ME VRAP DREJT EUROPËS

Më poshtë disa përshtypje të miat, pasi ndoqa intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me Tim Sebastian në emisionin Conflict Zone të Deutsche Welle.

Pjesë të intervistës janë përkthyer shqip dhe botuar në mediat edhe online.

Ka shumë për të diskutuar, në lidhje me këtë intervistë; duke filluar nga fakti që shumë vëzhgues në Europë dhe jo vetëm, kërkesën këmbëngulëse e Ramës për ta pranuar sa më shpejt Shqipërinë në BE or else e kanë perceptuar si kërcënim.

I pyetur se çfarë rreziku i kërcënohet – Shqipërisë ose Europës – në rast se kjo nuk ndodh në një të ardhme të afërt; ose çfarë parakuptohet me këtë or else, Rama gjithnjë iu referua një entiteti të paqartë, të cilin ai e quajti ghosts from the past.

Edhe kur Sebastian e nxiti të japë më tej shpjegime se çfarë janë këta ghosts from the past, Rama nuk iu largua skriptit që kish në mendje, dhe përmendi turbull të kaluarën komuniste të Ballkanit ose konfliktin nacionalist; por pa tingëlluar bindës.

Ç’të jenë këto fantazma të së shkuarës, pra? Dhe pse ngurroi Rama që t’i përmendte me emër, ose t’i konkretizonte?

Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, le të mbajmë parasysh vështirësitë e grupit rreth Ramës që ka sot pushtetin në Tiranë – dhe që jo doemos identifikohet me bazën e PS-së (diçka e ngjashme më duket se përvijohet edhe me Vuçiçin në Beograd).

Ky grup i edukuar në masë të madhe jashtë dhe që ka qenë rregullisht në kontakt të ngushtë me të huajt, është haptazi dhe bindshëm i orientuar ndaj Europës dhe Perëndimit, por nuk mund ta mbajë gjatë pushtetin, pa një injeksion të rëndësishëm parash dhe kapitali nga jashtë, për t’i dhënë pak jetë ekonomisë në vend dhe për të normalizuar jetën publike (duke përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit dhe për shëndoshjen e drejtësisë).

Orientimi i tyre më duket i drejtë, në kuptimin që edhe unë do të kisha vepruar njëlloj; dhe po ashtu, më duket se Rama strategjikisht nuk ka rrugë tjetër, përveçse që të bëjë presion, me çdo mjet, që prania e Shqipërisë në BE të sanksionohet edhe me pranimin formal.

Veçse unë nuk do ta dëgjoja si kërcënim arsyetimin e tij – por më tepër si kërkesë të dëshpëruar për ndihmë.

Nëse kjo ndihmë përfytyrohet prej tij si ndihmë për qytetarin shqiptar, apo thjesht si ndihmë për grupin e tij që të qëndrojë në pushtet, këtë unë nuk e di.

wile-e-coyote2Gjithsesi, kur dua ta vizualizoj situatën e pakëndshme ku ndodhet sot elita në pushtet në Tiranë, dhe veçanërisht grupi që mbështet dhe mbështetet prej Ramës, më vjen në mend Wile E. Coyote, i një serie të mirënjohur filmash të animuar, që në vrull e sipër nuk e vë re se rruga i ka mbaruar dhe se tani po e vazhdon vrapimin në boshllëk.

Rama dhe të vetët, kushedi të shtyrë nga idealizmi, kushedi nga dëshira për të kënaqur “ndërkombëtarët”, kushedi me shpresë se ashtu do të mbeten më gjatë në pushtet, e shohin veten tani, edhe ata, të varur pezull mbi humnerë; ose të kapur peng në para-rrokullisje.

Le ta përfytyrojmë vrullin që e shtyn Wile-in përtej buzës së rrugës si prirje ose tejzgjatje, ndoshta të tepruar, të elitës tiranase në pushtet ndaj Europës a Perëndimit – për shkak të një kulti kargosh të papërgjegjshëm, që i ka rrënjët në adoptimin jokritik të legjislacionit europian dhe të modeleve sociale të përpunuara në kultura krejt të huaja nga jona.

Problemi është ky: sa po e ndjek qytetari Ramën dhe grupin e tij sot në këtë trajektore kaq të guximshme?

Rama mund të thotë se “nuk ka alternativë tjetër ndaj Europës” – duke iu referuar me siguri grupit të vet; por në realitet alternativat nuk mungojnë; çështja është vetëm sa të pranueshme janë.

Duke pasur këtë parasysh, besoj se “fantazmat” të cilave u referohet kryeministri shqiptar në thirrjen e tij të dëshpëruar për ndihmë nuk janë veçse ato të shtrirjes së ndikimit politik, në Ballkan, nga vende të lidhura në mënyra të ndryshme me Islamin – që nga Turqia, te Emiratet Arabe, Arabia Saudite, Irani dhe më tej.

Grupi ku bën pjesë edhe Rama, dhe që e ka katapultuar atë në pushtet me ndihmën edhe të një faktori ndërkombëtar specifik, herë pas here ka dalë publikisht me deklarime të forta orientaliste – madje edhe duke u identifikuar haptazi si kundërshtar i “anadollakëve” në Shqipëri; dhe duke e denoncuar trashëgiminë osmane të shqiptarëve si faktor pengues të përparimit dhe të modernizimit dhe të afrimit ndaj Europës.

Mes tyre ka edhe nga ata që janë përpjekur dëshpërimisht të kalërojnë kalin surrogato të kinse luftës kundër Islamit fondamentalist dhe ISIS-it ose Al Qaeda-s, për të vënë poshtë kundërshtarët e tyre politikë dhe për t’u paraqitur si e vetmja interface e mundshme e shqiptarëve në komunikimet me Perëndimin.

Çka nuk ka penguar njeri, nga e njëjta elitë, për t’i mbajtur marrëdhëniet mjaltë e qumësht me qeverinë e sotme në Ankara; ose për të pranuar ndihma bujare, në para, nga vende të ndryshme arabe; dhe këtu nuk e kam fjalën për ndërtimet e xhamive.

Megjithatë, Rama e ka të qartë – sikurse shumë të tjerë – se, nga pikëpamja strategjike, çdo vend mysliman i Lindjes që ndihet sot aq i fuqishëm sa të synojë ekspansion politik dhe ekonomik në Ballkan, do të mbështetet te popullsia myslimane e gadishullit; përfshi këtu edhe shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Dhe ndoshta pikërisht kësaj i druhet keqazi Rama dhe grupi i vet: gjallërimit të përshpejtuar të Islamit shqiptar me injeksione jo vetëm në cash por edhe në ide dhe energji politike nga vende si Turqia, Emiratet Arabe, Kuvajti, Arabia Saudite, Irani.

Skenari që trojet shqiptare në Ballkan të shndërrohen, në afat të mesëm, në një terren ku feja islame të kombinohet gjallërisht me politikën, nuk është kaq fantashkencor sa ç’mund të ishte 25 vjet më parë; dhe nëse është kështu, atëherë ata shqiptarë të cilëve u dhimbset vendi i tyre dhe qetësia dhe paqja sociale, duhet të paktën ta kuptojnë se ku i rreh Ramës; si dhe çfarë nuk ka marrë vesh, ose bën sikur nuk ka marrë vesh Brukseli.

Dhe nëse është kështu, atëherë këta “ghosts from the past” kaq të mistershëm, për të cilët foli në intervistë kryeministri i Shqipërisë, janë – të paktën dhe in the best case scenario – modelet politike dhe sociale të Perandorisë Osmane; ose rivendosja e kufirit mes Perëndimit dhe Lindjes mu përmes trojeve shqiptare në Ballkan.

Grupit të Ramës tani do t’i ketë dalë edhe pija e kultit të kargove; dhe, duke i përjetuar fillimet ngjethëse të panikut njëlloj si Wile E. Coyote i ngrirë pezull mbi hon, do ta ketë kuptuar se qytetari shqiptar, taksapaguesi, njeriu i rrugës, ai që tanimë është gati të marrë me kuç e me maç rrugët e mërgimit, sepse nuk ka gjë që ta mbajë të lidhur pas tokës; ky qytetar pra, po e humb përfundimisht iluzionin për Shqipërinë “europiane”, sikurse po e humb iluzionin për të drejtat e njeriut, pluralizmin politik, lirinë e fjalës, të drejtat gjinore dhe të tjera monedha frikshëm të zhvlerësuara, në tregun e diskursit politik të brendshëm.

Qytetari kërkon drejtësi, punësim, qetësi, siguri sociale, arsim publik dhe shëndetësi të përballueshme nga të gjithë; dhe këto kanë nevojë për investime, të cilat Ramës dhe grupit të Ramës i duhet që t’i gjejë diku. Një pranim i përshpejtuar i Shqipërisë në BE kushedi do t’i sillte edhe investimet e shumëpritura, nga të cilat BE-ja sigurisht do të përfitonte; dhe bashkë me to edhe më shumë vende pune dhe të tjera të mira publike për Shqipërinë.

Por nëse Europa nuk e çan kryet, ose fut kokën në rërë, atëherë Shqipëria do të detyrohet që ta gjejë mbështetjen gjetiu, pa çka se me haraç të hidhur politik; duke filluar që nga rënia prej pushtetit jo vetëm e Ramës, por edhe e krejt elitës kryeqytetase filo-europiane dhe pro-perëndimore që përfaqëson Rama (madje edhe para se në Shqipëri të harrohet krejt Adriano Celentano-ja). Dhe gjithsesi, kësaj Shqipërie “europiane” të mbetur në tentativë, me këtë kapacitet kaq të mjerë moral që i ka mbetur jetës publike atje, rrezikohet të mos i besojnë më as hartat gjeografike.


 

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi në media pa autorizimin e autorit ose një administratori të blogut.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.