LEKSIONET E NJË PROTESTE

nga Andia Çela

Në njërën nga ditët kur i drejtohesha Teatrit Kombëtar për të vijuar protestën e përditshme kundër prishjes së tij, kisha marrë me vete edhe djalin tim 15-vjeçar. Gjatë rrugës që zgjat jo më tepër se dhjetë minuta nga shtëpia për te sheshi i Teatrit, fillova t’i tregoj djalit lidhur me protestën. Në fakt, pa e kuptuar, kisha filluar një leksion mbi demokracinë dhe të drejtën për të protestuar. Në mënyrë të natyrshme dhe të pandërgjegjshme fillova të mendoj se ç’mund të mësosh dhe ç’kemi mësuar nga një protestë si kjo.

Tërë këto kohë, por veçanërisht këto ditë, kemi mësuar se sa pak vlen teatri në këtë vend, jo vetëm për politikën, por edhe për vetë qytetarët. Ngjarja në fjalë, e lidhur drejtpërdrejt me kulturën dhe trashëgiminë, por edhe me urbanizimin dhe qytetarinë, pak i ngacmon qytetarët të gjejnë një arsye për të protestuar. Thirrja “Eja në teatër” e cila ka shërbyer si një nxitje për të mbushur sallën e teatrit gjatë gjithë sezonit të ngjeshur, duket se nuk funksionon për të tërhequr tanimë spektatorët si qytetarë. Aq e qartë u duk kjo, sa protesta nisi nga një grupim artistësh e qytetarësh të angazhuar që mbajtën fort shpirtin e protestës.

Por, në fakt, ditët kanë treguar se mjafton një grupim, edhe pse jo i madh, njerëzish që mund të bëhen bashkë në një kauzë kur besojnë në të. Dashuria për teatrin, për magjinë e tij, historinë dhe trashëgiminë kulturore, shpirtin e një kombi, sjell përditë, me guxim dhe vendosmëri, aktorë, artdashës, intelektualë dhe aktivistë, në mot të mirë e me shi, pranë sheshit të Teatrit me të njëjtën thirrje: “Mos e prishni teatrin!”. Ky grupim, çdo ditë e më i madh e me shumë vendosmëri, po sjell një shembull, unik deri më tani, të një qëndrese qytetare të vazhdueshme e pa kompromis. Edhe pse mjetet ligjore në duart e qytetarëve janë pothuajse inekzistente, peticioni i firmosur është dëshmi e një qëndrimi të qartë. Nuk e di ç’vlerë ligjore mund të ketë peticioni, por gjithashtu nuk e di sa mund të neglizhohet ai nga Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë institucionet të cilave u drejtohet.

Edhe pse ne kemi një elitë intelektuale, ajo pak duket atje. Gjithnjë e më shumë mendoj se sa gazetarë, njerëz të letrave, intelektualë, artistë, sociologë, juristë të shquar mund ta kishin pasuruar, zgjeruar dhe përmirësuar protestën. Gjithnjë sjell ndër mend miq të mi, me të cilët më pëlqen të bisedoj për art e kulturë dhe pyes veten se çfarë i pengon të vijnë aty. Protesta kërkon të zgjojë nervin e kësaj shtrese që mban dhe duhet të mbajë qëndrime, si zëdhënësja dhe përçuesja e vlerave më të mira që kemi dhe trashëgojmë.

Kemi konfirmuar e stërkonfirmuar se nëpunësit e shtetit nuk vijnë në protesta. Zor t’u mbushësh mendjen për të luftuar për një kauzë, si kjo e teatrit, apo të tjera, për të kërkuar të drejtat qytetare. Shteti dhe pushteti ua ka fjetur përgjegjshmërinë qytetare, reagimin dhe kundërshtimin. Në mënyrë të tërthortë ata trajtohen dhe ndihen si “pronë” e shtetit dhe vështirë të reagojnë kundër mekanizmave të tij. I gjithë ky potencial që fshihet tek administrata shtetërore është një potencial i mpirë, i humbur për shoqërinë, profesionalizmi i të cilit i shërben vetëm mekanizmit të shtetit, por vetëdija qytetare e të cilëve është tretur në nevojën për mbijetesë.

Edhe opozita e sheh protestën pa shumë rëndësi. I shoh tek vijnë e ikin, herë të porositur nga eprorët e tyre e herë nga vullneti vetjak. Por këta të fundit janë shumë të pakët. Janë thërrmijat e fundit të ndërgjegjes politike. Ndaj edhe i shoh me hope, sipas oreksit politik të njërit apo tjetrit. Shpresoj, në fund, të gjejnë vendin e tyre në tërë këtë histori, që nuk është vetëm një histori teatri, por historia e një korrupsioni të madh, në kufijtë e një mafieje shtetërore.

Liria për të protestuar është themeli i sistemeve demokratike, liri kjo e sanksionuar edhe në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, një liri individuale dhe kolektive, që mund të përdoret për çdo kauzë të ligjshme. Qytetarët ende nuk janë mësuar t’i gëzojnë këto të drejta. Aksioni qytetar është pak i zhvilluar dhe shqiptarët ende nuk kanë mësuar që kanë disa të drejta, të cilat duhet t’i kërkojnë dhe t’i mbrojnë. Gjithë ajo robëri mendore dhe e ndërgjegjes ka rritur një brez i cili është mësuar të jetë i nënshtruar ndaj të gjitha politikave që vijnë prej politikës. Ndaj shumë pak njerëz e kanë ndërgjegjen për të marrë pjesë në protestë. Indiferentizmi na ka pushtuar si shoqëri dhe asnjë padrejtësi nuk sjell më reagim.

Kemi rritur e ushqyer një rini të pamësuar e të pandjeshme, që harxhon kohën duke kultivuar të gjitha veset të cilat shteti ia mëkon me lehtësi, ashtu siç ka një grup të rinjsh të cilët besojnë te forca e tyre dhe e veprimit të tyre. Këta të fundit, edhe pse në pakicë, mbajnë fort shpirtin e protestës. Çdo ditë mendoj, teksa eci rrugëve të mbushura me kafene e pika bastesh, se po rrisim një rini mes apatisë për të mos bërë asgjë dhe vesit për të fituar pa kuptim.

Mësuam në fakt diçka tjetër fort të rëndësishme. Diçka që e kemi dëgjuar prej andej, por ndoshta me siguri ka qenë edhe brenda nesh, shpirtit shqiptar. Mësuam se kemi filantropë, edhe pa pasanikë, se ka njerëzit që janë të gatshëm të japin pasurinë e tyre për të zhvilluar një pasuri publike me interes të veçantë shpirtëror e kombëtar. Një deklaratë me zë të lartë, publike, të një qytetari tiranas se fal pronën e tij në mes të qendrës historike të Tiranës në shërbim të kauzës për mbrojtjen e teatrit, përforcon bindjen se, nëse është e pamundur për shtetin ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, filantropia mund të çojë përpara një tjetër iniciativë për sigurimin e fondeve që duhen për rikonstruktimin apo rindërtimin e Teatrit Kombëtar.

Nuk do të isha aq patetike sa të thosha se ç’humbasin njerëzit që nuk vijnë në protestë. Por sinqerisht mendoj se mund të mësojnë diçka. Këto më lart, por edhe të tjera, për të cilat nuk dua të bie në përsëritje.

Është i lodhshëm, i mundimshëm ky angazhim dyorësh fizik, dhe emocional shumë më tepër, por është e domosdoshme, është rruga e vetme, është mjeti i vetëm që na ka mbetur në dorë, ndërgjegjja jonë qytetare.

Sa do të vazhdojë”, më pyet djali herën tjetër, “dhe si do të përfundojë?”

Nuk e di”, i them, “ndoshta zëri ynë nuk do të dëgjohet, ndoshta teatri do të prishet, por ne duhet ta çojmë protestën deri në fund.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.