KUSHTRIMI I TË PARËVE

Vite më parë kam shkruar se studimet e “pellazgologëve” të sotëm i përkasin një albanologje alternative, që i kundërvihet albanologjisë “standard”, duke mos ia njohur as autoritetin as arritjet.

E kam pasur gabim. Pavarësisht nga çfarë mendojnë studiuesit përkatës dhe nga si duan ta paraqitin veten, pellazgologjia e tanishme nuk merret me studimin e shqipes dhe as të historisë së shqipes; por vetëm sa e përdor shqipen e sotme, kryesisht leksikun e saj, për të deshifruar dhe interpretuar mbishkrime dhe gjuhë të tjera anembanë botës – të njohura dhe të panjohura.[1] Madje sa më të panjohura dhe enigmatike, aq më mirë.

Për këta “dijetarë” – titull që më duhet ta vë detyrimisht në thonjëza, meqë është fjala për amatorë e dashamirës në rastin më të mirë dhe sharlatanë në rastin më të keq – shqipja është vetëm një e dhënë absolute, primordiale, akronike (në kuptimin a-historike), që shërben për të depërtuar në enigmat e gjuhëve të tjera.

Pak a shumë siç bëri, para gjysmë shekulli, Zaharia Mayani, i cili e shfrytëzoi shqipen për të lexuar mbishkrimet etruske. Përpjekjet e Mayani-t, edhe sikur të ishin të besueshme, nuk do të kishin ndihmuar për gjë, në lidhje me të kuptuarit e historisë së shqipes; ato kishin për objekt etruskishten dhe zgjidhjen e enigmës së saj.

Për pasuesit e sotëm të Mayani-t, Nermin Falaschi-t, Catapanos dhe të tjerëve, etruskishtja mbetet sot e kësaj dite në fokus; sikurse mbeten mbishkrimet e Lemnosit dhe të Kretës, mbishkrimet dhe tekstet e shumerëve dhe të egjiptianëve dhe gjithçka tjetër që kombinon lashtësinë me misterin.

Madje këta studiues të palodhur nuk e ndalin hovin as para gjuhëve dhe teksteve që tashmë janë lexuar mirë dhe shpjeguar mirë prej kohësh; duke ofruar interpretime të reja – për shembull të greqishtes homerike ose të gjuhës kopte.

Kështu, bashkëshortët Luftulla dhe Liljana Peza kanë marrë në shqyrtim shkrimin linear B të Kretës, duke e identifikuar atë si një dialekt të gjuhës pellazge – edhe pse të dyve u mungon ekspertiza e fushës.

Studiuesi Anastas Shuke merret prej vitesh me shkrimin kunjor shumer dhe ka dhënë shumë prova që ky shkrim përfaqëson “një formë e gjuhës pellazge shqipe”, sepse “vetëm me anë të gjuhës shqipe mund të shpjegohen fjalët e shkruara në pllakat e baltës së pjekur.”

Studiuesja Fiorina Shiko ka arritur në përfundimin se “çuditërisht, tekstet e shkruara të gjuhës kopte përkthehen për herë të parë shumë lehtë me ndihmën e gjuhës shqipe.”

Rasim Bebo studion “Figurat më të shquara të Çamërisë në historinë botërore”, duke filluar me Zeusin Pellazg.

Ndërsa Skënder Hushi “ka studiuar shumë emra njerëzish nëpër botë, që shpjegohen me anë të gjuhës shqipe. Kjo dëshmon origjinën e tyre pellazge/ilire/shqipe. Për këtë ai ka botuar një libër të trashë vitin e kaluar.”[2]

Dhe kështu me radhë. Gjithsekush zgjedh fushën, gjuhën, mbishkrimin dhe misterin që dëshiron, sa kohë që çelësi mbetet po i njëjti: gjuha shqipe.

Metoda kriptografike që përdorin këta hulumtues – nëse mund të flitet për metodë – është elementare: nisen nga një mbishkrim që e lexojnë me rrugë konvencionale, p.sh. ZIAZI në një pllakë balte nga Mikena; dhe pastaj e interpretojnë këtë duke e zbërthyer në pjesë a në rrokje dhe duke i vënë rrokjet në përkim të përafërt me fjalë të shqipes së sotme, në bazë të ngjashmërisë fonetike. Kështu ZIAZI bëhet ZI ASHT ZI, ose “është zi për luftëtarin e rënë në luftë” (meqë mbishkrimi ka lidhje me imazhin e një luftëtari).

