LIBRA ULTRAVIOLET

Një shërbim falas rekomandimesh për libra të stinës, nga blogu Peizazhe të Fjalës nën kujdesin e veçantë të Ambasadadorit të Republikës së Spanjës në Tiranë, shkëlqesisë së tij Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno María de los Remedios Cipriano de la Santísima Trinidad Ruiz y Sala.

Krista – roman nga Rrezatima Gzhuta. Krista është Krista, vajzë e çuditshme, që i kalon ditët duke mëkuar një trumcak krah-thyer me fara lini. Pastaj në jetën e saj shfaqet Faunusi, një i ri bojëqiell nga një univers paralel, që flet një gjuhë vetëm me zanore. Të veshur lehtë, ata i ngjiten të dy malit të Trebeshinës, dhe atje e shpëtojnë një dervish të shkretë nga vdekja. Shtëpia botuese Rrukullima, 256 faqe, 800 lekë.

Çne? – roman pikaresk nga Agustin Llapi. Një urë e mbetur përgjysmë, një dashuri e prerë me sakicë, një rrfe që gzhat lisin e vetëm në pllajën e Llpasë. Protagonisti, i paemër, niset drejt kryeqytetit, rrugë e pa rrugë, me një tufë poemash me vete. E dashura e tij e njëhershme, jetimja Llepa, vdes befas nga një ngatërrim zorrësh dhe ashtu e merr sekretin në botën tjetër. Shtëpia botuese Rrukullima, 550 faqe, 1000 lekë.

Krista romanShpella e Dragomirës – roman historik nga Alma Shata-Schnaubel. Një rrëfim për rininë e mbretëreshës Teutë, gjahtare sorkadhesh dhe virtuoze e notit bretkosë në përrenjtë malorë të Dalmacisë së poshtme. Ende e virgjër por seksualisht kurioze, ajo ia mjekon plagët e mahisura gladiatorit romak Darius, i cili një ditë ëndërron ta rrëzojë përdhe Koloseun. Shtëpia botuese Bërdëllima, 400 faqe, 700 lekë.

Krista – novelë nga Krista Schnaubel-Kthella. Dy të rinj çekë, Krista dhe Schnaubel, kopulohen epshërisht në Bjeshkët e Namuna dhe atje ngjallin mërinë e huyt lokal Pandispan, i cili i detyron menjëherë të ecin zbathur mbi thëngjij të ndezur. Erotizmi gërshetohet me etnografinë, në këtë rrëfim të pasur alpin plot dritëhije dhe tundim. Shtëpia botuese Bërdëllima, 400 faqe, 700 lekë.

Zumrud – proza nga Oz Skad. I pari shkrimtar i ishujve Trobriand që përkthehet në shqip, i vjen lexuesit veror me një koleksion prozash të shkurtra, të cilat kanë fituar çmime ndërkombëtare anembanë Oqeanit Paqësor. Shtëpia botuese Ambasada, 300 faqe, 6 euro.

Cantagallo – roman i mbetur në tentativë, nga Silvio Bustamanti. Proza e parë e gjatë e këtij autori të parakohshëm, që këtë shtator mbush moshën 14-vjeçare. Botohet në shqip që para se të dalë në origjinal, me përkthimin mjeshtëror të Edit Brucajt. Shtëpia botuese Ambasada, 24 faqe me format të madh, 4 euro.

Vepra e plotë në prozë e poetit të pabotuar Dushko Plithi – botuar nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Arteve të Bukura, Këshillit të Traditës, Këshillit të Dijes Kombëtare, Institutit të Gjakut dhe të Komunikimit, dhe Ambasadës Arbëreshe në Tiranë. 1200 faqe, 5500 lekë.

Lizbeta – roman nga Anilina Ymza. Lizbeta është Lizbeta, vajzë e çuditshme, që i kalon ditët duke mëkuar një trumcak krah-thyer me fara lini. Pastaj në jetën e saj shfaqet Faunusi, një i ri bojëqiell nga një univers paralel, që flet një gjuhë vetëm me zanore. Të veshur lehtë, ata i ngjiten të dy malit të Trebeshinës, dhe atje e shpëtojnë një dervish të shkretë nga vdekja. Shtëpia botuese Rrukullima, 256 faqe, 800 lekë.

Unë bëra seks në makinë – rrëfim intim nga Suela Xathi. Njëkohësisht erotikë e rafinuar dhe manual i teknikave zen-seksuale, ky libër shoqërohet nga një DVD e prodhuar nga autorja. Shtëpia botuese Prapaskena, 3000 lekë.

Afsha – roman për të rinj nga Ada Pashtriku. Afsha është bushtra e vetëm në lagje: të gjithë qentë lënë kokën për të. Alegori e zhvillimit seksual të harlisur dhe e dramave erotike të pubertetit të parakohshëm, ky roman lexohet me një frymë. Shtëpia botuese Prapaskena, 200 lekë.

Unë bëra seks në majë të vinçit – rrëfim intim nga Suela Xathi. Njëkohësisht erotikë e rafinuar dhe manual i teknikave zen-seksuale, ky libër shoqërohet nga një DVD e prodhuar nga autorja. Shtëpia botuese Prapaskena, 3000 lekë.

Horoskopi i të brendshmeve – nga Sibel Bucuk. Ky best seller në atdheun e autores, Turqi, përmban këshilla për kombinimin e veshjeve intime sipas shenjave të Zodiakut, duke garantuar një paraqitje të suksesshme dhe tërheqëse, për femrën që nuk ia lejon vetes të gabojë. Vjen në shqip me përkthimin e Abdullah Rrahmanit, shtëpia botuese Sekreti i Viktorisë, 900 lekë.

Fjalor i plazhit – nga Llambro Gjiknuri. Fjalë të dobishme ose thjesht argëtuese për stinën, të vëna në rresht nga një mjeshtër i zbutjes së leksikut. Shtëpia botuese Parreno, 700 lekë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.