LLOGARI DHE DETYRË

nga Gresa Hasa

Përgjigjja që znj. Kumbaro i ka dhënë aktorit Robert Ndrenika në faqen e saj personale në Facebook, pas fjalimit që ky i fundit mbajti disa ditë më parë në mbledhjen e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Teatrit, është e diskutueshme në disa pika. Z. Ndrenika shprehu veçanërisht shqetësim për zhvendosjen e godinës së Teatrit Kombëtar në mjediset e asaj që tashmë njihet si skena artistike “Turbina” dhe abuzimit të pushtetit aktual me grabitjen e hapësirave publike për të ndërtuar mbi to kulla private biznesi ose për t’i kthyer ato në shtojca të këtyre kullave të cilat kanë mbirë në qytet si kërpudhat pas shiut. Fjalimin e z. Ndrenika e gjeni këtu[1].

Protesta legjitime e artistëve përveç çështjes së zhvendosjes nga godina historike e Teatrit Kombëtar, përqendrohet edhe te ndryshimet në projektligjin “Për artin dhe kulturën”[2] ku parashikohet që Teatri Kombëtar sikurse Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të jenë të varura drejtpërdrejt nga Ministria e Kulturës dhe të jetë kjo e fundit që të emërojë dhe shkarkojë drejtuesit e anëtarët e bordeve të këtyre institucioneve, një vendim ky që sipas artistëve cenon statusin e tyre profesional. Përpos këtyre çështjeve urgjente, artistët janë indinjuar edhe për kushtet ku ndodhet arti dhe mënyrën se si ata janë trajtuar deri më tash.

Duhet të ngremë një valë të madhe protestash kundër kësaj arrogance, është shprehur gjatë takimit aktori Neritan Liçaj. Ndërsa aktori Arben Derhemi ka vënë në dukje mungesën e transparencës së qeverisë duke ironizuar faktin që sipas tij nuk dihet se si do të jetë godina e re marramendëse dhe fantastike e teatrit të ri pasi nuk ka një projekt konkret. Fjalën e z. Liçaj dhe të z. Derhemi e gjeni këtu[3].

Ndërkohë znj. Kumbaro e ka parë të udhës t’i vendosë përpara përgjegjësisë aktorët dhe regjisorët e Teatrit Kombëtar duke i kritikuar teksa tingëllon sikur po u “kërkon llogari” atyre për faktin që më herët kur Partia Socialiste nuk ishte në pushtet, këta të fundit s’kanë protestuar për çështje dhe probleme që sipas ministres duhej reaguar patjetër. Duke iu drejtuar në distancë aktorit Ndrenika, Znj. Kumbaro shprehet:

Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert.

Unë mendoj se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë duhej të kishte reaguar fort kur qeveria në vitin 2008-2009 vendosi të investojë rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës, dhe ku pasi shpenzoi gjysmën e kësaj shume e braktisi atë projekt për ta shkatërruar krejt piramidën në përfitim të një projekti tjetër për parlament, duke na lënë sot një ngrehinë të dëmtuar rëndë nga këto ndërhyrje dhe për çka duhen të paktën 20 milionë euro për ta rehabilituar e rifunksionalizuar. Nuk kujtoj që aktorët të kenë reaguar asokohe për paratë e groposura për dreq, gjynah! për të mos thënë kriminale!

Unë mendoj se komuniteti i aktorëve ka pasur të drejtë kur mërzitej ndonëse nuk u ngrit në protestë kur aktorët në Teatër Kombëtar dhe muzikantët në TOB emëroheshin pa kurrfarë konkursi, me një telefonatë politike nga lart, dhe kur aktorë të rinj nuk e arrinin dot skenën, ndonëse në Teatrin Kombëtar kishte jo pak aktorë që prej vitesh merrnin rrogën pa hipur një herë në skenë.

Unë mendoj se ishte shumë e trishtuar kur Teatri Kombëtar u katandis me 2 premiera në vit dhe me javë të tëra ku s’jepej asnjë shfaqje, por nuk kujtoj ndonjë protestë për këtë, ndonëse me shumë të drejtë të gjithë qaheshin nëpër kafene.

Nuk di të them se sa profesionalisht etike është kjo gjuhë me tone padronizuese dhe arrogante por mendoj se njerëzit reagojnë atëherë kur bëhen të ndërgjegjshëm ose kur mësojnë si të organizohen më mirë njëri me tjetrin. Nuk mund të anashkalohet as fakti se në Shqipëri shumëkush ka ende frikë të reagojë sepse historia politike jona ka treguar se pushteti ka marrëzinë në mos t’i marrë jetën qytetarëve të vet siç bëri me katër burrat që i vrau nga godina e kryeministrisë më 21 janar 2011, t’ia vështirësojë atyre çdo ditë të gjallë duke i kërcënuar me heqje nga puna ose me forma të tjera shantazhi. Ka shumë arsye se pse njerëzit në një vend si Shqipëria nuk protestojnë, mungesa e mjeteve të duhura, varfëria dhe këpuca e hekurt e qeverive janë sidomos disa prej tyre, sikurse mund të jetë edhe mungesa e kulturës politike apo e ndërgjegjes qytetare paçka se kjo fundit bie poshtë, për aq kohë sa shumëkush artikulohet kundra pushtetit në qarqe të mbyllura (por jo vetëm) siç vë në dukje edhe znj. Kumbaro çka lë të kuptohet se ekziston ndërgjegjja por ende jo guximi. Problemi kaherë rezulton të jetë sidomos mënyra se si pushteti në këto 27 vjet e ka imponuar vetveten. Megjithatë, ndoshta s’vlen asnjëra prej këtyre arsyeve se pse 8-9 vite më parë nuk qenkësh protestuar dhe në fakt s’ka fort rëndësi. Artistët janë ngritur në protestë sot, kundër vendimeve dhe sjelljes së një qeverie në mandatin e dytë të saj. Ata janë mbledhur bashkë dhe kanë përpiluar disa kërkesa për qeverinë, më kryesorja prej të cilave është transparenca në vendimmarrje dhe moscenimi i lirisë artistike dhe statusit të artistit. Do të ishte më e shëndetshme për këtë komunikim dypalësh nëse zonja ministre thjesht t’u përgjigjej artistëve për pyetjet që ata kanë, duke lënë mënjanë kritikën e paqëndrueshme dhe bashkë me të (gjej rastin të shtoj) numërimin e punëve që qeveria –kujtojmë – ka për detyrë t’i kryejë.

Unë mendoj se shteti ishte i vonuar në ndërhyrjet që bën për restaurimin e Teatrit Migjeni në Shkodër, për rindërtimin e Teatrit Çajupi në Korçë, për rindërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, për ndërtimin e Qendrës së re teatrale Turbina që po shkon drejt përfundimit,

vazhdon ministrja duke justifikuar mungesën e investimit dhe vëmendjen në përgjithësi ndaj artit dhe artistëve në vend që përbëjnë një prej kategorive më të nëpërkëmbura shoqërore të cilëve pushteti i ka marrë gjithçka, i ka lënë pa të tashme, pa të ardhme, pa profesion, pa para, pa dinjitet dhe tashmë do t’i lërë edhe pa pavarësi e godinë pune sepse fundja, konteksti ynë politik njeh për artist vetëm kryeministrin që e përdor pushtetin edhe për të promovuar vetveten në një rol të tillë bashkë me ca personazhe të rretheve artistike dhe kulturore afër tij. Të tjerët nuk ekzistojnë nëse nuk pranojnë t’i binden këtij pushteti në mënyrë që të fitojnë prej tij sadopak ekzistencë artistike.

Por teksa jemi te kritika, kam frikë se znj. Kumbaro harron që është në pozitën e ministres dhe jo në atë të një aktivisteje të shoqërisë civile. Na takon ne qytetarëve t’i kërkojmë llogari udhëheqësve se ç’bëjnë me paratë e taksapaguesve dhe si e përdorin pushtetin, jo anasjelltas. Dhe meqë znj. Kumbaro shpreh shqetësimin e ndoshta habinë se pse nuk është protestuar më herët, i duhet rikujtuar se ka një arsye se pse struktura shoqërore është e ndërtuar asisoj ku njerëzit pasi zgjedhin të deleguarit e tyre, presin që të jenë këta të fundit ata që të reagojnë dhe zgjidhin problemet në nivel lokal e vendor. Ndërhyrja e qytetarëve vjen mbi të gjitha kur këta delegatë kanë dështuar në punën e tyre. Ku ishte opozita e asaj kohe, që t’i artikulonte problemet e artit dhe të abuzimit me pushtetin në kurriz të artit, madje t’i shpinte ato në parlament dhe të mundohej t’iu jepte zgjidhje? Politikanët janë shërbëtorë të popullit që paguhen nga ky i fundit në mënyrë që sa herë diçka nuk shkon, reagimi të vijë fillimisht prej tyre, jo prej njerëzve, një pjesë e mirë e të cilëve nuk gëzojnë mjetet dhe as kulturën politike për të marrë rol politik aktiv. Por mbi të gjitha, ç’punë na zgjidh që nuk është protestuar më herët apo që opozita e asaj kohe ka qenë në gjumë? Po protestohet sot dhe opozita e atëhershme është në pushtet me 85 mandate në parlament. T’ia lëmë të shkuarën historianëve dhe politologëve që do të merren me studimin e lëvizjeve shoqërore dhe t’i bëjmë thirrje edhe njëherë ministres se artistët, sikurse qytetarët e këtij shteti, nuk kanë marrë ende përgjigjen e duhur prej saj.

(c) 2018, autorja


[1] http://lapsi.al/2018/02/08/plani-per-teater-me-kulle-robert-ndrenika-kam-dy-fjale-per-ministreshen-video/

[2] http://www.kultura.gov.al/files/pages_files/18-01-15-05-23-17PROJEKTLIGJI_I_ARTIT_DHE_KULTURES-15_JANAR_2018.pdf

[3] https://www.rtsh.al/lajme/artistet-mos-e-prekni-teatrin-kombetar/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.