KUKULLA DHE KURVA NË KANDARIN E KADARESË

nga Eda Derhemi

“Kukullën” e Kadaresë, roman shkruar pas vdekjes së nënës së vet, mendova t’ia dhuroja sime mëje. Por domosdo e lexova vetë më parë. Kështu ndodhi që u pendova, dhe romanin nuk ia dhurova më. Por kjo nuk do të thotë që gratë në roman nuk vlejnë të diskutohen: më pak sot ia vlen kukulla, e më shumë kurva.

Ka një grup të vogël grash në roman. Njërën prej tyre, nënën e vet, Kadare e zgjedh si personazh themelor, por as nuk do e as ia del ta servirë si heroinë. Është tejet komplekse qasja e Kadaresë ndaj së ëmës, por sado që përpiqet të fokusohet tek e ëma, as ajo dhe as gratë e tjera nuk janë të plota. Kadare nuk e ka të lehtë ta rrokë nënën e vet, ashtu siç ia qëllon kollaj kur vjen fjala për burra, si psh të atin apo Bardhyl B. që ndërtohen lehtësisht dhe fuqishëm, megjithëse i dyti me kohë shndërrohet gati-gati në personazh ëndrre, më shumë se real. Nëse do bazoheshim tek plotësia e personazheve dhe mundësia e lexuesit për t’u afruar me ta, romani do ishte para së gjithash për dy burra, së pari për Kadarenë vetë që është figura themelore, nuk flas si tregimtar, por si njeri për të cilin tërthorazi flitet gati prej të gjithëve, një karakter i përshkruar me veti sipërore e të admiruara nga ata që e rrethojnë që në vegjëli (nuk është vendi këtu të diskutoj nëse kjo është apo jo një lloj megalomanie). Së dyti për të atin e vet, që ndonëse ftohet si personazh kryesisht që t’u shërbejë në roman grave, apo që të hedhë dritë në zhvillimin e tyre (së shoqes, së ëmës, Helenës), duket qartë se Kadare ia gjen anën shumë lehtë, dhe e ndërton qartësisht.

Nga ana tjetër, Kukulla është një personazh shumë i ndërlikuar, dhe jo detyrimisht në kompleksitetin e vet si njeri, por në faktin që Kadare i vjen rrotull e s’e rrok dot, apo i vjen rrotull e ka frikë mos e vrasë, e në këtë proces lodhës tërheq analiza të holla të tipareve të saj, si dhe asociime dhe gjetje letrare joshëse, por që më shumë kallëzojnë vlerat e tij si artist i fjalës dhe idesë, se sa shpjegojnë Kukullën. Kjo, ndoshta sepse ndien një lloj faji në mënyrën si e ka parë të ëmën si bir dhe do të racionalizojë e justifikojë veçantitë e Kukullës; ndoshta nga që Kukulla është tejet e vështirë të shndërrohet në një personazh heroinë të një romani. Dhe në këtë pikë autori duhet përgëzuar, se Kukulla, ashtu e paplotë, mua më ka mbetur në zemër si tip, me një keqardhje të pamatë. Kukulla, e përshkruar me mjeshtëri, është gjithsesi një personazh i hapur, në rastin më të mirë i papërfunduar, sido që e gjejmë që nga adoleshenca deri në ditën e vdekjes. Mes Kukullës tyryfyle, idiote, lëmsh në kokë e gjuhë, naïve, që thotë syulur broçkulla e marrëzi, me mendje të thjeshtëzuar, dhe përfundimit që shkrimtari nxjerr rreth “dhuntisë së të moskuptuarit” që Kukulla zotëronte, dhe që si e tillë e paskësh ndihmuar shkrimtarin të ishte ashtu siç qe, ka vakum kauzaliteti racional. Këtu kemi qartësisht një kapërcim të ndërgjegjshëm logjik të një burri plak që do të bëjë paqe me nënën e vet pasi kjo ka vdekur, dhe që ka penë të aftë që bindshëm ta quajë mungesën dhunti. Shpjegimi që autori rreket të japë për t’i kthyer së ëmës dinjitetin që ndoshta mendon se ia mohoi në jetë me sjelljen e vet, shpjegimi se “rritja e saj qe ndërprerë kur ishte ende 17 vjeç”, është po ashtu më shumë një përshkrim poetik sesa një pohim shkoqitës.

