ME HRUSHOVIN

Fëmijërinë time, në vitet 1960, e kam kaluar në një mjedis familjar aq të lidhur me aktualitetin politik, sa edhe shkronjat e para unë lexuesi i hershëm i pata mësuar nga gazeta “Zëri i Popullit”. Dhe në kolonat e kësaj gazete, që më pas i këndoja me ëndje, sidomos ato të faqen së 4-t ku, krahas orareve të kinemave, merrja vesh gjëra për vende të botës që përndryshe i kisha vetëm si pulla poste; në kolonat e kësaj gazete, pra, u njoha me Hrushovin, armikun tonë të betuar, Judën, që na kishte tradhtuar jo vetëm ne, por edhe kauzën.[1] Nga ndonjë revistë sovjetike që ende qarkullonte në shtëpi, e kisha njohur Hrushovin edhe si dukej nga pamja: i shkurtër (rromaduc, do të thonin tironsit), me kostum të çelët kooperativist, i shogët si infermier i psikiatrisë dhe me një shprehje të mrrudhur në fytyrë që e bënte të dukej sikur përtypte kripë. Enver Hoxha gjithnjë bubullinte kundër tij, dhe mua më pëlqente t’ia lexoja invektivat, njëlloj siç më pëlqente të bëja sehir nga dritarja dy maçokë duelantë në oborr. Në atë kohë ende nuk ish futur në jetën tonë televizioni, me të mirat dhe të këqiat e veta; Hrushovi ishte para së gjithash një emër i pazakonshëm (të cilin gjithnjë e shqiptonim Krushovi), si emër demoni, që u bashkëlidhej si etiketë gjithë të këqijave të botës përtej; dhe veçanërisht revizionizmit, i cili duhej përfytyruar si një lloj katastrofe që, në përfytyrimin tim prej fëmije, i zëvendësonte të mirët me të pamirët dhe vlerat me antivlerat. Nuk e kuptoja mirë se ç’ishte pikërisht revizionizmi, por dija që duhej mbajtur larg, sepse askush nuk ishte imun ndaj tij; dhe që Enver Hoxha po bënte të pamundurën për ta luftuar (çudi si nuk kishin shpikur një vaksinë kundër revizionizmit, xhanëm – pyesja unë fëmija, që nuk kalonte muaj, pa u vaksinuar brutalisht, në çdo pjesë të sipërfaqes së trupit). Në fakt, faqja e 4-t e gazetës “Zëri i Popullit” kish diçka të përbashkët me përrallat dhe legjendat që kalamajve si unë u pëlqenin aq shumë: në të dyja herët, flitej për një botë tërheqëse por të paarritshme, madje të pavizitueshme; një botë ku ti nuk mund të shkoje dot, por që – mjafton të ulje për një çast vigjilencën revolucionare – mund të vinte ajo tek ti. Kjo ishte situata, me të cilën duhej edhe unë fëmija të jetoja.

