MEIN KAMPF: NJË VËSHTRIM PERSONAL

nga D. Kokonozi

Tema pa dyshim që është tejet delikate, por pse është e tillë nuk do të thotë se për të duhet heshtur. Mein kampf është cilësuar si libër i keq, veçse kur është fjala për vepra të tilla nuk besoj se ato merren në dorë për të njëjtat arsye sikundër zgjidhen librat që do të lexosh në plazh. Shpesh, për të mbështetur vendimin e shëndetshëm se ai nuk duhet lexuar, autori tij cilësohet si psikotik, psikopat, skizofren, pervers seksual, paranoiak etj., gjë që çështë e vërteta e kam parë gjithnjë me dyshim të madh. Arsyetoja se prania e dikujt me patologji mendore në krye të një shteti të fuqishëm mund të bënte vaki në rastet e pushtetit të trashëguar, sikundër historia flet për perandorë romakë si Kaligula (që edhe ky në fakt u sëmur disa muaj pasi ishte ngjitur në pushtet), por që një i sëmurë mendor të nisej nga shkallët e kishave të Vjenës ku flinte dhe të vinte në krye të një shteti me spektër dhe jetë politike të zhvilluar si Gjermania (pa dashur të përmend klishenë e njohur të atdheut të Betovenit dhe Gëtes), kjo mund të ishte gjithçka tjetër, por jo punë e një të çmenduri.

Ja një i çmendur që nuk doli të jetë

Në raste fenomenesh të tillë është tjetër gjë të kërkosh të kuptosh dhe tjetër gjë të përligjësh. Këtë mendim pata para disa muajve ndërsa lexoja librin e Eric-Emmanuel Schmitt “Pjesa e tjetrit”. Origjina çifute e këtij shkrimtari të përkthyer kudo në botë nuk e pengoi që t’i shohë si krejt të papranueshme idetë se Hitleri ishte një i çmendur. Autori thotë se ai kishte një plan për të mbërritur në pushtet dhe e realizoi atë pa i lëvizur asnjë presje. Për Schmitt-in Hitleri ishte një “artist logjik” dhe ndryshe nga politikanët e tjerë që i përshtateshin edhe një realiteti që nuk u pëlqente, Hitleri dinte ta krijojë atë realitet sipas përfytyrimit të tij. Njerëzit duan ta paraqesin atë si të çmendur, thotë Schmitt, sepse po ta pranojnë si normal kjo tregon se te gjithkush prej nesh fshihet një diktator i përgjakshëm (gjë që është ca e frikshme, por jo fort e pavërtetë, theme unë).

Tani vonë, edhe një numër ekspertësh gjermanë, që ishin vënë në kërkim të ndonjë patologjie që kishte turbulluar personalitetin e Hitlerit, deklaruan se nuk kishin gjetur asgjë të tillë. Me këtë besoj se u mbyll një kapitull shpjegimesh foshnjorizuese, që kishin krijuar një tërthore të dëmshme që i mbyllte analizat aty ku duhej të fillonin.

Filosemiti A. Hitler

Mein kampf mbetet një libër i pashmangshëm edhe për të kuptuar formimin dhe personalitetin e autorit të tij. Ajo që bie në sy është se deri në një moshë pak a shumë të rritur, ai jo vetëm që nuk ka asnjë ndjenjë antiçifute, por përkundrazi, ndjen neveri për antisemitët. Ndryshe nga sa thuhet, në shtëpinë e tij ai kurrë nuk kishte dëgjuar të flitej keq për çifutët. I ati, thotë ai, do t’i cilësonte si të pagdhendur e të prapambetur ata që do të flisnin kundër çifutëve (E përmend këtë sepse ka një teori psudo frojdiste që e trajton antisemitizmin e tij si një mënyrë e kundërshtimit të autoritetit të të atit). Edhe në fillimet e tij në Vjenë ai skandalizohet nga artikujt e gazetave antisemite. Por edhe mënyra se si nisi t’i urreje ata është një rast mjaft interesant studimi, sepse nuk del në asnjë rast që të jetë motivuar fetarisht ashtu siç ndodh me turmat e antisemitëve të rëndomtë e gjysmakë të cilët në shekuj i shihnin çifutët si “vrasësit e J . Krishtit”, ide që njëfarsoj e ushqente edhe vetë Vatikani me heshtjen e tij deri vitet ’60. Asgjë e tillë te A. Hitleri. Në të ritë e tij ai ka të gjitha shenjat e nja filosemiti.

