LETRA E MITRUSHIT, LETRAT E DHIMITRIT

Ka nisur një debat – se tani debate i quajnë edhe këto farë tallavash diskursive, të cilat e marrin modelin nga “talk show-t” televizive – për grabitësit dhe përvetësuesit në fushën e letrave.

Zhurmën e nisi (ri)botimi i një letre të Mitush Kutelit drejtuar Mustafa Greblleshit, të datës 28 gusht 1961, ku akuzohet Dhimitër S. Shuteriqi, ky eksponent i kulturës në periudhën e regjimit totalitar, shkrimtar, historian i letërsisë dhe filolog, për amoralitet dhe shpërfillje të së drejtës së autorit.

Letra lë të kuptojë edhe se Shuteriqi ka përvetësuar a vjedhur edhe një vepër letrare të Lef Nosit, personalitet i periudhës së Pavarësisë dhe më pas i dënuar prej komunistëve si kolaboracionist me gjermanët.

Këto janë pak a shumë faktet, por debat deri këtu nuk ka: ka vetëm sharje, shantazhe dhe ad hominem të njëpasnjëshme.

Lef-Nosi

Lef Nosi

Duke filluar që nga çfarë u bë shkas për (ri)botimin e letrës vetë: një deklaratë e Ben Blushit, eksponent i sotëm i PS-së dhe kundërshtar i vijës dhe i grupit drejtues të Ramës, në lidhje me Lef Nosin, i cili sipas tij nuk e meriton të ketë statujë në Elbasan sepse, pikërisht, ka qenë kolaboracionist.

Për ata që nuk e dinë: Ben Blushi e ka pasur gjysh Dhimitër S. Shuteriqin. Këto punë e vënë në lëvizje publicistikën në Tiranë, këto ua nxehin gjakrat faqeve në ueb: gjyshllëqet.

Letra e Kutelit është e vitit 1961. Nuk e kisha lexuar ndonjëherë, nuk mbaj mend ta kem parë gjëkundi: mbase është botuar, mbase jo.

Pyetja e parë që duhet të bëjë lexuesi: a është autentike kjo letër private? Sepse nuk shoh të citohet gjëkundi burimi i saj, nga ç’bibliografi a ç’arkivë është nxjerrë, si dhe pse.

Dhe pyetja e dytë: Mitrush Kutelin e duam fort si shkrimtar dhe personalitet të kulturës, dhe e dimë që është persekutuar rëndë nga regjimi totalitar; por kur dikush lëshon akuza të tilla si ato që përmenden në një letër (së cilës nuk ia kanë botuar as të paktën një faksimile), akuzat duhen verifikuar, para se të merren për të mirëqena.

Nëse Dhimitër S. Shuteriqi dhe të tjerë kolegë të tij që në thelb ishin të lidhur me regjimin totalitar dhe i shërbenin atij, kanë përvetësuar materiale – vepra letrare, studime, arkiva – nga eksponentë të deklasuar dhe të shfarosur të regjimit të mëparshëm, kjo çështje jashtëzakonisht serioze meriton të shihet me vëmendje dhe përparësi prej historianëve të letërsisë dhe filologëve.

Edhe unë kam dëgjuar për përvetësime veprash – që nga ato të dijetarëve dhe filologëve katolikë të Shkodrës; por edhe të tjera, që kanë përfunduar, si me magji, në tryezën e studimit të disa prej emrave më të shquar të periudhës komuniste.

Sikurse kam dëgjuar për përvetësime veprash nga njerëz gjysmë-anonimë dhe besnikë politikë që u gdhinë brenda natës në dijetarë dhe filluan të botojnë volume të hatashme, me bibliografi mijëra-titujsh, që do t’i kishin zili edhe murgjit shkrues të Mesjetës.

Krime të hatashme – që duhet së paku ekspozuar. Por si temë më vete, nga ekspertë të fushës dhe me prova e dëshmi; jo në kontekstin e një lufte mediatike, me ngjyra të forta politike, kundër një autori a politikani bashkëkohor, që me periudhën e krimeve në fjalë e lidh para së gjithash familja.

Dhe po ashtu, jo në kuadrin e një debati tjetër, për qëndrimin ndaj kolaboracionistëve – sepse asnjë lloj “tradhtie” nuk e përligj vjedhjen e veprave letrare dhe botimin e tyre me emra të tjerë.

Lef Nosit mund t’ia ngrenë dhe t’ia çngrenë statujën në Elbasan, në pajtim me shijet dhe pasionet politike të momentit – por vepra e tij në lëmin e kulturës, nëse është vjedhur dhe shkatërruar, kërkon drejtësi; dhe drejtësia kërkon prova. Fjalët dhe insinuatat e paverifikuara shpesh japin efekt të kundërt: i komprometojnë akuzat, duke i rrethuar me gjithfarë baltërash.

Përndryshe do të mbetemi në nivelin e një letre, të dalë në skenë kushedi si, që i ngulet në ballë një nipi, në emër të krimeve të supozuara të gjyshit. Teknika diletante, të një medie të specializuar në shantazh.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.