KUSHTRIMI I TË PARËVE (II)

Një nga qortimet që marr, kur shkruaj për pellazgologjinë, është se “s’ka ndonjë të keqe”; nga kolegë që e shohin jo aq si patologji të mendimit shqiptar, sa si një huq simpatik njerëzish të pasionuar pas shqiptarisë. Me një fjalë, si një lloj manifestimi aberrant të intelektit që “nuk përbën rrezikshmëri shoqërore”, për t’u klasifikuar në një grup me horoskopin, yshtjet dhe lajmet për bimët që ndihmojnë për “pastrimin e gjakut.”

Nuk pajtohem. Për mua rreziku i pellazgologjisë shfaqet në kontekstin e sotëm social dhe kulturor, që karakterizohet nga dobësimi i arsimit të përgjithshëm dhe i autoritetit dhe atomizimi i burimeve të dijes. Interesit të natyrshëm të publikut për çështje të historisë dhe të prejardhjes (etnogjenezës) i mbivendoset kombëtarizmi si ideologji e ushqyer nga mitet përkatëse, që tashmë është përqafuar nga politika zyrtare kulturore.

Mediat elektronike dhe rrjetet sociale kanë ndikuar në formësimin e këtij konteksti, duke u dhënë hapësirë të madhe lajmeve dhe spekulimeve për ilirët, pellazgët, deshifrimet e mbishkrimeve dhe lashtësinë parahistorike të shqiptarëve. Përballë kësaj atmosfere, dija albanologjike standard nuk ka mundur ose nuk ka arritur të reagojë. Po sjell një shembull të vetëm: në libraritë e Tiranës gjen me dhjetëra botime “pellazgologjike”, por vështirë të gjesh studimet etimologjike të Çabejt; dhe një fjalor etimologjik i një gjuhëtari serioz si Kolec Topalli me vite të tëra nuk i gjeti dot fondet e nevojshme për t’u botuar.

Teksa pellazgologët ftohen në emisione televizive dhe shkruajnë lirisht në mediat, të cilat kanë hequr dorë nga çdo lloj filtri për tema të tilla; teksa pellazgologët kanë fituar aq besim në vete sa kërkojnë ballëlart të marrin pjesë në aktivitete dhe botime me natyrë mirëfilli akademike dhe revoltohen publikisht kur u tregohet dera; teksa pellazgologët organizojnë tani konferenca dhe lëvdojnë njëri-tjetrin – po krijohen hap pas hapi kushtet për të kërkuar (1) hapjen e katedrave pellazgologjike ndoshta më parë në universitetet private dhe më pas edhe në ato shtetërore dhe (2) përfshirjen e kësaj dijeje alternative në programet shkollore universitare dhe të shkollave të mesme. Për këtë problem të dytin kam shkruar që në vitin 2012 (Gjimnazistët mes pellazgëve); kujtoj se në programin ekzistues të lëndës së historisë për shkollat e mesme, parashikohet studimi i “etnogjenezës ilire në veprat e albanologëve” (ja një temë tejet e koklavitur); dhe më tej “Epiri sipas albanologëve shqiptarë”. Ndërkohë, kam dëgjuar – por nuk e kam verifikuar dot – se të paktën një universitet privat e ka tashmë një katedër të studimeve pellazgjike.

Prania e teksteve pellazgologjike në diskursin publik është një gjë; pranueshmëria e tyre nga publiku një gjë tjetër. Për të bërë një krahasim me horoskopin – askush nuk shqetësohet nga turlia e mediave dhe portaleve që nxjerrin horoskopët çdo ditë, sepse parashikimi i së ardhmes në bazë të pozicionit të yjeve dhe të planeteve në raport me datën e lindjes së dikujt nuk ndikon në mirëqenien mendore dhe kulturore të publikut. Por për pellazgologjinë puna qëndron ndryshe: publikut i mungon aparati kritik për të peshuar dhe gjykuar deri edhe tekstet më absurde dhe për t’u distancuar prej tyre.

Sikur deshifrimet e mbishkrimeve të përbotshme dhe zbërthimet paleolinguistike të pellazgologëve amatorë të kishin funksion dhe efekt thjesht argëtues, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Problemi fillon kur ky aktivitet intelektual fillon të luajë rol in-formues në kuptimin etimologjik të kësaj fjale, ose të ndikojë në formimin intelektual të lexuesve, të cilëve u mungon të menduarit kritik (critical thinking). Në brezat e rinj janë shumë të paktë ata që tregojnë aftësi për të analizuar në mënyrë kritike një informacion ose parashtresë çfarëdo – çfarë ndihmon për të përftuar një publik i cili i beson informacionit edhe kur ky është haptazi irracional, meqë si kriter për të besuar përdor jo koherencën dhe racionalitetin, as autoritetin e burimit, por thjesht efektin e këtij informacioni. Një pjesë e madhe e publikut beson atë që i pëlqen.

