KONSERVATORIZËM APO TRUMPIZËM?

nga Ernest Nasto

Zhvillimet e fundit në skenën politike amerikane kanë sjellë në vëmendje mbizotërimin në rritje të krahut trumpian në partinë republikane dhe në përgjithësi në gjirin e së djathtës. Një numër analistësh e politikanësh konservatorë po shtrojnë me të drejtë pyetjen se si mund të jetë e ardhmja e asaj të djathte pas epokës Trump. Dhe kjo është një pyetje me shumë vend duke marrë parasysh se për një debat politik të shëndetshëm të dy krahët janë të domosdoshëm, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në të gjitha demokracitë perëndimore.

Tashti është e vërtetë që fitorja republikane më 2016 në një sërë aspektesh la përshtypjen e një triumfi të paparë prej vitesh. Mirëpo në disa aspekte të tjera zotërimi i administratës federale dhe i atyre të shumë shteteve duket jo fort bindës, ose sipas një krahasimi të stërpërdorur, si një kolos me këmbë argjile. Kjo del sidomos duke pasur parasysh fitoret e kaluara republikane, në të cilat partia e Lincoln-it e gjente forcën e saj më të madhe në zonat më dinamike të vendit, si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ajo kulturore. Kështu më 1924 presidenti Coolidge fitoi 56 për qind të votës në shtetin kozmopolitan të New York-ut, 65 për qind në shtetin e fuqishëm industrial të Pennsylvania-s dhe gati 75 për qind në Michigan, qendra e industrisë së re automobilistike. Mund të thuhej pra se fuqia politike republikane shkonte krahas me fuqinë ekonomike apo kulturore.

Kjo nuk ndodhi më 2016, kur partia republikane u paraqit më dobët pikërisht në zonat nga ku dalin vazhdimisht teknologjitë e reja, ku bëhen kërkimet e avancuara në mjekësi, ku bëhen shpikje e regjistrohen patenta të reja, apo prej ku dalin këngët dhe stilet e reja kulturore. Nëse Donald Trump doli fitimtar në pjesën më të madhe të sipërfaqes së Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton fitoi njësitë administrative (counties) që prodhojnë 64 për qind të tërë pasurisë së vendit. Edhe në shtetet e fituara nga Trump, qendrat e kërkim-zhvillimit votuan për Clinton, si p.sh. i ashtuquajturi Trekëndëshi Shkencor në North Carolina (ndërmjet qyteteve Raleigh, Durham dhe Chapel Hill).

Në prani të një shkëputjeje të tillë të politikës nga ekonomia dhe kultura, e djathta amerikane dhe forca e saj politike kryesore, partia republikane, ndodhen para dilemës nëse duhet t’u qëndrojnë besnike parimeve konservatore apo atyre trumpiane. Këto të fundit shprehen si braktisje e çdo idealizmi dhe e çdo koncepti të së mirës së përgjithshme, si qeverisje vetëm në interesin e ngushtë të bazës militante, e sidomos në nxitjen e gjithçkaje të pahijshme, amorale, e bile mizore.

Disa sinjale janë dhënë nga personalitete të ndryshme republikane si senatorë e kongresmenë me kritika ndaj presidentit për aspekte të veçanta të politikave të tij, si p.sh. për mosbesimin që shfaq ndaj agjencive amerikane të zbulimit si CIA apo FBI, për luftën e hapur ndaj mediave, për performancën e dobët në takimin me Putinin, etj. Por këto ende nuk kanë arritur të shfaqen si një rrymë e organizuar brenda partisë, dhe tashti për tashti trumpizmi është mbizotërues. Dëshmia më e qartë e tkurrjes së konservatorizmit klasik ishte vendimi i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve (dhe yllit të deritanishëm republikan), Paul Ryan, për të mos u paraqitur në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin në fillim të nëntorit.

Nga ana tjetër ato zgjedhje mund t’u japin republikanëve sinjale më të forta e më të qarta. Nëse humbasin, kuptohet që dilema e tyre do të jetë më iminente, por megjithatë edhe një disfatë e mundshme nuk do të ishte e mjaftueshme për ta shpëtuar partinë nga trumpizmi. Bile shumë analistë mendojnë se një situatë e tillë ka gjasa të kthehet në fund të fundit në favor të presidentit. Kjo sepse nëse në Kongresin e ardhshëm republikanët do të jenë ndjeshmërisht më të pakët në numër, kjo do të thotë se edhe zërat për një republikanizëm “ndryshe” do të jenë gjithaq më të rralluar. Do të shohim si të thuash një farë ndjenje detyrimi për të shtrënguar radhët e për ta mbrojtur presidentin me çdo kusht, dhe baza e partisë do të interpretonte çdo kritikë ndaj tij si “tradhti” apo “kapitullim” para demokratëve. Dhe kjo nuk mund të mos shoqërohet me polarizim të mëtejshëm të skenës politike në zgjedhjet presidenciale të 2020 kur ndjenja për të qëndruar “grusht bashkuar” përreth presidentit sigurisht do të shumëfishohet. Me fjalë të tjera, izolimi i Trump brenda sistemit politik amerikan ka gjasa të theksojë mbizotërimin e tij në pjesën e mbetur konservatore të sistemit. Trumpizmi mund ta përpijë kësisoj nga brenda partinë republikane.

Pasojat do të ishin vërtet të dëmshme për demokracinë amerikane, sepse një krah i djathtë i shëndetshëm është i domosdoshëm për përparimin dhe suksesin e asaj demokracie. Konservatorët do të jenë padyshim kurdoherë të pranishëm, por nëse ata humbasin shpresat për të fituar nëpërmjet demokracisë, kjo nuk do të thotë se ata do të braktisin konservatorizmin. Përkundrazi, dhe ky është rreziku më i madh, ata ka shumë të ngjarë të zhgënjehen nga demokracia. Prandaj qëndrueshmëria e sistemit amerikan do të varet shumë nga aftësia e konservatorëve për të gjetur një rrugëdalje nga qorrsokaku trumpian, nga aftësia e tyre për të mbështetur një konservatorizëm që jo vetëm të mund të fitojë zgjedhje, por edhe të qeverisë në mënyrë efektive e të përgjegjshme. Duhet pra një e djathtë moderne nga ana kulturore, gjithëpërfshirëse nga ana ekonomike dhe e ndjeshme ndaj problemeve të mjedisit, mbështetëse e lirisë së tregut në politikat e brendshme dhe e rolit udhëheqës të Amerikës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

E djathta e shëndetshme dhe e sigurt në vetvete duhet të pranojë se sistemi i sigurimit shëndetësor Obamacare është tashmë ligji i vendit dhe të përpiqet ta përmirësojë atë. Kjo sepse konservatorët s’kanë gati ndonjë sistem të tillë tërësor, që ta zëvendësonte Obamacare sapo kjo e fundit të shfuqizohej. Prandaj rruga më e arsyeshme do të ishin përpjekjet për ta përmirësuar Obamacare, për ta bërë më efikas nëpërmjet uljes së kostos dhe rritjes njëkohësisht të mbulimit për shtresën e mesme, si baza e partisë republikane. Dhe kjo nga ana e vet do të kërkonte doemos rënien e ritmeve të imigracionit në mënyrë që popullsia ekzistuese të mos ndihet sikur po e zhvendosin dhe po e zëvendësojnë me të porsaardhurit.