Shumica e grave të tjera në roman janë ose pa rëndësi, ose dalin si personazhe dramatike të një teatri antik e absurd njëheraz, janë si esenca që po të holloheshin mund të krijonin karaktere të kapshme e realiste; gjyshja legjendare zhvillohet veç si funksion i Kukullës, në lidhje me korin antik të shpurës së vet të grave, Izmini Kokobobo duket tamam si personazh filmi vizatimor duke nisur që me emrin, Ela Laboviti është fytyrë kolektive për moshatarët e zgjuar e largpamës që dinë të tejçmojnë Kadarenë, Kakuja është reale si karakter por e përmendur shumë pak. Dhe si urë simbolike lidhëse mes tyre është ëma-terr, matmatmaja e Voznjezenskit.

Dhe pastaj… veçaz fare, është Kurva, sido që Kadare për këtë emër aludon pa e përdorur. Pikërisht për Kurvën kam ca bisedime me Kadarenë. Kurva është një personazh shumë i rëndësishëm në roman, sepse ajo hedh dritë mbi një pjesë qenësore të shkrimtarit që mua më rriti, më shumë se Kukulla a Ela Laboviti. Kurva arrin në nën-lëkurën e shkrimtarit, atje ku karakteret e tjera femra, para- apo pas-helenike, nuk futen dot; Helena, nga karakteret gra më skematike në roman, as nuk afrohet dot në atë zonë kulturore të Kadaresë ku ne arrijmë nëpërmjet Kurvës, për shkak të përshkrimit gati-obsesiv të perfeksionit të saj si bashkëshorte ideale, e virtytshme, puro, nobël në ëndrra, me dinjitet e integritet moral absolut, shkurt, një që ndryshe nga Kurva, s’e dredh kurrë bishtin. Ndërsa Kukulla e mjerë në naivitetin e vet, kish guxuar t’i jepte këshillën më të gabuar të mundshme të një nëne, pra të fejohej me një… (këtë Kadaresë mezi ia thotë goja) gjysmë-prostitutë (fq. 84). Por di Kadareja-burrë të zgjedhë grua për të qenë që të ngjajë krejt si heroinë prej të Jane Austin! Helena në libër bëhet më njerëzore po ta lidhësh me Kurvën e lehtë, të kundërtën e vet, bartësen e vesit dhe paqëndrueshmërisë, që e bëjnë atë të mrekullueshme për dashnore artistësh. Ama edhe vetëm ideja e saj si kandidate për bashkëshorte i cingëris nervat burrit Kadare. Kurvës i kushtohen vetëm dy copa, disa paragrafë në libër, por ka në to plot lëng kulturor e ideologjik që ia vlen të diskutohet. Është i vetmi personazh që e tund Kadarenë nga istikami i tij i kontrolluar prej mendimtari të fjalës dhe karakterit, dhe e dorëzon në rrafshin spontan të patriarkalitetit të burrit tipik shqiptar, apo ndoshta ballkanas, në fakt, të përbotshëm.

Vajza-Kurvë ka veti të mrekullueshme që Kadare nuk i mohon: ishte tepër e ëmbël, me një shkodranishte që të linte pa mend, e dashur në magjepsje dhe fort “e sjellshime”. Dhe janë këto cilësi të vajzës që e bëjnë Kukullën të marroset pas saj, dhe më pas të bëjë gabimin fatal, propozimin e paimagjinueshëm apo të lëshojë mufkën e pafalshme: guxon t’i propozojë të birit që deri atëherë e kish marrë bisedën si me të qeshur, një, një, një, me nder jush, Kurvë për nuse! Atë të ëmblën më sipër, por ama, Kurvë! Kadare përçapet që të na bindë ne si lexues, ndoshta edhe kritikët e vet potencialë, se “shpjegimet” e veta po i jepte që të mos bënte Kukullën të qante, apo me “një ndjesi faji ndaj ‘vajzës’ që ca cilësime, ndoshta, s’i meritonte” (fjalët e nënvizuara janë të gjitha ideologjikisht të indeksuara për kulturë dominante seksiste). Por kërcasin aq shumë përpjekjet e tij. Është vetë tregimi i vet që s’e lë gjatë në lëmin e justifikimeve të kërkuara: Kadare e humb qetësinë; dhe kur të përmendin Kurvën si nuse, kush nuk do e humbiste paqen; sidomos një burrë me sqimën e tij, aq më shumë me një të dashur leshverdhë në formë por të virtytshme në karakter, madje hyjnore, dhe edhe bijë doktori farmacist. Aty për aty Kadare ia rendit Kukullës gjithë epitetet sharëse që shqipja kish koleksionuar për Kurvën. (Ah, sidomos për gjysmë të shthururat ndër Kurva, sa epitete të tilla paskësh ruajtur shqipja; lëre sikur Kukulla t’i kish propozuar një krejt të shthurur!).

(Fq. 87) E kupton apo jo, thirra me zë të lartë. Ti do që unë të fejohem me një rospije? Hë, pse s’flet? Të pëlqen të kesh një nuse të atillë?

Kurva kështu e nxjerr gollomesh Kadarenë e sofistikuar në një hapësirë jo fort familjare për të, ku edhe s’di të mbrohet; por Kadare e di se shkrimtarit të madh nuk i takon të përçmojë gruan, qoftë edhe Kurvën. Në fund të fundit, s’është më në Gjirokastër e jeton në Parisin e shekullit XXI. Ndaj, pas 20 faqesh të tjera, e merr me të mirë Kurvën dhe do të moderojë pozicionin e vet të mëparshëm duke na rrëfyer për “sëmbimin e njohur që kish folur keq për vajzën” (fq. 109), dhe do distancim me ata që “mizorisht i quanin këto vajza ‘të dorës’”. Por, ajme! Burri i zamanit brenda shkrimtarit nuk jepet; sapo nis t’i verë vetulla pozicionit të vet, i nxjerr sytë: “…kësi vajzazh që mizorisht quheshin “të dorës” me gjasë që shkonin dorë më dorë, por që mund të quheshin më me fat se të tjerat, ngaqë në fund të fundit, ato ishin duar piktorësh e poetësh, që përpara se ta preknin trupin e tyre, e hidhnin në pëlhurë a në vjersha.” Shkrimtari që unë si fëmijë adhuroja, nuk mund ta kishte flakur veten më poshtë se kaq! Pushkinit, në fillim të shekullit XIX, do i ishte dashur të fshihej pas Eugjen Onjeginit që t’i justifikonte vetes këtë lloj begenisjeje gjynahqare ndaj Kurvës hyjnore! Madje Kadare i bën edhe nderin ekstrem, dhe i prek në shenjë faji flokët së flakurës shoqërore, që kish lindur me këmishë të ishte “e dorës” së Kadaresë. Burri shpartallon shkrimtarin. Sepse unë si lexuese, prapë se prapë do doja t’i ndaja, sidomos meqë rrëfimin e jetës së vet Kadare e quan roman.