Pikërisht në këtë kohë, kur ishim duke zhvendosur disa rrangulla nga një kthinë e shtëpisë te tjetra, më ra në dorë krejt rastësisht një album i madh dhe i rëndë, i lidhur bukur, me fotografi të vizitës së Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959. Albumi kish përfunduar diku poshtë prapa gjithçkaje tjetër, në intersticet e shtëpisë, ndoshta ngaqë tejet i vështirë për t’u shkatërruar ose për t’u djegur; por përndryshe m’u shfaq si një objekt i tjetërllojshëm, që nuk duhej t’i përkiste realitetit. Teksa e shfletoja, tashmë mace e vrarë nga kurioziteti, nuk po u besoja syve: Enveri im i fjalimeve të “Zërit të Popullit”, krah më krah dhe përqafuar me krye-armikun, bajlozin e bardhë, Hrushovin vetë: të dy me dhëmbët përjashta, të lumtur dhe të nginjur, me sytë që u shndrisnin si gastare. Deri atëherë unë nuk e kisha ditur fare që Hrushovi e paskësh vizituar Shqipërinë – edhe pse diçka duhej të kisha kuptuar nga epiteti “tradhtar” që kundër tij përdorej pa kursim: tek e fundit, ai që ka tradhtuar, nuk ka qenë tradhtar para se të tradhtonte, por është bërë më pas, njëlloj si Hamzai i Skënderbeut. Mirëpo nuk isha në gjendje të arsyetoja hollë, dhe aq më pak në rrethanat kur sapo më ish shembur bota përreth, ose bindja se kjo botë mbështetej mbi kolona betonarmeje, të palëvizshme, të patundura: vizioni im i deri-atëhershëm bardhezi dha shpirt dhe u përtha para fotove bardhezi të këtij albumi të rikuperuar nga “e përtejmja”. Vite më vonë, shumë më vonë, kur të lexoja Time Out of Joint të Philip K. Dick, do të kujtoja se, njëlloj si personazhi i atij romani, edhe unë kisha kaluar një krizë derealizimi, duke përjetuar këtë relativizim menjëhershëm të botës rreth meje dhe të heronjve të saj, të argalisur mu si aktorët në skenën e teatrit, pasi mbaron shfaqja, dhe zënë të përqafohen me afsh: Othelloja me Jagon, Makbethi me Makdafin! Prindërit dhe të tjerët që m’u ndodhën pranë në ato momente të rënda, gjithë duke kafshuar buzën, dhanë e morën të më shpjegojnë se Hrushovi dikur – shumë kohë më parë, madje para edhe se të lindja unë (ja një rrethanë tejet lehtësuese) – hiqej si miku i madh i Shqipërisë dhe ne i kishim besuar, sepse ashtu i besonim Bashkimit Sovjetik, të Leninit dhe të Stalinit; dhe ashtu edhe e kishim pritur mysafir në Shqipëri, me mikpritjen tonë tradicionale, pa e ditur se ai nuk na e kish me të drejtë, por kërkonte të na mashtronte dhe të na ngulte pastaj thikën pas shpine. Ai album, që unë tani kisha zbuluar aksidentalisht dhe nuk mund ta ç-zbuloja më, ishte provë se jo gjithnjë mundemi ta dallojmë të keqen, dhe se shpesh e keqja maskohet si e mirë për të na joshur në çark dhe në kurth, njëlloj si ai ujku i përrallës që vishet me lëkurë qingji; çfarë edhe i shkonte Hrushovit të albumit në fakt, sepse ai në ngjyrë qingji kish jo vetëm kostumin prej liri të zhubrosur shkujdesshëm nga vapa e Butrintit, por edhe këpucët verore me vrima.

Mirëpo ky shpjegim nuk mjaftoi, që të ma largonte zhgënjimin: së bashku dhe në solidaritet të plotë me Enverin e albumit, që vazhdonte të qeshte në fotografitë megjithë ç’kish ndodhur ndërkohë, edhe unë u ndieva i tradhtuar, i tërhequr për hunde, i trajtuar si kalama – veçse jo nga Hrushovi, por nga bota mbarë. Dora-dorës, do të më lindte dyshimi i ankthshëm se mos prapa çdo armiku të sotëm, të cilit ia lëshonte rrufetë “Zëri i Popullit”, mund të fshihej ndonjë album si ky i tanishmi, ku Enver Hoxha të dilte fotografikisht i përqafuar, bie fjala, me një “renegat” si Josip Broz Titoja (edhe ai i veshur me lëkura qingji), ose me sekretarin amerikan të mbrojtjes, kapitalistin e regjur Robert McNamara, të cilit i lakohej shumë emri aso kohe në lajmet për bombardimet në Vietnam; fundja edhe me vetë presidentin amerikan Lyndon Johnson, xhelatin e popujve të Azisë dhe jo vetëm, të cilin nuk mund ta përfytyroja dot veçse në trajtat e karikaturave me të cilat e përqeshnin çdo javë te “Hosteni”, duke vringëllirë ndonjë raketë balistike ose duke i dorëzuar Hrushovit tim ose Titos qesenë me florinj, aspra a dollarë (të stolisur me shenjën misterioze $); sa kohë që “Zëri i Popullit” këtyre nuk ua nxirrte ndonjëherë fotografitë, kushedi për të mos na lënë të shohim se bëhej fjalë për njerëz me pamje të rëndomtë. Dyshime të tilla kanë shembur përdhe edhe mendje shumë më të kalitura se ajo e një fëmije si unë, që deri dje ish gati të armatosej me patickë dhe të nisej në luftë kundër Hrushovit, për ta mbrojtur atdheun e vet nga “revizionizmi”; dhe që kish marrë pjesë tashmë, me entuziazëm të sinqertë, në pritjen madhështore që iu bë mikut të madh të Shqipërisë, kryeministrit kinez Çu En-Lai, i paharrueshëm në pamjen e tij prej geishe të dyllosur, i drejtë si purtekë në veturën e hapur te rruga e Durrësit, duke ua bërë turmave ngazëllimtare me dorë. Por që nga ajo kohë, albumi që aq fatalisht ma çorri koherencën e realitetit, njëfarësoj më ndërvendosej midis vetes dhe botës, si për të më kujtuar që ta mbaja gjithnjë distancën e sigurisë nga e vërteta që shitej në pazar. Dhe jo për hir të ndonjë qasjeje gnoseologjike më të studiuar, por për të ruajtur mendtë e kresë; ose për të mbajtur larg, mundësisht të mbyllur në ndonjë bodrum, frikën se edhe kjo e tashme mund të përfundonte një ditë e hequr mënjanë, e groposur në ndonjë arkë a sëndyk gjithë lagështirë, e zëvendësuar nga një e tashme tjetër, ku miqtë dhe armiqtë t’i kish ngatërruar sërish një dorë e pamëshirshme; i merakosur edhe për fatin e atij unit tim tjetër, në versionin “alternativ” të historisë.

 


[1] Nikita Sergejeviç Hrushovi ishte Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) midis viteve 1953 dhe 1964, kryeministër midis viteve 1958 dhe 1964; dhe nismëtar, mes të tjerash, i një procesi masiv të de-stalinizimit të shoqërisë dhe të shtetit sovjetik (pas vdekjes së Stalinit në 1953). Autor i të ashtuquajturit “raport sekret” në Kongresin XX të PKBS, ai u shqua edhe më pas për politikat liberalizuese në ekonomi dhe në kulturë dhe hapjen e vendit ndaj Perëndimit. Vija e re e Hrushovit edhe në marrëdhëniet sovjetike-jugosllave nuk u prit mirë nga Enver Hoxha dhe u shoqërua me gjithfarë konfliktesh të fshehta mes dy partive, derisa këto shpërthyen hapur, me fjalimin e mbajtur nga lideri shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në vitin 1960; pa çka se Hrushovi pat ardhur ndërkohë për vizitë zyrtare në Shqipëri, në vitin 1959, ku u prit me nderime të mëdha si askush tjetër më parë. Përplasja në mbledhje u pasua nga konflikti shqiptaro-sovjetik për bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe nga prishja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pak vjet më vonë, Shqipëria do të dilte edhe nga Traktati i Varshavës dhe, në përpjekje për rrugëdalje nga bllokada e vendeve aso kohe socialiste të Europës Lindore, do të afrohej me Kinën e Maos. Derisa ra nga fuqia, pas një grushti shteti të pagjak në Kremlin, Hrushovi ishte objekt i kritikave të ashpra dhe të përsëritura të Enver Hoxhës, veçanërisht në kryeartikujt e “Zërit të Popullit”, ku denoncohej rregullisht si revizionist, tradhtar i lëvizjes revolucionare botërore, lake i imperializmit dhe varrëmihës i socializmit në Bashkimin Sovjetik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *