KUNDERA I FRËNGJISHTES

Po lexoja këto ditë një intervistë relativisht të hershme që Milan Kundera ia pat dhënë Massimo Rizzante-s, të botuar në Un dialogo infinito. Note in margine a un massacro, Effigie, Milano 2015; dhe të rimarrë tani nga Doppiozero me rastin e 90-vjetorit të shkrimtarit çek; disa pasazhe të së cilës m’u dukën se ia vlente t’i ndaja me ju.

Thotë Kundera për romanin Shakaja: E fillova ta shkruaj andej nga viti 1961, pak a shumë i sigurt se do të botohej. Në vitet gjashtëdhjetë, shumë më herët se Pranvera e Pragës, realizmi socialist dhe krejt ideologjia zyrtare kishin vdekur tashmë, dhe u kish mbetur vetëm një funksion fasadë që nuk e merrte kush seriozisht. E mbarova në dhjetor të 1965-ës, por dorëshkrimi ndenji nja një vit në zyrat e censurës që, në fund, nuk më kërkoi asnjë ndryshim. Romani u botua në pranverë të 1967-ës dhe pati tri ribotime gjatë një periudhe të shkurtër, për të arritur një tirazh gjithsej prej 117,000 kopjesh. Në pranverë të 1968-ës libri fitoi çmimin e Lidhjes së shkrimtarëve çekosllovakë… Kritika letrare nuk u mor shumë me aspektin politik të librit, duke vënë në dukje, përkundrazi, matricën e tij ekzistenciale. Por një vit më pas, në 1968, pushtimi rus rivendosi një stalinizëm primitiv dhe intelektualisht shtypës. Në atë kohë Shakaja u zhduk nga libraritë dhe nga bibliotekat.

Vazhdon Kundera: Në 1968, fill pas botimit të romanit, shtëpia ime botuese në Pragë, euforike për suksesin e librit, ia propozoi romanin Gallimard-it. Që ia dërgoi dorëshkrimin një recenzenti, një çeku që jetonte në Paris, dhe që e gjeti romanin pa interes, prandaj edhe puna u mbyll aty. Por rasti e deshi që një intelektual nga Praga, Antonín Liehm, t’i fliste për romanin Aragon-it… Ky i fundit, pa e njohur fare tekstin çek, ia rekomandoi Claude Gallimard-it, i cili vendosi ta botojë. Dhe këtu rasti ndërhyri sërish: Shakaja doli ditët e para të shtatorit 1968, ose fiks tre javë pas pushtimit rus të Çekosllovakisë! I shokuar nga ajo ngjarje, Aragoni, me gjasë me një frymë dhe në momentin e fundit, ia shkroi parathënien romanit, që pastaj u bë e famshme.

Pyetjes së intervistuesit për suksesin e jashtëzakonshëm të librit në Francë Kundera i përgjigjet: Gruaja ime shpesh më ngacmon: “Ti arrite në Paris fitimtar mbi tanket ruse.” Ato javë të shtatorit 1968, gazetat nuk flisnin për gjë tjetër, veç tankeve ruse në Pragë, dhe romani i një çeku tërhoqi menjëherë simpatinë e lexuesve dhe të firmave të mëdha të kritikës… Të gjithë lëvdonin kurajën me të cilën kisha luftuar kundër totalitarizmit. Por kur shkruaja Shakanë unë nuk kisha kujtuar kurrë se po bëja ndonjë trimëri. Sfida ime nuk ishte politike, por ekskluzivisht estetike.

Intervistuesi i kujton tani Kunderës se si Alain Finkielkraut e pat habitur dikur, duke e pyetur se si shpjegohej që stili i tij kish pësuar një shndërrim kaq rrënjësor, nga periudha e Shakasë, që atij i ishte dukur pak si barok, te periudha e Dashurive qesharake, që ish shkruar me stil klasik. Pas këtij episodi, Kundera iu kthye Shakasë për ta lexuar në frëngjisht. Dhe ky (ri)lexim e pat lënë kaq gojëhapur, sa në fillim të viteve 1980 të shekullit XX ish ulur të rishikonte të gjitha përkthimet e romaneve të veta.

Përgjigjet Kundera: përkthimi i parë i Shakasë ishte vërtet katastrofë, përmbante gjithçka që unë e përçmoja: një fjalor të kërkuar, shtesa metaforash ornamentale, stërhollime, ekzagjerime, nuk kish asgjë të natyrshme. Romanet e tjera, të botuara pas Shakasë, ishin përkthyer shkëlqyeshëm nga një përkthyes tjetër, miku im François Kérel, por në atë moment nuk ndalesha dot më dhe fillova t’i rishoh të gjitha përkthimet e tjera. Provoni të përfytyroni situatën time: librat e mi, praktikisht të pagjendshëm për publikun çek, po lexoheshin, gjykoheshin dhe komentoheshin vetëm në përkthim. Ishte absolutisht e nevojshme që unë të mund të identifikohesha tërësisht, dhe po e theksoj, të identifikohesha dhe tërësisht, me të paktën një përkthim të romaneve të mi dhe, siç e patën sjellë punët, ky do të ishte përkthimi në gjuhën e vendit ku jetoja dhe ku dëshiroja të vazhdoj të jetoj. E rimendova në frëngjishte çdo frazë të së gjitha romaneve të mi. Kjo më mori dy vjet jetë! Më pas, në 1987, munda të shkruaj, për të gjitha botimet frëngjisht të romaneve të mia, se ato kanë “të njëjtin autenticitet si teksti çekisht”. Që nga ajo kohë, lejoj që veprat e mia të përkthehen si nga frëngjishtja, ashtu edhe nga çekishtja.

Këtu Rizzante i kujton Kunderës se të paktën që nga viti 1995 ai i ka shkruar veprat – fiksionale dhe jofiksionale – frëngjisht. Mirëpo, thotë intervistuesi, çekishtja dhe frëngjishtja nuk janë vetëm dy gjuhë, por edhe dy eksperienca, dy mënyra për t’i shprehur rrënjët e tua. Ta braktisësh një gjuhë për tjetrën nuk do të thotë vallë të shkëputesh përfundimisht nga e shkuara jote?

Këtu Kundera përgjigjet se një romancier i ka rrënjët jo në një vend të caktuar, por në disa tema ekzistenciale që e tërheqin dhe për të cilat ka diçka për të thënë… Shoku i revolucionit komunist [në Çekosllovaki] zgjoi te mua, thotë ai, një kuriozitet ekzistencial: shtysën për të kuptuar më thellë situatën e çuditshme ku gjendesha unë dhe njerëzit që kisha rrotull. Pa këtë eksperiencë të lidhur me vendin tim të lindjes, nuk do të isha bërë kurrë romancier. Por temat ekzistenciale nuk njohin kufij… Romancieri ka diçka për të thënë vetëm kur gjendet brenda rrethit magjik të atyre pak temave që e kanë traumatizuar dhe që kërkon t’i eksplorojë deri në fund. Një ditë, kur t’i ketë shteruar, do ta mbyllë dyqanin. Por kjo s’ka fare të bëjë me vendin ku banon. As me gjuhën në të cilën shkruan.

[…]

Këto janë vetëm disa pjesë të intervistës, që i kam dhënë me shkurtime. Paralelet me fatin e letërsisë së Kadaresë në Francë ftojnë për debat. Ç’rol luajti frëngjishtja e Isuf Vrionit, përkthyesi i Gjeneralit, në suksesin e madh të romanit? Unë që e kam lexuar romanin edhe frëngjisht, kam krijuar bindjen se ajo frëngjishte është e nivelit letrar shumë të lartë – por këtë mund të ma konfirmojë ndonjë që e di dhe e përjeton atë gjuhë më mirë se unë. Sikurse mund të them, këtë herë më me siguri, se Kadareja, te Gjenerali, ende nuk e kish lëmuar aq mirë shqipen, sa – të themi – te Dimri ose te Pashallëqet e mëdha. Po ashtu, dhe ndryshe nga Kundera, që nuk ua jepte dot lirisht çekëve romanet e veta pasi u vendos në Paris (1975), Kadareja pati fatin të lexohej, të shijohej dhe të admirohej nga publiku i vet amtar pa ndërprerje.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.