MË ORTODOKS SE FMN-JA

nga Gjilpëra

Disa muaj më parë në rrugët e Tiranës u zhvillua një protestë e çuditshme dhe disi paradoksale njëherësh: një protestë e organizuar nga shoqatat e biznesit të madh, ku disa qindra pjesëmarrës me tullumbace të zeza në duar marshuan në Bulevard nën moton “Jo informalitetit në biznes”[1].

Çudia e protestës ishte sa te organizatorët aq edhe te forma e saj, te dalja e tyre në rrugë për të protestuar. Biznesmenët e mëdhenj kanë në dispozicion një arsenal të tërë mjetesh për të ushtruar trysni mbi politikën, duke filluar që nga lidhjet dhe ndikimi direkt mbi politikanët, deputetët,  ministrat dhe më lart, te deklaratat dhe aktivitetet e shoqatave të lobingut, te konferencat dhe studimet e instituteve apo të think tanks që promovojnë idetë dhe ideologjitë pro-biznes dhe deri te mediat private që përpunojnë dhe formojnë opinionin publik. Por dalja në rrugë për të protestuar nuk hyn në këtë repertor. Protesta në rrugë zakonisht është arma e të vegjëlve dhe të pafuqishmëve, e punëtorëve, studentëve, fermerëve dhe dyqanxhinjve; është arma e kokëpalarëve, për ta thënë me gjuhën e oligarkëve. Që biznesi i madh megjithatë doli në rrugë për t’u ankuar, kjo të paktën është shenjë e një meraku të madh të tyre që meriton një analizë më vete.

Biznesmenët ankohen dhe kjo nuk është, në fakt, fare e habitshme; madje nëse ka diçka tjetër – përveç fitimit, sigurisht – që ata bëjnë rregullisht dhe me zell të madh, kjo është pikërisht të ankuarit. Ata ankohen gjithmonë dhe për çdo gjë: për taksat e larta, për burokracinë shtetërore, për zellin e munguar të punëtorëve ose, sipas rastit, për rrogat e larta të tyre, për mungesën e infrastrukturës së përshtatshme apo të punëtorëve të kualifikuar dhe në përgjithësi për kushtet e vështira për të investuar dhe për të bërë biznes në një vend. Por qëllimi i protestës në fjalë ishte i një tjetër natyre: biznesmenët e mëdhenj nuk kërkonin taksa më të ulëta për vete, as kushte më të mira nga shteti për investimet e tyre, por ata këmbëngulnin për përfshirjen e biznesit të vogël në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke nënkuptuar kështu një konkurrencë të pandershme dhe një padrejtësi që u bëhej atyre nga sipërmarrësit e vegjël dhe nga shteti.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një taksë që paguhet nga konsumatori si një përqindje e caktuar – në Shqipëri është 20% – e çmimit të mallrave dhe shërbimeve. Për shembull, nëse një këmishë kushton 1200 lekë, nga këto 200 lekë janë TVSH që i shkojnë shtetit. E veçanta e kësaj takse është mbledhja e saj në të gjitha hallkat e shitjes së mallit, në një proces parapagimi dhe më pas rimbursimi që nga importuesi (ose prodhuesi vendas) deri te konsumatori. Në shifra të përafërta, shteti mbledh gjysmën e kësaj takse në doganë në momentin që malli hyn nga importi, ndërsa tregtari i shumicës dhe ai i pakicës përkatësisht mbledhin dhe i kalojnë shtetit çerekun e taksës secili. Në rastin e këmishës me 200 lekë TVSH, shteti merr 100 lekë në doganë, 50 lekë nga tregtari i shumicës kur ai i shet mallin me faturë tregtarit të pakicës, dhe 50 lekë nga ky i fundit, kur ky ia shet këmishën klientit me kupon shitjeje dhe është pjesë e sistemit të TVSH-së[2]. Sa më shumë hallka që të ketë ky zinxhir shitblerjesh, mbi aq më shumë shpatulla shpërndahet mbledhja e TVSH-së; një aktivitet shërbimesh në të kundërt, për shembull një restorant apo një floktore, mban i vetëm pothuajse të gjithë barrën e mbledhjes së TVSH-së.

Sipas ligjit të mëparshëm biznesi i vogël ishte i përjashtuar nga sistemi i TVSH-së, pra në shembullin më sipër shteti nuk e merrte 50 lekëshin e fundit të TVSH-së. Këtë tregtari i vogël ose e mbante si pjesë të fitimit të tij, ose ia ulte këtë vlerë çmimit duke e bërë mallin më të lirë për klientin (edhe pse biznesi i vogël ishte i detyruar sipas ligjit që blerjet e tij nga biznesi me shumicë t’i bënte me faturë dhe t’i ruante këto fatura si dokumente). Biznesi i vogël, pra, nuk bënte evazion fiskal duke mos i kaluar shtetit pjesën e tij të TVSH-së.

Përjashtimi i biznesit të vogël nga sistemi i TVSH-së është një praktikë e njohur ndërkombëtare, pjesë normale e sistemit fiskal të shumë vendeve, me të cilën shteti favorizon sipërmarrjen e vogël, si masë për uljen e papunësisë dhe për të shmangur kostot administrative të ekzagjeruara për të mbledhur këtë taksë. Ky favorizim i sipërmarrjes të vogël nuk shihet si diskriminim i biznesit të madh për arsyen e thjeshtë se ky i fundit ka mundësi të tjera për të bërë fitim dhe për tu zgjeruar në treg, duke filluar që nga efektet e shkallës në prodhim dhe në financim, te mundësitë për të marrë pjesë në tendera dhe koncesione shtetërore, te shfrytëzimi më efektiv i hapësirave të tjera që lejon ligji për reduktimin apo shmangien e barrës fiskale dhe deri te rrugët e hapura të këtij biznesi për tu zgjeruar në tregjet ndërkombëtare.

Ky përjashtim nga TVSH-ja megjithatë krijon edhe hapësira për abuzim dhe evazion fiskal pasi një pjesë e bizneseve e vogla në Shqipëri janë në fakt biznese të mesme ose mëdha, por që fshehin një pjesë të xhiros për të mos u përfshirë në sistemin e TVSH-së dhe për të mos paguar tatimin mbi fitimin[3], pra bëjnë evazion duke mos deklaruar xhiron që tejkalon 5 milionë lekë në vit.

Me ligjin e ndryshuar, që prej 1 Prillit, 10 mijë biznese të vogla në Shqipëri me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë u përfshin në sistemin e plotë të TVSH-së dhe ato tani janë të detyruara që edhe shitjet t’i bëjnë me TVSH, të mbajnë evidencë për to dhe, më kryesorja, t’i kalojnë shtetit pjesën e fundit të këtij tatimi. Me këtë përfshirje Ministria e Financave shpreson që ta shtyjë biznesin e vogël që të kërkoj faturën edhe në blerjet që ai bën nga biznesi i madh, meqenëse kjo TVSH në blerje është e zbritshme nga TVSH-ja në shitje. Kjo gjë pritet që të rrit transparencën në zinxhirin e shitblerjeve nga dogana/prodhuesi te klienti, duke ulur kështu, të paktën teorikisht, evazionin.

Kjo qasje është problematike jo vetëm për logjikën sipas së cilës “TVSH-ja në shitje rrit dhe TVSH-në në blerje”[4] por edhe për disavantazhet që sjell kjo përfshirje të cilat mund t’i tejkalojnë dukshëm efektet pozitive të transparencës dhe rritjen modeste të të ardhurave në buxhet. Biznesi i vogël goditet dyfish nga ulja e pragut të TVSH-së, njëherë nga taksa më e lartë e TVSH-së (pjesa e taksës që deri tani mbahej prej tij ose që i ulej çmimit) dhe njëherë nga kostot e larta administrative për mbajtjen së librave të llogarive dhe të kontabilistit[5]. Për një pjesë të bizneseve të vogla kjo do të çoj në falimentimin e tyre, në humbjen e taksave që shteti deri tani merrte nga ky biznes, në rritjen e papunësisë dhe të shpenzimeve sociale të lidhura me të. Një pjesë tjetër e këtyre bizneseve – siç ka filluar të ndodh ndërkohë – do të përpiqet që nëpërmjet mbylljes dhe rihapjes me një emër të ri t’i shmanget përfshirjes në këtë sistem. Skema e re rrit po ashtu edhe kostot administrative të organeve tatimore dhe ul efektivitetin e kontrolleve.

Këto efekte të pritshme të reformës ende nuk japin një përgjigje për pyetjen se çfarë shqetësimi kanë tregtarët e mëdhenj në Shqipëri me përjashtimin e biznesit të vogël nga TVSH-ja, në një kohë që, edhe me përfshirjen e këtij të fundit në këtë sistem, taksa do të paguhet nga klienti dhe do t’i shkojë shtetit?

