IDEIME

Korrigjuesi drejtshkrimor i shqipes i MS Office nuk ma njeh fjalën Idromeno, por më sugjeron, për ta zëvendësuar, formën foljore ideomëni. Me theks tek o-ja: ideómëni. Ja një fjalë që tingëllon surreale, sidomos në këtë urdhërore shumës, me një trajtë të shkurtër përemërore të ndërkallur: ideo-më-ni, ose ju atje, më ideoni mua! Surreale, sepse kush mund ta përftojë gjuhësisht këtë farë “urdhri”, përveçse një kompjuter, që nuk e flet dot shqipen por veç e imiton si papagall? Pa përmendur pastaj që këtë folje, ideoj, fjalorët e mi të shqipes as që e kanë përfshirë; por që gjithsesi do t’i përgjigjej foljes ideare të italishtes, të cilën fjalorët e asaj gjuhe e përkufizojnë si “të konceptosh në vija të përgjithshme idenë e diçkaje që më pas do të realizohet, ose duhet të realizohet”; me një fjalë, të skicosh mendërisht një projekt, një skemë të diçkaje për ta sjellë më pas në jetë sipas rregullave – një lloj si ai arkitekti më i keq i Marksit, që ndryshe nga bleta më e mirë, dhe sido që i bërë tashmë me turp prej saj, e ideon synimin e punës së vet në mendje, para se ta prodhojë produktin në realitet. Dakord, dakord, arkitekti punon me plan, madje edhe sikur t’ia ketë vjedhur këtë plan arkitektit tjetër; por ideómëni sërish më ngec në fyt, edhe është edhe nuk është shqip, megjithë gramatikën që ia ka vjedhur foljeve të tjera shqipe me temë më -o; ka formën e shpëtómëni, shënómëni (dhe mua), harrómëni, dëgjómëni, dënómëni (ashpër), të cilat tingëllojnë më shumë si thirrje dëshpërimtare, se urdhërore të mirëfillta; çfarë e bën edhe më absurde këtë ideómëni, si lutje të një subjekti që – për fatin e vet të keq – ende nuk ekziston, sepse ende nuk e ka ideuar kush; prandaj edhe thirrja vjen nga një përmasë e katërt, ose nga e ardhmja: ideómëni, që unë të mund të ekzistoj dhe ashtu të marrë kuptim edhe kërkesa ime fantazmë. Pa përmendur as që kjo folje, ideoj, se ç’ka diçka sovjetike, prej instituti studimesh marksiste-leniniste, redaksie të një reviste politike për përdorim të brendshëm, shkolle për edukimin organizativ të kuadrove; meqë këtë lloj veprimtarie mendore, ideoj, s’mund ta ndërmarrin veç mendjet e përgatitura, të formuara, të mbrujtura me principialitet. Dhe ashtu do të ketë qenë vërtet, por ja që nuk është më, sepse folja tani i përket së kaluarës po aq sa edhe epoka që arriti ta “ideonte”; ose epoka tashmë e perënduar e liderëve filozofë, që jo vetëm e përfytyrojnë (me largpamësi) të ardhmen, por edhe e krijojnë duke e ideuar. E që, gjithsesi, ata vetë nuk kishin gjasa të thoshin ndonjëherë ideómëni, sepse veprimin përkatës – desh thashë ideimin – ishin pikërisht ata që e ndërmerrnin, herë nga pasioni herë nga detyrimi a imperativi etik; ndërsa ata vetë nuk mund t’i ideonte kush, sa kohë që as shqipja nuk do t’i lejonte (se kush vallë do të guxonte të përdorte një folje si ideoj, përtej dhe pavarësisht pranisë autoritare të këtyre mendjeve kozmike në ligjërim?). Kjo do ta përjashtonte edhe çdo asociacion të foljes ideoj me Idromenon, i cili – si piktor që ishte – bënte të kundërtën, ose i ç-ideonte mendimet e veta, për t’i shndërruar në imazhe; dhe ndoshta prandaj edhe ka mbetur jashtë fjalorit drejtshkrimor të Microsoft Office, i cili do ta ketë gjykuar – jo aq piktorin sa mbiemrin e tij – si të pagjasë për të mbijetuar në atë botë diskursive, ku urdhëroren e shqipes e zgjedhon vetë kompjuteri, i cili në proces e sipër të ideon edhe ty si përdorues.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.