MBI SHKENCËN ROMANTIKE

Në kujtim të Olivers Sacks dhe Alexander R. Lurija

Oliver Sacks ishte i fiksuar me idenë e “shkencës romantike” në fushën e neurologjisë, ose neuropsikologjisë.

Këtë formë fenomenologjike të rrëfimit, të rasteve studimore historike e të personalizuara në fushën e neurologjisë, ai i atribuonte veçanërisht Alexander R. Lurija-s. Por termi ishte përdorur më parë nga Max Verëorn[i], ndërsa metoda e rrëfimit është e influencuar nga Freud dhe Lev Vygotsky[ii].

Mendimi im është se shkenca romantike dallon nga përdorimi i stilit letrar në një artikull shkencor, anon disi nga shkenca popullore (pop science), por kurrsesi nuk është qasje jokonvencionale apo anti-intelektuale.

Stili, forma dhe përmbajtja e rrëfimeve të Lurias dhe Sacks janë të mrekullueshme, e njëkohësisht të mirë-argumentuara, me referenca të qarta në mendimin shkencor e filozofik të kohës.

Duke rrëfyer përvojën e tyre si mjekë, reflektimet mbi përjetimet e pacientëve, përpjekjet e tyre për t’i kuptuar dhe integruar këto përjetime në historinë e njerëzimit e të shkencës, ata dëshmojnë forcën e kësaj forme narrative të cilësuar “shkenca romantike”. Përkundër qasjes pozitiviste, kjo shkencë kërkon pjesëmarrjen aktive të hulumtuesit në dukurinë dhe subjektet që shqyrton.

Në “Jetën e një mnemonisti: Një libër i vogël mbi një kujtesë të madhe” Lurija nuk merret thjesht me diagnostikimin apo raportimin e “çudirave” apo “anomalive” të një personi me kujtesë marramendëse, të shtrirë sa në kohë edhe në hapësirë, e që mendonte nëpërmjet imazheve, por edhe me personalitetin e tij. Efektet e cilësive “supernjerëzore[iii]” mbi personalitetin e tij, përbëjnë gjithashtu kuriozitet për autorin, i cili donte të shmangte redukcionizmin dhe abstraghimin në metodologjinë klasike shkencore.

P.sh. Lurija përball përvojën “normale” njerëzore të të imagjinuarit, me atë të personazhit të tij “të çuditshëm”, që e përjeton veten dhe botën përreth nëpërmjet imazheve. Personazhi i Lurijas ka një tjetër lloj imagjinate. Jo atë krijuese që kanë shpikësit e mëdhenj, e cila operon në një mënyrë që ndodhet në kontakt të afërt me realitetin. Por atë imagjinatë që pengon veprimin. Veprimtaritë e kësaj imagjinate nuk orientohen për nga bota e jashtme. Ato ushqehen nga dëshira dhe zëvendësojnë veprimin, duke e bërë veprimin të duket i pakuptimtë (fq. 153).

Në kapitullin e shtatë të librit, që i kushtohet analizës së personalitetit, Lurija kritikon qasjen e psikologjisë klasike që i vështronte këto aspekte si të veçuara, dhe ofron një vështrim holistik të këtij personazhi. Pyetjet e Lurijës janë gati jokonvencionale. Fundja çfarë i duhet një neurologu të pyesë nëse bota e tij ndryshon nga kjo e jona, mbi përshtatjen në shoqëri dhe zhvillimin e personalitetit të një pacienti që “sheh” çdo gjë, që ndjen fizikisht imazhet e konceptet abstrakte, apo që shijon me majën e gjuhës numrat e telefonit (fq. 75 dhe159)?

Në po këtë libër Lurija rrëfen mënyrën që personazhi ka zgjedhur të memorizojë një formulë që nuk ka asnjë logjikë matematikore. Ky episod, që ilustron metodën e narrativës së shekujve të kaluar, si p.sh. të “Një mijë e një netëve”, rrëfimi brenda rrëfimit, është tepër mbresëlënës.

img

Neiman (N) doli dhe shpoi fort në tokë me shkopin e tij (.). Ai pa sipër në një pemë të lartë, e cila i ngjante shenjë së rrënjës së katrorit (V), dhe mendoi: “S’është çudi që pema është fishkur dhe ka filluar të nxjerrë rrënjët. Për më tepër, pema ishte këtu kur unë ndërtova ato dy shtëpitë” (d2). Edhe njëherë ai shpoi me shkopin e tij (.). Dhe pastaj tha: “Shtëpitë janë të vjetra, më duhet t’i heq qafe (X); * shitja do të sjellë më shumë para.” Fillimisht ai kish investuar 85,000 në to (85). Pastaj shoh çatinë e shtëpisë të shkulur (_______), ndërkohë që poshtë rrugës shoh dikë të lozë Termenvox (vx). Ai po qëndron afër një kutie postare, dhe në qoshe është një gur i madh (.), i cili ishte vendosur atje për të mbrojtur karrocat nga përplasja me shtëpitë. …” (fq. 49).

Kur Lurija inkurajonte Sacks të publikonte të tilla raste, sikur në “Awakenings” (Zgjimet[iv]), ai shprehet në “The man who mistook his wife for a hat” (Njeriut që iu duk bashkëshortja si kapele) se histori të tilla, edhe pse skeçe e copëza përvojash, krijonin hapësira të reja në psikologji dhe neurologji, duke u shkëputur nga neurologjia e ngurtë dhe mekanike e së kaluarës (fq. 6).

Në këto rrëfime janë shkruar nga dy libra, sikur shprehet Luria dhe Sacks: (1) nga këndvështrimi klasik e analitik – një përshkrim objektiv i çrregullimeve, mekanizmave e siptomave; dhe (2) nga këndvështrimi ‘romantik’ – rrëfim me natyrë ekzistenciale e personale, që merr pjesë  empatikisht në përvojat dhe botën e pacientëve (Awakenings, fq. xxxvi). Shkenca romantike gjendet ndërmjet biologjisë dhe biografisë, kombinon mënyrën e të menduarit të paradigmës shkencore dhe të menduarit artistik.

Këndvështrimi romantik, pra pjesëmarrja empatike në përvojën e këtyre personazheve, mundëson rrëfimin artistik të jetës së këtyre pacientëve pas sëmundjes. Sepse, sipas Sacks (Awakenings, fq. xxxviii), bota e këtyre njerëzve që ne imagjinojmë, edhe pse e huaj dhe gati e pakuptueshme, mund të jetë edhe e jona.

P.sh. edhe pse ne nuk e njohim Rosa R., historia e saj na ndihmon ta shohim botën ndryshe, të habitemi e të zgjerojmë botën tonë nëpërmjet përjetimit dhe imagjinatës së botës së saj (ibidem).

Rosa R. u godit nga epidemia e encefalitit letargjik në moshën 21 vjeçare pas një përvoje jetësore të ngjeshur me aventura dhe përjetime pozitive. Rikonstruksioni që Sacks i bën jetës së saj na e afron personazhin sikur të ishim ne a një i afërti ynë në atë përhumbje disa vjeçare. Lexuesi e ndjek Rosa R. në makthin e saj paralajmërues të së keqes që do ta kaplojë, në dhimbjen, pafuqinë dhe habinë e familjarëve, në bisedat autentike e pacientes me mjekun e saj. Pyetjet e tij janë të sinqerta, dëshiron të mësojë mbi pacientët e vetë për të penetruar ‘arsyetimin’ dhe këndvështrimet e tyre.

Shënimet fundore, që përmbajnë hollësi si ky dialogu i mëposhtëm, dëshmojnë mjeshtërinë rrëfyese të Sacks dhe aftësinë e tij për të përcjellë një panoramë sa më të plotë, e cila e përfshin lexuesin në hulumtimin e autorit për të kuptuar përpjekjet e pacientes tek mundohet të ruajë tërësinë (in-dividualitetin) saj.

 “E pyesja shpesh znj. R. mbi çfarë po mendonte.

‘Asgjë, vetëm asgjë,” thoshte.

‘Por si mund të mendosh për asgjë?’

‘E thjeshtë fare, nëse e di si.’

‘Saktësisht, si mendon mbi asgjë?’

‘Një mënyrë është të mendosh vazhdimisht për të njëjtën gjë. Si 2=2=2=2; ose, unë jam çfarë jam unë çfarë jam unë çfarë jam .. Është e njëjta gjë me mënyrën e qëndrimit tim. Qëndrimi im më çon vazhdimisht drejt vetes sime. Çfarëdo të bëj ose çfarëdo të mendoj më çon thellë e më thellë drejt vetes. … E pastaj janë hartat.’

‘Hartat? Çfarë do të thotë?’

‘Çdo gjë që bëj është një hartë e vetvetes, çdo gjë që bëj është pjesë e vetes. Çdo pjesë të çon tek vetja. … “ (fq. 75-76)

Reflektimet e Sacks shkojnë përtej kuriozitetit shkencor dhe profesional. Ato janë qasje për të njohur individët në mjedisin e tyre (Lebenswelt) dhe penetruar në thellësinë e përjetimeve të pacientëve.

P.sh. duke rrëfyer mbi binjakët makina-llogaritës (idiot savant) Sacks heq dorë nga këndvështrimi shkencor për ti vëzhguar ata si subjekte dhe nga dëshira për ti testuar e eksperimentuar me ta. Nëse duam t’i njohim ata tek jetojnë, mendojnë, ndërveprojnë në mënyrën e tyre të veçantë, Sacks shprehet, atëherë duhet t’i vëzhgojmë ata haptazi, qetësisht, pa presupozime, duke iu qasur me simpati dhe të hapur këtij përjetimi fenomenologjik (The men who mistook his wife for a hat, fq. 196). Vetëm atëherë arrijmë të kuptojmë se këtu luan diçka e mistershme, “fuqi dhe thellësi të një lloji themeltar, të cilën nuk kam qenë në gjendje ta zgjidh në këta 18 vite që i kam njohur.” (ibidem). Më tej duke u munduar të kuptojë arsyetimin e binjakëve (nëse bëhet fjalë për një lloj arsyetimi, gati jo-njerëzor) dhe duke i vëzhguar në lojërat me numra që zhvillonin me njëri-tjetrin, Sacks nis udhëtimin e tij eksplorues nëpër shkencë, filozofi, muzikë e letërsi për të kuptuar këtë fenomen.

Erudicioni i Sacks është i hatashëm, e ai duhet lexuar me Wikipedian afër. Ndoshta me të vërtet i kritikojmë gjithollogët, por unë besoj se njerëzorja kuptohet (ose korrigjohet) pikërisht duke u përpjekur për të sintetizuar e përballur përvoja, mendime dhe metoda të ndryshme të qasjes ndaj realitetit.

(c) Autori dhe Peizazhe të fjalës


 

[i] Oliver Sacks. (2014). Luria and “Romantic Science”. In: Anton Yasnitsky et al. (eds.) The Cambridge Handbook of Cultural-Historical Psychology. pp. 517-528. [Online]. Cambridge Handbooks in Psychology. Cambridge: Cambridge University Press.

[ii] Good, Sally Rasor. (2000) “AR Luria: A humanistic legacy.” Journal of Humanistic Psychology 40(1), 17-32.

[iii] Raste të personave me kujtesë të gjerë janë të zakonshme, pasi tanimë ka edhe metoda për të zgjeruar aftësitë dhe mbajtur mend. Shih p.sh. Idriz Zogaj në Ted Talks. Por janë më të veçanta rastet sikur S. tek Lurija që mbante mend edhe pas shumë vitesh, dhe kanë problem të harrojnë. Një metodë të ngjashme si personazhi i Lurijas për të mbajtur mend numrat përdor p.sh. Arthur Benjamin. Disa prej metodave mund të jenë edhe algorithme të trurit, të ndërgjegjshme ose jo sipas rasteve, por ky shpjegim nuk e bind tërësisht Sacks.

[iv] Në “Awakenings” Sacks rrëfen për pacientë të prekur nga encifaliti letargjik, që ai i “zgjon” nëpërmjet dozave të larta të dopaminës (L-Dopa/levodopa).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.