Nuk ka probleme Kadare si shkrimtar, as me Dashnoren dhe as me Kurvën në vetvete. Në novelën e rafinuar e delikate “Ikja e Shtërgut” (për kompleksitetin e përkthimit të të cilit unë kam shkruar më parë këtu), Kadare e trajton parfumin e Anna G. si të ishte ajo Afrodita apo Kleopatra. Kadare mahnitet në lektisje për Kurvën: figura e Margaritës, “prostitutës” sido që sui generis, tëhollet mjeshtërisht në gishtat e shkrimtarit, gjithnjë evazive, ideale, prej kristalesh që treteshin e s’i kapje dot, në një tjetër novelë elegante, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë përballë pasqyrës së një gruaje”. Në romanet e veta, Kadare shpreh adhurim për karakteret e veta gra, me gjithë se konstrukti i ideales në gratë kadareiane ka nevojë të studiohet me lupën e teorive kritike bashkëkohore.  E jo vetëm letrarisht. A. Bardhyli (2015), për shembull, dëshmon se Kadare në një nga esetë e veta nxjerr në pah si gratë e talentuara të letërsisë shqipe humbën pas mureve të kuzhinës. Është pikërisht kjo mospërputhje mes shkrimtarit që e kupton thelbin sublim të gruas, dhe burrit të vogël të cilit nëna Kukull i propozon nuse një Kurvë duke e acaruar sa ta bëjë të shpalosë gjithë fjalorin e vet seksist anti-grua, e pastaj edhe ta shfajësojë veten e kapur mat, që është problemi i njeriut Kadare. Kadare e qan personazhin e Kurvës, por mos e teproni ama e t’ia propozoni për grua në jetën e vet reale!

U kujtoj lexuesve se shkrimtarët e poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave nuk i kanë shpëtuar dot përçmimit të gruas, Kurvë apo jo, herë nga hidhësitë e jetëve personale, herë thjesht se ishin brumosur nga shqoqëria si burra të denjë, me Shakespeare, Strindberg, Ibsen e Hemingway ndër të diskutuarit. Dhe veçanërisht atyre që çdo kritikë ndaj Kadaresë e shohin si akt kriminal ndaj shkrimtarit apo madje ndaj shqiptarisë, u them se besoj se ia kam njohur e shijuar punët Kadaresë më mirë e më fort se ata; se një Nobel i tij do më gëzonte ndoshta më shumë sesa ata, sido që jo për të njëjtat arsye; se unë s’kam dyshuar kurrë në të qenët antikomunist të Kadaresë, dhe librin e tij e kam pasur emocion të çmuar gjatë diktaturës, sado që ia njihja edhe veprat e partishme. Kjo, ndoshta në kohën kur ata që e mbrojnë me zjarr revolucionar dhe bëjnë be në panteonin e absolutizimit të tij sot, kanë qenë dje komunistë me tesera Partie marrë për të përfituar e jo për ideal. Njerëz që bëjnë vend në botë e shtyp, duke i bërë fresk Kadaresë, duhet të lënë atë karrige pa nder, e t’i hapin rrugën kujt e sheh Kadarenë si shkrimtar të talentuar që analizohet në gjithësinë e vet, dhe jo Zot të paprekshëm. E dyta, Kadare është sot aq i njohur e vlerësuar, sa s’ka nevojë për ta. Ata e përmendin veç që t’u lejohet një fotografi pranë tij në vizitën e tij të n-të, e pastaj të krenohen me të. Madje, s’është nder për shkrimtarin të kultivojë apo qoftë edhe konfirmojë kritikën e tyre panegjerike e servile.

Kadare e çmon rolin militant të letërsisë; qëllimi themelor i krijimtarisë së tij me natyrë historike, sipas të shumtëve, ka natyrë patriotike/nacionaliste/atdhetare, me synimin që të zbulojë kobet që historia dhe sidomos fqinjët i kanë rezervuar e kurdisur popullit, kulturës dhe gjuhës së tij. Sa me vlerë apo pa vlerë është kjo qasje, është tjetër çështje, dhe ka disa autorë që kanë trajtuar publikisht dhe me hollësi sa progresiv apo regresiv është ky qëllim i Kadaresë, dhe çfarë komplikimesh ideologjike dhe politike, madje edhe artistike, ka sjellë udhës. Por për  mobilizimin e tij të pazakontë dhe përdorimin e angazhuar të veprës së vet artistike, ju kujtoj veç një sipërmarrje, në dukje sipërfaqësore por rrënjësore të Kadaresë për të eliminuar nga fjalësi përdorur në librat e vet, fjalët e huaja (të një kategorie) si kalldrëm, potkua e çati, dhe zëvendësimin e tyre me fortashtrojë, thundër e pullaz (Shih Vehbiu, 2014).