Problemi i tyre me këtë përjashtim të biznesit të vogël nga TVSH-ja është i dyfishtë. Së pari, problemi është i natyrës mikro-ekonomike, në marrëdhëniet e tregtarëve me njeri-tjetrin, pasi në praktikë në disa raste janë tregtarët e mëdhenj që paguajnë edhe pjesën e TVSH-së që nuk paguan biznesi vogël, duke i bërë ata direkt të prekur nga ky përjashtim. Shkak për këtë është ajo pjesë e tregtarëve të vegjël që nuk pranon të blej mallin me faturë ligjore: biznesi i madh ose duhet të refuzoj shitjen pa faturë (pra t’i përmbahet ligjit) duke humbur kështu xhiron dhe fitimin përkatës, ose të pranoj shitjen pa faturë, çka jo vetëm është shkelje e ligjit me pasoja për të nëse kapet, por më kryesorja, kjo e detyron tregtarin e madh që në vend të shitjes me faturë të deklaroj shitje fiktive me kupon, pra shitje te konsumatori, duke paguar kështu nga xhepi i vet pjesën e fundit të TVSH-së[6].

Në shembullin më sipër, në momentin që tregtari i shumicës ia shet këmishën me faturë tregtarit të pakicës ai duhet t’i kaloj shtetit vetëm 50 lekë TVSH, të cilat ai ia merr tregtarit të pakicës, por nëse ai shitjen e bën pa faturë, por me kupon – si shitje fiktive te konsumatori me çmimin 1200 lekë – atëherë ai duhet t’i kaloj shtetit 100 lekë TVSH: 50 lekë që i merr nga tregtari i vogël dhe 50 lekë nga xhepi i vetë[7].

Përfshirja e detyruar e biznesit të vogël në sistemin e TVSH-së mund ta detyrojë atë që blerjet nga tregtarët e shumicës t’i bëjë me faturë TVSH-je, duke ia hequr kështu biznesit të madh rrezikun e kapjes në rast shitjeje pa faturë dhe barrën e pagesës prej tyre të pjesës së fundit të TVSH-së.  Por a është e justifikuar ndërhyrja e shtetit në favor të biznesit të madh për të ndryshuar një proces i cili me ligj është i përcaktuar qartë? A nuk duhet që shteti të përqendrohet në forcimin e kontrollit mbi tregtarët e mëdhenj dhe të vegjël – sidomos të inventarëve të tyre – për të garantuar përdorimin e faturës në shitjet me shumicë? Kjo gjë do e zgjidhte vetvetiu problemin e evazionit të bizneseve të vogla që faktikisht janë biznese të mëdha dhe si të tilla duhet të përshihen në sistemin e TVSH-së dhe të tatimit mbi fitimin.

Për më tepër, sipërmarrësit e mëdhenj e kanë në dorë vetë që t’i bëjnë shitjet vetëm me faturë, ose ata mund t’ia rritin çmimin biznesit të vogël që kërkon shitje malli pa faturë për të kompensuar TVSH-ën[8], ose fundja ata mund të refuzojnë shitjen pa dokument tek tregtari i vogël. Nga ky këndvështrim është vështirë të shpjegohet insistimi i tyre në vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, aq sa kjo “padrejtësi” të justifikoj deri edhe protestën në rrugë të këtyre sipërmarrësve.

Por e parë nga perspektiva makro-ekonomike dhe duke konsideruar efektet e pritshme mbi strukturën e ekonomisë kombëtare, kjo masë fiskale i jep një tjetër kuptim këmbënguljes së biznesit të madh në përfshirjen e tregtarëve të vegjël në TVSH.

Me falimentimin e ekonomisë së centralizuar në fund të viteve ’80 dhe me mbylljen apo shkatërrimin e ndërmarrjeve industriale, atyre bujqësore dhe kooperativave gjatë viteve ’90, së bashku me zvogëlimin e vazhdueshëm të aparatit dhe administratës shtetërore gjatë gjithë këtyre viteve të Tranzicionit, një pjesë e madhe e popullsisë në qytet dhe në fshat e gjeti veten pa punë dhe pa perspektivë për një punësim tjetër në vend, në sektorin privat ose në atë shtetëror. Rezultati ishte emigrimi masiv i viteve ’90 në njërën anë dhe vala e vetëpunësimit në sektorin e tregtisë me pakicë dhe të shërbimeve në anën tjetër. Emigracioni jo vetëm lehtësoi barrën ekonomike dhe sociale të papunësisë, por me të ardhurat prej tij u mundësua edhe punësimi i një pjese të mirë të fuqisë punëtore të ngelur në Shqipëri në fushën e shërbimeve dhe të tregtisë së mallrave të importit[9].

Në një fazë më të vonët – fillimi i viteve 2000 – një pjesë e mirë e dërgesave monetare nga emigrantët, bashkë me fluksin në rritje të parave nga trafiqet ilegale, filluan të shkojnë drejt investimeve në shtëpi, apartamente dhe në pasuri të tjera të patundshme duke mundësuar kështu ngritjen dhe lulëzimin e shpejtë të industrisë së ndërtimit. Në të njëjtën kohë filluan të shtohen edhe investimet e biznesmenëve të mëdhenj në komplekse supermarketesh, investime të cilat çuan në një bum qendrash tregtare sidomos gjatës dekadës së fundit. Përqendrimi i njëanshëm i investimeve nga ana e biznesmenëve, por edhe paaftësia e qeverive shqiptare të pas 2000-ës për të riorientuar ekonominë shqiptare drejt sektorëve të rinj ekonomik, bënë që me kohën si tregtia ashtu dhe ndërtimi të mbingarkoheshin me investime[10], me pasoja jo vetëm në rënien e fitimeve deri në shpërdorim të kapitaleve të hedhura në këto veprimtari, por edhe me efekte të dukshme negative mbi ambientin dhe në hapësirat urbane.

Kjo mbingopje e tregut bashkë me krizën ekonomike ndërkombëtare që filloi në 2008/09 treguan dhe limitet e modelit ekonomik të Tranzicionit të mbështetur mbi konsumin dhe ndërtimin; për vendin kjo solli rënie drastike të rritjes ekonomike dhe shtim të borxhit publik, rritje të papunësisë, shtim të varfërisë, të emigracionit dhe të trafiqeve ilegale. Për biznesin e madh kjo krizë solli – me rënien e fuqisë blerëse në vend, me uljen e investimeve shtetërore për shkak të borxhit publik dhe me emigracionin në rritje të fuqisë punëtore – jo vetëm rënie të fitimeve dhe përkeqësimin e mundësive sipërmarrëse në sektorët që kishin lulëzuar deri tani, në tregti dhe në ndërtim, por edhe vështirësi nga mosgjetja në vend e fuqisë punëtore të mjaftueshme dhe të lirë, të kualifikuar ose jo, për zgjerimin e aktiviteteve të tyre ekonomike.

Në kërkim të mundësive të reja për biznes dhe të paaftë për të hyrë në sektorë të rinj ekonomikë (prodhimi dhe përpunimi industrial dhe bujqësor) dhe në tregje të reja jashtë vendit (me eksporte), sipërmarrësit e mëdhenj iu drejtuan formave të tjera të veprimtarive ekonomike, kryesisht atyre rentiere, koncesioneve shumëvjeçare që paguhen nga taksat për ofrimin e shërbimeve deri tani shtetërore për qytetarët dhe shfrytëzimit të pasurive kombëtare mbi- dhe nëntokësore. Në këtë kontekst, këta biznesmenë filluan t’i hedhin sytë gjithnjë e më shumë edhe në pjesën e tregut të “kapur” nga bizneset e vogla dhe mikro-bizneset[11], të cilët jo vetëm si numër përbëjnë shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve në Shqipëri por edhe realizojnë një pjesë të mirë të qarkullimit total të mallrave dhe shërbimeve në vend.

Vetëm pak ditë pasi kryeministri lajmëroi skemën e re të TVSH-së për bizneset e vogla, në tetor të vitit të shkuar, shoqatat e lobingut të bizneseve të mëdha u përfshinë në një fushatë frenetike për të mbështetur këtë masë të qeverisë me intervista dhe deklarata në shtyp, me dalje të në televizion të përfaqësuesve të tyre dhe të akademikëve nga institutet pro-biznes, fushatë që kulmoi në protestën në rrugë të bizneseve të mëdha në mes të tetorit 2017. Akuza kryesore mbi të cilin u ngrit kjo fushatë ishte informaliteti i bizneseve të vogla, i cili sipas këtyre lobistëve vinte nga shmangia e faturave dhe nga mospagesa e TVSH-së prej tyre, duke manipuluar kështu qëllimisht faktin që mospagesa e TVSH-së nga biznesi i vogël ishte ligjore dhe nuk përbënte informalitet. Për më tepër që biznesi i madh, duke treguar me gisht sipërmarrjen e vogël si informale, në fakt e kthente përmbys të vërtetën që një nga përgjegjësit kryesor për evazionin në vend është vetë biznesi i madh[12].

