ILUZIONE TË KUJTESËS (I)

  1. Shvejku nën Efektin Mandela

Para disa vjetësh, pata vënë re, me një shkrim këtu në Peizazhet (Shvejku juaj apo yni), se një thënie që i atribuohej shpesh Shvejkut në mediat – “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë” – ishte në fakt apokrife; pa çka se po i nxirrte kryet praktikisht kudo.

Njëlloj kam parë t’i bashkëngjitet heroit të Hashekut edhe një shprehje si “arsyeja e mos-arsyes sime”, e cila me gjasë i përket Don Kishotit.

Tani po shoh që Shvejkut t’i dhurohet – pa pikën e mëdyshjes – një batutë tjetër: “Të gjitha rrugët të çojnë në Bugjejovice.”

Zanafilla e këtij operacioni të fundit mund të ndiqet: në hyrje të kapitullit për anabasin, Hasheku përmend thënien latine se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, dhe pastaj e përdor këtë për të komentuar bindjen e çuditshme të Shvejkut se ky do të mund të arrinte në Bugjejovice pavarësisht nga drejtimi që zgjidhte për të ecur.

Te shkrimi i lartcituar, pata pyetur – në mënyrë retorike – se ç’i bënte bashkatdhetarët e mi t’i vinin Shvejkut në gojë batuta të rreme, në një kohë që romani vetë është aq i pasur me batuta të vërteta.

Gjithë duke supozuar se këta keq-citues besonin vërtet se këto fjalë vinin prej Shvejkut. Pse vallë? Ngaqë dëshironin t’u jepnin një mbështetje a një autoritet batutave që krijonin ata vetë? Apo mos dukuria i ka rrënjët më thellë, në psikologjinë kolektive?

Në mediat perëndimore diskutohet prej vitesh për të ashtuquajturin “efekti Mandela” – një patologji e kujtesës që e merr emrin nga bindja e shumëve prej nesh që Nelson Mandela pat vdekur në burgjet jug-afrikane dikur në vitet 1980. Fiona Broome filloi të mblidhte dëshmi rreth këtij “kujtimi të rremë” dhe t’i publikonte në një sajt të posaçëm (The Mandela Effect). Sipas saj, ishin me mijëra ata që besonin kështu.

Të gjithë kemi kujtime që nuk i përgjigjen realitetit: mjaft të krahasojmë se çfarë mbajmë mend nga shkolla e mesme, gjatë një përvjetori të Maturës. Por efekti Mandela shfaqet atëherë kur i njëjti kujtim i rremë shfaqet në një masë njerëzish, ose bashkëndahet prej shumëve.

Shpjegimet që i janë dhënë këtij efekti marrin në vështrim deri edhe ekzistencën e universeve paralele, ose mundësinë e “editimit” të së shkuarës – nëpërmjet kryqëzimit të historive nga këto universe. Nuk do të merremi këtu me këto hipoteza; por do të pranojmë se efekti i kujtesës kolektive të rreme mund të ketë të bëjë me përshtatjen – e pavetëdijshme – që i bën kolektiviteti narrativave historike reale, për t’i “normalizuar”.

Shembullin më lart, me citatet apokrife nga Shvejku, e solla për të ilustruar një efekt Mandela vërtet minor, por të shpjegueshëm relativisht lehtë: njerëzit, madje edhe pa e lexuar romanin e Hashekut, kanë një ide për Shvejkun si personazh dhe autor batutash, të cilën pastaj e zbatojnë ndaj thënieve që atyre vetë u pëlqejnë, ose që u duken si të Shvejkut. Me gjasë, kjo ndodh ngaqë Shvejku e ka kapërcyer tashmë kufirin që ndan personazhin letrar nga personazhi mitologjik, si aktor i teatrit mitologjik bashkëkohor – duke u bërë, si me thënë, më real edhe se vetë Hasheku.

Sajimi i batutave do kuptuar kështu si një mënyrë e përvetësimit të Shvejkut nga vetëdija kolektive – diçka e ngjashme do të ketë ndodhur, bie fjala, edhe me Hoxhë Nastradinin.

Ashtu kemi shpjeguar edhe atribuimin e remë, Fan Nolit, të një vjershe me titullin “Merr e zgjidh”, strofat e së cilës kanë qarkulluar me frenezi të pazakontë në mediat shqip vitet e fundit (lexoni Mandela në ndihmë të Nolit te sajti ynë). Patëm shkruar, atëherë, se kjo vjershë, në pasion e sipër, mund të rrezikonte të katandisej në të vetmin krijim të “Nolit” i njohur nga masa kulturë-dashëse, ngjashëm me batutat apokrife të Shvejkut.

Në fakt, atribuimet e rreme i bashkëlidhen ngushtë përshtypjes kolektive se copëza ligjërimore – që mund të jetë vepër letrare, thënie, proverbë ose batutë – i përgjigjet me përsosmëri shijeve popullore të momentit. Një origjinal nuk mund të konkurrojë dot, kundër këtij lloji të ekspediencës, aq më tepër në ekosisteme të kulturës orale, si yni, ku roli i shkrimit (dhe i teksteve) si arkiv i dijes ende nuk është konsoliduar. Në një mjedis të tillë, personazhe si Shvejku marrin atributet e një “nomen agentis” – në kuptimin që Shvejk do të quhet kushdo që thotë një batutë me karakteristika të caktuara (absurde, paradoksale, etj.); dhe anasjelltas, çdo batutë që përmbush kritere të caktuara, do t’i atribuohet këtij Shvejku (në retorikë, kjo mund të merret edhe si një formë a efekt i antonomazisë).

Diçka e ngjashme me “efektin Mandela” ndodh edhe kur disa copëza letrare, zakonisht poezi kitsch ose letra sentimentale, ose aforizma të caktuara, u atribuohen gabimisht autorëve të njohur, shpesh edhe me ndërmjetësimin e rrjeteve sociale a të Internetit në përgjithësi (ku autoritetit vertikal ia zë vendin shpërndarja horizontale ose bashkëndarja – sharing). Kështu bëri, bie fjala, ish-kryeministri italian Renzi kur, gjatë një lectio magistralis në Universitetin e Buenos Aires-it, deklamoi vargje nga një poemë, sipas tij, e Borges-it (kemi folur për këtë farsë këtu: Punë etiketash), të marra nga Facebook-u a nga Instagrami.

Më shpesh se ç’mund të tolerohet i gjen këto lajthitje në fjalimet e vona të Ramës (shembuj këtu: Kundera kundër dhe këtu Gjenerali i citueshëm). Natyrisht, edhe Renzi, edhe Rama i kanë mundësitë për t’i verifikuar burimet e citimeve të tyre “kulturore”, ndryshe nga qyqarët e gjynahqarët që redaktojnë Shvejkun. Nëse nuk e bëjnë, kjo gjithsesi pak lidhje ka me përçudnimet e kujtesës kolektive.

Në vija të trasha, efekti Mandela ka të bëjë edhe me një përplasje midis mbingopjes me informacion dhe përpjekjeve kolektive për t’i dhënë kuptim realitetit, duke vënë rregull te ky informacion. Shembujt më lart kanë natyrë më shumë ilustruese, dhe i solla sepse janë të lehta për t’u rrokur dhe verifikuar; por shtrembërimi i vizionit tonë kolektiv për të shkuarën duhet marrë seriozisht, sidomos kur përzihet dhe ndikon në debatin politik.

[vijon]

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top