LEKSIK I UDHËKRYQEVE

  1. KAPELË është huazim i ri nga italishtja CAPPELLO, e cila nga ana e vet është vazhdim i një latinishteje të rindërtuar *CAPPELLUS, si diminutiv të CAPPA. Kjo e fundit, edhe në italishte edhe në latinishte, është emri i pelerinës a i mantelit. Në kohë të vjetra, CAPPELLO ishte një cep i pelerinës me të cilin mbulohej koka, dhe që e quanin edhe CAPPUCCIO (shqip KAPUÇ). E njëjta fjalë, por në gjininë femërore, ka qenë CAPPELLA, një pelerinë e shkurtër; veçanërisht e njohur në Mesjetë ka qenë ajo St. Martin de Tours, e ruajtur nga mbretërit merovingianë (sipas legjendës, Martini e preu pelerinën e vet përgjysmë, për t’ia dhënë njërën gjysmë një lypësi; po atë natë pa në ëndërr Krishtin të veshur me gjysmë-pelerinën; gjysmën tjetër Martini e ruajti pastaj si relike); madje aq e njohur, sa – me antonomazi – fjala filloi të përdorej vetëm për atë pelerinë; dhe pastaj, me metonimi, për vendin ku ajo ruhej e më në fund, për çdo kishëz ose vend në kishë të destinuar për kultin e një shenjti të caktuar, brenda një strukture më të madhe që e përfshin (me priftërinjtë që shërbenin të quajtur KAPELANË). Një teori tjetër, është që fjala vjen nga latinishtja mesjetare CAPELLA, me kuptimin literal “strehë, tendë, kupolë (e altarit)”. Në çdo rast, fjala shqipe është gjithashtu KAPELË, si fjalë e hyrë prej italishtes. Shprehja A CAPPELLA, në italishte, ka kuptimin e të kënduarit në grup ose solo pa shoqërim instrumental, siç këndohet në KAPELË.

Referenca:

Treccani online, Online Etymology Dictionary, Dizionario etimologico online, Wikipedia; Topalli, Kolec, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe

  1. Fjalët shqipe KASKË dhe KASKETË janë të dyja huazime nga gjuhët neolatine, me gjasë nga italishtja (CASCO dhe CASCHETTO); më e zakonshme është KASKETË, që shënjon një kapelë burrash të thjeshtë, me strehë; ndërsa KASKË është më teknike, si sinonim me HELMETË. Origjina e fjalës është spanjishtja CASCO, me kuptimin “kafkë, helmetë”. Nga frëngjishtja e mesme CASQUE fjala ka kaluar në anglishte si CASK, duke shënjuar një enë për lëngje, “bute vere, fuçi” (khs. “The Cask of Amontillado” e Poe-s); dhe pastaj CASKET, “kuti e vogël për stoli, sëndukth”, me një prapashtesë zvogëluese. Kjo CASKET, në anglishten e Amerikës, mori pastaj edhe kuptimin “tabut, arkivol”, sidomos për një arkivol të shtrenjtë. Nëse etimologjia qëndron (ka edhe një version tjetër, që e nxjerr anglishten CASKET nga frëngjishtja e mesme CASSSET), atëherë shqipja KASKETË dhe anglishtja CASKET janë në thelb e njëjta fjalë, edhe pse të mbushura me verëra të ndryshme. Fjala tjetër anglishte për arkivolin, COFFIN, vjen nga frëngjishtja e vjetër, COFIN, me kuptimin “shportë”; frëngjishtja nga një latinishte COPHINUS, që ka sërish kuptimin “shportë”, dhe që vjen nga greqishtja κόφινος, me të njëjtin kuptim. Fjala greke ka hyrë edhe në shqip si KOFIN “kosh i madh i thurur me purteka që përdoret për të mbajtur pemë” (khs. si kofini pas të vjeli); përkundrazi, shqipja QEFIN, që duket sikur e ka një lidhje kuptimore me anglishten COFFIN, është në fakt huazim nga osmanishtja dhe, në origjinë, fjalë arabe (KUFN).

Referencat:

Treccani online, Online Etymology DictionaryDizionario etimologico online, Wikipedia, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe

  1. Sikurse e shënon Çabej, shqipja BREKË është huazuar nga latinishtja BRACAE, me kalimin a:e të zanores tematike të shpjeguar si pasojë e shumësit të singularizuar. E njëjta fjalë latine, këtë herë si pjesë e një fjale tjetër, ka hyrë në shqipe me fjalën BENEVREKË, nga turqishtja BENEVREK, të cilën, nga ana e vet, turqishtja e ka huazuar nga greqishtja e re (ἀ)πανωβράκι, fjalë e përbërë, ku pjesa e dytë, βρακί (βράκα) me kuptimin “kilota”, “brekushe”, “brekë”, vjen në analizë të fundit nga e njëjta latinishte BRACAE si BREKËT në shqipe. Siç shënon Çabej, duke iu referuar Skokut, fjala turke u përhap edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit.

Referenca:

Çabej, SE, II, Wikipedia

  1. Kush e ka pasur pasion futbollin në vitet 1960-1980 e me siguri edhe më herët, do ta mbajë mend fjalën GOLAVERAZH, që përdorej – siç do ta shohim, gabimisht – për të shënjuar diferencën mes golave të shënuar dhe golave të pësuar nga një skuadër futbolli, ose edhe thjesht raportin e këtyre golave si thyesë: 36:16. Më rrallë ka qenë përdorur PIKAVERAZH, në sportet me pikë. Të dyja fjalët nuk i gjen në Fjalorin e vitit 1982 dhe në fjalorët pasues. Burimi i parë i kësaj GOLAVERAZH duket të jetë anglishtja GOAL-AVERAGE, “numri i golave të shënuar, pjesëtuar me numrin e golave të pësuar” (fr. MOYENNE DE BUTS); sot kjo masë statistikore nuk përdoret më, sepse është zëvendësuar nga “GOAL DIFFERENCE”, ita. DIFFERENZA RETI. Meqë në shqipe fjala AVERAZH nuk përdoret, atëherë do të supozojmë se GOLAVERAZH është huazuar e gatshme, nga ndonjë gjuhë ku shqiptohet me -zh fundore. Kjo mund të jetë rumanishtja, me GOLAVERAJ, fjalë të cilën Dicționarul explicativ al limbii române (i vitit 2009) e shpjegon si “raportul sau diferența dintre golurile marcate și cele primite de o echipă la unele jocuri sportive, care departajează între ele două echipe aflate la egalitate de puncte (raporti ose diferenca mes golave të shënuar dhe atyre të pësuar nga një ekip në disa lojëra sportive… etj.),” duke e nxjerrë nga një frëngjishte GOAL-AVERAGE (sot, me gjasë, e vjetruar dhe e zëvendësuar nga një moyenne de buts si e ndryshme nga différence de buts),différence arithmétique entre les buts marqués et les buts encaissés”, e cila gjithashtu mund të ketë qenë burimi i shqipes: edhe rumanishtja edhe frëngjishtja e përdorin fjalën rëndom për “diferencën e golave”, jo raportin pjesëtimor. Kuptimi “golat e shënuar dhe golat e pësuar nga një skuadër futbolli gjithsej gjatë një turneu a kompeticioni” duket të jetë zhvillim i brendshëm i shqipes. Për t’u shënuar se, në turqishte, diferenca në gola është AVERAJ, fjalë që turqishtja e ka huazuar nga frëngjishtja. PIKAVERAZH është formim analog brenda shqipes.

Referenca:

Dexonline (https://dexonline.ro/), Wikipedia

  1. Shqipja PULË është huazim i vjetër i gjuhës nga latinishtja PŬLLUS, që ka pasur po atë kuptim, por edhe ka shënjuar të vegjlit e kafshëve, në përgjithësi (khs. edhe shqipen PULISHT). Kjo fjalë ka dhënë në italishte POLLO dhe në frëngjishte POULE; latinishtja PŬLLUS, nga ana e vet, si e krahasueshme me greqishten e vjetër πῶλος dhe shqipen PELË, si fjalë të fondit indo-europian. Ngjashmëria e saj me anglishten POOL, me kuptimin “bilardo”, por edhe “depozitë (në kumar)” “dorë letrash”, ose “bashkësi interesash” ose “grup”, si në shprehjet GENE POOL, CAR POOL duket si rastësore, por në fakt nuk është: kjo POOL, në anglishte, vjen nga frëngjishtja POULE dhe, me gjasë, i referohet një loje popullore në Mesjetë, të quajtur “JEU DE LA POULE”, ku lojtarët luanin me para, duke u përpjekur të kapnin ose të gjuanin me gur një… pulë. Nuk ka lidhje me fjalën tjetër POOL, me kuptimin “pellg” dhe, më tej, “pishinë.”

Referencat:

Treccani online, Online Etymology Dictionary, Dizionario etimologico online, Wikipedia, Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe (K. Topalli)

  1. Fjalën QOSHK, me kuptimet “1. Kënd, skaj, qoshe; 2. Kthinë e dalë përtej murit të shtëpisë; 3. Barakë a dyqan i vogël për të shitur gazeta, etj.” Dizdari e jep si të ardhur nga turqishtja KÖŞK (e shkruan KÖSK, por do të jetë gabim shtypi); nuk është e njëjta fjalë me KÖŞE, e cila ka dhënë shqipen QOSHE, edhe pse të dyja këto, në turqishte, i sjellin si me të njëjtën origjinë nga persishtja. Për t’u shënuar se turqishtja KÖŞK ka shtegtuar pastaj në shumë gjuhë europiane, me gjasë në shekullin XVII, për të dhënë fjalë si KIOSQUE (fr.), CHIOSCO (ita.), KIOSK (angl. & gjerm.), etj., term i arkitekturës për një ndërtesë zbukuruese në parqe dhe kopshte (GAZEBO, BELVEDERE); dhe më pas një barakë për shitje artikujsh të konsumit të përditshëm, zakonisht në një vend publik – të tilla si gazetat, pije freskuese, etj. Që këtej ka hyrë sërish në shqipe, si KIOSK. Me të njëjtën origjinë, QOSHK dhe KIOSK kanë hyrë në shqipe me rrugë të ndryshme, në kohë të ndryshme.

REFERENCA

Treccani online, Online Etymology Dictionary (English), Topalli, K., Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, Dizdari, T., Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe

  1. SHAH, si emër i lojës, ka hyrë në shqip nga turqishtja, edhe pse burimi i kësaj fjale, që ka shtegtuar në gjithfarë gjuhësh anembanë botës, është persishtja SHÂH dhe si vektor i përhapjes së saj ka shërbyer arabishtja.[1] Në frëngjishtjen e vjetër, kjo fjalë u huazua si ESCHÉS (shumës i ÉCHEC), nëpërmjet spanjishtes, për të shënjuar fjalën që thotë njëri prej lojtarëve, kur kërcënon mbretin e kundërshtarit (kjo fjalë pastaj, falë disa shndërrimeve kuptimore të pazakonshme, mori edhe kuptimin “dështim”, që e ka në frëngjishte edhe sot). Vetë loja e shahut në frëngjishte është ÉCHECS. Nga frëngjishtja e vjetër, ESCHÉS, e mori edhe anglishtja, për ta shndërruar shkallë-shkallë në CHESS. Si fjalë sinjalizuese të kërcënimit për mbretin kundërshtar (shqip: SHAH!), anglishtja ka CHECK, të cilin e nxjerrin nga frëngjishtja e vjetër ESCHEQUIER (që shënjon edhe tabelën e shahut). Meqë një kërcënim ndaj mbretit e ia kufizon shumë lirinë për lëvizje lojtarit që mbrohet, kuptimi i figurshëm “pengesë a kufizim i papritur” zhvilloi me kohë nuancën “akt kontrolli, verifikimi, pengimi a kufizimi”, si dhe “mënyrë për të ekspozuar a parandaluar gabimet a mashtrimet”, ose “kontroll”, që ka sot fjala CHECK. Që këtej, edhe termi financiar CHECK (me versionin drejtshkrimor CHEQUE) për një porosi me shkrim për të tërhequr para në bankë, e cila ka hyrë edhe në shqipe si ÇEK, ku përdoret edhe figurativisht (khs. çeku i bardhë). Fjala anglishte përdoret sot edhe në shprehje të tipit CHECK-IN, CHECK-OFF, CHECK-OUT etj., të cilat i dëgjon ndonjëherë si ndërkombëtarizma.

Referenca

Online Etymology Dictionary, Dizdari, T., Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Wiktionary

  1. Sipas Fjalorit të shqipes së sotme, fjala SHARABAJKË, e cilësuar si krahinore, ka kuptimin “karrocë me katër rrota, që tërhiqet nga dy kuaj.” Shqipja do ta ketë marrë – me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, përfshi edhe gjuhën Romani (të romëve) – nga frëngjishtja CHAR À BANC që e ka edhe anglishtja CHARABANC, literalisht, “karrocë me vende për t’u ulur” (Kolec Topallit i ka shpëtuar lidhja me fjalën frënge, dhe e nxjerr fjalën shqipe si me etimologji të paqartë, duke shtuar ndonjë sugjerim që nuk qëndron, si parashtesën ÇARRA-, lidhjen me pjesoren e foljes BAJ ose, alternativisht, emrin BARKË). Mbase ngaqë kjo lloj karroce lëkundej në të ecur ose ecte shëmtuar, ose për ndonjë arsye tjetër të ngjashme, fjala ka marrë edhe kuptimin figurativ “grua që s’e mban veten mirë në të veshur e në pastërti”, që edhe ky sot më tingëllon i vjetruar. Por unë e mbaj mend të përdorur, në fëmijërinë time në vitet 1960-1970, si sharje dhe fjalë përbuzëse për vajzat dhe ndoshta gratë jo tërheqëse (në të folmen qytetëse të Tiranës); tashmë të shtrembëruar me etimologji popullore në SHURRABAJGË ose si një kompozitë e dy emrave ekskrementalë, SHURRË dhe BAJGË (shurrë-a-bajgë). Me gjasë, nga ky ri-etimologjizim popullor që ka prekur vetëm përdorimin e fjalës si sharje, do të ketë dalë në atë kohë edhe sharja ë, që ka qenë përdorur (por shpresoj të mos përdoret më), të paktën mes kalamajve, për një vajzë jo tërheqëse, që nuk vishet as mbahet mirë ose që nuk tregon interes për djemtë. Ndoshta me këtë lidhet edhe SHURRUFULL, një term i ligjërimit të thjeshtë të qytetit të Tiranës, sharje për vajza antipatike, që unë e kam dëgjuar zakonisht të përdorur nga djem prepubescentë.