Në një përpjekje naive (ose manipuluese) qeveria këmbënguli që qëllimi i skemës së re ishte luftimi i evazionit të sipërmarrjes së madhe nëpërmjet përfshirjes së biznesit të vogël në TVSH, edhe pse në të njëjtën kohë biznesi i madh i kishte ndezur të gjithë motorët në mbështetje të kësaj skeme, që sipas qeverisë drejtohej pikërisht kundër këtij biznesi! Fakti që qeveria e gjeti veten në të njëjtën llogore me biznesin e madh[13] në këtë nismë të saj duhet të ishte një sinjal alarmi për efektet e vërteta që kjo nismë do të sjell mbi ekonominë shqiptare.

Si pretendimi i biznesmenëve të mëdhenj se skema e re e TVSH-së do të ulte informalitetin e biznesit të vogël, ashtu dhe përpjekja e qeverisë për t’i mbushur mendjen publikut se ajo drejtohej kundër biznesit të madh, dolën zbuluar si mashtrime ose si shpresa naive, kur kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë deklaroi në TV se nga “formalizimi i retailit të supermarketeve, në mënyrë të padiskutueshme, për një periudhë pesëvjeçare, nuk do të ketë më dyqane të vogla. Realisht, unë nuk shqetësohem për këtë kategori biznesi që janë dyqanet e vogla, që nesër mund të mbyllen[14]”. Kjo u pasua nga akuza për zvogëlimin e stokut së fuqisë së disponueshme punëtore, për “papunësinë e fshehur në marketet e vogla, (…) që nuk çlirohen për të vajtur në industri produktive; që nuk hyjnë në tregun e punës”, madje për “parazitizëm[15]”.

Eliminimi i konkurrencës nga biznesi i vogël me ndihmën aktive të shtetit dhe shndërrimi në fuqi të disponueshme punëtore i kapaciteteve njerëzore deri tani të lidhura në këtë sektor, ishin motivet kryesore që vunë në lëvizje biznesmenët e mëdhenj për të kërkuar me insistim përfshirjen e sipërmarrjes së vogël në skemën e TVSH-së dhe për të manipuluar publikun duke e paraqitur këtë nismë të qeverisë si luftë kundër informalitetit të biznesit të vogël.

A është sektori i tregtisë në Shqipëri i mbingarkuar me investime, me supermarkete dhe me dyqane? A gjendet një pjesë e mirë fuqisë punëtore shqiptare, ajo e punësuar në tregti dhe shërbime, faktikisht në papunësi të fshehur? A po përdoren, pra, në mënyrë jo-optimale (lexo: po shpërdorohen) një pjesë e kapitaleve dhe e fuqisë punëtore të angazhuar në këto sektorë? Sigurisht që po! Por kjo nuk do të thotë se eliminimi i këtyre investimeve në tregti, mbyllja e dyqaneve dhe e marketeve dhe çlirimi i fuqisë punëtore të punësuar aty do të zgjidh problemin. Mbi-investimi në tregtinë me pakicë dhe punësimi i një numri kaq të madh njerëzish në këto sektorë nuk është shkaku, por pasoja e mungesës së industrisë vendase dhe e sektorëve të tjerë ekonomik, fitimprurës për pronarët e tyre dhe që shtojnë vlerë ekonomike për të punësuarit në to dhe për vendin. Eliminimi i bizneseve të vogla në tregti dhe në shërbime nuk sjell si rezultat as zhvillimin e industrisë kombëtare apo të sektorëve të tjerë me më shumë added value, as hapjen e vendeve të punës më të vlefshme dhe më të mirëpaguara, por vetëm zgjeron pjesën në treg të importuesve dhe të tregtarëve të mëdhenj dhe nxjerr të papunë ata që sot janë të punësuar në këta sektorë. Rezultati është pastrim i tregut në favor të bizneseve të mëdha, rritje e papunësisë dhe e varfërisë në vend dhe, probabilisht, një valë e re emigracioni.

Rruga për të ndjekur, për të korrigjuar këtë zhvillim të njëanshëm dhe këtë zhbalancim të ekonomisë shqiptare dhe për të shmangur shpërdorimet e kapitalit dhe të fuqisë punëtore, janë investimet e biznesit jo më në supermarkete dhe në qendra tregtare, por në sektorë dhe në teknologji të reja, me vlerë të shtuar dhe për tregje të tjera brenda vendit dhe për eksport: në industri, në bujqësi, në prodhim dhe në përpunim deri në mbyllje të plotë të ciklit: lëndë të para – prodhim – klient, nën nxitjen dhe mbështetjen e politikave të përshtatshme shtetërore.

Skema e re e TVSH-së u kundërshtua jo vetëm nga përfaqësuesit e biznesit të vogël, nga ekspertë vendas dhe nga opozita, siç edhe pritej, por edhe nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucione këto që nuk njihen as si pro-informalitetit, as si shumë sociale. Arsyet e kundërshtimit janë ato që u përmendën më lart: skema shihet si jo-efektive për luftimin e evazionit, madje me rrezik për shtimin e tij, me pak ose aspak përfitime në rritjen e të ardhurave fiskale, me kosto të larta administrative dhe në përgjithësi e dëmshme për aktivitetin ekonomik të vendit[16][17].

Edhe pse qeveria socialiste, ndoshta nga frika e kostos politike të një mase të tillë radikale, u tërhoq pjesërisht nga ideja fillestare e përfshirjes në skemë të gjithë bizneseve të vogla pa dallim niveli të xhiros (zbatimi në atë formë i skemës do të ishte arma termonukleare për të eliminuar të gjithë biznesin e vogël në Shqipëri!), ajo vendosi megjithatë që të injoronte rekomandimet e institucioneve të mësipërme dhe të vazhdonte me zbatimin e nismës së TVSH-së duke përfshirë në të pothuajse 10 mijë biznese të vogla, me pretendimin se kjo masë do të luftoj evazionin dhe do të rrit drejtësinë në treg. Kësaj i thonë të tregohesh më katolik se Papa dhe më ortodoks se FMN-ja!

Së fundmi, është e vështirë të mos habitesh me hipokrizinë e atyre që përndryshe ngrenë gjithmonë zërin për mosndërhyrje të shtetit në ekonomi dhe për politikën që duhet t’i rri larg tregut, në mbrojtje të lojës së lirë të aktorëve privatë, të cilët, kur erdhi puna për të likuiduar konkurrencën ndaj biznesit të madh, u rreshtuan në radhën e parë të atyre që thërrisnin shtetin për ndihmë[18].

250 vjet më parë Adam Smith, filozofi dhe ekonomisti i parë i kapitalizmit, shumë i vlerësuar dhe po aq i keqkuptuar dhe i keqinterpretuar prej fanatikëve neoliberalë të kohëve tona, shkruante në veprën e tij tashmë klasike Mirëqenia e Kombeve:

Interesi i tregtarëve është gjithmonë në zgjerimin e tregut dhe në zvogëlimin e konkurrencës […] Propozimet e bëra nga kjo shtresë për ligje ose rregulla të reja të aktivitetit tregtar duhet të shqyrtohen gjithmonë me vëmendjen më të madhe dhe asnjëherë nuk duhet të miratohen para se atyre t’u jetë bërë një analizë jo vetëm e hollësishme dhe e kujdesshme, por edhe nën dyshimin më të madh. Këto propozime bëhen nga një grup njerëzish interesi i të cilëve asnjëherë nuk përputhet plotësisht me interesin e publikut, prej njerëzish të cilët në përgjithësi kanë interes ta mashtrojnë, madje dhe ta shtypin publikun, gjë që të cilët edhe e kanë bërë shumë shpesh[19].

Do të ishte në të mirën e vendit sikur politikanët shqiptarë, ata në qeveri dhe ata në opozitë, t’i bënin të tyret këto fjalë.

(c) 2018, autori.


[1] MONITOR: Biznesi i madh kundër të voglit, protestë ku kërkon vënien e TVSH-së tek të vegjlit

Biznesi i madh kundër të voglit, protestë ku kërkon vënien e TVSH-së tek të vegjlit