Karakteristike e kësaj metode është edhe që fjalët e gjuhëve të vjetra t’i shohë si kondensime shprehjesh e ndonjëherë frazash shqip: MENELAU – MENDTË E LANË.

Ja si i (ri)lexon çifti Peza dy vargjet e para të “Iliadës”:

MENIN A JA DHE, QË THE, AKIL PELIDIT
ULE MENIN, I MIRI AKAJE QË KE E THOKE

Çfarë vërteton, sipas tyre, se fillimi i poemës homerike është në gjuhën pellazge/shqipe.

Vizioni i këtyre pellazgologëve për shqipen është a-kronik; edhe pse i përdorin fjalët shqipe për t’u shpjeguar historinë gjithfarë gjuhëve, atyre nuk u shkon mendja se edhe fjalët shqipe mund të kenë një histori të tyren (aq më pak, se ndonjë kolegu i tyre mund të vihet t’i shpjegojë fjalët shqipe nëpërmjet… turqishtes, sipas së njëjtës metodë).

Dhe kështu ndodh që huazime të vona të shqipes, bie fjala nga osmanishtja, të përdoren për të lexuar tekstet hitite.

Për të njëjtën arsye, këta njerëz e kanë të vështirë të pranojnë se shqipja ka huazuar në rrjedhë të shekujve fjalë nga gjuhët e tjera; prandaj çdo ngjashmëri e themeluar mbi huazimin do ta shpjegojnë si shtegtim të fjalës shqipe drejt gjuhës tjetër. Ashtu, edhe fjalë si faqe, këmbë ose fytyrë – të cilat janë identifikuar prej kohësh si huazime nga latinishtja në shqipen e lashtë – do të shpjegohen për të provuar, përkundrazi, si fjalë që latinishtja i ka marrë nga shqipja.

Siç bëri Marksi me dialektikën e Hegelit, edhe këta i kthejnë përmbys përpjekjet dhe arritjet e deritashme të etimologëve dhe historianëve të gjuhës shqipe, për ta rithemeluar shqipen si eksportuese fjalësh anembanë botës.

Kjo nuk vjen aq nga padija e tyre, as nga dëshira e mirë; por është rezultat logjik i një deliri konsekuent, për të parë gjurmë të shqipes kudo, deri edhe në pezhishkat e merimangave.

Që tezat e tyre bien ndesh edhe me dijen e sotme albanologjike, edhe me parimet elementare të gjuhësisë historike-krahasuese, kjo nuk përbën problem; “dijetarët” në fjalë nuk pajtohen as me njëri-tjetrin, përveçse në bindjen dhe vendosmërinë për ta përdorur shqipen si çelës drejt së panjohurës universale.

Krejt ngrehina e gjuhësisë indo-europiane për ta nuk përbën asgjë më tepër se një pengesë, me gjasë të ngritur nga armiqtë e shqiptarëve dhe të mbajtur në këmbë me paratë e tyre.

Po të shtyhemi edhe më thellë, për të qëmtuar proceset mendore të këtyre studiuesve dhe për të kuptuar se çfarë i bën njerëz përndryshe racionalë të thonë dhe të shkruajnë absurditete të tilla, atëherë do të fillojmë të shquajmë konturet e një ekuivoku të madh, madje madhështor: për këto lloj mendjesh çdo lloj ngjashmërie ose ekuivalence gjuhësore dëshmon filiacion ose prejardhje.

Për ta ilustruar: gjuhët në botë kanë të gjitha bashkëtingëllore dhe zanore; të cilat kombinohen mes tyre për të krijuar rrokje: pa, ba, ta, da etj. Që e njëjta rrokje, ba, ndeshet edhe në shqipe edhe në gjuhën e shumerëve, kjo veç sa konfirmon universalitetin e fonetikës, ose faktin që të dyja gjuhët, edhe shqipja edhe shumerishtja, janë folur nga njerëz.