Referenca: Topalli, K., Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.

  1. Kush si unë ka pasë mbledhur pulla poste në vitet 1960-1970, do t’i mbajë mend fjalët SPILOJ, SPILOHET, E SPILUAR, që përdoreshin me kuptimin tejet teknik të një pulle të dëmtuar – pse ishte hequr keq nga zarfi dhe ishte pjesërisht e grisur, i mungonte një a më shumë dhëmbëza, ose vinte pak e rrjepur, pse shtresa e poshtme i kish mbetur e ngjitur në zarf. Më dendur përdorej mbiemri prejpjesor, E SPILUAR, për një pullë kësisoj të dëmtuar, që vlente më pak se të tjerat. Kur na qëllonte të hiqnim ndonjë pullë nga një zarf, duhej të bënim kujdes që të mos e “spilonim”, për ç’arsye edhe e futnim më parë pjesën e zarfit me pullën sipër në ujë të ngrohtë, që të zbutej zamku, pastaj e hiqnim pullën nga zarfi dhe e linim diku të thahej. Heqja “në të thatë” nuk rekomandohej, sepse ashtu pjesë të pullës do të mbeteshin të ngjitura në zarf. Tani që m’u kujtua kjo fjalë, e cila përndryshe më duket sikur mungon në fjalorët e shqipes (të paktën ata që kam unë), mendova se duhet të vijë nga ndonjë italishte e tipit “spillare”; dhe në fakt, në italishte dëgjon të thuhet FRANCOBOLLO SPILLATO, që e ka prejardhjen nga folja SPILLARE. Në italishte, SPILLARE do të thotë “kap me kapëse metalike” (SPILLO – karficë, kapëse) dhe përdoret në gjuhën e shkresarisë; SPILLATO do të ishte një dokument ose fletë letre e kapur me kapëse. Në leksikun e postës dhe të filatelisë italiane, SPILLATO u referohet pullave të postës dhe zarfeve përkatëse që i kanë kapur a lidhur kësisoj dhe kapësja metalike i ka dëmtuar, duke u hapur vrima, ose duke e grisur letrën a pullën, ose duke lëshuar ndryshk. Ndërkohë, dyshoj se kjo SPILLATO në italishte është përzier njëfarësoj me SPELLATO, nga folja SPELLARE, e cila ka mes të tjerash kuptimin “zhvoshk, rrjep, heq lëkurën a cipën”; prandaj edhe ndesh ndonjëherë, së paku në katalogët e filatelistëve, në togun FRANCOBOLLO SPELLATO, që do të ishte pikërisht ajo pullë poste “e rrjepur” nga zarfi, dhe për pasojë me shenja dëmtimi. Shqipja E SPILUAR, për pullat e postës me dëmtime, i referohet kuptimisht më shumë këtij termi të dytë, edhe pse për nga forma duket sikur vjen nga SPILLARE. Janë dy terma që janë përzier së bashku, ndoshta që në italishte, dhe pastaj kanë hyrë në zhargonin e filatelisë shqip përmes kontakteve mes të apasionuarve, nga të dy anët e Adriatikut.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Ndonjë nga këto analiza ka dalë tashmë në blogun Shqipologji™ (https://shqipologji.wordpress.com/).


[1] Emri më i vjetër i lojës është CHATURANGA, fjalë e sanskritishtes që ka kuptimin “me katër gjymtyrë” duke iu referuar katër ndarjeve të ushtrisë: këmbësoria, kalorësia, elefantët dhe qerret: pjesa e parë, CHATUR, i përgjigjet, mes të tjerash, shqipes KATËR. Fjala sanskrite u huazua si CHATRANG (SHATRANJ) në persishte, dhe nga persishtja, nëpërmjet arabishtes, kjo fjalë u huazua në spanjishte si AJEDREZ, në portugalishte si XADREZ dhe në greqishte si ZATRIKION (ζατρίκιον).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.