[2] Llogaritja dhe mbledhja e TVSH-së është një proces i komplikuar, pasi në të gjitha hallkat e tij shteti detyron tregtarët që të llogarisin  TVSH-në si në blerje ashtu dhe në shitjen e mallit dhe të bëjnë një bilanc midis asaj që paguajnë në blerje dhe asaj që marrin nga shitja e mëtejshme. Në rastin e këmishës llogaritja dhe mbledhja e TVSH-së është pak a shumë e tillë: nëse importuesi (tregtari i shumicës) e fut këmishën në doganë me 500 lekë, ai duhet t’i parapaguaj shtetit 100 lekë TVSH (20% e 500). Tregtari i shumicës i shton çmimit të importit kostot e tij (për magazinimin etj) dhe fitimin e tij (po themi 250 lekë) dhe e shet më tej këmishën me 750 lekë plus TVSH 150 lekë (20% e 750), pra e shet me 900 lekë te tregtari i pakicës. Nga këto 150 lekë TVSH tregtari i shumicës i kalon shtetit vetëm 50 lekë dhe mban 100 lekët për të kompensuar 100 lekët që ai i parapagoi shtetit si TVSH në doganë. Tregtari i pakicës nga ana e tij i shton po ashtu 250 lekë çmimit 750 lekë me të cilin ai e bleu këmishën për të mbuluar kostot e tij dhe fitimin, dhe çon çmimin në 1000 lekë. Këmishën ai ia shet klientit me çmimin 1200 lekë (1000 lekë plus 200 lekë TVSH). Nga këto 200 lekë TVSH tregtari i pakicës duhet t’i kaloj shtetit vetëm 50 lekë dhe mban 150 lekët që ai ia parapagoi tregtarit të shumicës.

[3] Tatimi është 5% mbi fitimin për xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë; 7.5% për xhiro mbi këtë nivel.

[4] Biznesi i vogël barrën e TVSH-së mund ta uli jo vetëm duke kërkuar faturë në blerjet nga biznesi i madh (të cilën pastaj ai e zbret nga TVSH-ja e shitjeve), por edhe duke deklaruar më pak xhiro dhe, në këtë mënyrë, edhe më pak TVSH në shitje, pra duke bërë evazion. Efekti është i njëjtë si të kërkoj faturën nga biznesi i madh; madje kështu biznesi i vogël shmang edhe rrezikun e deklarimit të xhiros mbi 5 milionë lekë që do ta detyronte atë të paguante tatim mbi fitimin. Një tjetër pasiguri është nëse biznesi i madh, nga ana e tij, do të pranoj që të lëshoj faturën me vlerën reale të blerjes që biznesi i vogël bën prej tij, një ankesë kjo e përhershme e shoqatës së bizneseve të vogla.

[5] Ai mund të përpiqet që t’ia kaloj klientit të gjitha ose një pjesë të shpenzimeve shtesë nëpërmjet çmimeve më të larta, por suksesi nuk është i sigurt – çmimin e përcakton tregu dhe nuk duhet harruar që një pjesë e tregtarëve të shumicës janë njëkohësisht edhe shitës me pakicë, pronarë dyqanesh dhe supemarketesh të cilët nuk kanë arsye që të rritin çmimet.

[6] Bizneset e mëdha në Shqipëri janë të detyruara me ligj të deklarojnë pranë Tatimeve dhe të publikojnë në ambientet e tyre dy lista çmimesh: një me çmimet e shumicës dhe një me ato të pakicës; duke qenë se çmimet e pakicës janë si rregull më të larta, çdo shitje reale apo fiktive me kupon, pra me pakicë, ka një çmim më të lartë dhe rrjedhimisht edhe TVSH më të lartë, të cilin në rastin e shitjes fiktive tregtari i madh e paguan nga xhepi i vet.

[7] Arsyeja përse tregtari i shumicës nuk i bën dot bisht shitjes me faturë ose me kupon është sepse malli i tij, i sjellë nga importi dhe i kaluar në doganë, është tashmë i futur në sistemin kompjuterik të taksa-tatimeve; malli është i regjistruar dhe gjendja e tij mund të kontrollohet kollaj nga tatimorët: malli ose është shitur dhe për këtë duhet fatura ose kuponi përkatës, ose nuk është shitur ende dhe është gjendje në magazinë (gjë që kontrollohet thjesht nëpërmjet inventarit).

[8] Nga ana financiare dëmtimi i biznesit të madh nga mospërfshirja e bizneseve të vogla në TVSH është modest: rreth 5% e çmimit (çereku i TVSH-së) që në disa raste biznesi i madh detyrohet ta paguaj nga xhepi i vetë.

[9] Sipas INSTAT në fund të 2016 në Shqipëri kishte rreth 106 mijë biznese shërbimesh me 1 deri 9 të punësuar, nga 108 mijë në total; prej këtyre 50 mijë vetëm në tregti, pjesa tjetër biznese transporti, hotelerie dhe shërbime të tjera; që punësojnë rreth 195 mijë veta, nga 470 mijë në total.

INSTAT: Ndërmarrjet aktive sipas aktivitetit ekonomik dhe madhësisë

http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-shërbimet/regjistri-statistikor-i-ndërmarrjeve/#tab2

INSTAT: Numri i ndërmarrjeve, punësimi dhe vlera e shtuar sipas madhësisë së ndërmarrjeve, 2011-2016

http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-shërbimet/statistikat-strukturore-të-ndërmarrjeve-ekonomike/#tab2

[10] MONITOR: Qendrat tregtare, tregu i mbingopur, kryeqyteti ia kalon dhe vendeve perëndimore për sipërfaqe për banor

Qendrat tregtare, tregu i mbingopur, kryeqyteti ia kalon dhe vendeve perëndimore për sipërfaqe për banor

[11] Interesante është një intervistë me Samir Mane, pak ditë para se qeveria të shpallte planin e skemës së re të TVSH-së, kur pyetet për tregtinë me pakicë: “Një pjesë e kompanive kanë ecuri mesatare, dhe kjo nuk lidhet me arsye të brendshme, por për shkak të shkallës së lartë të informalitetit” dhe më tej: “Gabim i investitorëve, unë po të isha nuk do të investoja, të paktën për disa vite. Do të këtë nevojë, por qendrat ecin paralel me informalitetin. Me uljen e informalitetit, mund të ketë rritje të qendrave” dhe po ashtu: “Është e njëjta problematikë si në tregtinë me pakicë, shkalla e lartë e informalitetit, pasi nuk konkurrojmë me tregun e brendshëm.”

MONITOR: Samir Mane: Tirana do të ketë mbingarkesë me kulla

http://www.monitor.al/samir-mane-tirana-do-te-kete-mbingarkese-me-kulla/

[12] IMF: TAX POLICY, EVASION, AND INFORMALITY IN ALBANIA, f. 26, 36

https://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2016/cr16143.pdf

[13] MONITOR: “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” mbështet TVSH-në te biznesi i vogël

“Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” mbështet TVSH-në te biznesi i vogël

[14] Top Channel Albania, Top Show, 11 Tetor 2017, Tema: Barra TVSH (22:10)

https://www.youtube.com/watch?v=VYIFNAsjgtE

ose këtu:

FAXWEB: Deklarata e fortë e Nikolin Jakës: Do mbyllen 138 mijë biznese të vogla brenda 5 viteve

Deklarata e fortë e Nikolin Jakës: Do mbyllen 138 mijë biznese të vogla brenda 5 viteve

[15] Top Channel Albania, Top Show, 11 Tetor 2017, Tema: Barra TVSH (Nikolin Jaka 23:03; drejtori Institutit Europian “Pashko” Besart Kadia 28:58)

https://www.youtube.com/watch?v=VYIFNAsjgtE

[16] IMF STAFF COUNTRY REPORTS, Albania : 2017 Article IV Consultation-Press Release (f 62):

Several recent and planned policy changes, although aimed at tackling informality, weaken the VAT architecture. The reduced VAT rate on hotel accommodation creates tax planning opportunities and should be reviewed. The planned reduction of the VAT registration threshold that vary by sectors would absorb scarce administrative resources while producing almost no collections. A comprehensive presumptive regime with a simple lumpsum tax for microbusinesses and a single turnover-based tax for SMEs, without sectoral differentiation, should be considered.

http://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2017/12/13/Albania-2017-Article-IV-Consultation-Press-Release-Staff-Report-and-Statement-by-the-45468

[17] Një përmbledhje shumë të mirë për masat alternative të propozuara ndaj skemës së TVSH-së që ndoqi qeveria, e ka bërë Gjergj Erebara i BIRN:

https://www.reporter.al/kostoja-shtese-e-tvsh-se-mbi-biznesin-e-vogel/

[18] Biznesi i madh në kërkesën dhe në protestën e tij pati mbështetjen aktive të stafit drejtues dhe pedagogjik të Universitetit Europian të Tiranës dhe të Institutit Europian “Pashko”, këto përndryshe të vetmbajtura si kala të neoliberalizmit në Shqipëri.

http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=209260

[19] The Wealth Of Nations, Book I, Chapter XI, Part III, (Conclusion)

To widen the market and to narrow the competition, is always the interest of the dealers…The proposal of any new law or regulation of commerce which comes from this order, ought always to be listened to with great precaution, and ought never to be adopted till after having been long and carefully examined, not only with the most scrupulous, but with the most suspicious attention. It comes from an order of men, whose interest is never exactly the same with that of the public, who have generally an interest to deceive and even oppress the public, and who accordingly have, upon many occasions, both deceived and oppressed it.

http://geolib.com/smith.adam/won1-11.html

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.