Përkundrazi, dijetari ynë i vendosur që të gjejë gjurmë të shqipes në shumerishten do të niset nga rrokja ba e shumerishtes dhe do ta përqasë me rrokjen përkatëse të shqipes, ba, e cila gjendet mes të tjerash në fjalën baj/bëj; dhe që këtej do ta kërkojë kuptimin e foljes baj/bëj në të gjitha ato tekste të gjuhës tjetër ku të shfaqet rrokja ba (alternativisht, ba mund të lexohet edhe si ndonjë formë e foljes mbaj, ose e foljes bart; mjaft të ketë një ba) [3].

Emrin e poemës homerike, Iliadës, në greqishten e vjetër Ἰλιάς Iliás çifti Peza e shpjegon kështu:

ILIAS = ILI AS = YLI ASHT

Këtu ndarja në rrokje, një procedurë thjesht fonetike, shërben për të identifikuar “rrënjë”; dhe që këtej rrokja -AS, rezultat i një përpunimi fonetik të fjalës, përdoret pastaj për etimologjizimin në shqipen ASHT “është”.[4]

Çfarë u mungon këtyre leximeve kaq të guximshme është qoftë edhe përpjekja më e vogël për të gjetur rregullsi (patterns); që do të ishte edhe provë e të paktën seriozitetit të tyre. Sikur këta të mund të identifikonin një tip emrash, në greqishten e vjetër ose në shumerishte ose në gjuhën e lashtë egjiptiane, që e përdornin një formë të foljes “është” si prapashtesë; ose të mund ta izolonin atë AS si morfemë që u bashkëlidhet fjalëve të ndryshme, atëherë kjo kushedi do të përbënte të paktën një përpjekje, sado modeste dhe të keq-orientuar, për analizë korrekte.[5]

Gjuhësia historike dhe në veçanti gramatika historike kanë treguar që disa mbaresa ose prapashtesa të shqipes së sotme e kanë prejardhjen nga fjalë dikur të pavarura, për shembull, përemra. Kështu, nyja shquese -i në fjalë si gur-i ka qenë dikur formë e përemrit dëftor “ai” (i njëjti proces, por me rend të kundërt, ka ndodhur në italishten, ku latinishtja ille “ai” ka dhënë nyjen shquese il). Por ky përfundim varet nga identifikimi i nyjes shquese -i në një numër të madh emrash të gjinisë mashkullore (gur/guri, qen/qeni, laps/lapsi); dhe jo nga ndonjë proces rrokjezimi si gu-ri, që nuk do të na çonte gjëkundi.

Çfarë edhe na sjell në një tjetër patologji të kësaj fushe të “dijes”: pellazgologët nisen gjithnjë nga zeroja, duke shpërfillur – me qëllim dhe dëshirë – çdo arritje të deritashme në fushën ku kanë zgjedhur të ushtrojnë virtytin e tyre interpretativ. Kjo zgjedhje metodologjike është edhe shumë komode – po të kemi parasysh se fusha të tilla si studimet hitite ose shumere janë kaq të vështira, sa në gjithë botën gjen a s’gjen një grusht dijetarësh në gjendje të kuptojnë dhe të kontribuojnë diçka.

Në përgjithësi, njohja prej tyre e gjuhëve që marrin përsipër të “deshifrojnë” me anë të shqipes është edhe më primitive, edhe më e gjymtë e gjysmake se njohja prej tyre e shqipes dhe e historisë së saj. Tek e fundit, qasja që kanë adoptuar nuk e kërkon: mjafton të dish të flasësh shqip.

Ja si e shpjegon njëri prej tyre (Margarit Nilo) fjalën dolce/dulce të latinishtes dhe të gjuhëve romane:

dolce, dulce (=ambëlsinë = sweet) = dol – c – e = dol(=dill, diell) – q – e = asht shumë e mirë (si ”dole = dili, dielli”). Me latinishten do qe: ”sol – qui – e”; -perputhia si ne gjith rastet asht vetem me shqipen.

