KURORËZIMI I TALK SHOW-T

Një zakon që po shndërrohet në ritual: pas talk-show-eve të mbrëmjes në TV, vjen e nesërmja dhe portalet – përfshi këtu edhe ato të gazetave “të mëdha” – rimarrin në krye dhe me tituj të mëdhenj momentet kryesore të debatit, të shoqëruara me video. Si teknikë, kjo u ngjan përmbledhjeve, ose highlights të ndeshjeve të futbollit; dhe njëlloj si në këto përmbledhje, publikut i jepen para së gjithash golat: si ia përplasi, si ia numëroi, si ia tha të gjitha, si i përmendi gruan e ndarë, si desh shkoi puna te thonjtë në fyt. Dhe nëse golat janë vërtet synimi dhe arritja e çdo ndeshjeje futbolli, mbase duhet ta pranojmë se kacafytjet, përfshi ato fizike, janë synimi dhe arritja e çdo debati dhe talk-show që kërkon të zbavitë publikun.

Bisedat politike në emisionet televizive, një formulë që kushton fare pak dhe lejon të mbushen orët aq fitimprurëse të mbrëmjes me çfarë janë kryesisht gjepura mund të shërbenin, idealisht, për të çuar më tutje pozicione dhe propozime dhe kritika të palëve ndaj njëra-tjetrës, rreth temave mirëfilli me interes për shikuesit; sikurse mund t’u shërbenin politikanëve për t’iu prezantuar publikut përtej kornizave të ngushta të mitingjeve, ose të faqeve që kanë në rrjetet sociale.

Por rrallë herë qëllon – në mos asnjëherë – që portalet të vënë në dukje një pasazh të bukur, të fortë, me logjikë të hekurt, të kopsitur mirë, nga ndërhyrja e një të ftuari në studio; duke e ofruar si model të ligjërimit politik. Ndoshta ngaqë nuk i kanë mjetet dhe kapacitetet për ta bërë këtë; ndoshta ngaqë talk show-t nuk e nxitin këtë lloj cilësie; ndoshta ngaqë të ftuarit vetë nuk janë në lartësinë e karriges dhe mikrofonit që u ofrohen. Çfarë edhe bën pastaj që e vetmja gjë për t’u mbajtur mend, për t’u vënë në pah, për t’iu risjellë publikut e shkëputur nga konteksti i debatit, të jetë zënia haptazi, sharja, kërcënimi, cërklat e pështymës dhe akte të ngjashme, të cilat përfaqësojnë, në të vërtetë, ndërprerjen e bisedës, ose falimentimin e talk show-t si format.

Apo ndoshta jo? Na thonë se këto biseda mbrëmësore dhe nokturne synojnë artikulimin e politikës dhe të kritikës politike – shërbim publik për t’u përshëndetur. Por praktika televizive, të paktën e televizioneve komerciale që kërkojnë argëtimin e publikut, e përgënjeshtron këtë deklaratë misioni: në kuptimin që vënia përballë e kundërshtarëve dhe platforma mass-mediatike që u ofrohet këtyre, janë kushte të domosdoshme (dhe shpesh të mjaftueshme) që këta të zihen. Çfarë edhe e kthen talk-show-n në ring, ku pjesëmarrësit nxiten – nga vetë konteksti – që të bëjnë boks me shoku-shokun. Si të thuash, është formula që e kërkon sharjen, fyerjen dhe kacafytjen, njëlloj siç e kërkon ndeshja e futbollit golin.

Natyrisht, sharjet dhe fyerjet dhe shpesh edhe grushtat janë tashmë efekte të menjëhershme të çdo kontakti mes palëve kundërshtare në politikë – aq sa këto janë mësuar të ekzistojnë dhe të riprodhohen duke pështyrë njëra-tjetrën; aq sa edhe publiku i pret që ta bëjnë këtë sa herë t’u jepet mundësia dhe mikrofoni, përndryshe Facebook-u (!) mund të reagojë për keq. Televizioni komercial, me varfërinë e vet të madhe dhe nivelin e mjerë, nuk ka ndonjë meritë të madhe në këtë mes, veç asaj që e ka kuptuar mirë vlerën argëtuese të zënies live mes emrash të njohur. Nuk do të habitesha, po të dëgjoja se disa nga këto duele të padenja bëhen me marrëveshje, ose inskenohen për të mbajtur publikun të ngjitur pas ekranit. Edhe pse gjakrat në politikën shqiptare janë aq të ndezura; dhe mjetet retorike (ligjërimore) që zotërojnë politikanët aq të pakta, sa nuk ka nevojë që televizioni të merakoset, dhe as që të investojë në inskenime. Shumë nga të ftuarit në talk-show-t e sjellin zënien me vete, në kuptimin që garantojnë spektakël. Dhe formula është kaq e suksesshme, sa asnjë televizion komercial nuk do ta zëvendësonte me diçka më të denjë: do të ishte si të zëvendësoje një emision soft porn me një për qëndistarinë. Madje në rrethanat kur nuk gjen dot politikan në Shqipëri që të dijë të qëndisë (fjalën).

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.