LIRIA NË PYJET ILIRIKE

nga Thoma Morina

(Oratorio në vitin e përvjetorëve)

Shënim : Para disa kohësh, mes njerëzish me të cilët ndanim të njëjtat angazhime – politike, por dhe më tej – u shtrua çështja e nevojës, ndoshta, të një Manifesti. Shpejt, por dhe pamjaftueshëm, për shumë arsye ose asnjë, si gjithmonë, nuk munda të sugjeroja nga ana ime tjetër fillesë, pos kësaj më poshtë. Dhe aty mbeti. Mirëpo, përsëritjet e kohës, rikthimet e së njëjtës, kokëfortësia e inertes në sundim e sipër janë në fakt dhe shtysat kryesore pse kolektiva të gjithandejshëm, të etur për pak risi, nisin të duan të bëjnë manifeste – dhe nganjëherë treten me aq. Mirëpo, vitin e kaluar, ndërsa shqiptarët merrnin sërish arratinë në masë, u harrua si me magji 20-vjetori i ‘97-ës dhe 100-vjetori i Tetorit ‘17, thua se të dyja këto data s’kishin të bënin « me ne » ; mirëpo, me më yrysh akoma, bile edhe pas qullit djegës të « tortës së Pavarësisë », ja ku u zyrtarizua mono-viti i Skënderbeut, diku cepave edhe ai i 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, dhe me sa dëshirë të pathënë të tjera ‘8-a u harruan, vrullshëm-e-me-nge, sipas një ethosi tipik të shpolitizimit në kohët (dhe viset) tona. Prandaj, kur mësova, vetëm dje, në ditën e « festës » kombëtare – nga një koment i D. Kokonozit te « Peizazhet » – se në vitin e trazuar 1968 « shpërtheu edhe një lëvizje e fuqishme protestash në Kosovë, në zemër të së cilave ishte Shkolla e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren », m’u duk kjo si hakmarrje imanente e atyre viteve me 8 (1818, 1848, 1868…), pikërisht aty ku më së shumti po i gufosnin « tanët » : Well said, old mole! Dhe m’u duk, po ashtu, se fundja kjo protestë ‛pedagogjike’ e harruar në Prizren nuk ishte dhe aq pa lidhje me atë Lidhjen që kishte mbetur e vetme në simbolikën e ngushtuar të Prizrenit dhe se lajmëronte, po të dinim ta lexonim, të tjera Lidhje e Lëvizje. Për ta rizgjuar mundësinë e këso lidhjeve, krahas ose dhe kundër atyre nyjeve molare që po na bëhen komb në tru(p) e mendje (« thumb i ngulur në tru t’njerëzis ») mendova ta riparaqes, në formë lutjeje pa adresë, propozimin e shartuar, që u pat refuzuar gjetiu. Në lëmshin e gjithë këtyre nyjeve, thashë të tentoj edhe unë (?) të provokoj rrjeti/ën rastësor/e të takimeve të mia.

(Th. M.)

*          *

‟Dont la belle jeunesse s’use

À démêler le tien du mien”

Louis Aragon, L’Etrangère

Po të donim të niseshim nga vetë statu quo-ja shqiptare, – qoftë edhe në të vetmen formë të përshtatshme, dhe pikërisht në formën negative – rezultati prapëseprapë do të mbetej një anakronizëm. Edhe mohimi i së tashmes sonë politike gjendet tashmë në depon e historisë së popujve modernë, si një e kaluar e mbuluar me pluhur. Po të hedhësh poshtë paruket e pudrosura, prapë do të kesh të bësh me paruke, edhe pse të papudrosura.

Po, historia shqiptare mburret me një lëvizje që asnjë popull nuk e ka kryer në horizontin e historisë para saj dhe të cilën asnjë popull s’ka për ta imituar në të ardhmen. Ne ndamë me popujt modernë privatizimet, por nuk ndamë me ta revolucionet e tyre. Ne jetuam periudhat e privatizimit, së pari, sepse popujt e tjerë morën guximin të hidheshin në revolucion, dhe, së dyti, sepse popujt e tjerë patën vuajtur nga një kundërrevolucion ; në rastin e parë, sepse sundimtarët tanë kishin frikë dhe në të dytin – sepse sundimtarët tanë nuk kishin frikë. Me barinjtë tanë në krye ne zakonisht e kemi parë lirinë vetëm një herë – ditën e varrimit të saj.

