KU TË GËRMOSH

Në një kumtesë të mbajtur në Takimin XIV të organizuar nga Instituti Alb-Shkenca dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës (dhe të botuar më pas në Panorama), Neritan Ceka tha mes të tjerash:

Në fushën e arkeologjisë, […] jemi në një gjendje letargjie dhe po shkojmë drejt shuarjes së stafit të specializuar dhe gërmimeve arkeologjike. Këtu nuk është çështja e mungesës së financimit nga qeveritë shqiptare, pavarësisht nga ngjyra, por fonde shumë më të mëdha se të periudhës së komunizmit shkojnë në thasët e shpuar të Ministrisë së Kulturës e të Arsimit dhe kthehen në vende pune të emëruara politikisht. Gërmimet arkeologjike financohen vetëm nga bashkëpunime me universitete të huaja, që sjellin fonde rreth 20-30.000 euro për një ekspeditë dhe u paguajnë ushqimin dhe fjetjen arkeologët tanë, që nuk marrin dieta, as shpenzime transporti nga shteti. Ky lloj bashkëpunimi lypsarësh ka qenë një oksigjenim i përkohshëm, por po kthehet në një asfiksim të kërkimeve programatike në fushën e arkeologjisë ilire, si dhe modifikim të tezave themelore mbi karakterin e kulturës ilire dhe origjinën e popullit shqiptar. Në artikujt e bashkëpunëtorëve të huaj për gërmimet e përbashkëta, koncepti qytetërim antik ilir është zëvendësuar me qytetërim helenistik apo kultura e hershme mesjetare shqiptare me kulturë sllavo-avare.

Jo pa një farë ndjesie shpagimi, këto konstatime të Cekës i kemi sjellë prej kohësh te “Peizazhet”, edhe pse ndryshe është kur i dëgjon nga goja e një eksperti të fushës. Dhe pikërisht: që bashkëpunimi me universitetet dhe qendrat kërkimore të huaja nuk po u shërben synimeve madhore të arkeologjisë shqiptare, si degë e albanologjisë.

Që “koncepti qytetërim antik ilir është zëvendësuar me qytetërim helenistik”, siç thotë Ceka, kjo nuk duhet marrë si efekt i ndonjë komploti anti-shqiptar të arkeologëve nga Europa dhe gjetiu; dhe as si një orvatje për të shpërfillur interesin për parahistorinë e shqiptarëve. Ka një traditë akademike europiane, të rrënjosur mirë, që e studion lashtësinë mesdhetare brenda paradigmës greke-romake dhe që truallin shqiptar e sheh si depozitë të asaj kulture. Zbulimet e reja arkeologjike, të financuara brenda kësaj perspektive gërmimesh, i shërbejnë objektivisht pasurimit dhe konfirmimit të pozicioneve të njohura.

Është mirë që studiohet kultura helenistike në Shqipëri; ashtu, arkeologët e rinj mësojnë edhe teknikat dhe mjeshtërinë profesionale prej specialistëve të fushës. Por – dhe unë këtu jam me Cekën – kjo nuk duhet të jetë përparësi e arkeologjisë në Shqipëri; sepse kulturës helenistike, kudo në Mesdhe, për ta thënë me një shprehje të thjeshtë popullore, “ia kanë nxjerrë tashmë ujtë e zi”. Si degë e albanologjisë, arkeologjia – shqiptare dhe e huaj qoftë – nuk mund të çohet përpara duke zbuluar dhe rizbuluar gjurmë të qytetërimit helenistik (këtu nuk po merrem me ata që i quajnë edhe Butrintin dhe Apolloninë ilire: me këta e kemi humbur luftën). Janë të nevojshme kërkime të një lloji tjetër, jashtë skemave të përpunuara për qytetërimin grek dhe latin, dhe sidomos në brendësi të vendit, larg bregdetit.

Ceka njëlloj shpreh keqardhjen që, në artikujt e bashkëpunëtorëve të huaj për kërkimet e përbashkëta, “kultura e hershme mesjetare shqiptare [është zëvendësuar] me kulturë sllavo-avare”. Sërish, kjo mbase pjesërisht vjen ngaqë modelet e identifikimit dhe përshkrimit të kulturës materiale sllavo-avare janë përpunuar tashmë gjetiu; dhe arkeologëve të huaj që drejtojnë ekspeditat u mungon interesi, guximi intelektual a inteligjenca, për të thënë diçka të re; por natyrshëm mund të pranohet edhe që disa nga gjetjet t’u përkasin vërtet sllavëve dhe avarëve, sa kohë që të tillë ka pasur në trojet e Shqipërisë së sotme. Këto gjetje janë me interes të madh, për arkeologjinë dhe historinë e Ballkanit të hershëm – por, sërish, nuk i interesojnë veçse tërthorazi albanologjisë.

Çështja është fare e thjeshtë: a ka pasur një popull para-ardhës të shqiptarëve në trojet e Shqipërisë së sotme në lashtësi dhe në Mesjetën e Hershme? E formuluar kështu, kjo çështje lidhet me hipotezën e autoktonisë, e cila prej kohësh ka marrë valencë ideologjike dhe u nxjerr gjumin natën shumëve prej nesh. Por edhe jashtë kontekstit të autoktonisë, sërish arkeologëve në Shqipëri u bie barra që t’i kërkojnë gjurmët e këtij populli, para se të merren me gërmime dhe lektisje helenistike dhe romake (mjaft të mendosh se ne ende kemi relativisht pak dokumentime arkeologjike të shekujve XIV-XV, përfshi këtu edhe periudhën e Skënderbeut, përtej kështjellave vetë).

Pyes: a është studiuar mjaftueshëm brendatoka shqiptare, jashtë paradigmës së arkeologjisë klasike? A po studiohet mjaftueshëm? Janë pyetje që unë nuk u përgjigjem dot, por duke gjykuar nga sa thotë Ceka, i cili këto punë i njeh mirë, nuk mundem veçse t’u përgjigjem JO: njëlloj si ai i dehuri, që i kërkonte çelësat e shtëpisë poshtë llambës, sepse vetëm atje kish dritë, edhe arkeologët shqiptarë – për shkaqe më së shumti objektive, financiare – po humbasin kohë me kërkime të dorës së tretë, të cilat do të ish mirë t’u liheshin studentëve dhe stazhierëve. Rëndësia e bregdetit shqiptar për helenistikën tashmë është përcaktuar e përkufizuar; përkundrazi, mbetet (shpresoj) shumë për t’u zbuluar, për arbrit e mesjetës së hershme dhe ata të lashtësisë.

Kjo duhet parë edhe në kontekstin ekonomik: sajtet arkeologjike të Shqipërisë gjithnjë e më tepër po përfshihen në itineraret turistike – dhe turistët, në masë të madhe, duan të shohin gjëra të bukura, ose të paktën gjëra që i njohin; një vendbanim ilir me katër gurë nuk mund t’u ofrojë vizitorëve aq dëfrim dhe përjetim “intelektual” sa Butrinti ose Apollonia, aq më pak kur gjendet në një vend të vështirë për t’u arritur. Për fat të keq, pikërisht në këto vende të vështira për t’u arritur mund të shpresohet se janë ruajtur gjurmë kulturash materiale të ndryshme nga ajo helenistike e bregdetit.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi. Shkelësit do të përndiqen sipas ligjit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top