KADILERË NGA HALLI

Me një sprovë të botuar në FB, Dritan Shano prezantonte një koncept që më duket me vlerë për të shkoqitur rrëmujën në diskursin e sotëm politik në Shqipëri.

I nisur nga premisa se “Kryeministri dhe gjithë të tjerët të kapur tek ushkuri i tij, refuzojnë të largohen për mungesë provash penale”, ai vëren se “politikani nuk mund t’i futë njerëzit në kurthin e gjetjes së provave individuale penale” për të përfunduar:

Ne kemi arritur në pikën kur dialogu i Kryeministrit dhe gjithë Rilindjes me shqiptarët nuk është më një dialog politik, por është një dialog penal. Është e qartë së kjo mazhorancë e ka humbur debatin politik me shqiptarët, dhe po tenton ta shmangë rezultatin duke hapur një debat penal me ta.

Dhe vërtet, në shumë instanca, nuk dëgjon më të flitet për politikë, por vetëm për veprimtari kriminale – të supozuar, “të provuar”, të hedhur poshtë…

E papranueshme. Që diskursi politik është çnatyruar, por edhe – për mua sidomos – që kjo gjë tashmë tingëllon e normalizuar. Në kuptimin që të gjithë, politikanë, gazetarë, “ekspertë” janë përfshirë me zell në diskutime që, po të kishin bazë reale, duhej t’i çonin të paktën disa prej pjesëmarrësve në burg: për vjedhje, korrupsion, fshehje të provave, në ndonjë rast edhe për më rëndë akoma.

Urdhër-arresti ka fituar të drejtë qytetarie, si akt politik; ose të paktën, si gjest në luftën politike.

Madje opozita e Bashës e legjitimoi këtë lloj qasjeje deri në atë shkallë, sa u largua nga Parlamenti – që është “me përkufizim” logu i debatit politik, duke djegur mandatet. Ka një logjikë në këtë vendim; ka një metodë, në këtë çmenduri.

Këtu unë do të shtoja – krahas dialogut penal për të cilin flet Shanoja – edhe dialogun konstitucional, të gjallëruar këto ditë pas një vendimi të diskutueshëm të Presidentit Meta, për t’i “zhdekretuar” zgjedhjet lokale.

Gjykata kushtetuese – për arsye që i dimë – nuk funksionon; ekspertët konstitucionalistë damkosen rregullisht si “të partive”; ndërsa jo-ekspertët kanë marrë hov të ri, për të shpjeguar çështjet më të koklavitura të së drejtës kushtetuese.

Penal nga një anë, konstitucional nga ana tjetër. Çfarë mungon është diskursi politik. Kemi një elitë politike të përçarë, që refuzon të jetë politike, edhe në fjalë edhe në vepra.

Nëse pyesim si erdhën punët, që diskursi juridik i zuri vendin diskursit politik në përgjithësi, një përgjigje do të ishte – frika nga vakuumi. Duke qenë gjykatat të paralizuara për shkak të vetting-ut, paaftësisë, korrupsionit, ndërhyrjes politike dhe moskuptimit të rolit të gjyqësorit, rolin e tyre e kanë marrë përsipër palë të treta: rolin por jo kompetencat.

Karakteristikë e kësaj zallahie juridike është që askush nuk dënohet; dhe më keq akoma, askush nuk mund të dënohet. Zhvendosja e truallit diskursiv, garanton pandëshkueshmërinë legale të së përfolurve.

Që i ashtuquajturi “pluralizëm” politik në Shqipëri nuk ka qenë veçse një shprehje – e shëmtuar, shpesh e neveritshme – e segmentimit të elitave, këtë e kemi shkruar gjetiu. Partitë politike – tashmë të modeluara sipas organizatave paramafioze – nuk kanë ç’t’i thonë njëra-tjetrës; programet e tyre politike janë të njëjta: Europa, Bashkimi Europian, NATO-ja, rritja ekonomike, reformat, bla-bla-bla-ja. Arsyeja e ekzistencës së tyre është sërish e njëjta: kapja me çdo kusht e pushtetit dhe rishpërndarja e pasurive materiale në favor të grupit.

Partitë janë instrumente, ose më mirë armë për të marrë pushtetin, në rrethanat kur kushtetutës – ose ligjit themelor të shtetit – i është reduktuar vlera në, të themi, atë të vizave të bardha për këmbësorët.

Kriminalizimi i kundërshtarit këtu duhet parë si teknikë çarmatimi dhe diskreditimi; të themi, versioni diskursiv i gazit lotsjellës.

Që ka koluzion mes politikës dhe bandave kriminale, kjo po merret si e mirëqenë. Çështja është se, në një republikë, me këtë çështje duhej të merreshin organet e rendit, prokuroria dhe gjyqësori. Që u është lënë, përkundrazi, mediave, debateve të mbrëmjes, fjalimeve të politikanëve në Parlament, përgjimeve nga palë të treta dhe artikujve të tabloidëve – kjo tradhton një moskuptim të thellë në mos fatal të mënyrës si funksionon shteti.

Liria e fjalës është përshëndetur, prej kohësh, si “fitore e demokracisë”. Liria e fjalës, në vakuum, ose në shpërfillje të lirive, të drejtave dhe obligimeve të shtetasve ndaj njëri-tjetrit dhe ligjit, duhet qortuar si “katastrofë e demokracisë.” Debati penal, për të cilin flet Shanoja, nuk duhej të kish ndodhur, në një shoqëri ku respektohet ligji – por nëse ti më akuzon mua për vjedhje në publik, atëherë unë kam të drejtë të mbrohem po në publik.

Ka edhe më: duke më akuzuar mua për vjedhje ose për korrupsion në publik, dhe duke e shndërruar një çështje praktikisht penale në muhabet televizionesh, bejtesh, komentesh anonime dhe memesh, ti nuk më godet vetëm mua si politikan, por edhe figurën e politikanit në përgjithësi (si rol social). Pavarësisht se, duke vepruar ashtu, ti e bën praktikisht të pamundur që një gjykatë të mund të më dënojë mua ndonjëherë penalisht.

Të marrim përgjimet. Neni 36 i Kushtetutës lexon si vijon:

Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.

Tani le të më shpjegojë kush ma ka ngenë, se si mund të dënohem unë penalisht për diçka që kam thënë në telefon, kur biseda ime private – e përgjuar dhe e zbardhur kuturu nga nuk dihet kush – bëhet publike nga një tabloid?

E përsërit: ky kinse “dialog penal” është një mënyrë e pakushtueshme për të shmangur ekspozimin ndaj ndjekjes penale, gjithë duke u hedhur ndonjë kockë të gjithë atyre që duan “drejtësi!”.

Prandaj ka një lidhje midis kufizimit të lirisë së fjalës, sa i takon këtyre lloj materialeve dhe “provave”, dhe funksionimit të pushteteve në një republikë pluraliste.

E them këtë, për të gjithë ata që Kushtetutën e kuptojnë vetëm e vetëm kështu: “jemi apo nuk jemi në demokraci?” Dhe dialogun kështu: “unë nuk të ndërpreva ty, tani mos më ndërpre ti mua” dhe pluralizmin e ideve kështu: “ti ke të drejtë të kesh mendimin tënd, unë kam të drejtë të kem mendimin tim.” Në thelb, elitat në Shqipëri sot të drejtat që ia njeh individit Kushtetuta i interpretojnë si privilegje. Dhe meqë pushteti, për këtë takëm njerëzish, nuk është veçse një koleksion sistematik privilegjesh, atëherë nuk jemi larg nga bindja, paranoide, se pushteti është edhe ai një e drejtë politike; që kur nuk e kemi, kjo vjen ngaqë na e kanë mohuar.

Për t’u kthyer te përcaktimi i Shanos – që flet për dialog penal – në fakt, më saktë do të kish qenë që të fliste për dialog pseudo-penal meqë të angazhuarve në akuza, përligjje, alibi dhe kundër-akuza duket sikur u mungon jo vetëm kultura penale, por edhe kultura minimale për të folur për “krimin”, “ligjin” dhe “ligjshmërinë” në përgjithësi; për të mos folur për konceptin që këta kanë rreth mënyrës si funksionojnë organet e rendit, prokuroria dhe gjyqësori.

Shumë persona publikë, në Shqipëri, sillen sikur fajësimi i dikujt, si rregullt i një kundërshtari, nëpërmjet një akuze çfarëdo mjafton për ta deligjitimuar atë si kundërshtar politik. Dhe këtë fajësim politikanët tanë e bëjnë rregullisht, duke akuzuar njëri-tjetrin – deri edhe në Parlament ku fjala ka vlerë tjetër – për gjithfarë krimesh të rënda. Karakteristikë e këtyre shkëmbimeve pseudo-penale, madje kako-penale, është se akuzuesve u mungon krejt përgjegjësia për çfarë thonë; dhe të akuzuarve nuk u bën përshtypje që po akuzohen kështu, sa kjo që kjo nuk ua cenon privilegjet.