Dhe këtu vijmë tek tema e antikorpeve – një lexues i formuar qoftë edhe me shkollë të mesme duhet të jetë në gjendje të reagojë ndaj diskursit irracional; ta vërë në dyshim ose, të paktën, të jetë i vetëdijshëm se po e bën të vetin jo me arsye, por me zemër. Mirëpo shkolla sot në Shqipëri dhe në Kosovë e gjetiu ku mësohet shqip nuk i imunizon fëmijët dhe të rinjtë ndaj budallallëkut dhe manipulimit. Madje përkundrazi, për vite me radhë kultivon ndër ta gatishmërinë për të pranuar gjithçka që duket sikur është në favor të mitit kombëtarist – dhe pikërisht që shqiptarët janë populli “më i vjetër”, dhe gjuha shqipe “gjuha më e vjetër”, që është themeli i kulturës dhe i mitologjisë klasike, e kështu me radhë; dhe që shqiptarët kanë qenë gjithnjë në këto troje (autocthonous). Këtu nuk po vë në diskutim thelbin e miteve kryesore të kombëtarizmit shqiptar (temë për një shkrim tjetër), por vetëm po dua të vë në dukje që autoriteti i këtyre miteve është i tillë, që të bëjë pastaj të pranueshme çdo hipotezë, çdo përsiatje, çdo përçartje që mëton t’i mbështetë dhe që këtë farë mëtimi kërkon ta përdorë si lejëkalim. Ideologjia kombëtariste mund të jetë akoma në gjendje të bëjë dallim midis mitit dhe konstruktit racional, por kjo nuk ndikon fare në rolin narkotizues të arsyes që luan miti, në diskursin publik; dhe sidomos në instituimin e diskursit kombëtarist si diskurs dominant në kulturën e sotme edhe zyrtare edhe popullore.

Prandaj çështja – siç e shoh unë – nuk është te kultivimi i dijes alternative dhe konsolidimi i bindjes së çuditshme se kushdo mund të merret me analiza paleolinguistike dhe deshifrime, por te normalizimi i pellazgologjisë, që po ndodh jo për meritë të pellazgologëve, por ngaqë vepra e këtyre, sado e çartur dhe groteske në vetvete, mbush një zbrazëti të krijuar, në kulturën publike, nga zbythja e gjithanshme e mendimit akademik dhe e prestigjit akademik, ose nga kriza e autoritetit në lëmin e dijes. Përgjigjja që kanë zgjedhur të japin ndonjëherë akademikët dhe studiuesit seriozë, duke u mbyllur në studiot dhe në kullat e tyre, nuk më duket se mund të japë rezultate; sepse vazhdimësia e traditës albanologjike në Shqipëri dhe në Kosovë varet nga fondet publike dhe fondet publike varen, në analizë të fundit, nga vullneti i votuesit dhe i taksapaguesit. Nëse publiku fillon t’i perceptojë përpjekjet dhe gjakimet pellazgologjike si po aq të meritueshme sa edhe ato albanologjike tradicionale, atëherë edhe politika herët a vonë do t’ia hapë rrugën atyre përpjekjeve dhe gjakimeve – duke miratuar fonde, krijuar katedra dhe ndryshuar programet shkollore, me mbështetjen e garantuar të kombëtarizmit. Sepse, tek e fundit, “ç’të keqe ka”?

Më në fund, dukuria e lulëzimit të sotëm të pellazgologjisë nuk mund të kuptohet jashtë dinamikave komunikative dhe intelektuale të rrjeteve sociale, të cilat – për nga vetë natyra e tyre – kanë natyrë narcisike (autoerotike ose masturbatore), ose i shërbejnë gratifikimit të çastit të përdoruesve. Edhe Facebook-u, ose kudhra ku farkëtohet sot opinioni publik, gjithnjë funksionon si një vitrinë ku gjithkush vendos fotografinë e vet – fizike ose shpirtërore ose intelektuale, sipas rastit; dhe pret pastaj që t’i vijnë “likes”. Dhe për nga numri i “likes”, dija albanologjike tradicionale nuk konkurron dot me alternativën; reflekset e labio-velareve indo-europiane në shqipe nuk konkurrojnë dot me “mbishkrimin e Mesaplikut.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *