MENDIME TË PAKREHURA (LI)

(nga Stanislaw Lec*)

Jam apo jo i sinqertë? Po, jam, vetëm se e fsheh sinqeritetin tim.

Ka pasur epoka të emigrimit të popujve dhe epoka të emigrimit të shteteve!

Si mund të ekzistojë harmonia mes trupit dhe shpirtit, në qoftë se ky i fundit është gati të shpëtojë lëkurën në kurriz të trupit?

I kam rënë ferrit pash më pash, thoshte. Mbase vërtet. E pashë kur po e përshkonte, me një limuzinë të hatashme.

Agimi dhe muzgu – dy orë vendimtare, dhe njeriu zakonisht gogësin.

Të mos e qëllojmë njëri-tjetrin me fishekë manovre.

U fsheh në të çarën e unit të vet të dyzuar.

Ka lindur nga ajo Muzë që iu dha.

Kur bëhet nivelimi nga poshtë, fitojnë xhuxhët.

Është klasik! Me një fjalë, mund ta kopjosh pa i mbetur qejfi as atij, as plagjiatorëve të tij.

Vetëm kush do të hedhë në dorë diellin mund të bëhet zot absolut i errësirës.

Është e vështirë të gjesh pará – nuk mbajnë erë.

Kam frikë nga fetë laike. Në to edhe Zoti është laik.

Fama e shumë shkrimtarëve i kapërcen kufijtë e atdheut. Shkrimtarët do të dëshironin ta ndiqnin nga pas.

Ankohemi që nuk ka më përralla, por do ta shihni sa të tilla do të mbeten, nga koha jonë.

Si jemi, xhanëm! Habitemi nga viçat me dy koka dhe konsiderojmë produkte të natyrës grupet e mëdhenj të njerëzve me një kokë vetëm.

Pse nuk shkruaj për bukurinë e botës? Sepse më lë pa fjalë.

Ka shumë shqiponja dhe shumë pak pula.

Jemi emancipuar nga bota e kafshëve. Ndoshta nuk do të mbetemi gjatë as në atë të njerëzve.

Letrarët – burra dhe gra – janë prindër të hutuar: nuk i dallojnë dështimet nga fëmijët që u kanë dalë me sukses.

Mos harroni, artistë, se panteonet janë varreza.

Më pyesin se pse i shkruaj mendimet e mia në lokale publike të zhurmshme, dhe jo kur jam vetëm, në shtëpi. E bëj për të mos harruar se në ç’botë jetoj.

Askush, veç njeriut, nuk e ka nxjerrë sekretin e ekzistencës së Zotit.

Kur sheh ëndrra, gërhi! Kjo do të të shpëtojë.

Periudhën “pas Krishtit” ateistët e quajnë “era jonë.” Çudi.

Ata që i shqyejnë armiqtë e tyre më katërsh, të mos habiten kur u shumohen kundërshtarët.

Në mitologji, njerëzit zbuluan si do të silleshin, po të ishin zota.

Nuk ishte nga ata që nuk reagojnë, kur i pështyn në fytyrë. E çonte menjëherë pështymën për analizë.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top