LUFTA E TROJËS VAZHDON

nga Erlind Sulko

Lufta e Trojës përbëhet nga dy beteja madhore: beteja e të gjallëve për të mos vdekur dhe beteja e të vdekurve për t’u ringjallur. Libri Lufta e Trojës vazhdon i Aurel Plasarit përqendrohet te beteja e dytë e Luftës së Trojës.

Novela e Plasarit mund të ndahet gjithashtu në dy pjesë. Në pjesën e parë kemi Jolaun, prijësin e tesaliotëve dhe dëshmorin e parë të luftës së Trojës, i cili niset nga bota e të vdekurve drejt botës së të gjallëve nga malli për të riparë sërish dashurinë e jetës së tij. Në pjesën e dytë: rikthimi i Jolaut të zhgënjyer nga dashuria në botën e të vdekurve.

Novelën Lufta e Trojës vazhdon e shikoj të pandashme nga novela tjetër e Plasarit, Dhjetë ditë që nuk tronditën botën. Të dyja janë, në thelb, janë vepra që i kushtohen kryekëput dashurisë. Te Dhjetë ditë që nuk tronditën botën kemi të bëjmë me marrëdhënien midis dashurisë dhe politikës: dashuria epshore aty shfaqet si shpërfillje tërësore ndaj politikës.[i] Ndërkohë, te Lufta e Trojës vazhdon kemi të bëjmë me marrëdhënien midis luftës dhe dashurisë: këtu dashuria shfaqet si etje për tu rikthyer sërish në jetë.

Dua të shtroj tani një nga ato pyetjet sokratike që u kall frikë e tmerr akademikëve: Përse luftojnë njerëzit? Jo çka thënë Herodoti për luftën, jo çka thënë Cezari apo Napoleoni. Por të përballemi me pyetjen drejtpërdrejt. Përgjigjja më gjithëpërfshirëse është se ne luftojmë në thelb për të mbrojtur jetën. Pavarësisht se kundër kujt drejtohet lufta, – lufta kundër natyrës, lufta kundër njerëzve të tjerë, lufta kundër vetes, – ky është parakushti i çdo lufte: dëshira për të mbrojtur jetën. Sigurisht, mbrojtja e jetës përherë kërkon flijime: flijimin e natyrës, flijimin e tjetrit apo flijimin e vetvetes.

Në këtë kuptim, njerëzit luftojnë dhe dashurojnë për të njëjtën arsye: sepse etja për jetën është e pashueshme. Dashuria  lidhet me vetë mbrojtjen e jetës. Prandaj edhe te Lufta e Trojës vazhdon dashuria e Jolaut bëhet e pandashme nga erëmimi këndellës i trupit, nga ëndja e kundërmimit të pemëve e luleve, nga bokërima e dheut, nga mallëngjimi i ëmbël i valëve të detit. Dashuria është në thelb dashuria për vetë jetën. Prandaj edhe në novelë shohim një nga besimet më kyçe metafizike: dashuria si shtysa e vetme që i ringjall të vdekurit. Është pikërisht dashuria e pamasë që e nxit Jolaun të kthehet te të gjallët.

Lufta e Trojës vazhdon është një kthim përmbys e legjendës së Orfeut. Te legjenda e Orfeut, ky niset nga bota e të gjallëve për te bota e të vdekurve për ta ringjallur të dashurën e tij, Euridiken. Muzika që Orfeu arrin të sendërgjojë nëpërmjet lirës së tij është aq hyjnore dhe e bukur, saqë ajo arrin të kontrollojë fatin e vetë gjithësisë. Muzika hyjnore e Orfeut e lejon atë të hapë dyert e të hyjë në botën e të vdekurve. E kështu Orfeut i jepet mundësia për ta ringjallur të dashurën e tij, por me një kusht: që gjatë kthimit për në botën e të gjallëve, ai nuk do të mundë ta shikojë të dashurën e tij. Porse malli i Orfeut ishte aq i thellë, saqë ai nuk e duroi dot më mungesën dhe në kthim e sipër për në botën e të gjallëve u kthye për ta riparë të dashurën e tij. Si pasojë, Euridika, e dashura e Orfeut rikthehet sërish në Had.

Nëse te legjenda e Orfeut shohim si dashuria e shtyn Orfeun të shkojë nga bota e të gjallëve te bota e të vdekurve, te Lufta e Trojës vazhdon kemi të kundërtën: dashuria e shtyn Jolaun të shkojë nga bota e të vdekurve te bota e të gjallëve. Këtu nuk dëgjojmë muzikën e lirës, por shohim muzikën hyjnore të trupit, tingujt e ëmbël të kurmit të tejndritshëm dhe erëmirë.

Novela merr një kthesë të menjëhershme, kur Jolau zbulon se e dashura e tij e ka tradhtuar. I zhgënjyer Jolau pret me padurim rikthimin te bota e të vdekurve. Ky zhgënjim nga dashuria të duket sikur përbën edhe vetë fundin e dëshirës për të rrëfyer. Për mendimin tim, novela duhet të kishte përfunduar mu aty: te zhgënjimi i Jolaut. Por jo, novela vazhdon e mërzitur me vetveten: më duket se vetë rrëfimtari këtu bëhet i pandashëm nga personazhi kryesor. Shohim një ballafaqim të Jolaut të zhgënjyer me detin, gati-gati fillimin e një dashurie burrërore me “fytyrëhënurin” e hijshëm, ca biseda të vagullta për dijen, pranimin fatalist të rikthimit te bota e të vdekurve dhe një përçartje gjuhësore në mbyllje. Kjo përçartje gjuhësore në fund me siguri duhet të jetë fjalia më e gjatë e shkruajtur ndonjëherë në letërsinë shqiptare dhe më kujtoi menjëherë fundin e Uliksit të Xhejms Xhojsit.

Thelbi i pjesës së dytë qëndron pikërisht te kjo përçartje gjuhësore: çdo gjë është e kotë tanimë. Vdekja e dashurisë është shuarja e dashurisë për jetën. Shuarja e dashurisë për jetën çon te vdekja e dëshirës për të rrëfyer. Ky libër shpall ose fundin e një qerthulli përsiatjesh mbi dashurinë, ose, në mos më keq, fundin e krijimtarisë letrare të Aurel Plasarit. Dëshira ime është që ai t’i rikthehet letërsisë, por këto çështje mund ti kuptojë veç një Hyj.

(c) 2018, autori.

[i] Këtu gjeni një shqyrtim timin të mëparshëm të novelës tjetër të Plasarit »Dhjetë ditë që nuk tronditën botën«, botuar po ashtu te Peizazhet e Fjalës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.