Një shkollë që përligj poshtërsinë e sotme me poshtërsinë e djeshme, që cilëson rebele çdo britmë të katunarëve kundër kamxhikut, mjaft që ky kamxhik të jetë një kamxhik i vjetër, ligjor, i trashëguar, historik ; një shkollë së cilës historia i tregon, ashtu siç i tregonte perëndia e Izraelit shërbëtorit të vet, Moisiut, vetëm a posteriori-në e vet, – kjo shkollë historike e autoktonisë do ta kishte shpikur, pra, historinë shqiptare, po të mos ishte vetë një shpikje e historisë shqiptare. Si një Shylock i vërtetë, por një Shylock shërbëtor, ajo për çdo librë mish të prerë nga zemra e popullit bën bé për senetin e vet, për senetin e vet historik, për senetin e vet shqiptar.

Përkundrazi, disa entuziastë shpirtmirë, iliromanë nga gjaku dhe liberalë nga refleksioni, e kërkojnë historinë e lirisë sonë, jashtë lirisë sonë – në pyjet e virgjëra ilire. Por nga se do të dallohej historia e lirisë sonë nga historia e lirisë së derrit të egër, në qoftë se ajo do të mund të gjendej vetëm nëpër pyje ? Pastaj, dihet se ç’britmë të lëshosh në pyll, atë oshëtimë do të dëgjosh. Le t’i lëmë të qeta, pra, pyjet ilire !

*          *

Luftë sistemit shqiptar ! Luftë medoemos ! Ky sistem është nën nivelin e historisë, ai qëndron më poshtë se çdo kritikë, por ai mbetet, megjithatë, objekt i kritikës, ashtu siç mbetet objekt i xhelatit krimineli, që është nën nivelin e njerëzishmërisë. Në luftën kundër këtij sistemi kritika nuk është pasion i arsyes, por arsyeja e pasionit. Ajo nuk është një skalpel anatomik, por një armë. Objekti i saj është armiku i saj, të cilin ajo nuk kërkon ta kundërshtojë, por ta asgjësojë. Sepse fryma e këtij sistemi është hedhur poshtë me kohë. Ai në vetvete nuk e meriton vëmendjen tonë – ai ekziston si diçka aq e përbuzshme, sa edhe e përbuzur. Kritika nuk ka përse të sqarojë qëndrimin e saj ndaj këtij objekti – ajo ka larë çdo hesap me të. Kritika nuk vepron më si qëllim në vetvete, por vetëm si mjet. Patosi i saj kryesor është indinjata, detyra e saj kryesore është denoncimi.

Është fjala për përshkrimin e një presioni të madh reciprok që ushtrojnë të gjitha sferat shoqërore njëra mbi tjetrën, e një pakënaqësie pasive të përgjithshme, e një ngushtësie që shprehet njëlloj si në vetmadhnimin, ashtu edhe në vetposhtërimin – e çdo gjëje që përfshihet në kuadrin e një sistemi qeveritar, i cili rron duke ruajtur gjithfarë poshtërsish dhe që vetë nuk është gjë tjetër veçse poshtërsia e mishëruar në qeverinë.

Ç’spektakël ! Shoqëria po copëtohet pa fund në kasta nga më të ndryshmet, që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës me antipatitë e tyre të vogla, me ndërgjegjen e tyre të papastër e me mediokritetin e tyre trashanik, dhe është pikërisht ky qëndrim reciprok ekuivok e plot mosbesim që u jep mundësi sundimtarëve të tyre të sillen me të gjitha ato pa dallim – ndonëse me formalitete të ndryshme – si me qenie që jetojnë vetëm në saje të mëshirës së autoriteteve. Bile edhe faktin që ata i sundojnë, i qeverisin e i zotërojnë, ato janë të detyruara ta pranojnë dhe ta shpallin si hir të qiellit ! Kurse në anën tjetër ndodhen vetë sundimtarët, madhështia e të cilëve është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e tyre !

Kritika që merret me këtë objekt është kritika e përleshjes trup me trup, dhe në përleshjen trup me trup nuk ka rëndësi nëse është fisnik kundërshtari, nëse ka të njëjtën prejardhje, nëse është i hijshëm apo jo, – rëndësi ka që ai të goditet. Është e domosdoshme të mos u lihet shqiptarëve asnjë minutë për të gënjyer veten dhe për t’u nënshtruar. Shtypja e vërtetë duhet të bëhet edhe më shtypëse, duke i shtuar vetëdijen e shtypjes ; turpi të bëhet edhe më i turpshëm, duke e shpallur botërisht atë. Çdo sferë e shoqërisë shqiptare duhet të paraqitet si partie honteuese e shoqërisë shqiptare, duhet të detyrohet ky sistem i ngurtë të hedhë valle, duke kënduar meloditë e veta ! Duhet të detyrohet populli të tmerrohet nga vetja e vet, për të zgjuar në të trimërinë. Me këtë do të plotësohet një nevojë e ngutshme e popullit shqiptar, dhe vetë nevojat e popujve janë shkaku vendimtar i plotësimit të tyre.

