Ka qarkulluar këto ditë një lajm, se shkrimtari Musa Ramadani, fitues i çmimit Kadare për vitin 2017, nuk e ka marrë honorarin prej 10 mijë eurosh.
Lajmin e dha miku i Ramadanit, Agron Gashi, në Facebook (ku tjetër – Facebook is where things happen), dhe pastaj e përcollën disa media (këtu dhe këtu).
Këtë vit, Çmimin Kadare e ka fituar Loer Kume.
Mediat që e rimorën statusin e Gashit mund të kishin bërë shumë më tepër – të kishin folur me organizatorët e çmimit (Instituti Pashko) dhe të kishin pyetur fituesit e viteve të shkuara, nëse e kanë marrë apo jo honorarin.
Sot teknologjia ta bën fare të lehtë të lidhesh me njerëzit: mjafton një SMS ose mesazh në Facebook. Nuk ka as nevojë t’i trazosh duke u telefonuar.
Ashtu do të merrnim vesh: (1) Nëse Ramadanit nuk i është dhënë asgjë nga honorari, apo nëse është paguar vetëm pjesërisht; dhe (2) nëse kjo ka ndodhur përjashtimisht me Ramadanin, apo është zbatuar me të gjithë fituesit e çmimit.
Nga mënyra si u përcoll lajmi, ndonjë lexues madje mund të kujtojë se bëhet fjalë për një padrejtësi ndaj një autori kosovar.
Ndonjë media e ka vënë që në titull se 10 mijë eurot e çmimit kanë “avulluar”.
Që çmimi Kadare nuk u është dhënë fituesve i plotë, këtë e kam dëgjuar si thashetheme prej kohësh, por nuk i kam dhënë rëndësi.
Ndoshta edhe ngaqë unë e gjykoj të gabuar titullimin e një çmimi letrar, sipas një shkrimtari që është ende gjallë e shëndoshë.
Megjithatë, duke qenë ky një çmim që jepet nga një institucion privat, nuk është se jam shqetësuar shumë – tek e fundit, shkrimtarët shqip kanë gjithnjë nevojë për honorare.
E kam të qartë se shumë autorë do të ndiheshin të nderuar, edhe thjesht po t’u shoqërohej emri me atë të Kadaresë – pavarësisht nga honorari.
Por e kam të qartë edhe se shumë autorë të tjerë janë joshur nga 10 000 eurot e premtuara.
Që Çmimi Kadare i akordon fituesit një shumë të tillë, kjo është nga ato të vërteta që tashmë nuk i diskuton njeri dhe që e kanë gjetur rrugën deri te Wikipedia.
Te një material pa autor, me titullin “Statusi i Çmimit Kadare”, të botuar te Gazeta Liberale më datë 25 mars 2019, lexoj:
I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës. e Institutit Europian Pashko.
Kërkova, mjerisht pa sukses, rregulloren e Çmimit Kadare online, si dhe uebsajtin e Institutit Europian Pashko.
Nëse lajmi i dhënë me mijëra herë, publikisht, se ky çmim parashikon “10 mijë euro për fituesin” nuk është i saktë, atëherë institucioni që jep çmimin duhej ta kish përgënjeshtruar.
Është e drejta e çdo autori që paraqet dorëshkrimin e vet në konkurrim për t’u njoftuar se sa do të jetë tamam honorari i parashikuar.
Institucioni që e jep këtë çmim – i cili më duket edhe se ka ndryshuar emër në rrjedhë të kohës – nuk ka asnjë detyrim për të paguar fituesit kaq ose aq, por besoj se e ka një detyrim për të informuar publikun dhe për të shmangur keqkuptimet, aq më tepër tani që integriteti të paktën financiar i çmimit po vihet në pikëpyetje.
© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.