LOST IN TRANSLATION

Tregon një ekspert amerikan i administrimit, i ftuar për të mbajtur një leksion me biznesmenë në një vend të Europës Lindore.

Tema e leksionit tim, thotë ai, ishte dallimi midis responsibility (përgjegjësisë) dhe accountability (përgjegjshmërisë).

Leksioni po i përkthehej në konsekutiv.

Diku aty nga mesi i leksionit, vazhdon ai, vura re – jo pa një farë neverie me veten dhe me botën dhe me kullën e Babelit – se përkthyesi im kishte përdorur të njëjtën fjalë, për të dhënë në gjuhën e vet edhe “responsibility”, edhe “accountability.”

(Por le të mos shërbejë kjo si argument për ta legjitimuar anglishten si lingua franca.)

(Njëlloj le të mos shërbejë si pretekst për të mbrojtur tezën se në shumë vende të Europës Lindore nuk ka absolutisht asnjë lidhje, në praktikë, midis “responsibility” dhe “accountability”; përkundrazi: njëra e përjashton tjetrën.)

R(Në kuptimin që përgjegjësinë e kanë liderët, sa kohë që ky projekt ose plan ende nuk është zbatuar, por veç është premtuar; ndërsa përgjegjshmëria i kalohet cjapit ekspiator të radhës, sapo ky projekt ose plan të ketë dështuar.)

(Shumë poliglotë të politikës së madhe në vendet e Lindjes, sidomos në Ballkan, do ta përkthenin responsibility si “mandat prej sovranit” dhe accountability si “faj”.)

(Ndoshta përkthyesi e ka ditur këtë dhe ka dashur t’u japë ai vetë një leksion paralel të pranishmëve. Ose përkthyesja, natyrisht.)

(Ja edhe një link për ata që nuk kanë pasur kurrë guximin të pyesin.)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.