Gjithçka ndodhi krejt rastësisht, kur një ditë ai pa në rrugë një çifut të veshtur me “kaftanin e tij të gjatë dhe me dredhëzat e flokëve” që i varshin në kokë. Ky është çifuti, pyeti ai veten dhe pastaj vazhdon: ky është edhe gjerman? Nga ai çast ai u vu të kërkojë libra për t’u informuar dhe lexoi shumë literaturë antisemite, por asgjë nuk i dukej bindëse. Pohimet e tyre thotë, ishin artificiale dhe në to mungonte baza shkencore, që lë të kuptojë se do ta bëjë ai vetë.

Kthesa ishte marrë dhe A. Hitleri shumë shpejt do të shndërrohet në një “antisemit fanatik” siç thotë diku vetë. I përbuz se ata se ishin shumë dhe kishin zënë vend në çdo qelizë të jetës, se në afishet teatrale, gazeta, banka kishte vetëm çifutë, se “për një Gëte kishte njëqind kalemxhinj të tillë”, se grindeshin pareshtur me njëri tjetrin. Ai ka shumë imagjinatë, por edhe mangësitë kulturore dhe historike që ka bien shumë në sy në këtë kapitull të veprës. Megjithatë, autorë të ndryshëm mendojnë se ky shndërrim në antisemit ka ndodhur në një kuadër të veçantë. Ai ka ndjekur dhe është bërë adhurues i diskutimeve të K. Lueger, kryebashkiaku mjaft i suksesshëm i Vjenës, por edhe antisemit e antikapitalist i njohur. Ka të ngjarë që Lueger të ketë një rol në shndërrimin e tij por përsëri më duket shpjegim disi i thjeshtuar, edhe pse më i besueshëm se teori të tilla se donte t’i zhdukte të gjithë çifutët sepse vetë kishte një damar të largët prej gjaku çifut, apo se donte t’u merrte paratë etj..

Më tej, argumentet e pretenduara si “shkencore” që do të sjellë, vërtet që nuk më duken aspak të tilla. Duke kërkuar të mbështesë neverinë që i kishte shkaktuar çifuti që pa nga afër me rrobën e tij tradicionale (them se do të ketë qenë ndokush nga ata që sot i quajmë çifutë ortodoksë) ai i akuzon ata se kurrë nuk kanë krijuar gjë dhe vetëm se kanë përfituar nga qytetërimet e tjera, të cilat me kohë i korruptojnë dhe shkatërrojnë së brendëshmi. Një pohim krejt pa logjikë, për mendimin tim, sepse çifutët jo vetëm kanë qenë pjesa më e integruar e popullsive përkatëse nëpër botë, por ata kanë kontribuar me sukses në të gjitha kulturat dhe hapat që ka hedhur njerëzimi, pa llogaritur faktin se të gjitha qytetërimet kanë përfituar nga njëri tjetri dhe kurrsesi nuk mund të thuhet se arritjes e kohëve tona (për të cilat flet edhe autori Hitler) janë rezultat i një qytetërimi të vetëm. Dhe këtu lëmë mënjanë se ata janë populli i parë që përqafoi idenë e monoteizmit, ndërkohë që popujt e tjerë edhe për mijëra vjet do të vazhdojnë t’u falen maleve, diellit, gurëve (fise të ndryshme gjermane deri në Mesjetën e mesme u faleshin pemëve) etj. e në shumë raste do të praktikojnë deri vonë edhe sakrificën njerëzore.

Protokollet e Sionit

Këtë tekst të përpunuar në zyrat e policisë cariste A. Hitleri e sjell si provë të komplotit çifut për shkatërrimin e qytetërimit. Duke folur për të vërehet edhe një mënyrë tipike e modelit të tij të thjeshtuar të arsyetimit. Ja një frazë që nuk të lë indiferent: “Janë të gënjeshtërt (protokollet e Sionit), përsërit duke ulërirë Gazeta e Frankfurtit dhe kërkon të bindë universin, por kjo është prova më e mirë se ato (protokollet) janë autentike”(!?). Në vazhdim të kësaj logjike, nuk lë jashtë edhe një argument linguistik. Për ta vënë botën më lehtësisht nën sundim, çifutët, sipas tij, do t’u imponojnë të gjithëve të mësojnë një gjuhë universale si esperanto.

Eshtë aq i pabesueshëm roli që u faturon çifutëve për ta arritur qëllimet e tyre, sa diku jep të kuptojë se edhe evolucioni historik i shoqërisë njerëzore në mijëravjeçarë është pjesë e manovrave të tyre. “Në fillim, çifuti, thotë shoku në fjalë, ka përdorur borgjezinë si mjet lufte kundër feudalizmit, tani përdor punëtorët kundër borgjezisë”. “Ai (çifuti) hiqet sikur u qan hallin punëtorëve, sikur është indinjuar nga varfëria ku ai jeton, për të fituar kështu besimin e tij. Por nën maskën e ideve sociale fshihen qëllime diabolike, ta cilat madje i paraqesin edhe në publik me qartësinë më të paturpshme…”

Besoj se e kuptuat se po flasim për marksizmin, për mënyrën se si e shkon A. Hitleri origjinën dhe rolin e tij, sepse këtu ai kopjon dhe shtrembëron idetë e njohura të Hegelit dhe Marksit.

Shpjegimi i mëtejshëm i marksizmit, për të cilin ai thotë se ka lexuar gjithçka, deri edhe Kapitalin vazhdon në të njëjtën linjë: një filozofi (aq sa mund të quajmë të tillë, thotë) që nuk është asgjë më shumë se një mjet i “çifutit” për të dominuar. Por në të dalin edhe disa parashikime të çuditshme. Ja si thotë diku: “ Me të fituar përfundimisht revolucionin (duket e ka fjalën për revolucionin e proletariatit botëror, për të cilin flet K. Marksi), ai hedh tutje edhe vellon e fundit, nën të cilën fshihej. Çifuti demokrat (kupto marksisti), mik i popullit i lë vendin çifutit gjakësor e armik të popullit. Në rrjedhë të viteve ai do të shfarosë përfaqësuesit e inteligjencës, duke u rrëmbyer popujve udhëheqësit e tyre shpirtërorë dhe i përgatit për rolin e skllavit duke i vënë përjetësisht nën zgjedhë.”

Ideja duket profetike, por ka të ngjarë që të mos ketë asgjë të tillë, ai vetëm sa ka përshkruar atë që po ndodhte në Rusi, ngjarjet e të cilave gazetat gjermane i përcillnin rregullisht. Dhe këtu është rasti të themi se për këtë personazh e për partinë e tij naziste mbase nuk do të qe folur më që pas puçit të Mynihut, po të mos kishte qenë frika që ndjente Evropa nga zhvillimet që ndodhnin në Rusi. Ekzistenca e mëtejshme e nazizmit mund të shihet edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e pasojave dhe frikës së “Revolucionit” rus të Tetorit, të kërcënimit që paraqiste ai për perëndimin.

Arianët

Në këtë libër ai i kushton shumë vend popullsisë ariane, që e sheh si një racë superiore dhe paraardhëse të popujve gjermanikë, të cilët në çdo rast ia kundërvë çifutëve, si antipode të njëri tjetrit. Në logjikën e tij popujt janë ndarë në krijues, depozitues e shkatërrues (arianët krijues, japonezët, f.v.j., depozitues, që përdorin shpikjet dhe arritjet e arianëve dhe çifutët si shkatërrues të qytetërimeve). Po a mjaftojnë argumente të tilla për të organizuar zhdukjen e një populli të tërë, qëllim të cilin ai nuk e shpreh drejtëpërdrejtë në këtë libër, por që ka avancuar të gjitha argumentet për?

Duke u marrë me këtë problem, diku kam krijuar (modestisht) një ide timen, që do ta shpreh shkurtazi: Duke folur me përbuzje për popullsinë çifute, A. Hitleri në librin e tij hera herës, shtron me ironi të njëjtën pyetje: këta janë vallë populli i zgjedhur? Nga ana tjetër tek shpalos projektin e tij për të ardhmen e popullit gjerman, ai e përshkruan atë si një popull që me gjakun arian në deje, është i vetmi popull i aftë dhe i denjë të projektojë të ardhmen, i vetmi popull krijues. Por ndërkohë në librat e shenjtë dhe në krejt imagjinatën e njerëzimit, për shekuj të tërë populli i zgjedhur ka një emër tjetër, është populli çifut. E pra, një gjë e tillë është krejt e papranueshme për logjikën e tij nacionaliste. Ai nuk mund të lejojë ekzistencën e një popull tjetër t’i bëjë hije racës gjermane, vetëm se në atë kohë ende nuk ka marrë pushtetin…

Janë shkruar mbi 12 mijë libra për të dhe mbase kjo ide mund të ketë lindur edhe në mendjen e ndokujt para meje, por ajo që ka rëndësi është fakti se në të unë shoh një argument dhe potencial të frikshëm që mund të jetë në origjinë të projektit shfarosës më të madh të historisë së njerëzimit. Për A. Hitlerin është e pakonceptueshme që të ketë një popull të zgjedhur, veç atij gjerman!

Por ndërsa flet pikërisht për arianët mua më qartësohen së tepërmi mungesat e formimin të tij historik e kulturor dhe shpesh interpretimet e tij më kujtojnë pasionin popullor të amatorëve të universit pellazgjik, që e marrin si të mirqënë e madje inatosen keq po të mos besosh edhe ti se pellazgët janë paraardhës të shqiptarve. Kështu edhe fantazitë e A. Hitlerit, pa asnjë referencë, pa asnjë të dhënë të besueshme që ta provojë një gjë të tillë, i sheh gjermanët si pasardhës të një popull që herë shfaqej në orient, herë në afërsi të Hindisë, që herë thuhet se kishte zbritur nga veriu e herë ishte ngjitur nga jugu etj… (Ajo që nuk pritej të ndodhte është se ky libër sot po njeh shumë sukses në Hindi, ku shumë e cilësojnë veten si arianët e vërtetë dhe Mein kampf-in e shohin si një armë kundër “çifutëve” të tyre, pra myslimanëve.)

Mein kampf është cilësuar si bibël e nazizmit dhe si e tillë ai ka dhënë aty shpjegimin e tij për gjithçka që një ideolog dhe politikan mendon se i intereson universit të zgjedhësve të tij, në radhë të parë shpjegimi i qytetërimit nga fillimet e tij e deri në kohët moderne dhe më tej e mbi të gjitha vizioni i tij për të ardhmen e popullit gjerman. Ai është i studiuar në çdo fjalë, në çdo figurë, madje duke përshtatur edhe gjermanishten në shërbim të ideologjisë së tij. Këtu dua të përmend shkarazi një studim të V. Klemperer i cili që më 1933, tek fshihej t’u shpëtonte kampeve të përqendrimit iu kushtua studimit të stilit gjuhësor dhe fjalëve që përdornin nazistët, nisur nga fjalimet që dëgjonte në Radio, ftesave për martesë, njoftimeve për lindje a vdekje, gazetave, broshurave, bisedave të jerarkëve nazistë dhe nëpërmjet tyre ekzaminoi procesin e një konfigurimi të dukshëm të gjuhësor të gjermanishtes. Më 1947 ai botoi LTI (Lingua Tertii Imperii, gjuha e Rajhut të III-të) që u kthye në referencë të analizave të gjuhës së regjimeve totalitare.

Por te Mein kampf ka edhe kapituj të tillë si “Rëndësia e fjalës” apo “Propoganda dhe organizimi”, të cilat të ndihmojnë të kuptosh përse ai ka synuar drejt një stili të thjeshtë, të drejtpërdrejt, dinamik. Aty ai nuk të lë indiferent edhe me shpjegimet e tij përse oratori duhet të synojë t’i drejtohet zemrës e jo mendjes e publikut etj., që duket se janë themelet e një shkence të re, të komunikimit, teknikat e të cilës mjaft politikanë i përdorin edhe sot e gjithë ditën për të manipuluar auditorin e tyre. Duhet pranuar se është arritje e konsiderueshme për një autodidakt.

Hapësira jetësore

Eshte fjala për një koncept që në të vërtetë nuk është krijim i tij (në origjinë ai kishte për qëllim bashkimin e vendit dhe ekspansionin drejt kolonive të ndryshme sipas modeli britanik dhe francez dhe nuk kishte natyrë racizmi biologjik), por A. Hitleri e vendos shpesh herë përbri rolit që ka për të luajtur në të ardhmen raca e epërme ariane dhe deklaron se ndryshe nga politika e paraluftës, kjo “hapësirë jetësore” nuk duhet kërkuar te kolonitë (nga të cilat Gjermaninë e kishte privuar Traktati i Versajës) por drejt Lindjes. Kolonitë afrikane duket se i ka frikë dhe diku thotë se për shkak të tyre Franca tashmë po shndërrohet në një vend mulatësh.