Çështja që unë trajtova sot rreh tek gruaja. Kadare është pra, për letërsi të angazhuar, por a është letërsia e tij feministe? A emancipon shoqërinë tonë patriarkale seksiste Kadareja me veprën e vet dhe a e prin atë? Vakët, do thoja, aq sa një shkrimtar romantik a shkrimtar që e sheh gruan si konstrukt natyror dhe dukuri shoqërore individuale. Sepse, sado të përpiqet të shpjegojë tek “Kukulla” se sa revolucionarë ishin ai dhe Helena kur u martuan, e se si shembën traditat, mjafton për të shprehur të kundërtën, reagimi i tij ndaj Kurvës, që nuk është thjesht një person real që njihej me njeriun privat Kadare, por sidomos një personazh i romanit “Kukulla” të shkrimtarit Kadare. Aty Kadare është i bërë njësh me personazhin e vet, ku në thelb ai mbetet burri tradicional e patriarkal që di ta dallojë e ndajë veç “gruan e ulët”, e t’i lerë asaj funksione të padenja për “burrin e lartë”. Një shkrimtar anti-Kurvë, nuk është një shkrimtar pro-grua, sado me dashuri t’i jetë dedikuar grave të ndryshme në plot libra. “Kukulla” nuk është një roman i shkruar prej një pene feministe. Dhe kjo mua si grua qytetare dhe si ndjekëse e hershme e shkrimtarit të njohur shqiptar, më lëndon.

PS: Për më tej, për mjeshtërinë e rrëfimit të Kadaresë tek “Kukulla” dhe brishtësinë e dhembshurinë e autorit për nënën-personazh, shih Arb Elo, 2015.

 

 

Bardhyli, Alda. 2015. “Përballë Margaritës”. SARAS, V. I, Nr. 5.
Derhemi, Eda. 2015. “Të lexosh Kadarenë si i huaj”. Peizazhe të fjalës. (Online) https://peizazhe.com/2015/11/04/te-lexosh-kadarene-si-i-huaj/
Elo, Arb. 2015. “Kukulla e Kadaresë – Mbresa leximi”. Peizazhe të Fjalës. (Online) https://peizazhe.com/2015/01/24/kukulla-e-kadarese-mbresa-leximi/
Kadare, Ismail. 2004. Ikja e Shtërgut. Onufri.
Kadare, Ismail. 2005. Përballë pasqyrës së një gruaje. Onufri.
Kadare, Ismail. 2005. Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë përballë pasqyrës së një gruaje. Onufri.
Kadare, Ismail. 2015. Kukulla. Onufri.
Vehbiu, Ardian. 2014. “Si ta heqësh kalldrëmin”. Peizazhe të fjalës. (Online)
https://peizazhe.com/2014/07/29/si-ta-heqesh-kalldremin/

 

Laboratori i diskursit kritik shqip synon t’i ofrojë lexuesit një seri esesh të përzgjedhura me temë nga fusha e kulturës, nisur nga bindja se kultura shqiptare sot ka nevojë të ngutshme për tekste që ftojnë lexuesin për reflektim dhe kritikë; për t’u shkuar më thellë disa temave kyçe të kulturës sot, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfituar nga artikulimi më i gjatë i eseve dhe nga instrumentet e diskursit kritik.

Qëllimi i këtij projekti është që të funksionojë si laborator për të praktikuar dhe zhvilluar një lloj kritike, publicistike dhe eseistike që nuk ofrohet dhe nuk mund të ofrohet në formatin ekzistues të mediave elektronike të bashkëlidhura me gazetat dhe televizionet; si dhe të shtypit të përditshëm.

E kemi quajtur laborator me idenë se mendimet dhe analizat që do të përfshihen nuk duhet të merren si autoritare (ndonëse shumë prej kontribuuesve e kanë autoritetin e duhur) por si  pikënisje për të mundësuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e ideve mes autorëve, kritikëve, krijuesve dhe publikut. Zërat e përfshirë në këtë seri janë nga fusha të ndryshme (historianë, muzikologë, kritikë e historianë arti, gazetarë), prandaj secila ese do të reflektojë qasjet dhe stilet unike të këtyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *