LIBRA APO KËPUCË?

Ministria e Kulturës promovon në faqen e vet Petrit Kozelin, “një këpucar-ambasador në Mantova”, motoja e të cilit është “të gjithë jemi instrumente. Japim mesazhe paqeje”, i njohur edhe si “këpucari i Papës” ose si “realizuesi i këpucëve me ngjyrat e flamurit italian dhe atij shqiptar.” Për këpucët që ia pat dhuruar Papës, bashkë me një mesazh dhe nën moton “ecim së bashku”, atij iu blatua titulli Commendatore dell Ordine di San Silvestro Papa. Siç mund të merret me mend, Kozeli është edhe “ambasador i Kombit”, një titull që ia paraqitën gjatë Festivalit të Letërsisë në Mantova.

Ky përkim i fundit, dhe pikërisht që titulli i Ambasadorit të Kombit iu dhurua një mjeshtri këpucar nga Shqipëria gjatë një eventi kushtuar letërsisë dhe librit, më solli në mend që edhe Tolstoi, në vitet e pleqërisë, u pat distancuar nga letërsia dhe kish filluar të mësonte si të bënte këpucë, me një mballomaxhi të zonës. “Një palë këpucë vlejnë më shumë se Lufta dhe Paqja” citohet të ketë thënë një herë. Që para Tolstoit, shkrimtari radikal Dmitr Pisarev pat shkruar se “preferonte të ishte më mirë një këpucar rus, se Rafaeli rus”; dhe se “një këpucar ishte më i rëndësishëm se Pushkini.” Edhe Bazarovi, heroi i Etër dhe Bij të Turgenjevit, thotë, mu para se të vdiste, nga një infeksion banal: “Mua ma pati nevojën Rusia… Jo, në fakt, nuk ma pati nevojën. Kujt ia kemi nevojën? Këpucarit ia kemi nevojën, rrobaqepësit ia kemi nevojën, kasapit…”

Që këtej ndoshta – por jo me siguri – edhe slogani i preferuar nga ndjekësit e Peronit në Argjentinë, të njohur edhe si ‘los descamisados’: alpargatas sí, libros no!, diçka si “këpucë po, libra jo!”, por alpargatas nuk janë thjesht këpucë, por këpucët më të lira, prej kanavace, që vishnin të varfrit (fr. espadrilles). Thuhet se, në vitet 1940, studentët e klasave të larta iu kundërvunë peronistëve me sloganin: no a la dictadura de las alpargatas, çfarë në shqip do të ishte diçka si poshtë diktatura e opingave. Që këtej, peronistët dolën në rrugë me sloganin: opinga po, libra jo.

When in doubt, tha, populism is the answer!

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.