MENDIME TË PAKREHURA (XLIV)

(nga Stanislaw Lec*)

I masave duhet të jetë lexuesi, jo arti.

Ndonjëherë përdorin dekoratat për t’i mbërthyer njerëzit pas uniformave.

Në art askush nuk gënjen më shumë se realistët.

Kam njohur një tip, sekreti i të cilit ishte fakti që nuk ekzistonte.

Gjaku është i dobët, si pigment.

Me sa duket, mungesa e imagjinatës i ndih sensit të realitetit.

Zeroja është korniza e gjithçkaje.

Të gjithë zotat kanë lidhje farefisnie mes tyre, përmes njeriut.

Njeriu antropomorfizon gjithçka, veç njeriut.

Qëkur e kemi mësuar se bota është e rrumbullakët, nostalgjia jonë kafshon bishtin.

Kush bëhet hero i një legjende, të mos harrojë që këto fillojnë kështu: “Na ishte një herë…”

Prisni që t’jua sjellin botën te krevati?

Astronomia prej kohësh nuk jeton më me kokën mes reve.

Mes trogloditëve ka gjigandë dhe shkurtabiqë.

Epokë entuziazmi për indiferencën.

Kush e ka krijuar botën? Deri më sot, vetëm Zoti e ka pranuar.

Jo gjithçka që është reale, është e vërtetë: për shembull, gënjeshtra.

Mund të heshtim vetëm atëherë kur të mund të flitet për gjithçka.

Të pashoqët mund të jenë edhe shumë të vegjël.

Ka organizma që vriten nga antidoti.

Ka pasur një kohë kur distancën e masnim me intensitetin e mallit.

Ata që kanë imagjinatë të fortë, shpesh nuk imagjinojnë dot botën reale.

Lodhja që mbaj mend më mirë është ajo që provova kur m’u desh të harroja ca gjëra.

E dogjën në një zjarr temjani.

Dashuria ndihmon për të jetuar? Brezin e ardhshëm.

Fanatikë të relativizmit.

Dy breza: ne ëndërruam bashkë, ata flenë bashkë.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.