LIBRI SHËRON

Rastisa këto ditë të lexoja diçka për biblioterapinë: siç e sugjeron fjala, terapinë nëpërmjet librave. Por nuk e çova dot më tej leximin, as u vura të qëmtoj, sepse më përmbytën imagjinata dhe shoqërimet e mendimeve.

Terapia nëpërmjet librave – m’u përfytyrua si litar i tendosur fort mes dy skajeve: Biblës, për hir të emrit por edhe të fuqisë terapeutike të konfirmuar; dhe universitetit, si vendi ku, në fakt, prej shekujsh ofrohet terapi nëpërmjet librit – për kokat e pagdhendura, kokat e zbrazëta dhe… kokat e pashtruara.

Shkolla si spital kundër antikonformizmit: ja një institucion total që të bën të mendosh.

Për ca si unë, pastaj, që vijnë nga regjime të tjera njëlloj anijet ndëryjore, të gatshme për t’u përballur me efektet e paradoksit të binjakëve, biblioterapia zgjon nga gjumi makthe kampesh ri-edukimi, ku të burgosurve u lexohen pjesë nga “veprat”; ose edhe spitalesh të mirëfillta, në Kinën e Maos, ku leximet në grup të libërthit me citate shërojnë sëmundje të pashërueshme, ngrenë në këmbë sakatët, u kthejnë sytë të verbërve dhe gjallërinë komatozëve; pa folur për zëvendësimin e narkozës dhe mrekulli të tjera.

Biblioterapia: e thotë vetë fjala, terapia nëpërmjet librit. Por kjo sjell me vete dy interpretime në konflikt mes tyre – dhe pikërisht, midis terapisë nëpërmjet leximit si aktivitet, jo doemos të një libri; dhe terapisë nëpërmjet librit, por jo doemos duke e lexuar. Kështu do të mund të flisnim për efektin terapeutik të Twitter-it (që gjithashtu lexohet), ose të Snapchat-it nga njëra anë; por edhe efektin shërues të atyre që blejnë libra dhe i ekspozojnë në bibliotekat personale, ose të atyre të tjerëve që vizitojnë librari ose biblioteka; dhe më në fund, të atyre që shkruajnë libra.

Një imazh: i sëmuri në sallën e operacionit; përballë një komisar duke i lexuar me zë nga libri i Citateve të Maos, dhe një çetë mjekësh dhe infermierësh me maska, gati për të filluar ndërhyrjen pa narkozë. Biblioterapia, si formë e psikoterapisë dhe, në analizë të fundit, e një qasjeje freudiane ndaj psikes, çarmatoset krejt para kësaj mrekullie ideologjike të maoistikës (në mos të maoizmit).

Një imazh i kundërt: vitrinat mbi rrugë të një palestre ultra-moderne, nga ku kalimtarët mund të shohin masën e trupave në aktivitet fizik pothuajse të sinkronizuar, duke ndërvepruar me makinat. Jetojmë në kohëra të zymta, kur njerëzit e kanë për mburrje të thonë se “po shkojmë në gym” dhe për turp të thonë se “po shkoj në bibliotekë”. Kulti i trupit e ka mposhtur kultin e mendjes.

Që këtej edhe imazhi ekstrem i biblioterapisë: një palestër ku fizio-besimtarët kaliten duke ngritur dhe transportuar libra të rëndë – për shembull fjalorë historikë, koleksionet e Fletores Zyrtare ose, idealisht, Enciklopedinë Sovjetike.

Nuk më shqiten këto fantazi, sepse nuk ia jap dot pafajësinë idesë se librat mund të përdoren për të kuruar diçka – një obsesion, një frikë, një paranojë, një ankth. Ngaqë theksin e vë, pa dashur, te folja përdoren. I vetëdijshëm se po përsërit veten, po dua ta them sërish: jetojmë në kohëra të zymta, ku librat po i përligj vetëm mundësia për t’i përdorur off-label, ose përtej destinacionit të tyre të natyrshëm.

Asgjë të re, te ky ri-përdorim: në shekuj, librat janë përdorur për të ndezur zjarre dhe për të ushqyer cjepërit; për të bllokuar dyer dhe për të zbukuruar mure; për të fshehur brenda pistoleta dhe për të fshehur brenda letra dashurie.

Përkundrazi, e reja është që libri, si i tillë, duhet ta përligjë ekzistencën duke u ofruar për gjithfarë përdorimesh të papritura: nga indoktrinimi, te ngritja e peshave.

Për herë të tretë: jetojmë në kohëra të zymta, kur të qëllon të entuziazmohesh ngaqë lopët prodhojnë më shumë qumësht, po t’u vësh të dëgjojnë Mozart-in.

Mirëpo ideja e librit si ilaç për çfarë po të mundon, më duket se e ruan të drejtën e apelimit.

Le të përfytyrojmë një të ardhme kur ti shkon në një bibliotekë klinike dhe i thua autoritetit atje: më jep diçka për të fjetur më mirë. Ose: më duhet një libër i mirë kundër ankthit.

Edhe një mundësi tjetër: biblioterapia si komplot autorësh dhe botuesish, për t’i nxitur të shumëvuajturit të lexojnë më shumë.

Libri të bën të bukur. Libri në dorën tënde bëhet i bukur. Libri është sexy. Libri është sekreti i njerëzve të suksesshëm. Më thuaj ç’libër lexon… Libri shpëton jetë njerëzish. Si mësova të lexoj për së dyti. Libri: droga e mirë, që të hap dyert e kulturës.

Po e lë me kaq, se nuk po dua të tingëlloj si fushatat promocionale të Ministrisë së Kitsch-it.

Dhe këtu do të ngrihet kundër-filozofi për të thënë: po sikur kura ta rëndojë edhe më sëmundjen? Po sikur pacienti të vrasë, pasi të ketë lexuar “Krim e ndëshkim”? Sikur t’i bëjë gjë vetes, pasi të ketë mbaruar “Vuajtjet e djaloshit Verter?” Sikur t’i shpifet paranoja, që pa ia nxjerrë fundin “1984”-ës së Orwell-it? Sikur të fillojë revolucionin, duke e lënë përgjysmë “Ç’të bëjmë?” të Leninit?

Po sikur? Po sikur? Po sikur lexuesit “t’i ngjitet” libri, siç të ngjitet gripi nga një e teshtitur e tjetrit?

E kam një përgjigje edhe për këtë: biblioterapia jo si lexim dhe përvetësim i një teksti, por si projeksion i mundimit/patologjisë sonë mbi kanavacën e virgjër të librit.

“Populli” do të thoshte: të hapësh një vrimë dhe t’ia rrëfesh të gjitha.

Biblioterapia, pra, jo si rrugëdalje, por si ngushëllim. Çfarë tingëllon edhe në harmoni me evolucionin modest të psikoterapisë: nga doktor vetëm ti mund të ma shkoqitësh hallin, te doktor, vetëm ti mund të ma qash hallin.

Ose shndërrimi i bibliotekave në qajtore.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.