LET’S DO IT IN ENGLISH

Pasi njoftonte lexuesit për një veprimtari të mbajtur sot në Tiranë, për mbrojtjen e mjedisit, Shqiptarja.com me të drejtë pyeste pse ishin në anglisht dhe jo në shqip parullat që mbanin manifestuesit.

Duket si një çështje e vogël që e sjell përgjigjen me vete; por në të vërtetë ndihmon për të hapur një debat më të thellë për komunikimin publik sot në Shqipëri.

Një parullë e shkruar anglisht, me çdo gjasë, i drejtohet kujt atë gjuhë e lexon dhe e kupton. Meqë anglishtja është gjuhë ndërkombëtare, mund të supozohet – dhe unë do ta bëj këtë menjëherë – se synimi i kësaj anglishteje publike, në mes të kryeqytetit shqiptar, ka të bëjë me dëshirën për t’u ndier pjesë e një komuniteti të mbarëbotshëm, që shqetësohet për fatet e mjedisit dhe problemet që krijon ndotja dhe rrëgjimi i tij.

Nëse është kështu, atëherë ky manifestim i dërgon një sinjal botës, jo doemos qytetarit shqiptar. Përkundrazi, parullat në shqip do të interpretoheshin si një përpjekje për komunikim dhe veprim lokal – sikurse edhe ta do logjika se duhej vepruar, për të bërë diçka për mjedisin.

Sërish me hamendje, do të themi se parulla të shkruara në anglisht do të shfaqen në një “event” që po regjistrohet nga kamerat – foto dhe video – për t’u pasqyruar pastaj nga mass mediat, përfshi edhe rrjetet sociale; në kuptimin që kur “evente” të tilla e kapërcejnë kufirin midis realitetit dhe riprodhimit mass-mediatik, atëherë ato i flasin botës jo kontekstit; dhe vetë manifestimet shndërrohen në akte ose performanca skenike dhe anglishtja vjen aty si pjesë e butaforisë. Luhet më parë për kamerat, pastaj për Qytetin (me Q të madhe), pa çka se protesta ose shqiptimi paraqiten si “qytetare.”

english

Nuk di as mund të di përse i shkruajnë anglisht dhe jo shqip mesazhet e tyre këta manifestues në mes të Tiranës (qëllimin), por nuk ka nevojë ta di, nëse më intereson thjesht efekti i këtij gjesti.

Dhe efekti nuk mund të ndahet nga anglishtja vetë – në kuptimin që këto “evente” duket sikur bëhen ngaqë janë sponsorizuar nga organizata ndërkombëtare ose OJQ të financuara nga jashtë dhe ashtu anglishtja funksionon si një lloj alibie ose prove ose dëshmie se protesta për mjedisin është organizuar vërtet; përndryshe, le të pranojmë edhe një mundësi tjetër, sado teorike, dhe pikërisht atë që mbishkrimet e parullave janë në anglisht sepse të huajt janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Shqipëri.

Edhe një hipotezë e tretë, meqë i hymë kësaj loje: të huajt mund të mos kenë ndonjë faj për ndotjen dhe shkatërrimin e mjedisit te ne, por ata janë të vetmit që mund të bëjnë diçka, për ta ndaluar shkatërrimin dhe ndotjen; qoftë edhe duke ndihmuar për të denoncuar dhe pezulluar të gjitha ato investime ekonomike, që shoqërohen me kosto mjedisore të papranueshme.

Një mënyrë alternative, për t’iu qasur enigmës së anglishtes, është të nisesh nga financimet, ose të ndjekësh rrugën e parave – jo doemos për “evente” të tilla, sesa për OJQ-të që qëndrojnë pas tyre, sidomos në rrethanat kur një pjesë e madhe e shoqërisë civile në Shqipëri mbahet në këmbë artificialisht, nga financime që vijnë nga jashtë dhe që u shërbejnë interesave të palëve të treta, pa lidhje me interesat qytetare në Shqipëri.

Për këtë kategori OJQ-sh, e cila mëton të shërbejë si ndërfaqe midis vetëdijes qytetare lokale dhe botës, anglishtja nuk është vetëm gjuhë ndërkombëtare, por edhe e vetmja gjuhë; sepse organizatave të tilla, për të mbijetuar, u duhet detyrimisht anglishtja, e shkruar dhe e folur; por jo detyrimisht shqipja. Ato u japin llogari instancave që nuk flasin shqip, as kanë ndonjë interes të flasin shqip – në kuptimin që të përfshihen realisht në komunikim me bashkësitë lokale të interesuara, ose me stakeholders, siç i quajnë.

Anglishtja e përdorur në mënyrë demonstrative ose teatrale, si pjesë e performativitetit OJQ-ist, do të shërbejë, kështu, si gjuhë konstitutive e veprimtarive qytetare kësisoj të sponsorizuara dhe jo thjesht si mënyrë për të tërhequr vëmendjen e kamerave dhe të publikut përtej detit.

Në kuptimin që, po të mos flisnin anglisht, këto “evente” as që do të ishin mbajtur dot.

Tani, duhen edhe mirëkuptuar të gjitha ato organizata ose grupe që luftojnë për të mbijetuar, në konkurrencë mes tyre dhe në përpjekje për të siguruar fondet që u duhen; sidomos në kushtet kur qytetarët – në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri – nuk janë ende të gatshëm t’i mbështetin financiarisht, sepse i shohin si organizime për “të rrjepur” fonde të huaja, jo si instanca të shoqërisë së tyre civile.

Me këtë parasysh, le të shtojmë se disa nga problematikat që bëjnë publike këto OJQ, si kjo e mjedisit por edhe të tjera, janë tepër të rëndësishme, për t’u likuiduar si të ishin thjesht pjesë e përpjekjeve të disa individëve të shkathët për t’u marrë pará “të huajve.” Dhe mua pikërisht këtu më duket se ekziston rreziku kapital: që ftohtësia e qytetarit ndaj këtyre projekteve dhe problematikave, të perceptuara si të kota dhe vetëshërbyese për organizatorët e tyre, të djegë rëndësinë e tyre të mirëfilltë, për të ardhmen e të gjithëve.

Se si mund të zgjidhet ky konflikt i heshtur mes OJQ-ve e shoqërisë civile në atë masë që kjo mbështetet me fonde nga jashtë Shqipërisë nga njëra anë dhe qytetarit e publikut shqiptar nga ana tjetër, kjo kërkon debat më vete. Këtu le të mjaftohemi me një thirrje, krejt miqësore, për ta zëvendësuar anglishten me shqipen edhe para kamerave, madje sidomos para kamerave.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.