MALLI I SHQIPES

Fjalën mall Fjalori i Gjuhës Shqipe 2006 e përkufizon si “dashuri e dhembje shpirtërore; trishtim për dikë a diçka që është larg, dëshirë e fortë për ta parë sërish; nostalgji.” Thelbi i këtij përkufizimi është ajo e që bashkon dashurinë me dhembjen shpirtërore, duke krijuar një binom të pazakontë. Në fakt, malli ashtu është, edhe dëshirë edhe vuajtje.

Në shqipe e gjen zakonisht në togjet më merr (më ka marrë) malli, kam mall dhe ndiej mall për dikë a diçka; më merr malli është e ndërkëmbyeshme me më zë malli dhe më kap malli – çfarë do të thotë se, në këtë kuptim, malli është një gjendje që na përfshin dhe na bën t’i përkasim.

Malli është gjithnjë transitiv, për dikë ose për diçka; kërkon gjithnjë një objekt, zakonisht të shprehur, ndonjëherë të nënkuptuar. Kur them më ka marrë malli për Tiranën, nënkuptoj se nuk gjendem në Tiranë, ose që gjendem larg Tiranës; sikurse nënkuptoj që dikur kam jetuar atje. Kur them më ka marrë malli për motrën, nënkuptoj se motrën nuk e kam pranë dhe se ia ndiej mungesën; por edhe që dikur kemi qenë shumë të afërt. Malli është dashuri që e vuan ndarjen – të përjetuar si distancë në kohë ose në hapësirë.

Historikisht, fjalën mall e nxjerrin nga latinishtja ālum, “e keqe, vuajtje, sëmundje”; kuptimi që ka marrë në shqip është i krahasueshëm me atë të italishtes male në togfjalësha si mal di patria – malli për atdhé. E megjithatë, ka ndodhur një zhvillim kuptimor jo i papërfillshëm, sa kohë që për ne të sotmit malli është më tepër një ndjesi e mirë, se e keqe; sepse e pranon humbjen, por pa e përjashtuar shpresën.

E përkthejmë në gjuhë të tjera si nostalgji ­–kjo e fundit term libror që, sipas artikullit përkatës në Dictionary of Untranslatables[1], është krijuar në vitin 1678 nga një mjek zviceran, për të përkthyer gjermanishten Heimweh, “malli për vendlindjen” (ang. homesickness) që ndienin zviceranët kur ishin larg vendit të tyre, veçanërisht mercenarët. Këtu nostos është greqisht për “kthim” dhe algos është greqisht për “vuajtje, dhimbje.” Mirëpo mall dhe nostalgji nuk bashkëpërkojnë; për njerëzit e afërt ndiejmë rëndom mall, jo nostalgji.

Më komplekse është marrëdhënia e mall me gjermanishten Sehnsucht; për këtë të fundit, vëren DoU, leksikografët gjermanë pretendojnë se nuk mund të përkthehet saktë në gjuhë të tjera europiane. Fjala gjermanishte shënjon vuajtjen e dikujt që konsumohet nga dëshira. Sehnen dhe Sehnsucht fokusohen në subjektin dëshirues dhe në dhimbjen që ai ndjen, jo në objektin e dëshirës së tij, që mbetet relativisht i papërcaktuar. Togfjalësha të rëndomtë në gjermanishte, si Sehnsucht nach Ruhe dhe Sehnsucht nach Geborgenheit (pak a shumë, “dëshira për paqe” dhe “dëshira për siguri”) tregojnë se krahasimi me mall çalon.

Edhe Sehnsucht e kanë përkthyer si nostalgia, edhe pse, siç vërejnë autorët e DoU, nostalgjia është, në kuptimin e mirëfilltë, dëshira për kthim, vuajtje që ka të bëjë me dëshirën për t’u kthyer në një realitet që ke njohur më parë; ndërsa Sehnsucht nuk lidhet aq me kthimin, sa me nisjen, largimin. Për këtë arsye, nostalgjia ka gjithnjë natyrë elegjiake dhe është e orientuar ndaj së kaluarës, ngjashëm me mallin e shqipes, ndërsa das Sehnen është, me fjalët e Fichte-s, “ndjesia e një nevoje që nuk e kuptojmë. Na mungon diçka, por nuk e dimë çfarë” ndërsa Schlegel-i për Sehnsucht: “ein unbestimmtes Gefühl des tiefsten Verlanges” (ndjesi e pacaktuar e dëshirës më të thellë).

