MEDIOKRITET, POR I KUJT?

Në vazhdën e një debati për çmimin Kadare, sot lexova edhe një replikë të Henri Çilit në MAPO, ndaj një ndërhyrjeje tejet kritike për procedurat e dhënies së çmimit, nga Mimoza Ahmeti dje.

Mendimin tim për këtë çmim unë e kam shprehur tashmë: është çmim bujar dhe dorëlëshuar, nga ana financiare; por i dënuar që të mbetet periferik, për shkak të kushteve aq kufizuese që shoqërojnë pjesëmarrjen në konkurrim dhe në botimin e veprës fituese. Megjithatë, është më mirë për letërsinë shqipe që e ka; dhe si ky u shtofshin edhe të tjerë.

Nëse po shkruaj sërish, e bëj ngaqë më tërhoqi vëmendjen nëntitulli i shkrimit të Çilit: “Kadare, jo fajtor për mediokritetin letrar shqiptar që nuk kapërcen dot Adriatikun!”  që pas gjase i përgjigjet disa akuzave në shkrimin e Ahmetit.

Nëntitulli është shkëputur nga ky paragraf, që po e citoj të plotë:

Fakt është që në këto 27 vjet ku liria e botimeve ka qenë e garantuar, liria e qarkullimit të ideve dhe shkëmbimit kulturor me botën e jashtme ka qenë e garantuar po ashtu, ne nuk kemi arritur të prodhojmë, esencialisht, një autor apo një brez autorësh shqiptarë ndërkombëtarisht të njohur. Dhe për këtë, jo vetëm që Ismail Kadare nuk ka faj, e ka fajin vetëm mediokriteti letrar, apo për ta thënë në mënyrë më të sjellshme, cilësia e munguar e letërsisë apo autorëve shqiptarë për t’u bërë ndërkombëtarisht të përfillshëm.

Autori këtu bën shumë supozime, njëri më i kritikueshëm se tjetri: (1) e merr për fakt që në këto 27 vjet nuk kemi arritur të prodhojmë esencialisht një autor apo një brez autorësh shqiptarë ndërkombëtarisht të njohur; (2) ia faturon këtë mediokritetit letrar, apo “cilësisë së munguar”; (3) e merr për të mirëqenë se ka ndonjë farë lidhjeje midis “lirisë së botimeve” dhe “të qarkullimit të ideve” dhe “shkëmbimit kulturor” me botën e jashtme dhe cilësisë së veprave letrare; (4) nënkupton se njohja ndërkombëtare do të shërbente si provë e cilësisë; por edhe që kjo mosnjohje e tanishme është provë e mediokritetit, etj.

Mirëpo këto nuk qëndrojnë. Kështu, pa e vrarë shumë mendjen dhe pa e lodhur Google-in, mund të përmend autorë si Elvira Dones, Ardian Kyçyku, Gazmend Kapllani, Fatos Lubonja, Ylljet Aliçka, Luljeta Lleshanaku, Besnik Mustafaj, Anilda Ibrahimi, Ornela Vorpsi, Besa Myftiu, Ben Blushi, Arian Leka, Bashkim Shehu, Arben Dedja, Darien Levani dhe të tjerë që të më falin se nuk po më kujtohen ose nuk i njoh; të cilët janë botuar tashmë gjerësisht dhe i janë dhënë publikut të huaj në Perëndim. Këtë e kanë arritur me përpjekjet e tyre, dhe përgjithësisht pa mbështetjen e shtetit dhe rrethana gjeopolitike kur interesi për autorët shqiptarë nuk ka ndonjë përparësi.

Edhe sikur t’i lëmë këta autorë mënjanë dhe letërsinë e tyre t’ia faturojmë “emigracionit”, sërish letërsia e prodhuar në trevat shqiptare këto 30 vjet nuk e meriton etiketën e mediokritetit. Ose më mirë, fakti që një letërsi e caktuar nuk eksportohet, nuk mund të shërbejë si provë se ajo është mediokre; meqë ky lloj argumenti është politik, jo letrar. Shkrimtari, përfshi këtu edhe atë që shkruan shqip, nuk e bën këtë për të ngritur emrin e Shqipërisë në botë; por sepse ka diçka të vyer për t’i komunikuar lexuesit të vet. Dhe për më tepër, duke pasur parasysh raportin intim të letërsisë shqipe me gjuhën amtare, ka shkrimtarë që i drejtohen ekskluzivisht lexuesit shqip dhe as që e mendojnë se vepra e tyre një ditë do të përkthehet.

Unë madje do të thoja se sikur kjo apo ajo vepër letrare t’i dukej sublime qoftë edhe një lexuesi të vetëm që ta gjente rastësisht të braktisur në një stol parku, ajo do ta kish përligjur ekzistencën e saj; tek e fundit, vlerat letrare nuk vendosen me vota dhe as me shitje; sikurse nuk vendosen me numrin e gjuhëve të përkthyera.

Në fund të fundit, e kemi ditur që nga vitet e totalitarizmit, se shkrimtarët që shkruanin për eksport ishin thjesht hacks, ose ushtarë të rekrutuar, për t’i shërbyer propagandës së regjimit të atëhershëm.

Edhe “liria e botimeve” dhe “e qarkullimit të ideve”, për të cilën flet Çili, nuk e ka ndihmuar aq shumë letërsinë, sa ç’ka ndihmuar komercializmin në kulturë; duke rrafshuar vlerat dhe duke e shndërruar librin, edhe librin artistik, në mall. Përndryshe, në një sistem letrar ku mungon edhe promovimi profesional i librit, edhe kritika letrare, edhe aparati kulturor që do ta kultivonte librin e ri në raport me lexuesin dhe me traditën, edhe revistat kushtuar librit, nuk ka shumë kuptim të flitet për “mediokritet” të letërsisë; për arsyen e thjeshtë se këtë mediokritet askush nuk e ka zbuluar, veç atyre që u shërben si alibi për idetë dhe politikat e tyre.

Një libër i mirë nuk mund t’i realizojë të plota vlerat e tij për lexuesin, në rrethanat kur asnjë nga faktorët dhe filtrat më sipër nuk funksionon; sikurse keqfunksionimi i një sistemi të orientuar ndaj fitimit, lypjes së fondeve dhe komercializmit nuk mund të përdoret pastaj si argument se paskemi letërsi “mediokre.”

Vetë cilësimi “mediokre” është paragjykues dhe përçmues: tek e fundit, çfarë do ta bënte një libër mediokër? Që nuk është shitur masivisht? Që nuk është kuptuar? Që nuk është përkthyer në Francë? Që nuk i ka pëlqyer këtij apo atij patriarku? Të njëjtat argumente mund të ktheheshin kokëposhtë: një vepër që ka sukses të madh dhe shitet deri në kioskat e akullores dhe për të cilën flasin revistat e modës dhe “thyhen” rrjetet sociale, ka gjithnjë rrezik të jetë vepër mediokre; në një kohë që një vepër më e vlefshme, nga pikëpamja thjesht artistike, të mbetet në hije, të mos kuptohet mirë sepse e thellë, ose të luftohet në prapaskenë sepse fut në krizë hierarkitë letrare dhe vlerat e kristalizuara, ose të mos përkthehet dot sepse idiosinkratike, etj.

Për ta përmbledhur: që letërsia shqipe “nuk e kapërcen Adriatikun”, ky është më shumë problem i shtëpive botuese dhe i institucioneve publike dhe private që merren me librin; aq më tepër po të kemi parasysh se çfarë përkthehet dhe botohet çdo ditë, në Perëndim. Nëse letërsia e sotme shqip është mediokre apo jo, këtë ende nuk e dimë, sepse mungon një sistem i vlerësimit profesional të produksionit letrar; që të jetë i pavarur nga politika, nga ideologjia (kombëtariste) dhe komercializmi.

Në këto muhabete, zakonisht sillet shembulli i veprës së I. Kadaresë, si diçka për t’u emuluar nga autorët e rinj; pa çka se trajektorja e kësaj vepre në Perëndim në vitet 1970-1980 ishte sa produkt i vlerës së saj intrinseke, aq edhe i faktorëve politikë të papërsëritshëm, të cilët e favorizuan në mënyrë vendimtare: përndryshe, I. Kadareja do të mbetej shkrimtar i madh i letërsisë shqipe edhe sikur asnjë vepër të mos i ishte përkthyer dhe botuar gjetiu; dhe se vepra e tij e ka pasuruar kulturën dhe letërsinë shqipe përtej çdo efekti që mund të ketë pasur për lexuesin frëng, suedez ose polak.

Sot vërehet një përpjekje, ndonjëherë e nxitur edhe nga institucione publike, për të përkthyer vepra të letërsisë shqipe; përpjekja është për t’u përgëzuar, edhe pse krejt e pamjaftueshme – dhe më mirë të kish shkuar në përgatitjen e përkthyesve të mirë nga shqipja në gjuhë të tjera si anglishtja, frëngjishtja ose gjermanishtja. Por nuk duhet ngatërruar kjo përpjekje dhe nevoja që mund të kenë autorët vetë për ta parë librin e tyre të botuar në një gjuhë tjetër, me vlerën artistike të një vepre: përkthimi dhe sidomos botimi varen nga një numër faktorësh që nuk lidhen aq me cilësinë artistike, sa ç’lidhen me koniunkturat politike, modën letrare, interesat e publikut në gjuhën pritëse, nevojën e kulturës pritëse, e kështu me radhë. Pa përmendur pastaj që një numër i madh i veprave të përkthyera me ndërhyrje institucionale nuk arrijnë të ngjallin interesin e publikut dhe mbeten në stok.

Këtë ide, që eksporti i veprave letrare mund të përdoret si masë për “anti-mediokritetin” e saj, e kanë sjellë në kulturën tonë ideologët; ose njerëz që nuk janë aq të interesuar për letërsinë, sa ç’janë të interesuar që ta përdorin atë, për të arritur qëllime të tjera. Është një ide që ka arritur të depërtojë në fondin e presupozimeve kolektive, në kuptimin që po merret gjithnjë e më shpesh si e mirëqenë pa vërtetim; pa çka se mbetet e pabazuar, e gabuar, madje e dëmshme për letërsinë vetë.

Aq më tepër që, në rrethanat kur institucionet publike fillojnë të përzgjedhin autorët që do të përkthehen në Perëndim; dhe kur kriteri i eksportit vazhdon të funksionojë si provë e “cilësisë artistike”, përnjëmend rrezikohet që shteti ta shohë veten (sërish) në rolin e neveritshëm të përzgjedhësit dhe kultivuesit të shkrimtarëve të shquar, ose të kontrollorit të cilësisë në letërsi.

Për çmimin Kadare, unë veç uroj që të vazhdojë të jepet për aq kohë sa të krijojë një traditë dhe të shndërrohet në institucion letrar; vlerën e tij unë e shoh edhe te nxitja që mund t’u japë palëve të tjera, publike dhe private, për të dhënë çmime të ngjashme, që do ta pasuronin jetën kulturore në Shqipëri; duke veçuar këtu nevojën për një çmim që të nderonte kritikën letrare.

(c) Peizazhe të fjalës. Material i mbrojtur me të drejta të autorit: nuk lejohet ribotimi në mediat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *