MENDIME TË PAKREHURA (L)

(nga Stanislaw Lec*)

 

Mbante një flamur të mimetizuar.

Edhe mbushjet e dhëmballëve duan të jenë më të mëdha se vrimat.

Tema e një disertacioni: “Njeriu në historinë e njerëzimit.”

Edhe mumifikimi funksionon vetëm për një periudhë të kufizuar. Pastaj shfaqen arkeologët.

Shumë artistë arritën ta sigurojnë një çati mbi kokë vetëm në Panteon.

Le të na mbulojë veç balta e mëmëdheut!

Ai poet ia njeh limitet vetes – ndalet atje ku fillon poezia.

Nëse ju tmerron pesimizmi im, mendoni sa do t’ju tmerronte optimizmi im.

Nuk është mendimi që e humbet aktualitetin, por bota së cilës i referohet.

Mund të kesh alter ego pa pasur fare ego.

Disa e ngatërrojnë zhvarrosjen me ri-mishërimin.

Kush thotë “ne” nuk mendon për veten.

Disa e marrin rregulloren e burgut për projekt-kushtetutë.

Në trojet e shpifjes vdes fantazia.

Ka shenjtorë të cilëve jeta u fillon nga kanonizimi.

E rëndësishme është që u gjet vend për universin.

Si të rritesh, i kapur mes qiellit dhe tokës?

“Jo” nga lart poshtë dhe “jo” nga poshtë lart – janë dy fjalë të ndryshme.

Dje harrova të mendoj.

Sa më pak gjëra do të ndodhnin në botë, sikur të mos ekzistonin fjalët.

Në lashtësi, njerëzit e letrave ishin shumica skllevër.

Sfumaturat po shtohen! Edhe pak dhe mes të bardhës dhe të zezës nuk do të ketë më asnjë hendek.

Gjurmë gjigandësh? Jo, janë këpucët e mëdha të klounëve.

Muri që ndan njeriun nga njeriu është themeli i vërtetë i tempullit të dashurisë universale.

Sikur Don Kishotët të mos kishin luftuar kundër mullinjve me erë, nuk do t’i kishim ata me avull.

Nuk jam i sigurt as edhe nëse duhet dyshuar.

Jo kushdo mund të jetë sozi e vetvetes.

Realiteti nuk ecën me hapin e komenteve.

E përfytyroj luftën e brendshme të homo sapiens-it para se të vendoste të shqiptonte fjalën e parë.

Një ligj ekonomik i çuditshëm. Pashë njeriun të shitej. Dhe kur i paguanin shumën X, nuk vlente më as edhe të njëqindtën e kësaj.

Boja tipografike – sperma e kohës sonë.

Kush nuk ka gjetur dot vend në zemrën time, shumë shpesh më popullon kokën.

Vetëm ideologjia mund të bindë.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top