Dhe po ashtu, fjalën greqishte κάλλος:

Kallos (= i mirë) = k – all(yll) – os = k(q) – yll – ash; -esh shumë i mirë (si illi apo dilli); -ne edhe sot themi: ai asht yll, asht ma i miri, asht i pari.

Pellazgologët e sotëm janë një turmë laramane – i bashkon vetëm bindja se shqipja është çelësi për të shpjeguar gjuhë të tjera (në mos gjuhët e tjera), ndryshe nga ç’thotë dhe ç’shpjegon albanologjia e sotme. Përndryshe, dhe megjithë ndonjë orvatje për të punuar së bashku, gjithsekush prej tyre ka teorinë e vet, interpretimet e veta dhe shpjegimet e veta. Nëse do t’i quajmë dhe do t’i trajtojmë si grup, atëherë ky është një grup mistikësh dhe mistifikatorësh, “puna” e të cilëve nuk ka lidhje as me gjuhësinë, as me historinë e shqipes dhe të gjuhëve të tjera. Qasja e tyre është ajo e alkimistit, që vazhdon të kapet pas shqipes si “gur filozofik”, edhe pasi kimia është konfirmuar si shkencë dhe si praktikë laboratorike dhe produktive; dhe që nuk mund t’i hapë vend vetes, veçse duke e “diskredituar” dijen ekzistuese. Rreken të prishin një pallat për të ngritur një kolibe të mjerë, me miratimin entuziast të publikut sylesh dhe gjysmanalfabet.

Përpjekjet për ta paraqitur gjuhën shqipe si objekt mistik dhe ekskluziv nuk janë veç të ditëve tona – i gjen që tek autorët e Rilindjes e më herët. Në vija të trasha, gjakimet kriptografike primitive me mbishkrimet etruske dhe egjiptiane dhe lektisja pas pellazgjishtes duhen marrë si efekt i një lloji të caktuar të menduari, që e ka të vështirë të pranojë arbitraritetin e shenjës dhe faktin që shqipja është gjuhë mes gjuhëve. Duke spekuluar, mund të themi edhe se disa prej nesh, faktin që e kanë shqipen gjuhë amtare, e projektojnë pastaj pa dashur mbi botën mbarë, duke ia dhënë edhe kësaj – ose popujve anembanë – shqipen si gjuhë primordiale.[6] Njëlloj si dijetarët në Mesjetë dhe në Kohët e Reja, që kërkonin të shpjegonin si gjuhët e tyre amtare e kishin prejardhjen nga hebraishtja (gjuha e Biblës), edhe pellazgologët tanë, që i falen fesë kombëtariste, e vënë shqipen dhe shqiptarët në qendër të universit. Kjo e tyrja nuk është hipotezë shkencore, por zgjedhje mistike.

Çfarë është e re, në sjelljet e sotme të këtyre studiuesve, është që veprimtaria e tyre po zgjerohet e gjallërohet në rrethanat kur institucionet akademike dhe universitare në Shqipëri dhe në Kosovë janë në krizë të thellë; dhe kur publiku i ekspozohet gjithnjë e më shumë informacionit nga burime të dyshimta, manipuluese dhe “alternative.” Sikurse edhe në fusha të tjera, edhe në studimet e gjuhësisë historike, pluralizmi (shpesh i quajtur gabimisht “demokraci”) ka sjellë për efekt delegjitimimin e dijes akademike dhe krizën e përgjithsme të autoritetit. Vetëm kështu mund të shpjegohet që një person si Agron Dalipaj sulmon publikisht Çabejn duke e titulluar një kontribut të vetin “Eqrem Çabej, shenjtor apo djall i gjuhës shqipe”, dhe pastaj ftohet në një emision televiziv nga Përparim Kaboja, për të folur për “gjuhën kozmike”, ndërsa në një emision tjetër prezantohet kështu nga gazetari Rezar Xhaxhiu: “nuk është gjuhëtar, por kjo nuk e pengon që të ketë rezervat e tij në lidhje me studimet e Çabejt të madh, të ketë rezervat e tij në lidhje me vetë Çabejn e madh”.