Idenë e tij të shtrirjes në Lindje e përpunon deri në detaje duke e ngritur në rangun e një programi nacional të jashtëzakonshëm e të përpunuar në të gjitha detajet, deri edhe në konsiderata të ekonomisë politike, si ato të sipërfaqes së nevojëshme për një numër të caktuar popullsie etj… Këtu mbase duhet parë edhe suksesi i propagandës naziste. Ajo, veç fjalëve, i ofronte popullit gjerman një projekt të tërë vital, një utopi. Për mua, krimi i vërtetë i popullit gjerman nuk është se pranoi këtë projekt utopik që është hutues e joshës, por sepse në asnjë rast nuk shtroi problemin e popujve që aktualisht banonin në ato territore e për më keq, pranoi propagandën naziste se ata janë popuj inferiorë e meritojnë të skllavërohen, e madje të zhduken. Se për të, Rusia kishte mbijetuar sepse qe drejtuar nga një klasë e zgjedhur gjermanike (mbase ka parasysh origjinën rregullisht gjermane të careshave), por tani që në pushtet aty kanë ardhur “çifutët”, kjo përligj pushtimin e saj dhe të vendeve kufitare me të. Dhe një ide të tillë ai e formuloi shume vite më parë se të vinte në pushtet.

Sociologu

Nëpër faqet e këtij libri mund të vëresh se atij nuk ka munguar talenti dhe syri i mprehtë i sociologut. Në këtë rast kam parasysh analizën që i bën shoqërisë vjeneze të periudhës kur jetoi, pra deri në fillim të L1B. Eshtë një mjedis dhe periudhë për të cilën ka lënë mjaft shënime dhe përshkruar shumë edhe S. Cvajg, veçanërisht në librin e tij Bota e djeshme. Kujtimet e një evropiani. Por tek lexon Hitlerin e kupton se përshkrimet e Cvajgut duhen kapur me pincë e duhen vënë në një kontekst të caktuar. Cvajgu përshkruan Vjenën e tij, Vjenën gjithë varak të skenave teatrale, sallonet e njerëzve të shquar, festat mondane, flet për kënaqësinë dhe lehtësinë e të jetuarit në të, lehtësinë e të pasuruarit etj. Për të gjithçka shkonte si në vaj nën vështrimin dashamirës të perandorit Franc Jozef.

Vjena e A. Hitlerit është krejt tjetër gjë, është vendi i mizerjes e papunësisë, e njerëzve të pastrehë, e alkoolit dhe dhunës që bënte kërdinë, e njerëzve të papunë e të pa strehë, e grave që ndjekin pas burrat alkoolikë që t’u marrin paratë për bukën e fëmijëve. Pra një Vjenë që duket më afër së vërtetës. Por si lexues i qëmotshëm i të dyve, shpesh më është dukur se ata plotësojnë njëri tjetri (këtu e ndjej se të dy po rrotullohen aty ku janë). Kur Hitleri flet për grindjet e pareshtura të komunitetit çifut, pa dhënë shumë detaje Cvajg, na informon se është fjala për zallahinë që ka shkaktuar libri Shteti çifut i mikut të tij T. Herzl, kryeredaktor i Neue Freie Presse. Aty ai thotë se çifutët si popull nuk kishin asnjë të ardhme nëpër diasporë dhe se duhet të ndërtonin shtetin e tyre në Palestinë. Tamam, sherrin e madh që shkaktoi një ide e tillë, Hitleri me sa duket nuk e ka kuptuar dhe e sheh si shenjë të një kombi të padenjë, e një tufe krijesash inferiore. Në të vërtetë është fjala pë konfliktin e njohur midis sionistëve që e miratuan këtë ide dhe pjesës tjetër qe e kritikuan rëndë duke mos e kuptuar se përse duhej të iknin diku te një shtet hebre, të cilit nuk i njihnin as gjuhën, ndërkohë që ndiheshin mirë aty ku ishin.

Duket se Hitleri ka dijeni për botën e Cvajgut por ky fundit nuk ka asnjë dijeni për botën e Hitlerit e të mijëra të tjerëve si ai. Të paktën kurrë nuk flet për to. Diku, them se ata të dy edhe do të jenë kryqëzuar bashkë, mbase edhe mund të jenë përplasur te dyert e Burgtheater dhe do të kenë patur delikatesën t’i kërkojnë ndjesë njëri tjetrit. A. Hitleri frekuenton rregullisht operat dhe shfaqjet teatrale me paratë e kursyera, nganjëherë edhe duke qëndruar pa ngrënë, Cvajg detyrimisht do të shkonte të ndiqte shfaqjet e tij.

Në një mendje janë vetëm kur flasin për prostitucionin, por ndërsa Hitleri te Mein kampf e sheh atë si një plagë të shkaktuar nga çifutët, për korruptimin e kombit gjerman, Cvajg-u e trajton në një kuadër më zakonor e si etapë ku shtyhet një shoqëri që ndrydh ndjenjat, e gjitha kjo në dritën të e zbulimeve të origjinës së neurozave nga miku tij S.Frojd, por asnjëherë si plagë shoqërore. Këtu më duket se Vjena e Hitlerit me pabarazitë e saj sociale është më e besueshme se ajo e Cvajgut, i cili ç’është e vërteta më duket se ka vështirësi të depërtojë në thellësi të shoqërisë ku jeton, ndryshe nuk do të ishte vënë të lavdëronte edhe diktaturat latino-amerikane, ku emigroi duke ngjallur zemërimin e mjaft intelektualëve të kohës.

Ishte i majtë apo i djathtë?

Ja një pyetje që besoj se shumë vetë as që do të dëshëronin të dëgjonin.E megjithatë, problemi nuk është ndarë përfundimisht. Në fillim kam qenë i prirur të përkrah korrentin e studiuesve “strukturalistë”, ku rreshtohen edhe marksistët, që e shihnin ngjitjen e Hitlerit në pushtet si lojë të strukturave të rënda, kapitalit, ushtrisë, bankave. Por problemi është se që në krye e deri në shembjen e tij nazizmi nuk pushoi së qeni antikapitalist radikal e sistematik. L. Von Mises (ekonomist i njohur austriak) thotë që më 1944 se marksizmi dhe nacional socializmi kanë të përbashkët kundërshtimin e liberalizmit dhe mospranimin e rendit social të regjimit kapitalist. Të dy synojnë një regjim socialist. Më tej ai shton se tetë nga dhjetë pikat e Manifestit komunist u zbatuan nga nazistët me një radikalizëm të tillë që do të linte gojëhapur edhe vetë Marksin.

Edhe te Mein kampf, A. Hitleri thotë se ai gjithnjë i la të hapura dyert e partisë së tij për militantët komuniste, ndërkohë që nuk lejoi hyrjen në të të elementeve “borgjezë” të partive tradicionale. Aty nuk harron të tregojë se edhe ngjyrën e kuqe të sfondit të svastikës së tij, ua mori marksistëve (nuk përdor shumë termin komunist). Gjithnjë te Mein Kamp”, ai thotë : Lufta kundër financës ndërkombëtare dhe kapitalit të huazimeve është bërë pika më e rëndësishme e luftës së kombit gjerman për pavarsinë dhe lirinë e tij ekonomike. Goebbels, nga ana e tij fliste rregullisht për « bolshevizmin nacional » kur donte të tregonte pozicionimin politik të partisë së tij naziste.

Ndërkohë është e vërtetë që partia nacional-socialiste kur u ndodh ngushtë financiarisht, më 1933 u përpoq të afronte edhe elementë të klasës së industrialistëve dhe të së djathtës konservatore, por në asnjë rast nuk u vunë re ndryshime të programit të saj social e politik. Me të marrë pushtetin ai nacionalizoi krejt ndërmarrjet e mëdha të industrisë gjermane.

Ka historianë që kundërshtojnë këtë pozicionim shqetësues të nazisteve duke thënë se kjo ndodh vetëm kur krahasimi bëhet me sistemin politik që u aplikua në Bashkimin Sovjetik dhe se nazizmi nuk ka asgjë të përbashkët me komunistët demokratë si Roza Luksemburgu apo me atë që njihet si Komunizmi i këshillave (qe mori jetë në periudha të shkurtra si gjatë revolucionit gjerman 1918-1919, te Këshillat punëtore të Torinos më 1919, diçka edhe në Hungari më 1956).

Mund të jetë edhe kështu, dhe unë do të kisha dashur të jetoja nën një komunizëm të tillë, por ajo që njohu bota nuk është Komunizmi i këshillave por modeli sovjetik stalinist, që u shtri gati në gjysmën e botës.

Pastaj, besoj, kur dy të majtë hyjnë në konflikt, qoftë ky edhe i armatosur, kjo nuk e bën domosdoshmërisht të djathtë njërin prej tyre.

(c) 2018, autori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.