MENDIME TË PAKREHURA (XXXII)

(nga Stanislaw Lec*)

Janë individë pa individualitet.

Gjithnjë e më pak njerëz interesohen për artin. Edhe pak dhe do të mbeten vetëm autoritetet. Por këta gjithnjë e më tepër.

S’ka gjë më të vështirë se t’ia parashikosh dikujt të shkuarën.

Në përrallat e tij, kafshët janë të balsamosura.

Për t’u bërë epigon nuk mjafton të mos kesh talent, duhet edhe vendosmëri.

Poeti mediokër është një pykë e ngulur mes fjalëve.

Për ta torturuar dikë, duhet të dish se çfarë i jep kënaqësi.

Vepra e tij është element i natyrës. Ujë.

Kur kam të drejtë, gjithnjë ruhem.

Në lidhje me poetin X: mungesën e talentit ia kompensonin bollshëm me çmime letrare.

Hyri në historinë e letërsisë pa kapur ndonjëherë penë me dorë.

Kush kacavaret në majë të shkallës sociale, shpesh harron pse u ngjit aty dhe kush e ka dërguar.

Në gojën e atyre që s’janë poetë, metaforat janë të dyshimta.

Dridhuni para palaçove që kanë humbur sensin e humorit.

Kishte frikë nga hija e vet. Edhe të tjerët. Nga hija e tij.

Falë Zotit, ekziston edhe Satanai.

Ndiqte gjurmët e të tjerëve, duke shpresuar se ashtu kursente ca nga të vetat.

Me sa duket, ata nëntë muaj që na jepen për t’u menduar para se të lindim janë tepër pak.

Na mungon sedra. Ati i shenjtë i dëboi stërgjyshët tanë nga parajsa, por ne gjithnjë duam që të kthehemi.

Edhe racionalizmi ka mistikët e vet.

Edhe masat mund të ndihen të vetmuara.

Kish pamjen e një liliputi, të parë me xham zmadhues.

Fytyra e turmës nuk ka nevojë për maska.

Për çudi, konsiderohen si mendime të papërgjegjshme ato për të cilat të kërkojnë të përgjigjesh para gjyqit.

Një keqkuptim! Duhen dënuar ata që i fshehin mendimet e tyre, jo ata që i shprehin.

Ura që të çojnë tek i njëjti breg.

Thotë banalitete të tilla që mjafton t’u shtosh muzikë dhe bëhen këngë të suksesshme.

Fakte të imagjinatës.

Perimetri i zeros mund të jetë shumë i madh.

Poeti X ka një imagjinatë të mahnitshme. Imagjinon se e ka.

Për atë xhelat thoshnin: “Ka dorë të lehtë.”

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.