Këtu një argument ekonomik që dëgjohet shpesh është se një vend me rritje natyrore të ulët të popullsisë (siç po bëhet Amerika) ka nevojë për më shumë imigrantë për të përballuar kërkesën për fuqi punëtore. Por nga ana tjetër s’duhet harruar argumenti i vlerave qytetare amerikane, sepse një popullsi s’është vetëm fuqi punëtore, por edhe një masë qytetarësh, në kuptimin e edukimit dhe përqafimit të atyre vlerave, dhe pjesëmarrjes aktive në shoqërinë mikpritëse. Ky aspekt i asimilimit kërkon qartazi më tepër kohë se sa aspekti i “krahut të punës”, prej ku edhe nevoja për ngadalësim të imigracionit. Sipas një aforizmi të vjetër ky i fundit është për rritjen natyrore të popullsisë ashtu si vera për ushqimin: i mirë si plotësues, i keq si zëvendësues.

Për fat të keq imigracioni masiv ishte ndër shkaqet kryesore të daljes së dukurisë së populizmit, përkatësisht trumpizmit. Për populistët, si në Europë ashtu edhe në Amerikë, ndarja sot nuk është më ndërmjet së majtës e së djathtës, por ndërmjet globalistëve dhe nacionalistëve. Busulla e vjetër ideologjike s’na ndihmon gjëkundi të orientohemi në hartën e re politike.

Kjo ilustrohet nga fakti që Trump pati shumë më tepër përkrahje ndër ata me të ardhura vjetore 50 – 100 mijë dollarë, se sa ndër ata me mbi 100 mijë dollarë, një rezultat që do të kishte tmerruar çdo republikan tjetër në çdo kohë tjetër. Po ashtu punonjësit e sindikuar, të zinjtë dhe hispanikët, i dhanë atij mbështetje në nivele të papara qysh prej disa dekadash.

Ndërkaq Hillary Clinton, e akuzuar keqazi si “radikale” dhe “socialiste”, pati mbështetjen më të lartë në shtresën e pasur, duke marrë 50 për qind të atyre me të ardhura mbi 250 mijë dollarë. Ajo u braktis hapur nga gratë e bardha pa arsim të lartë të cilat votuan në masë për miliarderin njujorkez.

Duhet shënuar këtu se shtresa më e gjerë e votuesve amerikanë, ajo e “baby boomers” (lindur ndërmjet 1945-1964) ka pasur zhvendosje të ndjeshme drejt konservatorizmit qysh prej fillimit të këtij shekulli. Mirëpo konservatorizmi i tyre është më tepër i karakterit ekonomik se sa social, në kuptimin që ata nuk merakosen fort për prirjet liberalizuese rreth martesave gay apo abortit. Ndërkaq ata i rezistojnë vendosmërisht zgjerimit të programeve sociale shtetërore, dhe këtu fjala kyçe është “zgjerimi”. Kjo sepse ata s’janë për shkurtimin e programeve nga të cilat përfitojnë vetë, thjesht nuk duan të shtohet numri i përfituesve. Konservatorizmi i tyre mishërohet edhe në prirjen për t’i konsideruar vështirësitë ekonomike më tepër pasoja të së metave personale e morale, se sa pasoja të racizmit apo të ndonjë arsyeje tjetër sistemike. Të mësuar me konkurrencë të ashpër gjatë jetës së tyre profesionale, ata nuk duan të përballojnë konkurrencë edhe për përfitimet nga programet sociale, duke qenë kështu për një politikë si të thuash vetëruajtëse.

Edhe lëvizja Tea Party që luajti rol prominent në skenën politike amerikane gjatë viteve të presidencës Obama, nuk shprehej për tregun e lirë në terma abstrakte e parimore, por më tepër në terma të “meritueshmërisë” së atyre programeve nga përfituesit e tyre. Dhe elementi i konkurrencës ishte përsëri i pranishëm: ata që kanë punuar (e rrjedhimisht “meritojnë”) janë persona të ngjashëm “me ne”, me mbështetësit e Tea Party. Ndërsa ata që “s’kanë dhënë kontribut” përfytyrohen si “të tjerë”,  “të ndryshëm”, pra që kërkojnë përfitime kundrejt asgjëje.

Lëvizja në fjalë është paraqitur shpesh si libertariane, pra për ndërhyrje sa më minimale të shtetit në ekonomi. Dhe në fakt temat e uljes së shpenzimeve dhe shkurtimit të deficitit buxhetor ishin të kudogjendura në fjalimet e kandidatëve republikanë në zgjedhjet për Kongresin më 2010. Mirëpo nga ana tjetër këto nuk dukeshin si çështjet që shqetësonin dhe motivonin masën e madhe të votuesve të Tea Party, siç mund të nxirret nga fjalimet e pasionuara të njërit prej liderëve të saj më të njohur, komentatorit dhe personalitetit publik Glenn Beck. Duke paraqitur “elitat globaliste” si ato që vendosnin gjithçka në prapaskenë, ai ftonte audiencat e tij të mos binin viktima të “iluzionit të pafuqisë” së tyre kundrejt elitave në fjalë. Në terma gati-gati konspirative ai u thoshte atyre se “nëse ngrini perden, do të shihni se ata që luajnë fijet janë fare të pakët, dhe zërat e tyre janë të dobët. E vërteta është se ata nuk na rrethojnë ne. Përkundrazi, ne i rrethojmë ata”.

Thelbi pra është “ne përballë atyre”, jo shteti përballë shoqërisë. Aq më pak të ardhurat përballë shpenzimeve. Por ne kundër atyre. Dhe ky lajtmotiv i polarizimit të skajshëm vetëm sa ka ardhur duke u thelluar si gjatë viteve të presidencës Obama, e aq më tepër tashti me Donald Trump.

Mirëpo në shoqëri multietnike e multikulturore si ato të Perëndimit të sotëm, rishpërndarja e të ardhurave do të pasqyrohet doemos në rishpërndarje mes grupesh të ndryshme etnike. P.sh. deri para krizës financiare të 2008 në totalin e amerikanëve pa sigurim shëndetësor, më se një e katërta ishin të lindur në vende të tjera. Rrjedhimisht përpjekjet e administratës Obama për të gjetur fonde për financimin e sistemit Obamacare, u perceptuan nga përfituesit e Medicare (sistemi i sigurimit për të moshuarit) si transferim i fondeve në fjalë nga “ne” tek “ata”, dhe prej një presidenti që identifikohej më tepër si “i atyre” se sa “yni”. Kjo është në përputhje me përfundimin e nxjerrë nga mjaft sociologë lidhur me rënien e ndjeshme të nivelit të besimit të ndërsjelltë (përfshi edhe besimin brenda grupit “tonë”), në shoqëritë që përballen me ndryshime të shpejta demografike. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me faktorë të tjerë kohezivë si altruizmi dhe bashkëpunimi.

Në rastin e Shteteve të Bashkuara ndryshimet e shpejta demografike kanë filluar prej vitesh, dhe janë theksuar pas reformës së imigracionit në vitet 1985-1986 nga administrata Reagan. Megjithatë politikanët republikanë kanë vazhduar të shprehen në terma të “shpresës” dhe “rritjes së mundësive”. Kështu p.sh. republikanë aq të ndryshëm mes tyre sa Jeb Bush apo Ted Cruz i filluan fushatat presidenciale përkatëse më 2015 me të njëjtat vija madhore: duke folur për “rigjallërim të premtimit amerikan” apo për “identitetin e vendit tonë si toka e mundësive për të gjithë”.

Për fat të keq fjalët e bukura për të besuar tek Amerika dhe tek “shekulli i ri amerikan” hasën në sytë e zgurdulluar të votuesve të shkalafitur nga shekulli i kaluar amerikan. Dhe ishte pikërisht Trump, më i moshuari ndër të 17 kandidatët republikanë, që e kuptoi se gjuha e viteve ‘80 s’e kishte më fuqinë e dikurshme, bile ishte krejt e paaftë të tërhiqte votuesit amerikanë, sidomos të bardhët. Nuk është e rastit që mosha 55 vjeç ishte ajo e numrit më të madh të votuesve të bardhë më 2015, grupi që siç e përmendëm priret nga siguria dhe vetëruajtja, jo nga “rritja e mundësive”. Kandidati Trump u ofroi atyre kësisoj ruajtjen e statukuosë dhe ata e ndoqën, e vazhdojnë ta ndjekin, me besnikëri duke i dhënë në fund fitoren.

Trump ja arriti të krijonte kështu në praktikë një sistem 3 partiak në Shtetet e Bashkuara, në ndryshim nga tradicionali republikan-demokrat. Ndërmjet këtyre të dyjave ai ka krijuar tashmë qartazi partinë e tij, paçka se jo zyrtarisht. Dhe përkrahja që gëzon presidenti ndër shtresat e ulëta vihet në dukje edhe nga fakti që gati gjysma e punëtorëve të bardhë janë dakord me pohimin “gjërat kanë ndryshuar aq shumë sa shpesh ndjehem i huaj në vendin tim”. Me diversifikimin në rritje, edhe tensionet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike janë rritur, shenjë kjo aspak e mirë për të ardhmen e demokracisë më të fuqishme të botës. Në një Amerikë të tillë vizioni socialdemokrat i së majtës, mbështetur tek punëtoria e bashkuar pa dallime racore, duket po aq jashtë loje sa edhe vizioni klasik konservator i taksave të ulëta dhe kufijve të hapur.

Fakti është që Trump e bazoi mesazhin e tij në kundërshtimin e hapur ndaj prirjeve demografike, konkretisht në demonizimin e imigrantëve latinoamerikanë, përkatësisht atyre meksikanë. Në kushte politike normale lufta me demografinë është marrëzi, mirëpo ja që Trump arriti të fitonte në saje të sistemit special amerikan të Kolegjit Elektoral, e duke nxitur negativizmat që përmendëm më lart.

Shpresa e republikanëve mbetet që ata të gjejnë forca e të dalin nga qorrsokaku trumpian, duke u kthyer përsëri në rrugën e qeverisjes kompetente në dobi të së mirës së përgjithshme, siç ka qenë tradita e tyre e deritanishme. Në këtë rast periudha trumpiane do të mbahet mend si fundi i një episodi të mundimshëm, e jo si fillimi i një tatëpjete të pakthyeshme. Po ndodhi kjo, është e pashmangshme që bashkudhëtarët e Trump të kërkojnë ndarje nga trumpizmi dhe ri-integrim në një politikë të bazuar sërish në respektin dhe mirësjelljen.

Dhe mënyra më e mirë për të arritur një integrim të tillë është pajtimi, sepse vetëm ashtu mund të sigurohet një drejtësi e qëndrueshme. Peshkopi Desmond Tutu, gjatë kohës kur kryesonte Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut pas tmerreve të periudhës së aparteidit, theksonte disa herë se “drejtësia më e mirë është pajtimi”. Të njëjtën gjë ka thënë edhe presidenti Lincoln në mbarim të Luftës Civile, rrezikut ekzistencial kulmor të historisë amerikane:

“Natyra njerëzore nuk do të ndryshojë. Në çdo sprovë të madhe që mund të kemi në të ardhmen, në krahasim me këtë të sotmen, do të kemi njerëz të dobët sa edhe të fortë, të marrë sa edhe të urtë, të ligj sa edhe të mirë. Le t’i shikojmë pra të gjitha ato që ndodhën në mënyrë filozofike për të nxjerrë mësime, e jo si të këqija ndaj të cilave duhet të hakmerremi.”

Këto fjalë të themeluesit të saj famëmadh përbëjnë padyshim edhe sot shpresën më të mirë të partisë republikane për t’u ndarë përfundimisht nga trumpizmi.

(c) 2018, autori.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.