Biles, edhe për popujt e tjerë modernë nuk mund të mos paraqesë interes kjo luftë kundër brendisë së kufizuar të statu quo-së shqiptare, sepse statu quo-ja shqiptare është përkryerja e hapët e feudalizmit, dhe feudalizmi është vesi i fshehtë i shtetit modern. Lufta kundër së tashmes politike shqiptare është luftë kundër së kaluarës së popujve modernë, ndërsa jehona e kësaj të kaluare vazhdon të rëndojë ende mbi këta popuj. Për ta është mësimdhënës të shohin se si ancien régime, i cili e kaloi tragjedinë e vet pranë tyre, po e luan komedinë e vet si shqiptari i kthyer nga ajo botë.

Historia dhe fundi i rendit të vjetër ishin tragjike. Përkundrazi, regjimi shqiptar i sotëm – ky anakronizëm, kjo antitezë flagrante e aksiomave të pranuara nga të gjithë, ky nulitet i ancien régime, i nxjerrë në pah faqe gjithë botës – vetëm sa kujton se i beson vetes dhe kërkon që edhe bota të kujtojë kështu. Në qoftë se ai do të besonte me të vërtetë në thelbin e vet, pse do ta fshihte ai atë nën dukën e një thelbi tjetër dhe të kërkonte shpëtimin e vet në hipokrizinë dhe sofizmat ? Feudalizmi spektakolar i sotëm është më tepër komediani i një rendi botëror, heronjtë e vërtetë të të cilit kanë vdekur. Faza e fundit e një forme historike është komedia e saj. Perëndive të Greqisë, që u plagosën një herë për vdekje – në formë tragjike – në Prometeun e lidhur të Eskilit, iu desh të vdisnin edhe një herë – në formë komike – në Dialogjet e Lukianit. Pse ndjek këtë rrugë historia ? Kjo është e nevojshme që njerëzimi të ndahet me gaz nga e kaluara e tij. Pikërisht, një zgjidhje të tillë historike gazmore kërkojmë ne për autoritetet politike të Shqipërisë.

Por në çastin kur vetë realiteti shoqëror dhe politik modern bëhet objekt i kritikës, kur, si pasojë, kritika ngrihet deri në problemet me të vërtetë njerëzore, – ajo del përtej caqeve të statu quo-së shqiptare ; përndryshe ajo do ta trajtonte objektin e vet në një nivel që është nën nivelin e vërtetë të këtij objekti. Ja një shembull ! Raporti i industrisë, në përgjithësi i botës së pasurisë, me botën politike është një nga problemet kryesore të kohëve moderne. Në ç’formë po fillon të ngjallë interesimin e shqiptarëve ky problem ? Iliromania u shpërngul nga njeriu në materien, dhe kësisoj, një mëngjes të bukur kalorësit tanë të pambukut dhe heronjtë tanë të hekurit u gdhinë patriotë. Pra, në Shqipëri po fillojnë ta njohin sovranitetin e monopolit brenda vendit, duke i dhënë monopolit sovranitetin jashtë. Në Shqipëri, pra, sapo kanë zënë të përgatiten për të filluar atë gjë, së cilës në vendet e tjera po përgatiten t’i japin fund. Rendi i vjetër i kalbur i ‘patriotizmit neoliberal’, kundër të cilit po ngrenë krye teorikisht këto vende, dhe të cilin ato vetëm se e durojnë ende, siç durohen prangat, në Shqipëri përshëndetet si agimi i një të ardhmeje të mrekullueshme, që sapo merr guximin të kalojë nga teoria dinake në praktikën më të paturpshme. Në një kohë kur në vendet e tjera problemi shtrohet : ekonomi politike apo sundim i shoqërisë mbi pasurinë, në Shqipëri ai shtrohet kështu : ekonomi kombëtare apo sundim i pronës private mbi kombin. Në vendet e tjera fjala është për heqjen e monopolit të zhvilluar deri në caqet e tij të fundit ; kurse në Shqipëri – për ta zhvilluar monopolin deri në caqet e tij të fundit. Atje bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes, këtu bëhet fjalë vetëm për kolizion. Ky është një shembull mjaft i qartë që na tregon se në ç’formë shtrohen një Shqipëri problemet e kohës së sotme, shembull që tregon se historia jonë, si një rekrut që përsërit ushtrime të vjetra, e ka quajtur deri tani për detyrë vetëm të përsërisë histori bajate.

*          *

Lind pyetja : a mund ta arrijë Shqipëria një praktikë në nivelin e parimeve të saj, d.m.th. një përmbysje që të mund ta ngrejë Shqipërinë, jo vetëm në nivelin zyrtar të popujve modernë, por edhe në lartësinë njerëzore, që do të jetë e ardhmja më e afërt e këtyre popujve ?

Arma e kritikës, natyrisht, nuk mund të zëvendësojë kritikën me armë, forca materiale duhet të mposhtet po me forcën materiale ; por edhe teoria bëhet forcë, kur ajo bën për vete masat. Teoria mund t’i bëjë për vete masat kur ajo provon ad hominem, dhe ajo provon ad hominem atëherë kur bëhet radikale. Të jesh radikal, do të thotë ta kuptosh një gjë me rrënjë. Por rrënjë për njeriun është vetë njeriu. Provë e qartë e karakterit radikal të teorisë është kur, duke u nisur nga parimi se njeriu është qenia më e lartë për njeriun,  ajo arrin në imperativin kategorik që urdhëron të përmbysen të gjitha merrëdhëniet, në të cilat njeriu është qenie e poshtëruar, e skllavëruar, e pafuqishme, e përbuzur – ato marrëdhënie të cilat nuk mund të karakterizohen më mirë përveçse me fjalët që tha një francez kur po bëhej projekti për të vënë një taksë mbi qentë : « Të shkretët qen ! Duan t’ju trajtojnë juve ashtu siç trajtojnë njerëzit ! »

Por, me sa duket, një revolucion radikal shqiptar pengohet nga një vështirësi shumë e madhe.

Puna është se revolucionet kanë nevojë për një element pasiv, për një bazë materiale. Teoria vihet në jetë në çdo popull gjithnjë në atë masë që ajo është plotësim i nevojave të tij. Por a do t’i përgjigjet mospërputhjes së tmerrshme që ekziston midis kërkesave të mendimit shqiptar dhe përgjigjeve që u jep atyre realiteti shqiptar – a do t’i përgjigjet kësaj mospërputhjeje e njëjta mospërputhje midis shoqërisë civile, shtetit dhe vetvetes ? A do të bëhen nevojat teorike drejtpërsëdrejti nevoja praktike ? Nuk mjafton që mendimi të synojë të bëhet realitet, vetë realiteti duhet të synojë drejt mendimit.

*          *

Ku qëndron, pra, mundësia pozitive e emancipimit shqiptar ?

Përgjigje : në formimin e një klase të lidhur me pranga radikale, të një klase të tillë të shoqërisë civile, që nuk është klasë e shoqërisë civile ; të një rendi të tillë, që është produkt i shpërbërjes së të gjitha rendeve ; të një sfere të tillë, që ka një karakter universal për shkak të vuajtjeve të saj universale dhe nuk kërkon kurrfarë të drejtë të veçantë, sepse mbi të nuk rëndon një padrejtësi e veçantë, por padrejtësia në përgjithësi, e cila nuk mund të mbështetet më në të drejtën historike, por vetëm në të drejtën njerëzore, e cila nuk është në kundërshtim të njëanshëm me pasojat që rrjedhin nga rendi shoqëror shqiptar, por në kundërshtim të gjithanshëm me premisat e tij ; të një sfere të tillë, më në fund, që nuk mund ta emancipojë veten, pa u emancipuar nga të gjitha sferat e tjera të shoqërisë dhe pa emancipuar, njëkohësisht të gjitha sferat e tjera të shoqërisë, me një fjalë të një sfere të tillë, që është humbja e plotë e njeriut dhe prandaj nuk mund ta ringjallë veten veçse me ringjalljen e plotë të njeriut. Ky rezultat i shpërbërjes së shoqërisë , si status, si një shtresë e veçantë, është kokëpalariati.

*          *

Ashtu siç gjen filozofia te kokëpalariati armën e vet materiale, ashtu dhe kokëpalariati gjen te filozofia armën e vet shpirtërore, dhe, me të shkrepur vetëtima e mendimit mbi këtë truall të virgjër popullor, shqiptari do të emancipohet dhe do të bëhet njeri.

© 2018, autori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.