Ju shpjegoj Egjiptin

Renato KALEMI

JU SHPJEGOJ EGJIPTIN

Ambasadori egjiptian Ahmed Abdellah

Ambasadori egjiptian Ahmed Abdellah

Çfarë po ndodh në Egjipt pas rrëzimit të Presidentit Mohamed Morsi? Roli i ushtrisë si garante e integritetit të shtetit dhe si kanë ndikuar ngjarjet që nga viti 2011 në ekonominë dhe turizmin egjiptian. Përshtypjet e para për Shqipërinë dhe shqiptarët të ambasadorit Abdellah

Në ambasadën e Egjiptit në Tiranë mbizotëron një qetësi e admirueshme. Pasi na fton të hyjmë brenda, ambasadori Ahmed Abdellah ngrihet ngadalë nga tavolina e punës, bën dy hapa para dhe na zgjat dorën duke buzëqeshur. Pastaj na bën udhë për t’u rehatuar në këndin e pritjes dhe pa vonesë hyn në temë. Flet ngadalë, fjalët i ka të matura dhe dëgjon me vëmendje, duke mbështetur herë pas here dorën në mjekër. Biseda kalon vetvetiu tek zgjedhjet në Shqipëri, për të cilat thotë se është i kënaqur, ishin një arritje për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Por, shumë shpejt biseda rrjedh drejt ngjarjeve që kanë pushtuar Egjiptin prej disa javësh. Na rrëfen për regjimin e Mubarakut, si erdhën protestat e 2011-ës, çfarë ndodhi me ardhjen e Mohamed Morsit dhe pse u rrëzua nga ushtria më shumë se një muaj më parë. Dhe thotë se pranvera arabe nuk ka dështuar, përkundrazi ngritja e demokracisë në Egjipt do të kërkojë kohë, ashtu si në të gjitha vendet e tjera që sot janë të zhvilluara.

– Zoti Ambasador, prej pak kohësh ju jeni emëruar me detyrën e Ambasadorit të Egjiptit në Tiranë. Cilat janë përshtypjet tuaja të para për shqiptarët dhe Shqipërinë?

Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë time që takimin e parë të shtypit e realizoj nëpërmjet një reviste prestigjioze si ajo e juaja, e cila ka fituar një emër goxha të respektuar në shtypin vendas, ashtu siç gëzon një pozitë të veçantë tek lexuesi shqiptar.

Sa u përket përshtypjeve të mia të para për Shqipërinë dhe shqiptarët, ato kanë një zanafillë të hershme, para se të emërohesha ambasador i Egjiptit në Shqipëri. Shqipëria ka një vend të veçantë në memorien dhe zemrat e egjiptianëve, pasi emrin e saj e lidhin gjithmonë me Muhamed Aliun, i cili është me origjinë shqiptare dhe egjiptianët e kanë pasur sundues të tyre gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Gjatë periudhës së sundimit të tij, Egjipti pati një rilindje të madhe, ndoshta mund të flasim me detaje për këtë në ndonjë intervistë tjetër. Ajo çfarë dimë ne në Egjipt për Shqipërinë është se vendi ndodhet në rajonin e Ballkanit, ku pjesa më e madhe e popullsisë i përkasin besimit islam dhe se shqiptarët kanë vuajtur izolimin dhe represionin më të ashpër gjatë periudhës së komunizmit. Dimë gjithashtu, se Shqipëria po punon intensivisht qysh prej viteve nëntëdhjetë për të lënë pas gjurmët e asaj periudhe dhe për të ecur në rrugën e zhvillimit e përparimit. Një gjë të tillë e preka realisht nga afër kur erdha në Tiranë verën e shkuar. Gjatë muajve të kaluar kam gjetur shqiptarët si njerëz të dashur dhe se Shqipëria është një vend që karakterizohet nga një bukuri natyrore magjepsëse, të cilën nuk e has në shumë prej vendeve të tjera.

– Egjipti, edhe gjatë sistemit të kaluar, por edhe dy dekadat e fundit, ka qenë një vend i rëndësishëm për Shqipërinë. Ndërkohë që prej vitit 2011 e në vazhdim, zhvillimet atje kanë mbërthyer vëmendjen botërore. Por, le të kthehemi paksa në kohë për të krijuar një zinxhir të ngjarjeve: çfarë ndodhi dhe pse u rrëzua presidenti Mubarak? A mund të quhet e suksesshme “pranvera arabe” së paku për Egjiptin?

Siç dihet, sundimi i ish-presidentit Mubarak zgjati 30 vjet. 10 vitet e fundit të qeverisjes së tij u karakterizuan nga përhapja e korrupsionit, rritja e nivelit të papunësisë, varfërisë dhe mungesa e barazisë sociale. Në planin politik, partia qeverisëse po dominonte tërësisht jetën politike të vendit dhe kishte monopolizuar dy pushtetet; ekzekutivin dhe legjislativin, duke e përjashtuar opozitën reale dhe duke lënë disa parti që ekzistonin thjesht në letër, të cilat duhet të kryenin rolin e opozitës, por në mbështetje të partisë në pushtet. Veç kësaj, nga aparatet shtetërore dhe partia në pushtet po përgatitej projekti i kalimit të pushtetit te djali i presidentit në fund të mandatit të presidencës së të atit në vitin 2011. Për këtë instancat e sigurimit po ndiqnin praktika shtypëse kundër çdo lloj proteste apo tubimi paqësor të opozitës kundrejt qeverisë apo kërkesave për të zhvilluar reforma politike dhe sociale dhe po ashtu, po keqtrajtoheshin simbolet dhe krerët e lëvizjeve opozitare, si Lëvizja “Al Kifaje” (Mjaft), e cila kundërshtonte projektin e trashëgimisë së pushtetit, Lëvizja 6 Prill dhe Balli Demokrat për Ndryshim. Më tej pasuan zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, të cilat u manipuluan dhe u devijua vullneti i popullit. Në këtë mënyrë do të shkruhej fundi i regjimit të Mubarakut.

Sa i përket suksesit të “pranverës arabe” në Egjipt, dihet se ndryshimet e mëdha kërkojnë shumë kohë dhe mos të harrojmë këtu ndryshimet që kaluan vendet e Europës Lindore pas rënies së komunizmit, të cilat patën nevojë për të paktën dy dekada për të nisur me këmbë në tokë rrugën e duhur. Jam i mendimit se në Egjipt, ne jemi ende në fazën përgatitore politike pas rënies së regjimit të Mubarakut dhe dështimit të eksperimentimit të Vëllazërisë Muslimane. Tani ne po punojmë seriozisht për të ndërtuar një rend të ri demokratik, i cili bazohet në vlerat e lirisë, barazisë sociale dhe gjithëpërfshirjes. Populli egjiptian duhet të jetë i durueshëm në përshpejtimin e përmbushjes së aspiratave të tij dhe duhet të ketë në vëmendje vështirësitë e periudhës tranzitore. Po kështu, krerët politikë duhet t’i bëjnë të njohur popullit me sinqeritet realitetin e vështirësive ekonomike me të cilat po përballet vendi dhe t’i njohin me hapat dhe programet që po zbatohen për të jetësuar ambiciet e popullit.

– Sipas jush, si ka qenë qeveria e presidentit Morsi dhe cilat qenë pakënaqësitë që sollën protestat në Egjipt, dhe prej kujt u organizuan ato?

Presidenti i mëparshëm erdhi në pushtet pas zotimit se do të ishte president i të gjithë egjiptianëve dhe se do të punonte për të realizuar objektivat e Revolucionit të 25 Janarit, por pavarësisht kësaj gjatë një viti qeverisjeje ai punoi për të fuqizuar lëvizjen e tij (Vëllazërinë Muslimane) dhe partitë islame të koalicionit të tij. Kjo ndodhi nëpërmjet emërimeve në postet drejtuese në pushtetin qendror, në atë lokal dhe në institucione të ndryshme publike. Ai përjashtoi forcat e tjera politike, sidomos forcat politike civile dhe ato liberale dhe së bashku me lëvizjen që përfaqësonte refuzuan të pranonin të drejtën e shtetasve për të formuar një identitet dhe të ardhme të vendit të tyre, pasi kushtetuta u hartua nga një asamble kushtetuese, anëtarët e së cilës i përkisnin vetëm rrymës islame. Kjo kushtetutë nuk gëzon konsensus dhe unanimitet kombëtar dhe ajo kaloi pas pjesëmarrjes së vetëm 30% të shtetasve që kishin të drejtë për të marrë pjesë në votime. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe pati një përkeqësim të gjendjes ekonomike, rritje të papunësisë, rritje të nivelit të varfërisë dhe rënie të turizmit.

Sa i përket pyetjes suaj se kush i organizoi protestat që shkaktuan rrëzimin e Morsit dhe regjimit të tij, në fakt kjo nisi me një grup të rinjsh qysh nga fillimi i këtij viti, të cilët iniciuan një fushatë paqësore që quhej “Al Temarod” (Rebelimi), e cila synonte të mblidhte pesë milion firma në një peticion, ku kërkonte zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme. Gjatë një periudhe gjashtëmujore kjo fushatë pati një përkrahje të gjerë popullore, aq sa i tejkaloi dhe pritshmëritë e vetë organizatorëve. Me këtë fushatë u solidarizuan shumë njerëz, aq sa në fund të muajit qershor të kaluar u grumbulluan 22 milion firma, të cilat i tejkalojnë në masë votat që ka marrë vetë presidenti i kaluar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012 (9 milionë vota).

– A po luan ushtria një rol që historikisht e ka bërë (deri vonë) edhe në Turqi, si garante e integritetit të shtetit?

Egjipti nuk është Turqi, prandaj roli që luan ushtria në Egjipt ndryshon nga ai i ushtrisë turke. Mustafa Qemal Ataturku vendosi në Turqi një rend politik që ngrihej mbi laicizmin e shtetit dhe ushtrisë dhe ai rend ishte garanci për këtë. Ndërsa në Egjipt shteti nuk është laik dhe se kushtetuta shprehet se Egjipti është shtet civil, demokratik dhe se sheriati islam është burimi legjislativ kryesor dhe se egjiptianët në natyrën e tyre janë besimtarë me një përkatësi fetare të moderuar dhe jo ekstreme.

Ndërsa ushtria është aset i popullit dhe se roli i saj është mbrojtja e sigurisë kombëtare nga çdo presion i jashtëm apo i brendshëm. Një gjë e tillë ndodhi në 30 qershorin e kaluar, kur ushtria ndërhyri për të mbrojtur vendin për të shmangur rrezikun e përplasjeve ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit, pas vendosmërisë së tij që të qëndronte në pushtet duke mos iu përgjigjur kërkesave të popullit. Ushtria anoi nga ana e vullnetit popullor dhe u distancua nga pushteti dhe drejtimin e vendit e mori kryetari i Gjykatës së Lartë Kushtetuese përkohësisht deri në zgjedhjet e reja parlamentare dhe zgjedhjen e kreut të ri të shtetit brenda një afati prej 9 muajsh.

– Si kanë ndikuar të gjitha këto ngjarje që nga viti 2011 në ekonominë dhe turizmin e Egjiptit?

S’ka dyshim se ekonomia është ndikuar së tepërmi. Po ashtu edhe turizmi, i cili është ndër sektorët më të rëndësishëm të burimit të të ardhurave të vendit është ndikuar së tepërmi. Këtu dua të shpjegoj se në vend shpresohej se me zgjedhjen e presidentit Morsi në vend do të fillonte procesi i prodhimtarisë dhe do të vihej në jetë projekti i quajtur “Nahda” (Rilindje), i cili ishte thelbi i programit të tij elektoral dhe se ekonomia do të rimëkëmbej. Ndërkohë qeveria e Morsit punoi shumë pak për këtë dhe nuk pati ndikim real. Kjo solli dhe përshpejtimin e një revolucioni kundër tij me kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

– Në një nga kopertinat e revistës “Time” për egjiptianët thuhej: “Protestuesit më të shkëlqyer në botë; demokratët më të këqinj”, duke nënkuptuar rrëzimin e dhunshëm të një presidenti të zgjedhur… cili është komenti juaj për këtë?

S’ka dyshim se demokracia ka nevojë për vite të tëra praktikimi derisa të rrënjoset në shoqëri, siç ka ndodhur me vendet që tashmë konsiderohen si vende dhe sisteme demokratike, të cilat kanë pasur të tilla përvoja. Prandaj është e natyrshme të ndodhin gabime dhe dështime gjatë periudhave të tranzicionit dhe për këtë partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile kanë një rol të rëndësishëm për të edukuar dhe parapërgatitur popullin për praktikat demokratike dhe e ripërsëris, një gjë e tillë kërkon ca kohë.

– Vendi juaj ka një rëndësi kyçe për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe jo vetëm. A ekziston rreziku i ndonjë lufte civile si në Siri, çka i janë druajtur edhe analistët e huaj?

Edhe një herë e përsëris se ushtria egjiptiane është ushtri kombëtare dhe i shërben sigurisë së vendit dhe shtetasve dhe se ajo është përgjegjëse për këtë dhe jo sistemi qeverisës, siç ndodh në Siri. Prandaj ushtria nuk ka për të përdorur armët kundër bijve të kombit dhe unë jam plotësisht i bindur se ata që ftojnë për dhunë do t’i thërrasin mendjes dhe do t’i japin përparësi interesit kombëtar dhe se të gjithë do të pranojnë pajtimin kombëtar, i cili do të realizohet nëpërmjet mekanizmave të demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve.

– Në këndvështrimin politik, social ose ekonomik, çfarë të përbashkëtash gjeni midis Shqipërisë dhe Egjiptit?

Në planin politik, të dyja vendet tona ndajnë qëndrime të përbashkëta mbi një sërë çështjesh ndërkombëtare, siç është çështja e Lindjes së Mesme, situata në Siri, armatimi bërthamor apo çështje të tjera. Një gjë e tillë shfaqet nëpërmjet koordinimit të dy vendeve gjatë punimeve të organizatave ndërkombëtare, ku të dy vendet aderojnë, si Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e posaçme në varësi të saj, Unioni i Mesdheut, Organizata e Bashkëpunimit Islam dhe Organizata e Frankofonisë. Po ashtu, të dy vendet mbështesin kandidaturat e njëri-tjetrin në organizmat ndërkombëtare.

Në planin ekonomik ka një ngjashmëri mes dy vendeve pasi ekonomia bazohet kryesisht nga sektori i bujqësisë duke shtuar edhe sektorë të tjerë si industria. Po ashtu vendi im ka një përvojë të konsiderueshme në fushën e turizmit, veçanërisht atij bregdetar dhe kulturor për të cilat ne mund t’i ofrojmë Shqipërisë përvojën tonë për të zhvilluar sektorin e turizmit në vend. Në planin social ka ngjashmëri mes dy vendeve, ku pjesa më e madhe popullsisë i përket besimit islam dhe ekzistojnë komunitete të tjera fetare si ortodoksë dhe protestantë dhe ka një bashkëjetesë në paqe mes tyre.

– Prej pak javësh, Shqipëria mbajti zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këndvështrimin tuaj, cili është vlerësimi për këtë proces? I mirë apo mund të ishte edhe më i mirë?

Mendoj se ishte një përvojë e mrekullueshme. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe paqësore, në kundërshtim me parashikimet dhe frikën që mbizotëronte para zgjedhjeve. Për këtë ka meritë populli shqiptar dhe qeveria që ofroi një atmosferë të përshtatshme për zhvillimin e tyre në këtë formë. Ajo që më bëri përshtypje dhe më pëlqeu gjatë këtyre zgjedhjeve ishte mënyra e numërimit të votave në mënyrë transparente para kamerave në sy të përfaqësuesve politikë, medias dhe monitoruesve të huaj e vendas. S’ka dyshim se ju keni të drejtë të krenoheni për përparimin e vendit tuaj në rrugën e rrënjosjes së demokracisë dhe ju uroj për këtë.

– Ç’farë marrëdhëniesh keni me politikanët shqiptarë? Si e njihni z. Rama dhe z. Berisha?

Është më se e natyrshme që në profilin e një diplomati të kesh kontakte me politikanë, analistë, gazetarë në vendin që punon. Ndërsa sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mendoj se dr. Berisha ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të dukshëm gjatë dy dekadave të fundit në historinë e Shqipërisë moderne pas rënies së sistemit komunsit. Ndërsa për sa i përket z. Rama, me sa kam dijeni, ai ka realizuar arritje të prekshme gjatë kohës kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe tashmë ai ka përpara sfida të mëdha pas fitores së koalicionit socialist në zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe shpresoj të ketë suksese në këto sfida.

– Për ta mbyllur, si është dita e ambasadorit të Egjiptit këtë stinë të nxehtë në Shqipëri?

Kryej punën time të zakonshme duke shkuar në selinë e ambasadës, zhvilloj takimet sipas axhendës së përditshme, marr pjesë në ceremoni sociale dhe aktivitete të ndryshme dhe shijoj bukuritë e vendit tuaj për aq sa më lejojnë kushtet e punës.

Burimi: http://www.revistaklan.com/material.php?id=3621

Vënë nën:Bota arabe, Shqiptarët dhe Orienti Tagged: ambasadori egjiptian në Tiranë, Berisha, Egjipti, Mursi, Rama, Shqipëria, Time, Turqia

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top