KUR E PYETËN SOKRATIN

Një pjesë e lexuesve të këtyre radhëve do ta kenë marrë vesh për sulmin ad hominem kundër meje, si autor, dhe blogut “Peizazhe të Fjalës”, nga faqet e një gazete të Tiranës, “Panorama.”

Ky sulm erdhi në përgjigje të një kritike që i pata bërë asaj gazete, ditë më parë, në lidhje me degradimin që po ia bënte informacionit në faqen e saj të parë; dhe një thirrjeje që u bëja disa miqve dhe kolegëve të mi, që shkruajnë dhe botojnë tek ajo gazetë, për të mbajtur qëndrim ndaj lapërdhive.

Mënyra si zgjodhi të më përgjigjet gazeta në fjalë konfirmon drejtësinë e kritikës sime.

Në lidhje me diatribën kundër meje, më duhet të them se, megjithëse aty unë përmendem me emër, nuk e pashë veten në dordolecin që kish sendërtuar autori; dhe ata që e njohin blogun “Peizazhe të Fjalës” dhe e ndjekin prej vitesh, e dinë se ky nuk është “makinë fekalesh”, por përkundrazi, një makinë që, thjesht me ekzistencën e vet të përditshme, kërkon mes të tjerash edhe që t’i vetëdijësojë fekalet gjithfarësh për statusin e tyre, prej fekalesh, në rendin e sendeve.

Dëshpërimi i këtij sulmi dhe mungesa e plotë e skrupujve tregojnë edhe se “Panorama”, së bashku me të tjera media në Tiranë, e kanë të qartë tashmë se modeli i tyre i të bërit gazetari ka dështuar, në vetvete dhe përballë modeleve alternative, si ato që mundëson Interneti.

Ka gazeta online, si Shqip, Shekulli, Gazeta shqiptare dhe Java, por me siguri edhe ndonjë tjetër që më ka shpëtuar, të cilat i kanë qëndruar rregullisht larg tabloidizimit dhe sulmeve ad hominem (kjo është thjesht përshtypja ime); dhe sidomos, ka media online, si Reporter.al, TeSheshi, Postbllok dhe tani së fundi edhe ResPublica (nga ato që lexoj unë), që tregojnë se është e mundur të ruhet relevanca e fjalës së shkruar dhe dinjiteti i të gjitha palëve, pa bërë kompromis me etikën dhe respektin për personin. Peizazhe të fjalës, edhe pse nuk është sajt informativ por më tepër ofron një tryezë debatesh, i përket kësaj kategorie të dytë dhe e ka ruajtur profilin që ka prej tetë e kusur vjetësh.

Blogu ynë, siç e tha edhe Pishaku në shkrimin e vet mbrëmë, synon t’i dalë zot fjalës dhe t’ia mirëmbajë forcën, në një mjedis si ai i komunikimit publik shqip, ku zhvlerësimi i fjalës mbetet synim politik afatgjatë i të gjithë atyre që identifikohen me rrenën dhe pozën dhe ulërimën e çjerrë të atij që shet mall kallp.

GjekmarkajSa për autorin e shkrimit te “Panorama” dhe obsesionin e tij për të shkruar serialisht kundër meje, më duhet të them se nuk e kuptoj se çfarë e motivon atë si njeri dhe grupin që ai haptazi pretendon të përfaqësojë. Dje disa miq e të njohur më shkruan, për të më këshilluar të mos i përgjigjem; dhe sidomos të mos përgjigjem ad hominem – këshillë me vend.

Mua më ishte kujtuar, ndërkohë, një pasazh nga Sokrati i Diogjen Laertit (Jetët e filozofëve të shquar), ku autori rrëfen se Sokratin shpesh, për shkak të zjarrit dhe pasionit me të cilin argumentonte, kundërshtarët e sulmonin fizikisht duke e goditur me grusht ose duke ia shkulur flokut; dhe se, pa çka se shpesh e përçmonin dhe qeshnin me të, ai – Sokrati – e duronte këtë abuzim me qetësi.

Dhe kaq kish bërë përshtypje kjo, sa kur një herë i patën gjuajtur me shkelm dhe dikush shprehu habinë që Sokrati po e merrte këtë me kaq “filozofi”, ky u përgjigj: “Po të më shkelmonte një gomar, mos vallë duhej ta çoja në gjyq?” (duke pasur parasysh gomarin kafshë barre, jo njeriun që e thërresim ndonjëherë kështu me përbuzje).

E kam ndeshur këtë batutë së pari te Schopenhauer-i (esetë), në një pasazh ku ai argumenton se kodi i nderit kalorësiak (kjo “fëmijë e krenarisë dhe e marrëzisë”, e quan ai) ishte krejt i panjohur në lashtësinë klasike dhe se e ka origjinën në etikën feudale; dhe pastaj vëren se nderi qytetar synon komunikimin paqësor dhe mbështetet në opinionin e të tjerëve se ne meritojmë besim të plotë, meqë tregojmë respekt të pakushtëzuar ndaj të drejtave të tyre; ndërsa nderi kalorësiak, nga ana e vet, na paraqet si njerëz për t’u pasur frikë, meqë synimi ynë nuk është të respektojmë nderin e të tjerëve, por të mbrojmë me çdo kusht tonin.

Për t’u kthyer në argumentin tonë: “Panorama”, duke ndërsyer dikë që të hedhë baltë ndaj meje dhe blogut, kërkon të përhapë një mesazh frike, jo aq drejt meje (ky kod komunikimi është i huaj për mua dhe ashtu do të mbetet), sa drejt së tjerëve që po e ndjekin këtë farsë nga salla, madje edhe atyre që mendojnë se kjo nuk u përket. Madje, vetë “Peizazhe të Fjalës,” që kur u krijua, kish për synim të kultivonte komunikimin qytetar, çka do të na ndihmonte të gjithëve për t’u konstituuar si subjekte të këtij komunikimi.

Që këtej, më lejoni vetëm të shtoj, me Sokratin, se gomari mund të godasë me thundër dhe të plagosë dhe të shkaktojë dhimbje; por nuk mund të ngjallë as mëri, as maraz, as mllef dhe aq më pak urrejtje; sepse kur godet me thundër, e shkreta shtazë vetëm sa riprodhon esencën e vet, ose rolin që i ka caktuar fati të luajë në botë. Preokupimi im tani është tjetër: se mos, me kohë, nis të mësohem me idenë se kundërshtarët dhe detraktorët e mi janë vërtet të këtij kalibri.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.