Këtu do të pyesja nëse ka kuptim të flasësh për liri të fjalës në publik, sidomos për një politikan i cili e realizon rolin e vet social nëpërmjet fjalës; pra, nëse ka kuptim të flasësh për liri të fjalës në publik, nëse nuk pranon edhe një kufi për këtë liri; një cak i cili, po të shkelet, folësi po kryen ai vetë një vepër penale. Lëndimi personal i tjetrit, shpifja, akuza pa bazë ose e paprovuar, fyerja, insinuata – të gjitha këto akte gjuhësore kanë ngarkesë penale në legjislacion dhe, në teori, duheshin ndëshkuar. Çuditërisht, e drejta e fjalës së lirë, në Shqipëri, është interpretuar si e drejtë për të kryer krim (ose të paktën për të shkelur ligjin) nëpërmjet fjalës; dhe askush nga aktorët publikë nuk duket të ndihet i penguar, në përpjekjet për të denigruar reputacionin e kundërshtarit që ka përballë.

Ata të cilëve kjo mund t’u duket gjë e vogël, dua të kujtoj se një nga arsyet e krizës së tanishme – politike, kushtetuese, në daçi edhe përfaqësimtare – është se shumë nga përfaqësuesit e opozitës u ndien personalisht të fyer madje të lënduar nga trajtimi arrogant dhe talljet që u ka bërë rregullisht Rama në Parlament; sikurse do të jetë ndier Rama i fyer nga çfarë është thënë kundër tij, si politikan dhe si njeri, nga disa nga liderët e opozitës. Këta politikanë, që shahen kështu faqe botës, e kanë pastaj të vështirë të ulen për t’u marrë vesh, ose për të bërë politikë.

Shembulli që solla, me pandëshkueshmërinë e fjalës, më tregon se në Shqipëri ligjshmëria moderne, republikane, është adoptuar verbazi, ligj pas ligji, ose si procedurë që duhet ndjekur sepse duhet ndjekur (“na e kërkon Europa” etj.), por jo në mënyrë organike, ose duke realizuar se çdo ligj dhe çdo nen i çdo ligji merr kuptim në raport me ligjet e tjera; çfarë në kontekstin tonë do të thotë se individi, çdo individ, ka jo vetëm të drejtën e fjalës, por edhe të drejtën për t’u ndier i mbrojtur nga fjala e tjetrit.

Dialogu “penal”, i Shanos, funksionon vetëm si karikaturë e mënyrës si përballet me krimin një shoqëri pluraliste dhe demokratike, si ajo që synon të jetë Shqipëria. Në përgjithësi, ata që i hidhen shoku-shokut në fyt me akuza nga më të rëndat, nuk i japin kurrfarë shansi parimit të “prezumimit të pafajësisë”; për ta i vetmi kriter është krimi me asocim, ose, më thjesht akoma, reduktimi i pluralizmit politik në një kundërvënie midis së mirës dhe të keqes, virtytit dhe vesit.

Dhe ky farë manikeizmi, që duket sikur e moralizon politikën, bën në fakt të kundërtën: shpreson se mund ta themelojë parimin e luftës politike mbi arsyen e ftohtë (“ja prova”) dhe mbi kodin penal, duke lënë mënjanë moralin – duke filluar nga nevoja për ta respektuar tjetrin (dhe sidomos kundërshtarin), fisnikëria, prezumimi i besimit, empatia, vetëdija se të gjitha palët e përfshira në debate politike kanë interesin e përbashkët të mirëqenies dhe të mbarëvajtjes sociale, e kështu me radhë. Parimet morale nuk mund të ezaurohen duke i kodifikuar penalisht; ose edhe mund, por me kosto litigative të papërballueshme për shoqërinë. Këtë e them, duke pasur parasysh se një sistem republikan, demokratik dhe pluralist modern nuk mund të funksionojë – siç edhe e provon realiteti në Shqipëri – përveçse në një kontekst etik minimal, që i shërben si premisë. Për fat të keq, këtë kontekst etik në Shqipëri nuk arrin ta sigurojë as feja – meqë, me përjashtime të rëndësishme por pa peshë në politikë – religjioziteti atje funksionon si mjet identitar, ose si arsyetim ritual për të urryer tjetrin; dhe as religjioni civil, të cilin e kanë katandisur në një histori betejash, kryengritjesh dhe heroizmash legjendare.

Nëse u zgjata, kjo ngaqë më duket ironike që, në momentet e tanishme, kriza – tashmë vështirë të më kundërshtoni që është krizë kushtetuese, siç e pata shkruar para ca muajsh – kriza, pra, po artikulohet nëpërmjet një diskursi juridik, i cili është pikërisht ai lloj diskursi, për të cilin edhe elitat tona politike, edhe gazetarët, edhe publiku përkatës, janë më pak të përgatitur për ta ndjekur, kuptuar dhe bërë të vetin. Sikur të mos mjaftonte mosdëshira e palëve për t’i folur njëra-tjetrës me rrugë normale, ose duke bërë politikë në kuptimin më banal të fjalës, tani ia ka behur edhe ky juridizim i diskursit publik, i cili e shndërron dialogun në pandemonium, teksa të gjitha palët shfaqen ashtu si nuk janë dhe nuk mund të jenë.

(c) 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top