KRISTEVA DHE I SHOQI

Filozofe, kritike letrare, semiologe, psikanaliste dhe feministe franceze me origjinë bullgare, Julia Kristeva (e datëlindjes 1941) kapi kryetitujt e lajmeve këtë vit, pas botimit të disa dokumenteve që, me gjasë, provonin bashkëpunimin e saj me Sigurimin e Shtetit bullgar, gjatë viteve të komunizmit. Në fakt, gjithçka provojnë ato dokumente është se policia sekrete bullgare u përpoq ta rekrutojë Kristevën, tashmë në Francë që prej vitit 1965, duke e kërcënuar me fatin e të afërmve të saj në Bullgari. Literatura për këtë “skandal” gjendet lirisht në ueb.

Në vitin 1967, Kristeva u martua me shkrimtarin Philippe Sollers, që shumë shpejt do të imponohej si personalitet i shquar i letrave frënge – romancier eksperimental, kritik letrar dhe veçanërisht themelues i revistës kulturore avant-garde Tel-Quel, me të cilën bashkëpunuan mes të tjerësh Roland Barthes, Michel Foucault, Umberto Eco, Louis Althusser, Jacques Derrida, Tzvetan Todorov, Gérard Genette dhe shumë të tjerë. E afërt me Partinë Komuniste Franceze, revista do të shkëputej prej saj në vitin 1971, për t’u deklaruar haptazi në mbështetje të maoizmit, pasi e patën deklaruar Revolucionin Kulturor në Kinë si “ngjarjen më të madhe të kohës sonë.”

Në një shkrim tani së fundi ku u rikthehet akuzave për spiunazh në favor të bllokut sovjetik (La Bulgarie, L’Europe post-totalitaire et moi, anglisht këtu), Kristeva vëren se i shoqi, Sollers, që nuk u zinte besë regjimeve pro-sovjetike, duhet të ketë qenë me interes për agjentët e zbulimit bullgar, kryesisht për shkak të simpative të tij filo-maoiste. Sollers, që pat themeluar gazetën Le Mouvement de juin 1971; për intelektualët frëngj simpatizantë të Kinës së Maos, ky lloj radikalizmi nuk ndryshonte shumë nga eksperimentet letrare në veprat e tyre[1]; dhe interesi i këtyre për Kinën nuk sihte veçse “një mënyrë për të autentifikuar statusin e tyre si radikalë militantë” (Dora Zhang).

Thotë Kristeva për Sollers-in: “ai kalonte kohë në ambasadat kineze dhe shqiptare”. Një avant-gardist frëng i viteve 1960 që viziton ambasadën shqiptare në Paris: ja subjekti për një investigim të historisë së kontakteve kulturore! Në atë kohë, kolegjiumi i revistës Tel Quel, përfshi këtu Sollers-in vetë, Roland Barthes-in dhe Julia Kristeva-n, do të ndërmerrte një udhëtim në Kinë të organizuar drejtpërdrejt nga autoritetet në Pekin.

Ç’të ketë bërë vallë Sollers-i në ambasadën tonë? Me siguri veprat e tij avant-gardiste nuk do ta kenë impresionuar shumë Enver Hoxhën filo-frëng në Tiranë; nga ana tjetër, nuk kemi dëgjuar kënd të insinuojë se, gjatë këtyre sesioneve shkëmbimesh kulturore, të kenë ndërruar duar edhe financimet me burim nga Kina, e kushedi edhe nga vetë Shqipëria, për të majtën radikale maoiste në Francë.[2] Por mua më pëlqen të përfytyroj edhe që ambasada jonë në Paris të ketë ndihmuar, qoftë edhe vetëm instrumentalisht, lulëzimin e strukturalizmit dhe të post-strukturalizmit francez.[3] Gjithsesi, logjika ta do që shqiptarët të kenë shpresuar se Sollers-i me të vetët mund t’ia ndiznin fitilin revolucionit proletar në atdheun e Voltaire-it dhe të Robespierre-it – të ketë mbetur vallë ndonjë Raport në Kongresin VI të PPSH-së i përkthyer në frëngjisht, në bibliotekën private të Sollers-it, ende ngjeshur shpinë më shpinë me Le Général de l’armée morte, por tashmë nën vështrimin e rreptë të Kristevës?

Çfarë më habit në këtë karnaval të së majtës alternative franceze të atyre viteve nuk është vetëm lektisja e tyre pas Kinës së Maos (çështje snobizmi, jo budallallëku – meqë ata gati e kishin detyruar veten të shihnin te Kina gjithçka që i mungonte Perëndimit), as raporti jo dhe aq abstrakt midis maoizmit, revolucionit kulturor dhe lëvizjes së 1968-ës në Paris[4] (ku disa nga intelektualët e Tel-Quel-it u angazhuan drejtpërdrejt, përfshi këtu edhe Sollers-in vetë); por fakti që Julia Kristevës po ia mbajnë për të madhe kontaktet (me gjasë të detyruara) me spiunazhin bullgar, ndërsa Sollers-in ende nuk po e tall kush për vizitat e përsëritura në ambasadën e RPSH-së në Paris, kafetë turke dhe rakitë që do të ketë pirë atje, thelat e bakllavasë që do të ketë lënë përgjysmë, çantat “me literaturë politike”, bisedat për perspektivën e revolucionit botëror si “çështje e shtruar për zgjidhje”, dollitë për shëndetin e Enver Hoxhës dhe shishet e konjakut “Skënderbej” që do t’ia kenë dhënë dhuratë.

Shënim: Lexoni edhe CHERCHEZ LA CHINE këtu në Peizazhe të fjalës, për të njëjtën temë.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për hir të plotësisë, më duhet të shtoj se Sollers-i interesohej për kulturën dhe qytetërimin kinez përtej simpative të tij politike për maoizmin, Maon dhe gardistët e kuq. Në vitet 1960 ai kish studiuar gjuhën kineze dhe kish filluar të përdorte ideograme në shkrimet e tij.

[2] Sollers-in e lidh me Shqipërinë edhe një tjetër sinkronicitet jungian: të dy kanë lindur në 28 nëntor.

[3] Mu në atë kohë Lacan-i, një tjetër intelektual frëng i afërt me Tel-Quel-in vizitoi privatisht Tiranën; që nuk erdhi edhe Barthes-i, mbetet për t’u sqaruar. Dhe ne që vajtojmë izolimin e Shqipërisë në ato vite…

[4] Një analizë relativisht e hollësishme e kolonizimit kulturor të intelektualëve radikalë të majtë në Francë nga maoizmi mund të lexohet këtu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.