Në poezinë romantike-didaktike shqip të Rilindjes Kombëtare, malli që mbizotëronte ishte ai për atdheun – ngaqë edhe shumë prej autorëve jetonin në mërgim, larg Shqipërisë. Bagëti e bujqësia e Naimit është e tillë – monument i mallit të poetit: “Shqipëri o mëma ime, ndonëse jam i mërguar…” Në një kuptim, distanca – gjeografike ose kohore – është kusht për krijimin poetik, sepse i jep këtij ushqimin e nevojshëm. Malli që ndien dikush kur gjendet larg vendit të vet shihet si subjekt i përshtatshëm frymëzimi edhe nga poetët modernë: tipike është poema “Malli i Shqipërisë” e I. Kadaresë. Motivi i shqiptarit në mërgim a në udhëtim që i këndon tokës së vet nuk vjetrohet kurrë.

Në raste të tilla, dëshira për kthim nuk është kurrë e parealizueshme; për të njëjtën arsye, të thuash “më ka marrë malli për nënën” do të thotë se nënën e ke akoma gjallë. Përndryshe, do të duhej të thoje: “e kujtoj nënën me mall.” Ka një diferencë gati metafizike, mes këtyre dy shprehjeve.

Një tjetër fjalë me të cilën e kanë krahasuar mallin e shqipes është portugalishtja saudade, term kyç i kulturës portugeze, me gjasë tipar themelor i “shpirtit portugez”. Siç vëren DoU, një përkufizim të thukët të saudade e ka dhënë Duarte Nunes de Leão, në traktatin Origem da língua portuguesa (1606): “Kujtim i diçkaje [i ndërthurur] me dëshirën për po atë gjë”, ose kujtimi i një të shkuare të lumturi që nuk është më, dhe dëshira për këtë lumturi që tani mungon. Një tjetër autor (Melo) e përkufizon kështu: “një vuajtje që e dashurojmë, një e mirë që na bën të vuajmë.”

Në kulturën portugeze saudade mund edhe të shkaktojë vdekjen, veçanërisht në momentin kur subjekti ribashkohet me objektin e dëshirës së vet.

Koncepti ka zënë vend në rrënjët e kulturës portugeze; duke iu referuar asaj çfarë ndiejnë lundërtarët portugezë të detrave dhe të oqeaneve anembanë, por edhe gratë dhe familjet e tyre. E kanë lidhur me eksperiencat e Kryqëzatave, peripecitë e tempullarëve në kërkim të Shën Graalit, zbulimet e mëdha gjeografike dhe mërgimet e mëdha. Vëren DoU se, sipas një miti, vetë Lisbonën e ka themeluar Uliksi (Olisipolis – qyteti i Uliksit); ky hero i shënjuar tradicionalisht nga nostalgjia dhe nga vuajtjet e rrugës së kthimit.

Duket sikur, në krahasim me mallin e shqipes, saudade e ruan një marrëdhënie të ngushtë me vetminë (edhe etimologjike, ngaqë e ka prejardhjen nga latinishtja solitates) dhe i mëshon më tepër humbjes, si kondicion fatal të ekzistencës; pa përmendur pastaj përpjekjet serioze, nga disa filozofë luzitanë, për t’i dhënë konceptit një peshë filozofike: saudade është përmasa në të cilën subjekti realizon vetveten, duke u futur në marrëdhënie intencionale me objektin e dëshiruar, por mungues; dhe duke u shpalosur kështu në kohë (Joaquim de Carvalho, cituar sipas DoU).

Edhe malli edhe saudade janë të kthyera me fytyrë nga e shkuara; por saudade e ruan më fort referimin ndaj së ardhmes, sa kohë që objekti i dëshirës atje shihet si i dyzuar në ekzistencën e vet si i tillë: edhe dje, edhe nesër. Në të njëjtën kohë, vuajtja te subjekti i saudade nuk shkaktohet aq nga mungesa e objektit të dëshiruar, sa nga caqet e vetë kondicionit të subjektit.

Ngjashmëri të spikatur ka shqipja mall edhe me rumanishten dor. DoU e afron dor para së gjithash me gjermanishten Sehnsucht, gjithë duke vërejtur se dor nënkupton “pamundësinë për ta arritur objektin e dëshirës.”

Fjalori shpjegues i rumanishtes Dexonline e përkufizon dor si “Dorință puternică de a vedea sau de a revedea pe cineva sau ceva drag, de a reveni la o îndeletnicire preferată; nostalgie” (dëshirë e fortë për të parë a për të riparë dikë a diçka të dashur, për t’u kthyer në një aktivitet të preferuar; nostalgji).

Ndonjë shprehje e romanishtes, si dor de ducă (“dëshira për të ikur”) e lidhin kuptimisht fjalën e rumanishtes me spleen të anglishtes, që shënjon atë gjendje shpirtërore aq karakteristike të poetit romantik; e megjithatë, dor e përkthejnë rëndom si “nostalgji”.

Filozofi rumun Constantin Noica beson se dor duhet të shërbejë si fjalëkyçe për kërkimin filozofik në rumanishte, meqë termi përfaqëson, sipas tij, prototipin e një shkrirjeje organike të kundërtash – ku dhimbja takohet me kënaqësinë dhe kënaqësia lindet pa e përjetuar dhimbjen. Sipas këtij filozofi – lexoj te DoU – çdo fjalë që themi merr pjesë në këtë dhimbje, meqë sa herë që shprehim diçka, ka diçka të pashprehshme që mbetet përtej dhe na shkakton dhimbje.

Në rumanishte, dor vjen nga latinishtja vernakulare dolus, që i referohet dhimbjes, vuajtjes dhe zisë dhe që lidhet, nga ana e vet, me latinishten klasike doleo, dolēre (khs. deuil në frëngjishte dhe me duele në spanjishte); brenda rumanishtes, e njëjta rrënjë ka dhënë edhe a durea, me kuptimin “të jesh në dhimbje, të ndiesh dhimbje fizike.” Të vërehet këtu paralelizmi semantik-strukturor me latinishten mālum që ka dhënë mall në shqipen.

E njëjta rrënjë e latinishtes, si dolēre, ndeshet – sipas Çabejt – në shqipen përdëllej “kam mëshirë, mëshiroj”; fjalë të cilën ky autor e nxjerr nga një folje hipotetike *dëllej, e cila është ruajtur te Buzuku, si një emër prejfoljor: “ju qi ani bukënë e dullyesë” (qui manducatis panem doloris); por që përndryshe sot ka humbur.

Tani, duke parë që fjalë si saudade për portugalishten ose dor për rumanishten dhe më parë edhe Sehnen e Sehnsucht për gjermanishten kanë shërbyer si pikënisje të frytshme për argumente dhe shtjellime filozofike, ndonjëherë edhe të lidhura ngushtë me frymën “kombëtare” të kulturës të mishëruar në gjuhë, mbetet për t’u parë mundësia që diçka e ngjashme të kërkohet edhe te shqipja mall, në raport me karakteristikat e kulturës shqip, tradicionale dhe reflekse.

Si pikënisje mund të shërbente edhe krahasimi i mall, fjalë relativisht e vjetër, me dashuri – që është neologjizëm; por edhe me fjalë të afërta, si të dua etj. Na vjen më e lehtë t’i themi dikujt më ka marrë malli se t’i themi të dua (siç thotë italishtja “ti voglio bene”); e kemi më të lehtë dhe të natyrshme të tërhiqemi ndaj tjetrit kur na mungon ose kur nuk e kemi afër, se kur e kemi të pranishëm. Kur takohemi me një njeri të dashur, i themi “sa më kishte marrë malli”; duke e shprehur gëzimin që ndiejmë nëpërmjet përshkrimit a përmendjes së vuajtjes sado të ëmbël që patëm ndierë kur ishim larg. Për arsye të ngjashme, “malli për atdheun” na tingëllon më mirë se “dashuria për atdheun”; meqë të parin e ndiejmë kur jemi larg, ndërsa të dytën na e mësojnë me ideologji.

Edhe me introspeksion, do të bindemi se hapësirat më intime të qenies sonë na sundohen nga malli – ose ndjesia për gjithçka të bukur a të shtrenjtë a të dashur që e kemi pasur e që, si rregull, e përjetojmë vetëm ngaqë nuk e kemi më. E ndërtojmë jetën duke u larguar hap pas hapi nga gjithçka që kemi të çmuar, dhe pastaj e vuajmë ëmbëlsisht distancën që shkakton largimi. Por një kulturë e sunduar nga malli është edhe kulturë e sunduar nga subjekti i mallit, që jetën më shumë e ka jetuar, sesa po e jeton; ose të paktën që vlerëson më shumë ç’ka jetuar, se ç’po jeton.

Shqiptari i sotëm shfaqet në publik si rregullisht i kapur nga malli: për prindët që i jetojnë larg, për vendet ku ka kaluar fëmijërinë, për librat e kahershëm, për Beatles-at, për filmat bardhezi, për shokët që ka pasur dikur – ngaqë jeta i ka detyruar shpesh brezat të zhvendosen, por edhe ngaqë e kanë gjetur të gatshme në gjuhë fjalën e duhur, për t’ia vënë emrin përjetimit. Edhe atyre që vetë nuk largohen, u largohen të tjerët – yni është një univers fatalisht në zgjerim e sipër.

Njëkohësisht ky mall na mban edhe të mbërthyer pas së shkuarës; duke na e ngadalësuar progresin dhe duke na bërë të ëndërrojmë përsëritjen, kthimin, ri-përjetimin – karakteristikë përndryshe e një kulture që ia kanë prishur rehatin dhe harmoninë e qenies. Me ne, shqiptarët, historia nuk ka qenë zemërgjerë, por kjo nuk do të thotë se e kemi pasur fatin të shkruar në gjuhë, përkundrazi: gjuhës vetëm sa i kemi kërkuar ndihmë, për të gjetur fjalën që na duhej, ose për t’i vënë emrin kondicionit tonë.

E njëjta karakteristikë, në përpjesëtime të ndryshuara, shfaqet edhe në marrëdhëniet ndërpersonale – poetëve shqip sikur u vjen më e lehtë të shprehen për dashuri të shkuara, se për ato që do të vijnë; hiri u vjen më poetik se zjarri; kujtimi më poetik se vizioni për të ardhmen. Edhe pse malli është edhe ai një lloj dëshire, zakonisht nuk të bën të hidhesh në veprim: te poezia “Mall” e I. Kadaresë (1976), uni lirik që thotë “për ty unë befas ndjeva mall” kur dëgjon a sheh pikat e shiut mbi qelq, nuk është se ky përjetim e nxit që të dalë dhe ta kërkojë objektin e dëshirës së vet; dhe kjo jo ngaqë nuk e gjen dot më, sepse i ka humbur sysh ose ka vdekur, por më shumë ngaqë parapëlqen të mos veprojë, ose të shijojë dhimbjen e ëmbël. Asgjë nuk garanton që realizimi i kësaj dëshire, ose takimi hipotetik, do të jetë po aq i bukur sa malli vetë.

Pamundësia nuk vjen, në këtë rast, nga rrethanat ose nga rezistenca e reales; por është pjesë e dëshirës, ose kusht që subjekti vetë kujdeset ta respektojë, për ta shijuar – sado në mënyrë mazohiste – ndjesinë magjike të mallit; e cila funksionon, njëfarësoj, si endorfinë, ose drogë që na ndihmon ta absorbojmë dhimbjen, duke e shijuar.

Po a do të mjaftonte kaq, për ta përfshirë mallin në kodin gjenetik të kulturës shqipe?


[1] Këtu dhe më poshtë, të dhënat për fjalët nga gjuhë të tjera europiane i kam marrë nga Dictionary of Untranslatables: A Philosophical Lexicon, nga Barbara Cassin (editor), Emily Apter (Editor), Jacques Lezra (editor), Michael Wood (editor), Princeton University Press, February 9, 2014 (i shkurtuar në tekst si DoU). Në uebsajtin e Princeton University Press gjenden disa zëra të këtij fjalori; kam referuar më poshtë fjalën saudade.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *