim “Bazat e kozmografisë” (1883), “Njohuri mbi psikologjinë” (1894), “Pasqyra e rruzullimit” (1868), “Universi” (poezi), “Tabela austronomike” (1867), “Bota e qiellit”, “Sekretet e ajrit e të ujit”, “Historia e krijimit të botëve”, “Libri i edukimit të fëmijëve” (me bashkëautor), “Jeta e historia e popujve” etj., përkthimi i romanit “Udhëtimet e Guliverit” e të tjera përkthime nga shkenca e letërsia artistike bashkëkohore.
Në 1879 botoi të parën Revistë Shkencore ( Mexhmuai Ulum ) në Perandorinë Otomane, ku perfshiu edhe një poemë me 112 strofa si dhe poezi të tjera. Shumica e shkrimeve shkencore i përkisnin pendës së tij. Revista doli në shtatë numra.
Një vepër shkencore orgjinale e tij është “Alfabeti metodik i gjuhës shqipe” (1858). Në gazetën “Basiret” në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hasan Tahsini argumentonte:
“Po të mos krijojmë një alfabet për një gjuhë, që të jetë i përshtatshëm, i sigurt, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat në të duken si të huaja dhe kështu nuk do të jetë e mundur të përfitojmë atë që dëshirojmë” d.m.th. lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Një luftë pa kompromis, ku doli fitimtar mendimi i Profesor Hasan Tahsinit, u zhvillua gjatë vitit 1867 e në vazhdim kundër përdorimit të alfabetit arab për gjuhën shqipe. “Çështja për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të gjithë kombit tonë – thekson me forcë profesori – domethënë me çështjen si të shkruhet më lehtë gjuha jonë, të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqiat që rrjedhin prej saj. Gjuha jonë nuk mund të shkruhet me anë të alfabetit arab”.
Në vitin 1879,në përbërje te komisionit per hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe ai bashkëpunoi ngushtë me Sami Frashërin, Pashko Vasën e Jani Vreton,figura të ndritura të kombit shqiptar.Sëbashku krijuan “Alfabetin e Stambollit” me 36 tinguj me 25 shkronja latine, 5 greke dhe 6 cirilike.
Ja si i bind H. Tahsini kundërshtarët e alfabetit shqip të Stambollit duke u thënë se në Kuran: “Perëndia nuk dërgoi asnjë misionar që të mos dinte gjuhën e popullit, të cilit i predikonte … se vepër e mrekullueshme e perëndisë është krijimi edhe i gjuhëve të shumta të ndryshme që mund të mësojnë të gjithë. Kështu pra, Kurani i quan të gjitha gjuhët të barabarta dhe alfabetet e tyre të respektueshme”.
Jani Vreto duke folur për kundërshtarët shkruante: “Duke çmuar H. Tahsinin për kulturën e tij dhe duke respektuar fjalët e tij u bindën dhe nuk kundërshtuan më”.
Po synimet e H. Tahsinit shkonin shumë larg për përhapjen e arsimit në Shqipëri.
Atë e shqetësonte sigurimi i mjeteve të nevojëshme, siç shkruante ai: “për të përpiluar një fjalor shqip, për të hartuar rregullat gramatikore dhe sintaksore të kësaj gjuhe që është më e përsosura midis gjuhëve të Europës”.
Mbështetje për këto synime si dhe për çështjet e alfabetit do të kishte mikun dhe shokun e tij të ngushtë Kostandin Kristoforidhin. Njëri nga Çamëria dhe tjetri nga Gegëria do të luftonin si një trup i vetëm për çështjen e madhe kombëtare.
Kostandin Kristoforidhi përpiloi Gramatikën e Gjuhës Shqipe (1882). Duke shëtitur tërë Shqipërinë grumbulloi nëpërmjet bisedave direkte në popull lëndën për Fjalorin e parë shpjegues të gjuhës shqipe të cilën e pasuroi me lëndën që përmbanin të gjitha librat e vjetër shqipe që njiheshin deri atëhere.
Ai vërtetoi shkencërisht afrinë e madhe të dialekteve të Shqipes dhe vetë punoi për krijimin e gjuhës letrare sidomos me përkthimet e literaturës fetare si dhe veprat shkencore e artistike.

Si Tahsini dhe Kristoforidhi në shkrimet e tyre i kanë shkrirë të dy dialektet sa deri në ditët tona disa studiues nga mosnjohja e realitetit, të punës së madhe që bënin këta personalitete për krijimin e shqipes letrare hamendësojnë se dikush tjetër na qenka përzier duke i ngatërruar dialektet (sidoms për H. Tahsinin).
Veprimtaria teorike e organizuar, që filloi në mesin e viteve `60 të shekullit të nëntëmbëdhjetë në shtëpinë kabinet të H. Tahsinit në Stamboll, e cila në fakt ishte një shkollë private, u bë Universiteti i parë shqiptar; u shndërrua në veprimtari praktike në atdhe në fillim të viteve `70. Në atë periudhë pati ndihmën e pakursyer të bashkatdhetarit të tij të madh Abedin Dinos,një tjetër illuminist i shquar atdhetar.
Në atë kohë Hasan Tahsini realizoi shtegëtimin e madh misionar të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe si dhe të ideve kombëtare nga Jugu në Veri, nga Filati në Shkodër e deri në Prizren,duke u marrë intensivisht me ngritjen e një rrjeti shkollash të improvizuara në shtëpitë e atdhetarëve që e prisnin me etje mësimin e gjuhës shqipe me shkronjat e veta (Alfabeti i H. Tahsinit u shpërnda si fletë fluturuese në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj me 1872).
Njohës i përkryer i pesë kulturave: shqiptare, franceze, arabe, persiane dhe turke, ai u printe aktivistëve kombëtarë. Duke filluar nga fshati i lindjes Ninati dhe fshatrat përreth ngriti shkolla në Konispol, Filat e Delvinë. Në Berat u takua me mikun e tij të ngushtë K. Kristoforidhin dhe së bashku me Babe Dude Karbunarën u përpoqën për hapjen e një shkolle shqipe, gjë që ra në sy të armiqve të Shqipërisë. Kjo punë këmbëngulëse vazhdoi në Tiranë ku krahas përhapjes së diturive u bënë përpjekje për krijimin e një shoqërie kulturore si dhe çoi përpara lëvizjen për përhapjen e shkollave shqipe.
Në qytetet e Shqipërisë së Mesme si Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Krujë e Tiranë qysh më 1870 Kristoforidhi me abetaren e tij kishte krijuar terrenin e nevojshëm për lulëzimin e shkrimit të shqipes. Atëhere në Berat qarkullonin abetaret e Veqilharxhit qysh më 1844 e këtej. Në Shkodër e prit nga Daut Boriçi e Isuf Tabaku. Shkodra i kujtonte H. Tahsinit fëmijërinë kur kishte kaluar rreth 10 vjet në oborrin e Bushatllinjve, ku jepte mësim i ati.Misionin e tij atdhetar ai e vazhdoi në Kosovë.Gjithë kjo veprimtari e madhe atdhetare e iluministe ra në sy jo vetëm të armiqve të shqiptarëve por edhe të përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha të akredituara në teritoret shqiptare.
Më 10.4.1874 konsulli francez në Janinë, Dozon, i shkruan Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për një lëvizje të gjerë “politike-arsimore” në Shqipëri. Ai theksonte se H. Tahsini e K. Kristoforidhi ishin përfaqësuesit më në zë të kësaj lëvizjeje.
Kështu ata po i ngrenin një “gardh helenizmit”, i cili që nga ajo kohë e deri sot vazhdon të jetë rrezik për kombin shqiptar.
Nënkonsulli anglez i Janinës B. Qiprioti, më 24.4.1874 njofton arrestimin e Hasan Tahsinit në Delvinë nga qeveritari i përgjithshëm i vilajetit. Ai thekson se Tahsin Efendiu
“…ka ardhur në Shqipëri,ku me pretekstin se po mblidhte lëndë për një gramatikë dhe një fjalor të shqipes u ka predikuar lirinë kombëtare bashkëatdhetarëve dhe ka regjistruar cilindo që përqafonte projektin e tij me këtë përmbajtjeje: të punojë për lirinë e vendit të tyre dhe të ngrenë një Principatë ose Demokraci Shqiptare. Pasuesit e tij mund të jenë në numër shumë të madh në Shqipërine e Epërme dhe të Poshtme, bile dhe në Stamboll”.
Ishte pikërisht kjo frikë e autoriteteve të dhunëshme otomane që nuk e futën në burgun e përbashkët të Janinës, po në një kazermë, ku e mbanin të mbyllur me rreptësi, duke ndalur çdo njeri që të mos e shihte ose të mos fliste me te.
Nuk është për t`u habitur pse fill pas burgosjes së Hasan Tahsinit, Shoqëria Biblike e Londrës për Turqinë i ndërpreu pa paralajmërim marrëdhëniet me Kostandin Kristoforidhin nën pretektsin se ai nuk besonte në “frymëzimin hyjnor”. Kjo ndërprerje flagrante ishte shprehja e qëndrimit dhe e bashkëpunimit të atdhetarëve të mëdhenj tek të cilët siç shkruan Albert Dymo në veprën e vet “Ballkani dhe Adriatiku”: “Ideja kombëtare mbizotëron mbi fenë në Shqipëri”. Kjo ide ishte projektuar dhe u zbatua me përkushtim nga inteligjenca e ndritur rilindase ku spikat figura madhore e Profesor Hasan Tahsinit.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

* Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Çamërisë

 

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.