Kjo lëvizje bashkëkohore, që tashmë i ka marrë karakteristikat e një kulti, ka gjetur edhe profetin e vet, në personin e dijetarit mistik Petro Zheji; opus magnum e të cilit (Shqipja dhe sanskritishtja I dhe II) u hyn në punë për të përligjur gjithçka, sepse është në fakt hermetike.

Megjithatë, ajo tërheq vëmendjen jo se ka ndërruar formë a se ka përmirësuar aparatin e vet metodologjik, por vetëm ngaqë dija albanologjike mainstream nuk arrin dot më të kënaqë dëshirat e publikut, në epokën e lajmeve të rreme, klikimeve dhe nevojës për “skandale” edhe në lëmin e dijes. Albanologjia serioze, si të thuash, nuk po di të dalë dot më në pazar dhe nuk konkurron dot më me surrogaton e saj. Madje kjo e fundit, duke përfituar nga natyra narcisike e kombëtarizmit të sotëm shqiptar, ka fituar me të shpejtë truall ndaj rivales së saj, meqë i siguron lexuesit, shfletuesit e Facebook-ut dhe produktet gjysmake të shkollës gjysmake publike se ata janë përjashtimisht të zgjedhur dhe specialë, thjesht ngaqë kanë qëlluar të linden shqiptarë dhe të flasin shqip; meqë shqipja është “gjuha kozmike”, ose shtëpia e parë e qenies. Me fjalë të tjera, kulturës së sotme në Shqipëri dhe në Kosovë po i mungojnë antikorpet e nevojshme për ta neutralizuar këtë formë çrregullimi të njohjes. Njëlloj siç ndodh në trupin me rezistencë të ulur, rreziku vjen tani nga një patologji oportuniste, e cila kolonizon mendjet më kurioze, ose pikërisht ato që tregojnë interes për këtë lloj informacioni.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës


[1] Zakonisht e bëjnë këtë të mbështetur në fjalorët dhe duke e shpërfillur gramatikën; çfarë është qasja tipike e amatorit, i cili e përfytyron gjuhën si nomenklaturë.

[2] Këto të dhëna i kam nxjerrë nga një artikull i Luftulla Pezës për Simpoziumin IV të shoqatës “Qendra e studimeve pellazgjike”.

[3] Për disa nga këta, çdo tipar i përgjithësueshëm i shqipes, p.sh. që ajo përdor bashkëtingëllore mbylltore si p dhe b, ose zanore të hapura si a shërben si provë që shqipja ia ka dhënë këto tipare gjuhëve të tjera që i kanë. Sipas këtij parimi, fjalët që kanë të përbashkëta shqipja e sotme me persishten e sotme, dhe që i detyrohen ndikimit të persishtes mbi osmanishten dhe të osmanishtes mbi shqipen ose të osmanishtes mbi edhe persishten edhe shqipen, janë në fakt provë se persishtja i ka marrë këto fjalë nga shqipja.

[4] Teknika ka traditën e vet – dijetari flamand Johannes Goropius Becanus (1519-1572) u përpoq të tregonte, me prova etimologjike, se holandishtja, dhe pikërisht dialekti flamand i Antwerp-it, ishte pasardhësja e drejtpërdrejtë e gjuhës adamitike – kështu, edhe emri Adam rridhte nga haat-dam (literalisht, “digë kundër urrejtjes”, në holandishte), emri Eve nga eu-vat (“fuçia/govata e brezave”) ndërsa emri i gjuhës holandeze Diets vinte nga d’oudste (“më e vjetra”).

[5] Metoda e tyre, gjithnjë nëse do të mund ta quajmë kështu, do të ngjante me përpjekjen e ndonjë hartografi imagjinativ për t’i shpjeguar format e shteteve në hartat politike si të prejardhura nga forma e hartës së Shqipërisë. Ironia këtu është se kjo e fundit mund të realizohet, të paktën me rrugë topologjike. Për ta çuar këtë kriter në absurd: fakti që edhe shqiptari, edhe pula kanë nga dy sy dhe një orific anal, dëshmon se pula ka origjinë shqiptare.

[6] L. Peza madje kërkon që “ [gjuha shqipe] të vihet nën mbrojtjen e UNESCO-s, si gjuha më e vjetër e folur dhe e shkruar e planetit.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *