LEVERDIA E KULTURËS

nga Sead Zimeri

Ekziston një prirje e gjithanshme reduksioniste në qasjet që i bëhen kulturës në Perëndim në përgjithësi, dhe në Europë në veçanti. Për çfarë reduksionizmi bëhet fjalë më konkretisht? Është fjala për marketizimin e kulturës, matjen e vlerës së saj në vlera jo kulturore por tregu.

Tani nuk është më kultura si kulturë ajo që determinon përmbajtjen e (objekteve të) kulturës por është tregu: sa i leverdishëm në kthime financiare është një projekt kulturor, d.m.th., sa tregon tregu interes për një çështje kulturore, që do të arsyetonte investimet në të. Nëse nuk ka interes për të, atëherë edhe investimet dhe mbështetjet financiare ndërpriten, dhe si rrjedhojë ky aspekt i kulturës fillon të venitet dhe dikur edhe të shuhet krejtësisht.

Në një farë kuptimi ky proces i marketizimit (transformimit në vlerë tregtare) është i domosdoshëm për shumë dukuri që vërtet nuk kanë nevojë të ekzistojnë, për disa aspekte të kulturës që nxisin urrejtje dhe diskriminim ndaj tjetrit, për shembull. Shumë aspekte të këtilla të kulturës mbijetojnë vetëm sepse nuk jemi mjaftueshëm kritikë ndaj tyre, apo nuk kemi vullnetin dhe dëshirën që t’i flakim nga kultura.

Kështu që edhe pse nuk sjellin kurrfarë dobie kulturore, ato mbijetojnë si parazitë që konsumojnë mund dhe energji, por edhe resurset ekonomike. Problemi me këtë formë të çrrënjosjes së dukurive kulturore të padëshiruara, megjithatë, është se përzgjedhja bëhet jo nga perspektiva e vlerave kulturore, por nga ajo e leverdisë në treg. Është proces i verbër në kuptimin kulturor, ngase të njëjtin fat mund ta pësojnë edhe idetë që jo vetëm që nuk duhen shkatërruar, por që përkundrazi duhen kultivuar me të madhe, ngaqë ato janë të rëndësishme për mirëqenien e njeriut si njeri, madje përbëjnë substancën e asaj që mund të quhet njeri.

Do të ishte absurd të mendohet që aspekti i tregut mund të mënjanohet nga vlerësimet për investim në kulturë: vlera tregtare e tyre është pjesë e pandashme e shoqërisë moderne, por nuk mund të reduktohet vlera totale e tyre në vetëm një vlerë. Si rezultat i këtij reduktimi, sot po zhvillohet një kulturë njëdimensionale, jo historike dhe jo-komparative. Janë duke u krijuar gjenerata që nuk kanë idenë se kultura ka dimensione tjera përveç atyre të tregut, dhe që rrjedhimisht krijojnë kushtet për investimet vetëm në ato aspekte të kulturës që kanë vlerë tregu, që sjellin të ardhura. Kështu kultura e humb cilësinë e vet kulturore dhe fillon t’u shërbejë idealeve të tregut. Krijohet edhe një marrëdhënie varësie, madje edhe një rreth vicioz ku tregu krijon shijen kulturore dhe kultura e detyron tregun të investojë në atë që shitet.

Michael Glenwood

Michael Glenwood

Të investohet në kulturë për hir të kulturës është bërë një ide qesharake. Prandaj edhe nëpër universitete, fakultetet e shkencave humane, sidomos filozofia, po përjetojnë rënie drastike. Si rezultat i krijimit të njeriut njëdimensional, shumë pak interesim shfaqet për hibridizimin dhe zgjerimin e sferës kulturore. Rrjedhimisht po bëhet çdo ditë e më vështirë të bisedohet për gjëra të kulturës që nuk janë të marketizuara. Një protestant lexon, nëse lexon, vetëm për protestantizmin dhe ka njohuri të ngushta për kulturën së cilës i përket, por ai nuk ka idenë për mendimet dhe zhvillimet kulturore të tjera. Kjo shpejt shndërrohet në fanatizëm për kulturën vetjake, në paaftësi për të parë dhe vlerësuar kulturat e tjera nga këndvështrimet e tyre.

Zaten njohuria e tjetrit nuk mund as të presupozohet pa këtë aftësi për të parë botën nga këndvështrimi i tjetrit, që është tërësisht vështrim kulturor. Pa këtë përgatitje kulturore të gjerë jo vetëm që nuk do të jemi në gjendje që ta kuptojmë tjetrin, të krijojmë marrëdhënie të barabarta me të, ta respektojmë dhe të na respektojë, por njëkohësisht krijojmë edhe kushtet për konflikte ndërkulturore. Njeriu njëdimensional mund ta shohë botën dhe tjetrin vetëm përmes njëdimensionalitetit të tij dhe, në pamundësi të ngritjes mbi të, krijon iluzionin se çdo gjë që është e pëlqyeshme për të, është edhe e vërtetë.

Prandaj edhe nuk duhet të habitemi nga përhapja e ideve fashiste dhe lëvizjeve politike ultra të djathta në Europë. Sikurse për Walter Benjamin-in fashizmi ishte tregues i revolucionit të dështuar, po ashtu ai është indeks i dështimit kulturor, i krijimit të njëdimensionalitetit kulturor.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.